back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Faltoreve Shqiptare: Shenjtëroni Rilindjen Kombëtare dhe rilindasit – nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Faltoreve Shqiptare: Shenjtëroni Rilindjen Kombëtare dhe rilindasit
nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Autor i librit “Besa, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” (2009)

Drejtuar:
-Komunitetit Musliman të Shqipërisë
-Komunitetit Ortodoks
-Komunitetit Katolik
-Komunitetit Ungjillor
-Kryegjyshatës Bektashiane
-Opinionit Publik Shqiptar

Synimi i këtij peticioni është që të bëjë të mundur që Institucionet Fetare Shqiptare (Faltoret shqiptare) që përfaqësojnë komunitete të ndryshme fetare të përfshihen në një akt shenjtërimi të përbashkët të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare dhe të rilindasve të shekullit 19 dhe fillim shekullit 20.
Kombi Shqiptar po përçahet me shpejtësi në vlera dhe situata e përgjitshme vijon të përkeqësohet. Faltoret shqiptare po u pëlqen ose nuk janë në gjendje të frenojnë ndërhyrjen e huaj në çështjen fetare. Shumë klerik fetar më shumë se për shenjtërimin e të shenjtës po interesohen për shenjtërimin e vet, pra po e përdorin funksionin zyrtar për të thithur “shenjtëri” për vete, ndërkohë që e kanë për detyrë të shohin të “shenjtën” në historinë e njerëzimit dhe të kombit të tyre, atë që vlen realisht vërtetë për kombet dhe mbarë njerëzimin.
Për këtë arsye jemi të detyruar të kërkojmë hapur që Faltoret Shqiptare të besimeve të ndryshme të provojnë në praktikë se po i përmbahen detyrimeve që u imponojnë librat e shenjtë dhe detyrimit për zbatim praktik në atë pjesë të njerëzimit, kombin shqiptar, duke bërë të mundur një edukim kombëtar sipas konceptit dhe ideologjisë së Rilindjes Kombëtare në çështjen fetare shqiptare, koncept dhe idelogji që mendohet se ka dakortësinë më të gjerë kombëtare dhe pranimin më të gjerë ndërkombëtar për ata që e duan vërtetë Shqipërinë dhe e vlerësojnë kombin tonë.
Për të mos e lënë abstrakte se çfarë kuptojmë me koncept apo ideologji kombëtare, po veçojmë tri mesazhe kryesore që na vijnë nga Rilindja Kombëtare e shekullit 19.
Së pari, devizën e Rilindjes Kombëtare “Feja e shqiptarit është shqiptaria” me autor Pashko Vasën shoqëruar me argumentimin e tij në Poemën “O moj Shqypni”.
Së dyti, një udhëzim për klerikët nga Naim Frashëri. Poeti Kombëtar Naim Frashëri i porosit kështu klerikët fetarë: “Fet’ e besëtë t’i kemi, po të ndarë të mos jemi. Hoxh’e xhami e dervishë, priftër’ e kllogjër’ e kishë, nderë që kanë ta kenë, po të duan Mëmëdhenë, të duan njerëzinë, dhe të tërë Shqipërinë. Mirësit’ e urtësitë t’i kenë përpara dritë. Të ken’ udhë njerëzinë, dhe zot gjithë Perëndinë. Me dritët të Perëndisë t’i ndihinë Shqipërisë, e të ngrenë Shqipëtarë, të bëhet si ish më parë.”
Së treti, argumentimin e Sami Frashërit në veprën e vet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (Bukuresht, 1899), kapitulli “Qëllim i shqiptarëve”.
E citojmë Sami Frashërin:
“Qëllim i vetëm i shqiptarëve është:
1) të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve
2) të mbajnë gjuhën dhe kombërinë e tyre
3) të përballen me intrigat e armiqëve të tyre (t’u rrinë kundreq)
4) e të ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e të mendimeve të grekërve e të shqehëve, të cilat po i rrëmojnë themelet e po i nxjerrin rrënjët Shqipërisë dhe shqiptarërisë.
Çdo gjë që mund t’i sjellë dëm këtij qëllimi do të luftohet keq prej çdo shqiptari të vërtetë edhe prej lidhjes së shqiptarëve. Ato gjëra që do t’i ndihin këtij qëllimi do të zihen me të dy duart prej tyre e do të bëhen me hir a me pahir:

