back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Në cilën moshë dashurie – tregim nga Fartuk Myrtaj

Gazeta

Shkrimtari Faruk Myrtaj
Shkrimtari Faruk Myrtaj
Në cilën moshë dashurie
– tregim
nga Fartuk Myrtaj

“Më kujtohet, babai,” thash, “deri vonë fare” saktësova, si të më duhej të guxoja ta shtyja sa më shumë rininë e vonë të tij, “babai e merrte përqafe mamanë tonë dhe, si në lojë të vonë dashurie, sado në një moshë… ndodhte, e puthte… në ballë, vetëm aty. Një herë, mamaja lëvizi kryet dhe e puthura e tij i zbriti në faqe!”
Ngaqë flisja për prindërit, për diçka që nuk ua kishim zënë ngoje më herët, sado që tani tingëllonte bukur, duket isha skuqur paksa në fytyrë, e ndjeja, por e shihte veç ime-shoqe, në short prej dyzetë vjetësh.
Si për të më ndihur ta largoja ndrojtjen, ose ta thelloja rrëfimin, ajo guxoi ca më tepër.
Shtoi për prindërit e vet, për nënën e saj rrëfeu, që ajo, një ditë “e kishte bërë babanë të ndjehej ngushtë në sytë tonë, fëmijëve, kur tha se ‘Atij, ajo ia kishte mësuar puthjen!’”
Vazhdova të isha i purpurt – për fat ishte duke u mugur, prindërit e njërit qenë bërë si prindër edhe të tjetrit, por ja që kisha ndjesinë e qortimit se në mungesë fizike, po u merrnim ngoje dashurinë.
“Vonë fare, – shtoi ime shoqe, – pasi babai kërkoi të flinte mënjanë, mamaja ime nuk e kundërshtoi, por e afroi divanin, nimin e saj, te krevati i tij! Më tej, na tha ne femijeve se ai s’ishte aq i vjetër sa bënte sikur!”
E kishim shtuar kthimin hera-herës te kujtimet për ta, mbase rrekje e kotë për tua respektuar e lehtësuar privimet dikur, edhe pse asnjeri prej tyre s’ishte më. Ajo ngushtësi hapësire për tërë familjet, me numër jo të vogël fëmijësh nëpërkëmbë, me gjysha-gjyshe aty, pa llogaritur vizitorë-miqtë që kurrë s’mungonin- s’mbaronin dot hall brenda ditës në qytet dhe gdhiheshin aty, një zot e di se si apo nëse prindërve u gjendej ndonjë minutë intimitet…
Në këtë vel trishtimi ngushëllues mërguar, sa më korrekt në memorien për ta, nisa t’i vendosja në sistem të qartë koordinativ kohor këto që sapo thamë se kishin ndodhur.
Bie fjala, ku, kur, kush, pse, ndodhi “e puthura në ballë e babait… që zbriti pa leje deri në cep të faqes së mamasë sime”?!
“Meqë eventi, reaksioni kimik në fjalë kishte ndodhur përpara ikjes ushtar, përpara vitit 1976 kur unë bir i tyre isha 19-20 vjeçar, babai – i vitlindjes 1923, ka qenë diku rreth moshës 50.”
“Dhjetë vjet më i ri se 65, që je zotrote sot!”, ma preu ime shoqe duke qeshur.
“Mamaja, diku te 45, ende jo në pension, si nënë me shumë fëmijë të lumtur soc…!”
“Edhe pse ende jo vjehrra ime, në kohën e asaj puthjeje (si aplikim i Teorisë së Rrëshqitjes që doli grup armiqësor, shtova unë ndërmend), ajo ka qenë së paku dhjetë më e re se unë sot!”
“Po, pra, të dy… shumë më të rinj se ne… sot!”
Memoriet tona rezultonin përfolje. Atëherë pse pra, i kujtonim si të moshuar? E shfaqim si respekt, dhembshuri për njeri-tjetrin, mirënjohje për sakrificën e përbashkët dhe seriozitet në edukim?! Apo që s’e kishin dot ‘privacinë’, që e bërtasim ne të sotmit?!
“Ka edhe më keq akoma, shtova, si ndjesë të vonuar. Me rrogën e parë time në jetë, 19 vjeç, i bleva mamasë një triko të zezë, një shall të zi, një copë të zezë për fund, teksa llogaria sot na kujton se ajo ka qenë relativisht e re…”
“E ke trishtuar, thua?!”
“Jo, jo! Nuk e kishte ngenë të trishtohej për gjëra kaq të vogla. Prej kohësh vishej në të zeza, por unë s’do duhej të lëvdohesha, së paku tani vonë, për ngjyrën e dhuratës së parë për Të…”

“Mamaja ime ka qenë tjetër, thua?! Me rrogën e parë e çova në Mapo. Porosit çfarë të pëlqen, I thashë! ‘Ma bli atë fustanin e zi me pika të bardha të vogla, në munç!” tha. Dhjetë vjet më pas, si vizitore nga mërgimi, si atë fustan kërkoi! Me këtë logjikë, del se edhe ajo ka qenë tek 50-tat, kur unë jot-shoqe tani i kalova 60-at!”
Nuk do rrëfeheshim kështu, atje ku jetuan prindërit, mjaftueshëm larg prej atyre që do t’u druheshim – megjithëse unë kujtohem ndonjëherë “shshshttt… ule pak zërin, ndonjë vigjilent ka mërguar… këtu pas nesh!”, edhe pse thuajse të sigurt se s’do t’ia di kush për ‘dobësi’ të prindërve, edhe po t’i flasim me zë të lartë. Ndodhemi në fund e në majë të botës, mes dhjetëra mijërave të huajve që shëtisnin e flasin edhe ata në gjuhët e tyre – të gjitha këto bekuar për të ushtruar arsye, dashuri dhe respektuar intimitet njerëzor, sado të panjohura për njera-tjetrën!
Na besohet se tërë këto që rrëfejmë për prindërit, vlejnë edhe për vetet tona, na bëjnë më të afërt e më të vërtetë, më të vërtetë edhe me ata, që prej kohësh s’i kemi më. Prandaj s’mund të mos vinte hera për të folur edhe për dashuritë e tyre.
I bëjmë këto biseda sidomos kur dalim për 999 hapat e dietës si kujdes ndaj krrakjes së gjymtyrëve, epjes së urtë të shpinave dhe avashjes pa puls të zemrave, duke ecur “në të kundërt të akrepave të sahatit!”
Ime-shoqe… e avash, pastaj e ndalon hapin, domethënë pa fjalë duhet të ndaloj edhe unë. Madje, duhet të përkulem pak, le ta këmbejmë një puthje aty, në udhë, në mes të njerëzve nga të gjitha kontinentet e botës që s’kanë nge të merren me ne të dy, teksa edhe ata u gëzohen “mos-njohjes” e “anonimes” së tyre të padijes po aq të bekuar sa liria, ushtruar prej ne të tjerëve.
Qoftë edhe një përqafim, një fshikje buze në ballë, teksa të gjithë kthehemi në apartamentet tona, ku të shumtëve të herëve jemi… edhe vetëm… fare!

Marrë nga Muri i Fb, Faruk Myrtaj 1 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.