Skicë pas shiut me një pellg në anë…
nga Visar Zhiti
Kaq bukur ra shi, shi qytetar, me kaq elegancë dhe pasion, – po thosha me vete dhe po kujtoja atë xhamin, të mbushur si me lotë dashurie.
Teksa ecja, pashë poshtë te këmbët e mia një pellg dhe ca re të vona, gjysma resh, aq sa pasqyroheshin, që dukej sikur donin t’i iknin siprinës me zëmëratë madhështore. Po, po…
Eh, pellgjet s’dinë ndryshe, veç ta tregojnë përmbys atë, që arrijnë të shohin, por edhe gjysmake. Edhe të vegjël fare në qofshin dhe sado i madh qoftë qyteti, pellgjet do e kthejnë kokëposhte ç’mundin, kështu u ngjanë…
Pellgu te këmbët e mia priti sa u qetësua gjendja për të dhe më shfaqi kullat e larta përballë me dritaret prej uji të turbullt, aty është dhe apartmenti yt, aty je dhe ti, – sikur më tha në heshtje, – unë jam pasqyra, të rrëzova, në fund…
Po ç’domethënë fund? Të kujt? Po rrëzim? Ku, në pasqyrim? Pellgu mund të jetë ca poetik, – po thosha me mëshirë, – por mendim s’ka, gjithsesi të nxit të mendosh. Dhe po kërkoja pasqyrimin e dritareve të mia. Me kokëposhtë të gjitha.
Dhe nxora celularin, po fotografoja sikur do më duheshin imazhet t’i fusja në një dosje për të dëshmuar një konflikt…
M’u ndërmend pse ndonjëherë na godasin ca si ndjesi të ujta dhe befas na kapin ca drithma pa kuptim? Të jenë dëshirat si prej pellgjesh të atyre që i dinim se na donin…
Narcizizëm negativ, – vazhdova t’i them vetes. – E pse ra ky shi, për të krijuar këto pellgje në anë, edhe në qytetin e madh? Kaq? Të paktën sot? Jo, jo, ra për tjetër gjë, ngjante me frymëzimet, po ti mos krijo pellgje të turbullt brenda vetes, të paktën sot, shiu erdhi nga lart si përherë, erdhi se donte, nga andej ku duket se janë jo vetëm retë, por dhe dëshirat qiellore. Mëso dhe ti të kesh shiun tënd, po unë e kam një libër me titull “Shiu i fytyrës time” dhe m’u përshfaq xhami në fillim plot me lotë…
Marrë nga Muri i FB Visar Zhiti, 25 nëntor 2024