1)Më e parë e këtyre është gjuha. S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqip pa shkronja shqipe, pa shkolla në të cilat të mësohet shqipja.
2)E dyta është kisha; të shpëtohenë shqiptarët nga zgjedha e priftërisë së grekëve, të bullgarëve e të serbëve e të kenë kishën e tyre me priftër shqiptarë e me ungjill shqip, se Krishti nuk ishte as grek as shqah.

Analiza e situtatës fetare dhe e edukimit
Duke ndjekur me vëmendje ecurinë dhe zhvillimet fetare në Shqipëri vëmë re me shqetësim se puna e Institucioneve Fetare po rezulton në një Dështim të Plotë të Shqipërisë e të Kombit Shqiptar, që shfaqet në korrupsionin galopant, në varfërimin me shpejtësi, në shpopullimin e jashtëzakonshëm, në dobësimin e unitetit kombëtar për shkak të zhvlerësimit të edukimit kombëtar.
Mund të thuhet “Fajin e ka politika dhe jo feja”. Për këtë duhet shtrojmë pyetjen nëse janë Feja dhe Instituticonet fetare të para, apo ato vijnë më pas dhe të tjera gjëra kanë më shumë rëndësi. Nëse do të gjykojmë në bazë të asaj që thonë vetë klerikët, feja duhet të jetë e para për ndikimin në shoqëri dhe jo më pas. Atëherë duhet të besojmë që fajin për gjendjen ku është Shqipëria, kryesisht (për sa ato thonë se janë të parët) duhet ta ketë dështimi i Institucioneve Fetare. Në fakt është, në përgjithësi dështimi i sistemit edukativ në Shqipëri ku natyrshëm hyjnë edhe shkollat, media dhe e tërë shoqëria bashkë me institucionet fetare. Ky dështim sigurisht udhëhiqet nga forcat politike, të cilat me shumicë fshehin brenda tyre dakortësi me “rrymat e institucione fetare” që zënë fill jashtë Shqipërisë. E kuptojmë këtë nga fakti që ato nuk kanë qortime për njëra-tjetrën, pra ka një marrëveshje të heshtur ndërmjet tyre.
Paaftësia fetare dhe nënshtrimi i plotë ndaj të huajve, bashkëpunimi me politikën e korruptuar ose nxitja “fetarisht” e kapjes së shtetit nga të korruptuarit (e fesë time), po i nxjerrin rrënjët Shqipërisë duke ndihmuar shkombëtarizimin në edukim dhe përçarjen kombëtare në politikë e jetën shoqërore, duke paralizuar kështu plotësisht energjinë kombëtare dhe të ardhmen e kombit tonë.
Dukuria kryesore negative që vëmë re në punën e Komuniteteve Fetare është indiferenca ose apatia e Institucioneve Fetare ndaj ideve të Rilindjes Kombëtare e cila hodhi me sukses bazat e ideologjisë kombëtare, konceptoi programin e edukimit të virtyteve dhe karakterit të shqiptarit, konceptoi idetë e harmonisë fetare dhe i zbatoi ato me sukses. Kujtojmë që të tërë rilindasit i kishim besimtarë. Rrallë qëllon referimi ndaj vizionit të Rilindjes Kombëtare. Referimi do të ishte shumë edukativ për rininë dhe vetë shkollën sepse do t’i bënte ata të lexonin më shumë në këtë drejtim.
Gjithë këto vite kemi vënë re një shthurje të përgjithshme e degradim me synim dizintegrimin e konceptit të popullsisë dhe shtetit për rëndësinë dhe vlerën e ideologjisë dhe programit të Rilindjes Kombëtare dhe rendje pas “fetarizmit global” që në fakt përfundon në një “nënshtrim rajonal” ndaj Faltoreve më të mëdha të ngjashme.

