back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Unë” … e vrava Martinin! – nga Tom Ndini

Gazeta

Martin Cani - adoleshenti 14 vjeçar i vrarë me thikë
Martin Cani – adoleshenti 14 vjeçar i vrarë me thikë

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme kryeqytetin, ku një 14-vjeçar (Martin Cani) humbi jetën pas një sherri të rëndë mes adoleshentëve.
Sipas dëshmitarëve, thuhet se ambulanca ka ardhur më vonë dhe adoleshenti është dërguar me automjet në spital, nga pronarët e biznesit aty pranë. Thuhet se ai është goditur 6 herë e thikë në zemër dhe në bark.
Personi tjetër është goditur 2 herë me thikë, – thotë gazetarja – dhe ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar. Sipas burimeve, bëhet fjalë edhe për një djalë tjetër të plagosur qe po merr mjekim në një spital privat.
Shkaku nuk dihet ende në mënyrë zyrtare, flitet për një konflikt të nisur nga rrjetet sociale, për shkak të problematikave mes të rinjve. Ka pasur një mungesë të policit në derën e shkollës, pas mbarimit të mësimit.
Marrë nga lapsi.al, 18 nëntor 2024

Vendi ku u vra Martin Cani
Vendi ku u vra Martin Cani
“Unë” … e vrava Martinin!
nga Tom Ndini

Sot mora të dal herët nga shtëpia, s’e kuptova, përse, ula sytë përtokë dhe s’guxova të shihja asnjë në sy, shumkush nxiton e vrapon, për nevojat e ditës, një shirit të zi, kisha krahut, disa më panë me habi, “mos i ka ndodhur gjë vallë…?” me siguri kanë menduar, nuk u vura faj, sepse s’i kanë lënë kohë, të mendojnë, i kanë futur në kurthin e rendjes për “bukën e përditëshme”, i kanë bërë të harrojnë “vakinë” e madhe ku ndodhet shoqëria, më së shumti, të harrojëë fëmijët…!?
Nuk di sa lek m’u ndodhën me vete, vetëtimthi u ktheva nga tregu, tregëtari thërriste, me sa fuqi kishte “Hajde thika të mprehta!”… Doja t’i blija të gjitha, edhe ato te tregu i orizit, edhe në Çole, por shpejt e kuptova mendjelehtësinë time, tregetarët do të dalin prap nesër, sepse shoqërisë i duhet “ekonomia e tregut” as i plas për llojin e mallit, nëse bën dëm a dobi!?
I lashë thikat, bëra disa letra të vogla, ku shkruhej “mbi 16”, fillova t’ja ngjis celularëve në dyqane, disa më panë me inat, po unë nuk rreshta, shkova te zyra e internetit, me një tabele të madhe “ndaloni tik-tokun”, për dreq aty kaloi një kinez, diçka tha nëpër dhëmbë, por nuk u stepa, mbaja tabelen dhe thërrisja… veç habi dhe heshtje!?
Më shkoi nëpër mend, britma e fëmijëve, kur luanim gjithë hare në fushat dhe oborret e lagjeve apo të shkollave, “atje do të jenë” mendova, eca pak, e përpara më del një pallat gjigand, në vend të fushës së dikurshme, kthej majtas një supermarket, një disko, lojra fati me tej, marr djathtas i sigurt për fushën e lënë dikur, një i moshuar dhe dy stola të vjetër ma shuan kureshtjen…
I afrohem një shkolle, nga dritarja e katit të parë dëgjoj zërin e mësueses së letërsisë duke recituar diçka nga Migjeni, në mos gaboj “Luli i Vocërr”… S’munda më, bëra disa hapa pa fjalë dhe si në ekran më erdhi entusiazmi i fëmijëve-nxënës në aktivitetet e shkollave, vite më parë, grupet artistike, teatrore, të estradës, ansamblet, ekipet sportive dhe garat ndërshkollore, pas mësimit, të rinjtë në shumicë, merrnin pjesë në ekipet gjithësportesh të qytetit… Si u zhdukën si me magji të gjitha, ç’faj iu patën!? (…e di përgjigjen, por s’është vendi, sepse na ka rënë një gjëmë e madhe dhe nuk po dimë si të dalim!) Shkolla ishte institucion, mbante përgjegjësi për mësimdhënien, po mbi të gjitha për edukimin, ky është destini themelor i saj, përparimi në mësime është individual gjithsesi, edukimi është i përgjithshëm dhe i detyrueshëm. Prindërimi… sa qesharake më duket kur e dëgjoj nëpër ekrane, të cilat për hir të së vërtetës, shesin bollshëm ç’edukim… ndërsa detyrohen për të kundërtën. Prindi vjen nga një kulturë e caktuar, dhe koha është e mangët, sepse lufton thuajse gjithë ditën, fatkeqsisht për mbijetesë e pa dashur, del nga ingranazhi i edukimit. Pra, edukimi institucionalizohet, nëpërmjet kujt?! Shoqëria duhet të vetëdijësohet për këtë duke bërë presion, që mbi gjithçka të jetë edukimi, arsimimi, aktivitetet gjithësociale, sporti ekipor (është një vatër edukimi, sepse i angazhon fëmijët dhe të rinjtë në kohë të dobishme, pa lënë hapsira për çoroditje)
Mbase nuk do mbaronin rradhët e shkruara për temën, por unë, pa dashur të kryqëzoj njeri, kam identifikuar fajorin, i cili nuk është një i vetëm… Trishtimin më të madh e kam ndaj nesh… që kemi “birësuar” fëmijët dhe të rinjtë me rrugën, ndaj vajtojmë tani… por askush nuk na dëgjon…! Ç’bëmë kur u prishën fushat dhe sheshet ku luanin fëmijët; ç’bëmë kur hyri droga e shitej si çimçakiz; ç’bëmë kur hyri pornografia e figurës dhe e fjalës në ekrane edhe në parlament, po deshët; po kur pamë se fëmijët flakën librat dhe për çudi ja zëvendësuam me celularët… ç’bëmë!? Po kur ndërtesa arsimore filloi të lëkundej dhe figura e mësuesit u deformua… ç’bëmë!?
Si pa kuptuar, me erdhën në mend, vargjet e fundit që plot dhimbje i recitoi mësuesja “…tollumbat e Lulit, kan për me e hangër mesuesin!” Ndaj me shumë dhimbje dua ta pohoj:
Ne e vramë Martinin…!
“Unë” e vrava… Martinin!

Marrë nga muri i fb Tom Ndini, 21 nentor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.