back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Pesë Kolosët e mendimit Atdhetar e Fetar Shqiptar – Pesë predikatarët ma të mëdhaj të klerit katolik shqiptar në shekullin XX – nga Fritz Radovani

Gazeta

Pesë Kolosët e mendimit Atdhetar e Fetar Shqiptar
Pesë Kolosët e mendimit Atdhetar e Fetar Shqiptar
Pesë Kolosët e mendimit Atdhetar e Fetar Shqiptar –
Pesë predikatarët ma të mëdhaj të klerit katolik shqiptar në shekullin XX.
nga Fritz Radovani
(1945-1950) – Arrestohen, torturohen, masakrohen, pushkatohen dhe zhduken
At Anton Harapi (1888-1946)
At Anton Harapi (1888-1946)
I-At Anton Harapi O.F.M.
(5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

Asht lé me 5 Janar 1888 në Shirokë, fshat pranë Shkodrës.
Studimet e nalta i ka ndjekë në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, ndërsa studimet teologjike i ka krye në Romë.
Në vitin 1910, kthehet në Atdhe e shugurohet meshtar tue plotsue kushtet e Urdhrit Françeskan O.F.M., në Shkodër. Besnik i Idealit “Atdhé e Fé”!
At Antoni asht kenë organizator ndër tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh i Memorandumit të përgatitun nga Ai vetë në vitin 1918, që Paria e Maleve i dorzoi komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me Luigj Gurakuqin dhe At Gjergj Fishtën, harton një peticion të nënshkruem prej 200 përfaqësuesve të tre Bajrakëve, drejtue përkatësisht Konferencës së Paqës në Paris, kryesisht ministrave të jashtëm të ShBA, Anglisë, Francës dhe Italisë.
Asht nisiator dhe formoi grupimin “Ora e Maleve”. Kjé bashkëpunëtor dhe nismëtar edhe i botimit të fletores me të njëjtin emën.
Në vitin 1925, arrestohet pak kohë nga Ahmet Zogu, dhe shkon profesor në Liceun “Illyricum”.
Në vitet 1930-1936, asht drejtor i revistës “Hyllit të Dritës”, si shkruejnë dhe gazetat “Posta e Shqypnisë” e “Zani i Shna Ndout”, ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thâna e thâsha”…
Në vitet pasuese asht predikues i palodhun i vlerave, parimeve, kulturës së krishtenë në Shqipni dhe i Atdhetarisë sonë Kombtare.
Edhe mos të angazhohej për Shpëtimin e Atdheut, në vitin 1943, me Regjencën Shqiptare, At Anton Harapi prap do të pushkatohej nga komunistët para datës 20 Shkurt 1946. Ai ishte orator, mendimtar, dijetar, shkrimtar, organizator, trim parashikues i njohun në mendimet e Tij, në lidhje me t’ardhmen e njerzimit mbas Luftës II Botnore:
“Shqipnija u fitue me gjak; me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e, me paqë e drejtësi do të fitohet!” (Fjala e Tij në gjyqin komunist, zhvillue në Tiranë, Shkurt 1946)

Gasper Thaçi
Gasper Thaçi

II-Imzot Gaspër Thaçi
(23 Janar 1889 – 25 Maji 1946)