Ku qëndron problemi sipas nesh?
Zanafilla e paaftësisë dhe e përçarjes qëndron tek raporti jo i drejtë që vendosin Faltoret e klerikët e tyre ndërmjet edukimit global dhe edukimit kombëtar. Duke qenë feja nga natyra e saj një “edukim i njeriut në përgjithësi” ai detyrimisht është pjesë e edukimit global.
Faltoret duke u kujdesur më shumë për “universalen” sesa për “kombëtaren” dhe duke mos u kujdesur për harmonizimin e tyre, e kanë lëshuar veten të vihen nën ndikimin e “globales” që në fakt realisht, në praktikë, nuk del aq “globale”, por merr formën e shëmtuar të varësisë nga vizioni i qytetërimeve të shteteve fqinje apo të tjerat, që e futin këtë vizion “të paketuar” me veprimtarinë fetare konkretete.
ABC-ja e Rilindjes Kombëtare në çështjen fetare ishte gjuha shqipe në ligjërim e tekstet fetare, klerikët shqiptarë dhe pavarësia e institucioneve fetare nga të huajtë. Mbi të gjitha duhej të ishte edukimi kombëtar i shqiptarëve nëpër faltore i aftë të mbajë një interes të ngushtë kombëtar krahas interesit human (njeriu në përgjithësi).
Realisht nuk kemi këtë, por kemi një individ shqiptar krejt apatik, që nuk di si të orientohet në mjedisin e çuditshëm shqiptar, i cili nuk beson sinqerisht në “sintezën e harmonisë fetare” por merret më shumë me “rreshtimin global” e “rajonal”, pra pa mbaruar punët e veta kombëtare, merret me “punët e botës” (luftën e qytetërimeve). Gjithmonë e më shumë flitet për “fetarizëm” e gjithnjë e më keq po ndodh situata. Problemin “fesë” ia krijon zhveshja nga “kombëtarizmi”.
Andon Zako Çajupi do ta thoshte “Besa është e gjithësisë, ne jemi të Shqipërisë, se kemi pirë një sisë”, por në fakt Faltoret po i ushqejnë besimtarët e “pjesës së tyre” me sisët e interesit të Italisë, Turqisë, Greqisë, Izraelit, SHBA-së, Britanisë etj.
Të gjithë sektorët e edukimit (faltore, shkolla, media) po tregojnë se po braktisin masivisht dhe në kombinim edukimin shqiptar dhe ndërkohë po krenohen se po bëjnë edukimin global të shqiptarit, që në mungesë të edukimit kombëtar është thjesht një “karikaturë”. Naim Frashëri do t’u thoshte:

O! sa qenë të gënjyer/ Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,/ Punuanë fare kotë.

Lanë mëmëdhenë të çveshur/ Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota, duke qeshur,/ U thotë: “Mundohi kotë!”

