Unë edhe Safo
nga Diamanta Zallta
“…Poetesha Safo nga Mitilena/ Lesbos, si asnjë femër tjetër që në gjenezat poetike të njërëzimit, u kthye në mit duke hedhur bazat e lirikës në kontinentin europian bile dhe më gjerë. I ka kënduar dashurisë si askush përpara saj, me një pasion rrënqethës pa kaluar asnjëherë në banalitet, duke u pagëzuar që në gjallje poetesha e dashurisë, “Muza e dhjetë”, e quajtur nga Platoni dhe e vendosur përkrah nëntë Muzave antike duke u çmuar jo vetëm nga bashkëkohësit e saj, por nga një armatë e tërë brezash deri në ditët e sotme…
…Teksa lexoja këtë perlë të Safos, ndieja aq pranë shpirtin e bukur të asaj gruaje te rrallë, dhe me erdhi ndermend dhe ajo thënie tjetër e mrekullueshme e saj: “I bukur është ai njeri, që është i madh nga shpirti…”
Diamanta Zalta
Sonte, Unë dhe Safo
Unë, kaq e vogla mikroskopike mbi koren e tokës… sonte në gjirin gjigand të së pakapshmes, erës, syrit të shiut, përflakjes së vetëtimës, dhimbjes së gjethes dhe zhurmës së heshtjes.
Sonte…
Sonte jam vetëm, dhe kam një gjendje disi të çuditshme. Për herë të parë mbaj inat me njerëzit që më deshën vërtet shumë në këtë jetë, por që vendosën shumë shpejt të shkojnë në të përtejmen e pakthyeshme. Më janë këputur mundësi të bukura, biseda, mendime, zëra, të qeshura, kundërshti, ndjehem si qenie pa emër, pa përkatësi, re në ajër që era e çon nga të dojë, sepse ndodhi… Por jeta duhet pranuar siç të vjen, sepse jo gjithçka varet nga ne. Ka edhe gjëra të bukura pastaj, të bukura shumë që disa i mbajmë thellë në shpirt, disa të tjera i gëzojmë nëpërmjet virtuozitetit që përfaqësojnë, dhe kjo është përmbushëse.
Nga xhamat e derës së madhe të ballkonit futet herë pas here drita e vetëtimave që përshkon në fillim qiellin, pastaj fshihet pas perdeve e rënda ngjyrë qumësht. Shiu nuk dëgjohet fare, e unë do desha t’ia dëgjoja pëshpërimën e lagur. I kam fikur të gjitha dritat, kam ndezur vetëm dy qirinj të mëdhenj mbi tavolinë, të cilët më bëjnë shoqëri të heshtur e të mirë.
Gjysma e dytë e vetes, ajo që e quajmë ndërgjegje, papritur fare, më pyet me atë zërin këmbëngulës të heshtjes:
-Si je?
-Si të jem, siç më sheh – ia kthej.
-Mirë je! – ngul këmbë ajo.
-Nuk ngopem me lugë bosh unë.
-Je mirë pra, ja ta them unë!
Unë ve buzën ne gas, duke i thënë:
-Lermë! Ti e di që kam vendosur tashmë të të dua! Për këtë bëhesh merak?
Pas këtij mirëkuptimi me veten, me lind përbrenda një nevojë e fuqishme për të lexuar diçka të mirë, femërore, të fortë, që të më shkundë… E çfarë tjetër , përveç Safos, gruas së parë poete në botë, vargu i së cilës është melhem zemrash të rënduara për të gjithë. Në gjuhën greke poezia e saj është ende me mrekulli, ashtu siç ndodh gjithmonë me orgjinalin, në krahasim me përkthimet në gjuhë të tjera.
“Ishte e para gruaja, nuk ishte e para fjala!” – Safo
Edhe pse tematika e poezisë së mëposhtme, nuk i përshtatet gjendjes sime shpirtërore të çastit, unë zgjodha t’i bëj një përkthim si për vete pikërisht kësaj poezie simbol, që shpalos shpirtin e një gruaje të madhe, që është shkruar me kaq elegancë e kujdes gruaje, sa më bën të ndjehem disi mirë që jam edhe vetë Grua:
Të lutem Zonjë
Ti hyjni e përjetshme, ti fronpurpurta Afërditë
Ti bija rrjetegrackë e Perendisë, më çliro, më zgjidh
Të lutem Zonjë, m’i largo hidhërimet, brengat, kllapitë
Në gji të trishtimit, mos më ler, mos më hidh.