Asht lé në Shkodër me 23 Janar 1889.
Studimet e nalta i ka krye në Insbruck të Austrisë dhe asht shugurue meshtar në Shkodër, me 21 Shtator 1912.
Me datën 8 Dhjetor 1912, ngriti Flamurin Kombtar në Qelzë, ku Thaçi shërbente si famullitar.
Mbas vdekjes së Imzot Lazër Mjedjës, Imzot Thaçi emnohet Argjipeshkëv Metropolitan në Shkodër, ku mbas vitit 1944, përballet me diktaturën barbare komuniste antikatolike.
Në muejn mars 1945, dy javë mbas pushkatimit Dom Ndre Zadejës, nuk pranon me pritë për vizitë n’Argjipeshkvì diktatorin Mehmet Shehu.
Asht thirrë nga Ever Hoxha bashkë me Imz. Frano Gjinin, at kohë Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, për me pré mardhanjet me Vatikanin, po asnjeni s’ka pranue asnjë kusht të diktatorit.
Imzot Thaçi ka jetue në kushte vetizolimi, për arsye smundje dhe me 26 Maji 1946, mbylli sytë nga një smundje shumë e randë.
Sigurimi i shtetit komunist organizon të gjithë agjentat e vetë me pengue me çdo kusht funeralin, pjesmarrjen e qytetarëve e të rinisë shkodrane në vorrim të Argjipeshkvit të paharrueshëm për të gjithë qytetin.
Studentët katolikë të gjimnazit të Shtetit kërcejnë nga dritarët për me shkue në Kishën Kathedrale, ku do të thohej Mesha solemne me korin e drejtuem nga kompozitori Prenkë Jakova e muzikanti At Filip Mazrreku. Vetë Regjenti Apostolik Imzot Frano Gjini, që po drejtonte ceremoninë, ishte në vorrimin që u ba në Kishën Katedrale të Shkodrës.
At Konrrad Gjolaj do të shkruejnë në librin e Tij “Çinarët” se: “Punën e bame deri at’ ditë me rininë, ia prishi një arkivol!”
Edhe Neroni që ka djegë Romën ka një vorr në Itali.
Ndërsa, tek ne në Shqipni, në vitin 1967 hapën vorret e Atyne që kanë vue themelet e qytetnimit Europian dhe komunistët, ua tretën eshtnat e tyne në lumin Drin. Zhdukja e Eshtnave nuk bani asnjë përjashtim!
Ashtu si u veprue me të gjithë Ata që janë pushkatue, dhe u zhdukën nder hetuesi, ashtu asht veprue edhe me Eshtnat e Imzot Gaspër Thaçit.
Imzot Gaspër Thaçi asht kenë deri në fundin e jetës së Tij gjithnjë dhe në të gjitha rasat i pathyeshëm përballë diktaturës komuniste ndonëse, ai ka kenë gjthmonë me probleme shndetsore prej ditës që asht kenë Shugurue Ipeshkëv në Argjipeshkvinë e Shkodrës.
Mbetet ndër Figurat e nderueme antikomuniste dhe Atdhetare ndonse si të gjithë të tjerët “pa vorr”!

Dom Lazër Shantoja (1891-1945)
Dom Lazër Shantoja (1891-1945)
III-Dom Lazër Shantoja
(7 Korrik 1891 – 5 Mars 1945)