Edukimi global, universal që premton feja, pa edukimin kombëtar është qartësisht është nxjerrje jashtë loje e shqiptarëve të cilët ngarkohen si Don Kishoti me një mision global ndërkohë që vendin e tyre e marrin të tjerët në komandë dhe tashmë Shqipëria nuk drejtohet si Shqipëri, por drejtohet si një “aleancë interesash të huaja” që vënë në veprim grupe të rëndësishme të popullsisë dhe partitë politike që janë përçarë pikërisht me “edukimin global” që ofrohet kryesisht përmes institucioneve fetare.
Pasojat negative të edukimit fiktivisht global dhe të shkombëtarizimit dhe të përçarjes ose të vënies së kombëtares në shërbim të së huajës janë vënë re së fundmi në disa drejtime:
Në nismën për Shtet Bektashi, që është krejt e kundërta e idealit, vizionit, programit, ideologjisë së Rilindjes Kombëtare dhe e Vëllezërve Frashëri.
Në futjen graduale të komunitetit musliman në dikotominë turke (Gylen – Erdogan) apo arabe duke atrofizuar aftësinë shqiptare për të bërë një komunitet musliman të mirëfilltë shqiptar, kompakt, të aftë për të edukuar shqipëtarisht vlerat që ndan për shkak të Kuranit e gjithë bota muslimane dhe për të zgjidhur probleme shqiptare qofshin ato edhe të politikës së jashtme me një frymë e argumentim universal që gjendet në librat e shenjtë. Argumenti “i harmonisë fetare” zhvlerësohet plotësisht nëse vendi ynë Shqipëria po shkon për keq. Harmonia do të duhej të prodhonte mirësi, drejtësi, mirëqënie për vendin. Në fakt kem ligësi, padrejtësi, prapambetje. Kështu vetë Faltoret e humbasin edhe argumentin më të fuqishëm që vjen realisht nga vetë natyra e kombit shqiptar. Kjo do të thotë se ai tipar nuk është në “lulëzim” por në “varfërim” dhe deri në të kundërtën e vet.
Në kthimin hapa prapa të statusit dhe përmbajtjes së veprimtarisë Kishës Ortodokse Shqiptare që duhej të ishte realisht autoqefale dhe jo fiktivisht. Për autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare u investua e gjithë Rilindja Kombëtare.
Ungjillorët protestantë po rrëmbejnë për interesa sektare të tyre Historinë e Veprimit Kombëtar të Familjes Qirjazi duke deformuar seriozisht kuptimin e veprës së tyre kombëtare, nga një kuptim gjerësisht i provuar kombëtar me argumenti se ata njihnin si autoritet më të lartë Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, pjesë e të cilit ishin edhe vetë, nën një narrativë tjetër e imponuar me fryrjen e botimeve, se ata kanë vepruar si protestantë me nënkuptimin që Rilindja e mori ndihmën jo nga shqiptarët e vet, por nga protestantët e huaj.

