Zgjuarsia e të parëve
nga Artan Kafexhiu
Shqipja, pavarsisht përpjekjeve për t’i veshur një zhgun “civilizimi” siç është standardi, konsiderohet akoma një “gjuhë në gjendje natyrale”, e jo e inxhinjeruar. Kjo për arsyen e thjeshtë, se është futur në brazdat e gjuhës së shkruar shumë vonë, në ndryshim nga gjuhët e tjera të mëdha të botës, përfshirë edhe ato ballkaniket.
Hapi i parë i rëndësishëm ishte vendimi, i dalë prej Kongresit të Manastirit në 1908, për të adaptuar alfabetin latin. Ky hap vendosi edhe fatin europian të literaturës shqiptare, e ku sigurisht e natyralisht i takonte të ishte.
I pari që sugjeroi përdorimin e dialektit të Shqipërisë së Mesme, – pellgu Tiranë, Durrës, Elbasan, – për krijimin e një gjuhë letrare kombëtare të unifikuar të shqipes me qendër dialektin e Elbasanin, ishte Gustav Weigand në botimin e gramatikës së tij shqipe (1913) bazuar në këtë dialekt.
Në 1916, Komisia Letrare Shqipe, e formuar në Shkodër me inisiativën e njerëzve më iluministë të kohës, vendosi që e folura e Elbasanit, si dialekti geg me afër atij të Jugut, tosk, të ishte gjuha mbi të cilën do të bëhej edhe unifikimi i gjuhës shqipe. Një ndër ideatorët dhe partizanët e kësaj qasje ishte Aleksandër Xhuvani, një pioner i standardizimit të gjuhës shqipe.
Zgjidhja ishte praktike, neutralizonte kontradiktat dhe gravitacionet dialektore midis përfaqësuesve më me zë veri-jug. Filloi përgatitja e mësuesve të parë të gjuhës shqipe nën drejtimin e Luigj Gurakuqit, në atë që sot njihet si Normalja e Elbasanit. Ndërkohë, në 1918, Komisia Letrare Shqipe botoi e vuri në qarkullim një broshurë, ku tregoheshin karakteristikat e përbashkëta dhe ndryshimet midis dy dialekteve kryesore, dhe udhëzonte përdorimin e rregullave ortografike që do të aplikoheshin në gjuhën e shkruar.
Kjo përqasje “konvergjuese” midis dialekteve, ishte parimi që udhëhoqi zhvillimin e shqipes deri në vitin 1952. Në atë vit, me orientimin e instancave të larta partiake komuniste, u vendos që standardi, gjuha e unifikuar do të mbështetej në dialektin tosk. U organizua një konferencë në Institutin e Gjuhësisë, po sipas udhëzimeve partiake rreth procesit që do ndiqej për të arrirë këtë objektive me orientim politik, kur shumica e udhëheqjes shqiptare ishte toskë. Po të lexohet materiali që të ofron Buletini i Institutit të Shkencave të atij viti, merr vesh se kjo u kundërshtua nga një numër gjuhëtarësh, por më shumë, jo si opozitë direkte ndaj orientimeve nga lart.
Ndër to ishte Aleksandër Xhuvani, i cili me zgjuarsi përdori citime për gjuhën nga vetë Stalini: “Marksizmi nuk pranon një hov (shpërthim) të papritur në zhvillimin e gjuhës”. Xhuvani nuk doli hapur kundra, por tha se ndryshimet duhet të jenë evolutive, në një gjatësi kohore me shtrirje tre brezash. Ai donte të fitonte kohë. U shpreh metaforikisht se gjuhën (dialektin) “nuk mund ta hedhësh tutje si gunën e vjetër, apo ta futësh në një muzeum” (perifrazimi im), kur kjo është gjuha e një pjese të madhe të popullsisë.
Në të njëjtën linje edhe albanologu Max Lambertz, që e kundërshtoi e vazhdoi përpjekjet e palodhura për të evituar këtë proces të adaptimit të standardit bazuar në dialektin tosk. Derisa, në një mënyrë vetë Hoxha, ia bëri të qartë Lambertz-it, që të hiqte dorë nga përpjekjet e tij, se nuk kishte rrugë tjetër. Ishte një vendim politik.
Megjithatë, gegërishtja vazhdoi të penetronte tekstet letrare me iniciativën e më guximtarëve, duke u toleruar disi nga instancat përkatëse. Më në fund, pas 1972, nuk u prodhua më asnje tekst i mirëfilltë letrar në gegërisht.
Ps. Ky bllok i vogël shënimesh, u bazua në të dhënat e Camajt dhe Pipës.