Asht pinjoll i një familjes së vjetër atdhetare qytetare shkodrane.
Studimet e nalta i ka krye në Insbruck t’Austrisë, dhe në vitin 1915, shugurohet Meshtar në Kathedralen e Shkodrës. Asht kenë njohës i mirë i shumë gjuhëve të hueja, dhe shkëlqen si orator, publicist, stilist i rrallë, filozof dhe politikan, që për hirë të çeshtjes kombtare, gjithmonë në prizmin e bashkimit Trojeve tona Shqiptare, sakrifikon edhe jetën në moshën 54 vjeçare, mbas një masakrimi të pashoq nga terroristët tue u ngritë në panteonin e Atdhetarëve Shqiptarë si “Martir” i Parë i Klerit Katolik Shqiptar, me 5 Mars 1945.
Pushkatimi i Tij ishte një “dëshirë” e Nanës së Tij, e cila kur e pau në një birucë të cunguem kambësh me sharrë druevari, dhe të zhytun në pisllëk Ajo, ju lut katilave të sigurimit komunist: “Aman, ju lutem, ma vritni djalin, mos ma leni me vuejtë kështu!…”
Dhe, Ata ia plotsuen “dëshirën”.
Në 1919, provoi burgun nga italianët. Në 1925, provoi burgun e Ahmet Zogut. Gjithë jetën e kaloi në mërgim, po gjithmonë me mend, zemër dhe veprimtari pranë Atdheut.
Si orator la mbresa të pashlyeshme ndër të gjitha vendet ku i shkeli kamba, jo vetëm në Shkodër apo Tiranë, po edhe në Vlonë e të tjera qytete, ku pat rasën me u folë Shqiptarëve në ditë Feste e morti.
Fjala e Dom Lazrit në vorrimin e Avni Rustemit, asht një ndër perlat letrare të Shantojës, ndonse fanatikët anadollakë mundohen me e harrue atë fjalim bashkë me Autorin e Tij të Pavdekshëm.
Në vitin 1924, Don Lazër Shantoja ishte e mbetë padyshim publiçisti ma i persosun dhe i pakompromis në veprimtarinë Atdhetare, me artikujt dhe satirën e Tij në gazetën “Ora e Maleve”.
Dom Lazër Shantoja asht ndër letrarët ma modernë të letërsisë sonë.
Në vitin 1945, kur u arrestue Dom Lazri ju tha agjentave të sigurimit: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se komunistët janë veç tradhëtarë!” (D. Lazër Shantoja, Sheldijë 26 Janar 1945).
A mundet kush sot, mbas 100 vjetësh me provue të kundërtën?
Dom Lazër Shantoja asht ndër Yjet e Kombit tonë, që nuk shuhen me ujë, dhe as, nuk mund të mbulohen me baltë!
Dom Lazër Shantoja ishte dhe njihet si publicist në Shqipninë e Veriut, ashtu si Faik Konica në Shqipninë e Jugut, dhe ajo që e dallon të madhin Don Lazër në krijimtarinë e Tij sot, asht madhështia e Tij filozofike.
E gjithmonë, tue ruejtë me kujesin ma të madh bukurinë artistike dhe letrare ndër veprat e Tij, të përjetëshme dhe të papërsëritëshme!

Dom Ndre Zadeja (1891-1945)
Dom Ndre Zadeja (1891-1945)
IV-Don Ndré Zadêja
(3 nandor 1891
– 25 Mars 1945)

Asht lé me 3 Nandor 1891, në qytetin e Shkodrës.
Studimet e nalta i kreu shkëlqyeshëm në Insbruck të Austrisë.
Me 26 Prill 1916, ka thanë Meshën e Parë te Kisha e Zojës pranë Kalasë.
Dom Ndreu ishte shumë i ri kur pena e Tij filloi me shkëlqye jo vetëm si klerik, po edhe si letrar, dramaturg, prozator dhe poet.
Asht i njohun ndër tre letrarët botnor, me “Letrën e hapun” që i ka dërgue At F. Cordignano S.J., jezuit italian që guxoi me fye Shqiptarët.
Me 16 Gusht 1944, ditën e Shna Rrokut, në Shirokë Dom Ndreu ka paralajmue: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju o të rij. Një rê e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona.
Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.
Ishte predikatar që fjala e tij trokiste në zemrat e rinisë Shqiptare!
Ja disa thanie të Dom Ndreut: “Sot ka edhe nga ata që thonë se nuk e njohin Flamurin Kombtar, nuk ngrihem në kambë për Hymnin e Shqipnisë. Ka pasë edhe në 1912 të tillë – ka pasë që donin përsëri gjysëmhanën e jo, Shkabën tonë madhështore.”
Po për fat të mirë ka pasë shumë e ma shumë, dhe ka përsëri sot e do të ketë në jetë të jetëve, nga Ata që kanë kenë e janë përsëri gati të flijohen për “Ruben e kuqe”, Flamurin tonë me shkabë.”
Dramat e Tij ishin Atdheu, Feja e Gjergj Kastrioti. Prandej, edhe…
U arrestue… U torturue… I lidhun përdore me Atdhetarin Prek Cali…
U gjet tek Muri i Gjakut nën çinar, pranë Rrëmajit në Zallin e Kirit.
Askush nuk ndigjoi një fjalë prej “gjyqit” Tij. Ishte i dyti Klerik Katolik Shqiptar që po pushkatohej në Shkodrën e Martirizueme.
Me datën 25 Shkurt 1945, Dom Ndre Zadeja asht i pari Klerik Katolik që u pushkatue nga komunistët në Shkodër.
Para pushkatimit Dom Ndreu tha:
“Ah Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty…?!”
E bajtën Trupin e Tij të Nderuem dhe e Vorrosën tek Familja Zadeja, ku asht edhe sot në Rrëmaj!
Populli i Shkodrës asnjëherë nuk i harron predikimet e Tija Atdhetare dhe Fetare! Ai kishte një za që Fjalën e ngulte në kujtesen e ndigjuesit!
Kujtimet e Tij në memorjen e rinisë Shkodrane nuk harrohen kurrma!
Një Martir i Përjetshëm dhe i vërtetë i Shkodrës!