Shpirti i Skënderbeut thotë...
Shpirti i Skënderbeut thotë…

Rilindja Kombëtare Shqiptare merr skoliozë të rëndë nga këto fushata të qëllimta fetare.
Shqipëria dhe kombi shqiptar nuk mund të funksionojë me pjesë (fetare) në atë mënyrë që ato paralizojnë njëri-tjetrin sipas tekave të ditës, pra nuk mund të jetë një aleancë faltoresh. Sistemi edukativ do të duhet të jetë unik (në unison) në të paktën në një çështje kryesore, në respektimin, pranimin e frymëzimit sipas vizionit dhe ideologjisë së Rilindjes Kombëtare në atë mënyrë që ajo të shihet si diçka të shenjtë. Shenjtërinë popullore dhe kombëtare Rilindja Kombëtare e ka, por ajo duhet forcuar nga veprimi praktik i Faltoreve Shqiptare. Duke bërë sikur nuk shohin, sikur nuk ka edhe aq rëndësi, sikur është pa lidhje praktike, sikur nuk është detyrë e tyre, Faltoret po ndikojnë fuqishëm në dobësimin e formimit shqiptar të individit. Nuk mund të “distilosh” “njeriun” të zhveshur nga “kombi”. Ndaj duhet punuar njëkohësisht edhe me “njeriun” në përgjithësi edhe “me shqiptarin” në veçanti.
Komunitetet Fetare të udhëhequra nga institucionet nuk duhet ta braktisin, ta quajnë të huaj konceptin dhe ideologjinë e Rilindjes Kombëtare dhe as nuk mund të justifikohen me argumentin se “atë duhet ta mësojnë shkollat” dhe nuk është punë e tyre, meqë punë e tyre qenka “edukimi global fetar”. Edukimi nuk funksionon “njëri gozhdës e tjetri patkoit”. Të gjitha institucionet edukative (shkolla, faltore apo media) duhet të punojnë në harmoni të plotë kur bëhet fjalë për edukimin kombëtar.
Faltoret duhet t’i shfrytëzojnë takimet e tyre për “harmoninë” jo veç për deklarata të përsëritura, por të bashkëpunojnë se si të bëjnë “libra të përbashkët edukativ” që do të ishin thjesht shqiptarë, por me një argumentim edhe më të fuqishëm e të diversifikuar që larmia jonë fetare ta lejon.
Fan Noli do të thoshte “Anës dritës i paparë, pranë dijes i panxënë”. Pra, megjithëse larmia fetare duhet ta fuqizonte më shumë se këdo tjetër me dituri të moralit, shqiptari paradoksalisht na del më i dobët dhe i paaftë të ruajë veten, familjen, kombin e vet.
Individualiteti, origjinaliteti, e ndryshmja e natyrshme në edukimin që Faltoret do të duhet të jepnin qëndron natyrshëm vetëm përsa i përket edukimit fetar konkret. Duket që Faltoret kanë frikë të punojnë bashkë për punë thjesht shqiptare, që do të thotë se u pëlqen më shumë “ndarja” dhe “e vetja” sesa “e përbashkëta”.
Ka plot fakte që vetë Faltoret dhe Komunitete Fetare i bëjnë levë shkollës shqipe, duke aktivizuar aty “varfërimin e menusë” që pastaj nxënësit të derdhen drejt “faltoreve” interesante, në fakt përçarëse. Nëse ato do të bashkonin fuqitë e tyre do të bënin të mundur mbase një tekst mësimor shqiptar për mësimin e fesë. Pse e kemi bërë ne librin “BESA” dhe nuk e kanë bërë ata? Sepse ne shohim interesin e nxënësit dhe të familjes shqiptare dhe të vetë kombit shqiptar, pavarësisht nga feja që ka secili.
Duke rritur realisht harmoninë, komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre, do të kishim një lëvizshmëri më të madhe nga një faltore tek tjetra, pa u konvertuar, që do të ishte “tipike shqiptare” (konvertimet e shumta tregojnë për këtë). As ky nuk është interes i Faltoreve? Po çfarë na qenka interes?
Provohet se heqja e emrit të “Mësonjëtores së parë shqipe” dhe e statutit Muze Kombëtar i Arsimit (shih ligjin 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe VKM 146 datë 10 mars 2021) është sulm me prapavijë Fetare ndaj Rilindjes Kombëtare me synimin për të dëmtuar institucionin frymëzues që paraqiste Siguresën e Harmonisë Fetare dhe të Edukimit Kombëtar. Duke dëmtuar siguresën fetare që përfaqësonte “Mësonjëtorja” dhe Rilindja Kombëtare ata i hapën rrugën çaktivizimit të sensorëve të publikut për të gjithë çështjen fetare, duke e lënë shoqërinë të binte në humnerën e përçarjes dhe e pafrymëzuar kombëtarisht për të gjetur njëri-tjetrin. Ne u shkruam atëherë klerikëve fetarë, por ata “heshtën”. Çfarë dinë ata të ketë më të shenjtë sesa “Mësonjëtorja e parë shqipe” Korçë? Kishën apo xhaminë e tyre? Veten e tyre? Ky është problemi, nga i cili nuk po shkëputen dhe që duhet rregulluar prej tyre.
Provohet se anëtarë të lartë të ekzekutivit të Qeverisë aktuale, me prapavijë fetare për përçarje fetare, kanë shkruar libra për Frashërin që i hapin rrugën tjetërsimit të kuptimit të Veprës së Vëllezërve Frashëri në atë mënyrë që ata të përthithen dhe të atrofizohen në veprimin kombëtar të tyre dhe të çaktivizohet frymëzimi i kombit shqiptar nga ideologjia e Rilindjes Kombëtare që me shkrime u udhëhoq veçanërisht nga Naim Frashëri dhe Sami Frashëri.
Provohet se emërtimi “BESA” i Muzeut Hebraik është qartësisht çorientim fetar shqiptar për synime izraelite. Izraelitët në dorë e kishin t’i vinin emër hebraik Muzeut të tyre. Pse zgjodhën të përvetësonin të vetme fjalë kyçe shqiptare që emërton pikërisht fenë?! Në shqip “Fe” nuk na thotë aq shumë sa na thotë fjala “Besë” (besim). Izraelitët përdorën Qeverinë e Shqipërisë për të arritur këtë objektiv, pra e rrëmbyen, e shqyen edhe ata një copë nga torta “e harmonisë fetare” që në fakt është edhe “indiferencë kombëtare”. Me gjithë kundërshtimin tonë zyrtar ndaj institucioneve qeveritare dhe akademike të Izraelit, u zgjodh prej tyre heshtja, që do të thotë se do të vijojnë në udhën e tyre. Si ndihmojnë Komunitetet Fetare që kjo punë të mos ndodhë dhe “prona e përbashkët kulturore” të ruhet për të gjithë dhe jo ta rrëmbejnë izraelitët?

