back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Biblioteka e të Parëve – tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Ramiz Gjini
Ramiz Gjini

Biblioteka e të Parëve
tregim nga Ramiz Gjini

Kur gjyshi im vdiq, la ca gjëra personale, por më e rendesishmja qe një kthinë-bibliotekë me rafte të mbushura plot libra. Libra u thënçin, sepse në fakt, ato nuk qenë veçse ca fletë të lidhura me spango, nga ajo që gjyshi përdorte për të qepur samarin e kalit, si dhe për të bërë varg gjethet e duhanit që pastaj i varte për t’u tharë në trarët e plevicës.
Të themi të vërtetën, gjyshi kurrë nuk pati blerë ndonjë libër në librari dhe kurrë nuk kishte hyrë në ndonjë bibliotekë publike. Ai kishte bibliotekën e tij, librat e shkruar nga të parët tanë vetëm për ne, brez pas brezi, që bota nuk na i dinte.
Pas vdekjes së gjyshit, i vetmi që futej aty ishte babai. Por kjo ndodhte rrallë, kryesisht gjatë ditëve me shi, kur vetmia e tij bëhej mbytëse dhe mërzia e thellë varej pullazeve si heje akulli.
Një ditë, teksa futej në atë kthinë, babai mërmëriti nëpër dhëmbë disa fjalë, kuptimin e të cilave as sot e kesaj dite nuk e kam rrokur dot. Ai tha:
-Më duket se ajo qe shfaqur kur lindi dielli dhe u zhduk bashkë me perëndimin.
Ai e la derën gjysmë të hapur dhe unë, që kam qenë një fëmijë i prapë e fort biramel, u afrova që të shikoja çfarë do të bënte babai aty brenda.
Me të hyrë, ai zgjati dorën dhe mori në raft një libër. Ky libër, ashtu si të gjithë librat që gjendeshin aty, qe i vjetër, i zverdhur nga koha dhe gjithashtu, kishte shumë fletë të munguara.
Me të marrë librin, babai u shemb në të vetmen baule, mbi të cilin qe hedhur një lëkurë e zezë deleje dhe nisi ta shfletonte. I shfletonte fletët ngadalë dhe i vështronte në heshtje, si të kishte aty fotografi të stërlashta dhe jo shkronja të renditura në rreshta. Kurse unë, edhe sot e kësaj dite, vazhdoj të vras mendjen se, cila, ose, çfarë kishte qenë ajo që ishte shfaqur me lindjen e diellit dhe qe zhdukur bashkë me perëndimin! Dhe ç’donte të thoshte babai me ato fjalë?! Çfarë kërkonte babai në fletët e atij libri?! Mos ndoshta, kërkonte arsyet e munguara që duhej të përligjnin mjerimin tonë të tejskajshëm?! Mos ndoshta, dyshonte dhe donte të hidhte një rreze drite mbi atë ndjenjë mashtruese, por të mrekullueshme, që njerëzit e kanë quajtur Dashuri?! Mos ndoshta, kërkonte të gjente në atë libër çelësin e enigmave që e mundonin në përditshmërinë e jetës së tij të mbushur plot me mungesa?! Apo mos ndoshta babai, përpiqej të nxirrte prej atij libri kohën e shkuar, kalesën e kyçur brenda atyre fletëve, për të zgjatur kështu, në njëfarë mënyre, jetën e tij?!
Si e shfletoi fletë pas flete gjer në fund, ai mbylli librin e sërish tha:
-Po, po… Ajo u shfaq me lindjen e diellit, por u zhduk kur dielli perëndoi…!
Psherëtiu, vendosi librin në vendin ku gjendej më parë dhe doli e nisi të bënte fjalë me nënën time. Kurse nëna përpiqej ta qetësonte me sytë e rrëmbushur me lot.
-Për atë ditë kam diellin dëshmitar, – thoshte ajo, – Kurse për natën, kam hënën. Ditë e natë kemi qenë bashkë m’u si një trup i vetëm.
Edhe kësaj here babai ktheu shpinën, e la nënën dhe vajti e u mbyll në kthinën-bibliotekë ku hapi e shfletoi një tjetër libër.
Kur doli, një hije mallëngjimi m’u si një kuqëlim perëndimi i kish pushtuar fytyren. U afrua pranë nënës, ia mori kokën në duar dhe e puthi në të dy sytë e përlotur.
– Më fal, – tha ai, – Vërtet kemi qenë bashkë…
Sido që babai ma kishte ndaluar të futesha në atë kthinë, një ditë ai harroi ta mbyllte me çelës. Dhe unë, me t’u futur brenda, pashë që aty nuk kishte vetëm libra të shkruar qindra vite më parë e të ruajtur shkujdesshëm nga të parët tanë. Kishte edhe sende të stërlashta, kryesishte sende të përdorimit vetjak nëpër kohëra të ndryshme, në të cilat qenë gdhendur emra njerëzish tashmë të vdekur, fjalë të urta, si dhe vizatime të çuditshme, kuptimi i të cilave kishte humbur nëpër breza.
Gjith’herë që ia kërkoja, babai ngulmonte e thoshte që ata libra nuk ishin për mua, se një fëmijë si unë e kishte të vështirë t’i imagjinonte skenat e fletëve të humbura. Veç kësaj, ai shpjegonte se mund të ndodhnin edhe keqkuptime, perceptime të gabuara të rrjedhës së ngjarjeve, sepse, edhe në faqet e mbijetuara, kishte vende ku boja e shkronjave qe zvetënuar e fshirë. Dhe kësisoj, kurrsesi nuk mund të lexoheshin.
-Ti nuk di t’i lexosh ata libra, – thoshte prerë ai.
Dhe unë nuk flisja.
Para një viti edhe babai zuri shtratin dhe pas një muaji lëngate vdiq.
Tashmë, çelësi i asaj kthine-bibliotekë është në xhepin tim.
Ashtu siç bënte babai në të gjallë të tij, edhe unë rrallë futem në atë kthinë. Dhe sigurisht, kjo ndodh vetëm ditëve me shi, kur më mbërthen ajo vetmia mbytëse dhe mërzia e thellë varet pullazeve si heje akulli.

Marrë nga Muri i Fb, Ramiz Gjini, 1 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.