Dom Kolec Prennushi (1902-1950)
Dom Kolec Prennushi (1902-1950)
V-Don Kolec Prennushi
(1 Janar 1902
– 2 Korrik 1950)

Ishte i pesti klerik katolik i Familjes Prennushi n’Shkodër, në Shek. XX.
Asht lé në Shkodër me 1 Janar 1902. Studimet e nalta i ka përfundue në Linz të Austrisë dhe asht Shugurue në Shkodër Meshtar, me 25 Qershor 1925, Ditën e Zemrës së Krishtit.
Zotnues i nandë gjuhëve të hueja, qysh i ri përkthyes e letrar modern. Ka shkrue libra me karakter filozofik dhe teologjik: “Zoti Asht”, “Rrimë shtremtë e flasim ndrejt”, “Për Krishtin o kundër Krishtit”. Në vitin 1941, zen vend në Letrarët e Antologjisë Shqipe, “Rreze Drite”, me prozën e tij të njohun “Të vërshuemit”. Asht vlerësue nga Ministri Ernest Koliqi.
Ka shkrue artikuj edhe me pseudonimin “Mujs Polemi” në revistat: “Zemra e Krishtit”, Hylli i Dritës”, “Cirka”, “Leka” etj.
Ishte i vetmi Klerik Shqiptar, që ftohej nga Jezuitët e Shqipnisë për leksione fetare me rasën e ushtrimeve shpirtnore në kuvendin e tyne.
At Zef Valentini S.J., e ka cilësue: “Il futuro Cardinale d’Albania”.
Në vitin 1948, arrestohet nga komunistët dhe torturohet për 11 muej në hetuesi të Shkodres me torturat ma mizore.
Në nandor 1949 Don Koleci, lirohet dhe ngarkohet për me “aprovue” “Projekt Statutin e Kishës Katolike Shqiptare 1948”. Merr pjesë në dy mbledhjet e përgjithshme të klerit dhe paraqet haptas mendimet e veta në Argjipeshkvinë e Shkodrës në dhjetor 1949. Don Koleci porositi:
“Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin Kishat tona, në kjoftë se na nuk miratojmë këte projekt-statut kështu si asht këtu.
Ky projekt-statut nuk duhet miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prap se prap. Jam i sigurt se do të na thonë se do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lè të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sesa me firmue kët dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhet me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spajë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë… Këta janë gjithkund njisoj!” (At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët”, fq.125).
Don Kolec Prennushi ka vdekë në Shkodër, i shkatrruem me zemër nga torturat e sigurimit të shtetit, më 2 Korrik 1950.