Si të funksionojë shqiptari në këto kushte të çorientimit të tij edukativ dhe të përçarjes?
Kjo përçarje e të gjitha besimeve fetare dhe nënshtrimi përkatës ndaj të huajve të krishterë e muslimanë po verifikohet me shpejtësi marramendëse orë e çast thuajse në çdo komunitet fetar.
Shqipëria nuk mundet të ecë pa harmoni fetare. Por para se të kemi harmoni fetare duhet të kemi edukimin me Ideologji Kombëtare që e ruan thelbin shqiptar të orientimi të njeriut shqiptar dhe Faltoret Shqiptare duhet të ndikojnë që ky thelb shqiptar të harmonizohet sa më shumë me kulturat e pikëpamjet fetare që ato kanë si synim kryesor. Ne nuk shohim që Faltoret të merren me këtë punë. Deklarimet e tyre janë thjesht mediatike, por realisht nuk po ndodh një edukim kombëtar, por një çedukim kombëtar.
Të gjitha institucionet fetare, me bashkëpunimin e tyre, duket se prej vitesh (dekadash) po shenjtërojnë korrupsionin më të lartë shtetëror e politik për interesat e pronësive të tyre mbi tokën ku veprojnë, mbi ndërtesat, mbi lejet shtetërore që duan. Jo rrallë i gjen duke mbështetur edhe në fushatë elektorale me “biseda jo publike”. Megjithëse ato kanë mundësi t’u thonë NDAL vizitave dhe bashkëpunimit me të korruptuarit ato po kënaqen nga lajkat dhe shërbimet e tyre ose po i nxitin vetë ato duke akzivizuar besimtarët e tyre.

Kërkesa jonë ndaj Komuniteteve Fetare është:
a) t’i provojnë publikut se si ato e edukojnë kombëtarisht shqiptarin dhe si e bëjnë harmonizimin me edukimin global
b) të shenjtërohet në dakortësi dhe unison nga të gjitha faltoret Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX dhe rilindasit dhe kjo të provohet duke konceptuar bashkërisht një strategji edukimi kombëtar, duke botuar libra të investuar bashkërisht dhe jo veçantë dhe Muret e Faltoreve, axhendat e veprimtarive të reflektojnë simbolet kombëtare dhe adhurimin kombëtar dhe sidomos të adhurohet jo vetëm Krishti e Muhameti apo Zoti në përgjithësi, por edhe rilindasit që konceptuan fare mirë tiparet dhe karakterin e shqiptarit, si edhe kanë merita të veçanta në konceptimin e çështjes fetare shqiptare siç janë Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Fan Noli, Sevasti Qirjazi etj.
Besimtari shqiptar që hyn në Kishë apo xhami duhet të edukohet nga grupi i Rilindjes Kombëtare, i trajtuar ky grup qëllimisht si “autor kolektiv” (me prejardhje të ndryshme fetare).
Nëse kjo klerikëve fetarë u duket e tepërt atëherë ata po provojnë se po refuzojnë shenjtërimin e Rilindjes Kombëtare dhe duan të shenjtërojnë veten dhe korrupsionin më të lartë që ka mbërthyer prej gryke Shqipërinë dhe kombin shqiptar, po shenjtërojnë ndërhyrjen brutale të huaj.
Në përfundim, edhe një herë u kërkojmë Faltoreve Shqiptare (Kisha e Xhamia) të shenjtërojnë Rilindjen Kombëtare dhe rilindasit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.