back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Dhjetor, 2024

Rreth botës së përkthimit… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu
Rreth botës së përkthimit…
nga Artan Kafexhiu

Në botën e përkthimit, kalimi nga një gjuhë në tjetrën shoqërohet me atë që quhet, “text expansion, or contraction”, pra në tekste përkthimesh më të gjata, ose më të shkurtëra se origjinali. Arsyet për këtë janë të ndryshme, por për ta thjeshtuar problemin, mjafton të përmendet, se gjatësia e tekstit varet nga aftësia e një gjuhe për të shprehur të njëjtin kuptim, ide, rrethanë, narrrativë, duke i qëndruar besnik figuracionit dhe gjuhës artistike, të literaturës (në rastin më konkret asaj artistike) që përkthehet. Po të bësh një hulumtim të vogël të përkthimeve nga anglishtja në gjuhët kryesisht europiane, siç është frengjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja, teksti i përkthyer pëson një “expansion” (zgjatim/zgjerim), për arsyen se këto gjuhë me bazë latine shumica, përdorin më shumë fjalë për të shprehur të njëjtën përmbajtje, kuptim, etj.
Në rastin e frëngjishtes, spanjishten, dhe italishtes, teksti i një libri zgjatet rreth 20-30% krahasuar me atë në anglisht. Në gjermanisht edhe më shumë, deri në 50%. Në rastin e përkthimeve prej anglishtes në shqip, statistikisht kam parë që në çdo tre rreshta anglisht, në shqip nevojiten katër-pesë rreshta, pra shqipja është e detyruar të përdorë deri në 20-50% më shumë fjalë, pra rasti i shqipes në përkthim është në kategorinë e “expansion”. Kjo është një treguesi i efiçensës së anglishtes si gjuhë e aftë të shprehë të njëjtin gjë, por më me pak fjalë në strukturën e saj, fjalët të jenë më shkurtëra, struktura e fjalëve të ketë gërma, që zënë me pak hapsirë, po kështu edhe “punctuation” (sistemi i pikësimit) të jetë më i reduktuar. Një arsye, që tekstet dalin më të gjata në gjuhët e mëdha europiane janë edhe lidhëset, vetat dhe zgjedhimet e foljeve.
Një fakt tjetër interesant është se, në anglisht përkthehen veçse 3% e literaturës botërore, e shtëpitë botuese, nuk kanë ndonjë predispozicion për përkthime prej gjuhëve të botës, për shkak të shitjeve të papërfillshme të literaturës botërore të përkthyer në anglisht. Për rrjedhojë, buxheti i shtëpive botuese të përkthimeve në anglisht është pothuajse joekzistues, ose i papërfillshëm. Ka shumë pak përkthyes, që marrin përsipër të përkthejnë në anglisht prej gjuhëve të tjera. Literatura e vendeve të vogla është krejt në disavantazh.
E kundërta ndodh në vende si Franca, Spanja, Italia, apo Gjermania, ku përkthimet nga gjuhët e tjera zënë 50% të tregut të librit, e rasti i Italisë është më ekstremi, rreth 80% e botimeve janë përkthime, shumica nga anglishtja. Nuk kam ndonjë të dhënë statistikore për Shqipërinë, por besoj se përqindjet duhet të jetë të ngjashme me ato të Italisë. Autorët vendas del të kenë veçse më pak se 20% të tregut, ndoshta 10%, e në Shqipëri, autorësia shqiptare është një kalvar financiar për vetë autorët, që duan të afirmohen, – flas për atë pakicë, – që përpiqet, e ka aftësinë, talentin, t’i sjellë publikut letërsi serioze, e për t’u vlerësuar në forumet e lexuesve, që dinë të dallojnë letërsinë e mirë.
Po e mbyll me një citim të një përkthyesi me peshë, i cili s’jeton më, e që ndër të tjera ka sjellë edhe Kafkën në anglisht, Anthea Bell: “(përkthyesit) janë në biznesin për me i dhanë një të rrotullume një iluzioni: iluzionit, se çka lexuesi po lexon, s’është (thjesht) një përkthim, por gjëja e vërtetë. (Iluzioni) sygjeron, që përkthyesit janë figura manipuluese (njëlloj si iluzionistët në cirk), ata e çojnë mendimin iluzor të përkthimit një hap më tej. Unë mund të shtoj se ata copëtojnë (heqin copëza, ciflosin) konceptin e autorësisë (si një njeri i vetëm), duke na shkaktuar (cytur) ne si lexues (të mendojmë) se të shkruarit (e përkthimi) është një proçes bashkëpunimi, që ne (si përkthyes nëpërmjet lexuesit njëkohësisht) mundemi normalisht të flasim/shprehemi nëpërmjet të tjerëve (pra autorëve origjinalë).”
Në mbyllje, kështu një pjesë e përkthyesve, ndoshta u duket vetja si autor, apo bashkëautor i veprës së tjetrit.
© Artan Kafexhiu

Në, një rast kurioz, vjet në Itali, doli përkthimi në italisht prej “La nave di Teseo”, i një vepre të Umberto Eco-s të shkruar shumë vite më parë në anglisht, rezultat i një qëndrimi në ShBA për disa leksioneve të Eco-s në katedrat universitare në Amerikë (Confessions of a Young Novelist: The Richard Ellmann Lectures in Modern Literature). Këtë libër e kam në biblotekën time në origjinal, anglisht.

Marrë nga Muri i FB Artan Kafexhiu, 9 nëntor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.