Shënim nga F. Radovani:
Sot unë, vetëm hodha një gur si Shenjë aty ku duhen hapë e vue thëmelet!
Këta Predikatarë caktoheshin përpara festave të mëdha me folë ndër Kisha, ku rinia vërshonte me ndigjue temat filozofike që ata trajtonin me një oratori të rrallë e dashni vllaznore. Ishte një knaqësi e madhe për né!
Asht e vërtetë që Ever Hoxha zbatoi me përpikni të gjitha vrasjet që urdhnonin serbo-bolshevikët e Titos, dhe zhduku ajkën e Klerit Katolik Shqiptar në vitet e vendosjes së diktaturës së tij komuniste në Shqipni, po edhe sikur këta kolosë të mos vriteshin që në ditët e para, në Marsin e 1945 dhe deri në Korrikun e vitit 1950, koha provoi se mbas vitit 1944, Gjenocidi komunist ishte i pashmangshëm. Ai do të zbatohej pa kushte! Etja e Ever Hoxhës për kolltukun e vet në qeverisjen e shtetit Shqiptar, ishte si gjithnjë e kombinueme me formimin e tij antishqiptar anadollak familjar, masonizmin francez dhe njëfarë magallomanija prej injoranti, që kërkonte me zhdukë me rrajë inteligjencën Shqiptare, të përgatitun ndër universitetet ma të njohuna të Europës Perëndimore, ku ai vetë nuk arrijti me krye asnjë vit ndër ato qendra kulturore të dijes universale.
E vetmja shkallë e njohjes së tij, në kohën kur ai ishte rregjistrue në universitetin e Montpellier të Francës, asht ajo që dëshmonte gjithnjë bashkëkohësi i tij atje, i nderuemi dhe i dijtuni Profesor Petro Fundo:
“Kur e pyeta Everin po ti, çfarë mendon të bëhësh, ai tha: “Terrorist”!
E sigurisht, ky terrorizëm do të shpërthente atëherë kur tek Ever Hoxha, gjaku i tij i ndytë u kombinue me doktrinën barbare, të cilën nuk e ka njoh kurrë, doktrinën shkatrrimtare antinjerzore markste – leniniste, që përputhej me interesat shoveniste sllavo – bolshevike të Titos dhe të Stalinit: “Shkombtarizim i Popullit Shqiptar dhe shpartallimi i Shtetit Shqiptar, deri n’ shfarosje me kulm e themel, që asht konsiderue Muri Mbrojtës i qytetnimit Europjan nga invazioni sllav.” (Lord Beaconsfield (1804-1881), Tek Memorandumi i Kongresit Berlinit 13 qershor 1878).
Ky “Mur Mbrojtës” nuk rrëzohej! Vazhdonte me qendrue ndër shekuj që nga viti 1444, kur Mbrojtësi i Qytetnimit Europjan, Heroi ynë kombtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kishte ngulë përjetsisht me dorën e vet në Krujë, Flamurin Kuq’e Zi, me Shqipen e pamposhtun Dykrenare.
Viti 1913, u kishte lanë një kujtim jo vetëm komshijve po, edhe pak ma larg, n’Veri: “Flamuri i Shqipnisë, e ka për nderë me u gjuejtë me topa!”
(Deklaronte Frati At Gjergj Fishta, me 12 Qershor 1913, në Shkoder).
E ky robnim i yni kishte pikësynimin kryesor tek porosia e sllavit Tito: “Shkatrroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Pikrisht atë, kompanjel të Françeskanve t’Shkodres!
Shqipnia kaloi fatkeqësinë ma të madhe ndër Popujt e Ballkanit dhe të asaj Europës vjetër, se të gjithë harruene sakrificat e Heroit Kombtar të Shqipnisë, të Atij Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Nanës Tereze, që ka shetitë Botën tue i tregue të gjithve se: “Unë jam Shqiptare!”
Por, Ever Hoxha vetem mbante mend mirë nga mejtepet një porosi të mikut babës së tij, sulltan Mehmetit përballë Rozafës sonë Heroike:
“Mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë!”
E ndoshta, ky ishte shkaku kryesor i asaj urrejtjes së Ever Hoxhës dhe i pasuesve të tij ndaj nesh që, ate e “përjetsoi” tiran i Popullit Shqiptar.

Ai sot asht i renditun në 100 Tiranët e 3600 viteve të Historisë Botnore moderne! Fatkeqësi që mbetet aktuale e shkatrrimtare e Shqipnisë së re!
Jo! Europa sot duhet ta mbajnë në gjinin e vet Popullin e vuejtun Shqiptar!
Ai asht një Popull që i përket Asaj, e vetem Asaj: Europës Perëndimore!
Melbourne, 22 Nandor 2024

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.