Eja pra si dikur, me kujto, nuk besoj t’më kesh harruar
Ti thirrjen time kur dëgjoje, vije në të zemrës fole
Oh, më vije me qendroje, prej pallatit duke fluturuar,
Me të artën karrocë, notoje nëpër re.
Ndjekur mjelmash pendëbukura, karroca jote në shpejtësi
Sulej etshëm në eterin qiellor, fuqiplotes dëshirë
Krahëplasur mjelmat vinin rreth dheut të errët, të zi,
mbërrinte karrocë e kënaqësisë, lajmëtar i dashurisë.
kur vije rrufe, ti Perendeshë e bekuar
Ti fytyrë hyjnore, ti dhimbje e lehtësuar
Më pyesje për plagët që prap kisha marrë
Kur isha lënduar, edhe dashuruar.
Ti kërkoje të dije, ç’e grryente shpirtin tim,
Prandaj me pyesje për brengat, e më thoje: “Kë do?!”
Që unë Hyjnesha të ta sjell si rob shpëtimi.
Kë do përseri! Kë do? Mos ngurro, ma thuaj Safo!
Kush të ikën ty – më thoje – prap te ty do kthehet,
Kokëulur do të vijë në gjirin tënd të qëndrojë,
Me dhurata do të t’mbushë,
se askush dhuratave të tua dot s’i fshihet,
kush të deshi ty, edhe për pak mos të të dojë,
prap do të të dashurojë…
Oh, eja lëngesat m’i hiq, shpirtin ma lehtëso
Shërim më jep o Perëndi, k’të zemër ma shpëto.
Merri ëndrrat, dhe si ëndrra m’i përmbush.
E dua! O Zot sa e dua! Më ndihmo, më ndihmo,
se ai nuk më do më!
Safo
Platoni konciz e i sertë, e quan Safon “të urtë”, ndërsa Horaci e quan “të magjishme”
Pavarësisht se zotërojmë vetëm disa copëza krijimtarie prej saj, ato dëshmojnë talentin e madh, forcën e ngrohtësinë e fjalës së zgjedhur, elegancën, humanizmin dhe mbi të gjitha trazimet shpirtërore .
“Peshë ma çon zemrën buzëqeshja jote/ mua asnjë fije zëri s’më vjen te buza;/ gjuha më pritet dhe n’ato çaste/ se ç’më gjarpëron një zjarr i hollë ndër deje/ sytë nuk më shohin/ më rrëqethet shtati edhe vij e bëhem/ si fije bari dhe për pak më duket se më mori mortja…” (Pasion dashurie)
Poezia e saj është e ndërtuar nëpërmjet eliksirëve figurativë dhe imagjinatë të shfrenuar, por kurrë te banalizuar . Ka në të melankoli, mall, e brengë ndoshta edhe pikëllim, pasi të gjitha këto ndjenja ngërthehen së bashku duke qarkuar shpirtin njerëzor në përgjithësi e atë femëror në veçanti.
Të lutem Zonjë mi largo hidhërimet, kllapitë/ Në gji të trishtimit, mos më ler, mos më hidh
Sa delikatese femërore mes leksemave-kyç: Të lutem Zonjë mos më ler, mos më hidh.
Kjo lutje vjen sa e gjallë, aq edhe tragjike, si e zbritur nga parajsa që s’e njohim… A ka qenie njerëzore, në ndonjë cep të botës që të mos e ketë provuar në çastet vetmitare dëshirën për një forcë magjike e cila do të mundë t’ia shërojë plagët e shpirtit?
“Krahëplasur mjelmat, vinin rreth dheut të errët, të zi… Të lutem Zonjë m’i largo hidhërimet, kllapitë…”
Kontrast i thellë; Bardhësia e mjelmave dhe sfondi i dheut te errët, i zi epiteti krahëplasur, përkon pamundësinë e fluturimit drejt qiejve dhe ndëshkimin për t’u sjellë rrotull tokës së mbytur në pikëllim. Dhe fillon imagjinata, një vdekje-jetë që të ngjall, të bën të prekësh parajsën dhe të magjeps, duke të bërë qëe të ndjehesh Njeri.
Këtij kristali të shkëputur, të quajtur Safo, shekujt nuk mundën t’i bënin gjë tjetër, vetëm t’ia shumëfishonin dritën e tij të pastër e të ëmbël. Safo, për një grua si mua, gjithmonë një shoqëri e mirë!
Marrë nga muri i Fb Diamanta Zalta