back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Si e kujtonte mama ime 17 nëntorin e 1944 – nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Fatmira Allmuça
Fatmira Allmuça
Si e kujtonte mama ime 17 nëntorin e 1944
nga Fatmira Allmuça

“…ishte mas mesit t’nat’s kur çilet dera e oborrit me forcë dhe n’oborr’ u gjinden pes’dhet’ partizan me pushkë n’dor…” – kështu e fillon mamaja ime tregimin për natën e parë të datës 17 nëntor të vitit 1944, dhe vazhdon: “U çova vet’ e para dhe mas mejet dul Hamiti me veshje gjumi. M’etëm pa gojë për ç’na pan’ sytë… Nuk na lanë me hap gojën, po ju drejtu’n Hamitit dhe i than’: “Ne e dimë se ku e ke armën po mos na lodh e merre vetë…” Ne u pamë sy m’sy e s’po dijshim përse bahej fjalë…
Njeni i thotë Hamitit: “E ke n’çati!” Aty u kujtume që e kishin fjalën për “dhet’shen turke” të bab’s së Hamitit, që si tregtar, e kishte pasë me leje armën dhe mbas vdekjes ja kishte lanë Hamitit… Ma mbas e murën Hamitin që në moment më la unazën dhe më tha: “Çfardo të nollë me mu… mos u frigo!”
Kur dulen jasht’ i n’oqa me sy derisa u zhduken si hijet n’errsinë. Ishin shumë të tjerë bashkë me Hamitin… I kishin lidhë dor’ më dor’ dhe i nisën ashtu grumbull te shoqnuem nga partizan’t me pushkë, në drejtim të tokave tona… Njofta vetëm Pol Zhegun që e lidhën me Hamitin… Ma von’ murrme vesh që ishin dhe Musa Maçi, Dyrri (Abdurraman….) dhe shumë tironas të tjerë… M’eta fillikat me Semihan që ishte ma pak se tre vjeçe dhe me Lumen vetëm gjashtë muj’she. Nuk dijshe ku me shku e kujt me i thanë. Pritshe me u zbardh’e me shkù ke baba jem. Ne nesret n’mjes vjen Pol Zhegu që më thotë: M’vjen keq Makbule, mu m’shlun, po Hamitin e majtën…
…Mas ma shum’ se nji viti pa e pa me sy… na thojn’ se gjyqin do e bajshin në nji sall’ kinemaje. Shkume me pa dhe un’ s’e njofta Hamitin që ishte i lidhun mes shumë të tjerëve. Kur po ecnin tuj terhjek’ kam’t zvarrë me thot’ Xheja: “Shife Hamitin!”, dhe un’ tuj’ pyt: “Ku asht?” Ajo me diftoi me gisht nji njiri të dobët dhe më thotë “Ai osht!”. “Jo, – i thashë – nuk asht’ ai…” Ajo ngulte kambë… Ia njofta sytë… Vetëm sytë… Kur “pop’lli në sallë filloi të bërtiste “Në litar…! Në litar…!” M’ra të fikt dhe kur u përmena kisha babën tem mbi kry’ që me pajton me çoi në shpi…
Nuk qinrova dot e fortë me e n’jek gjyqin…”

Bashkëshortët  Allmuça në vitin 1943
Bashkëshortët Allmuça në vitin 1943*

Kjo, është një pjesë e asaj që më rrëfente mamaja për historinë e saj dhe të familjes… Nuk po zgjatem me vazhdimin e historisë dhe se kush njeri i afërt e “spiunoi” dhe e “sulmoi” gjatë gjithë jetës…
Është histori e dhimbshme dhe e gjatë…
Tani, më thoni ju të nderuar Miq, çfarë duhet të kujtoj në datën 17 Nëntor, të tetëdhjetëviteve ma parë.

*Foto e prindërve të mi në vitin 1943, një vit para 17 Nëntorit 1944…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.