back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 2 Janar, 2025

Mbërthye Kthetrave t’dashnisë Ose puthje t’mungueme – kritikë letrare nga Shefqet Dibrani

Gazeta

Asja Mulgeci në promovimin e veprës së saj
Asja Mulgeci në promovimin e veprës së saj
Mbërthye Kthetrave t’dashnisë
Ose puthje t’mungueme
kritikë letrare nga Shefqet Dibrani

Asja Mulgeci, “NGAT TEJE“, lirika, edituar nga c Durrës 2024, faqe 140. ISBN 978-9928-940-10-0

Sa “vështirë asht me dijtë me dashtë/ Oh, sa vshtirë/ me dijtë me m’dashtë mue”, (faqe 3). Ideja e lirikave në librin “NGAT TEJE” të poeteshës Asja Mulgeci, ngacmon ndërgjegjen e studiuesit, veçmas për aspektin veriak të të shprehurit artistik, me tendencë imponuese në kulturën e saj gjuhësore, që mundet si “dashnia të ankorohet njaty: përjetë”, (faqe 4). Të gjitha poezië janë parë nga këndvështrimi lirik, me disa rrëshqitje të herëpasherëshme në vargun erotik, por e mbuluar jo me vello, por me mënyrën eliptike të frazologjisë gjuhësore. “Ajo, din veç me dashtë/ e s’i përngjet askujt, as Ty!”, (faqe 6), është shprehur e sigurt ajo.
Vërtetë sa herë ndodh kështu, krijohet bindja se poetesha ka arritur një profilizim substancial në të qenit poeteshë me synim dhe qëllim pozitiv, tamam si një “zjarmi që na përvëlonte shpirtin”, (faqe 15). Pra, synimi i saj ka qëllim në imponimin e shprehjes moderne, larg dogmave dhe klisheve gjykuese, dogma paragjykuese që e ka shoqëruar poezinë shqipe për gjysmë shekulli, prandaj as kjo prurje e Asja Mulgecit nuk është thyerje e konvencave të një kohe a të një diktature, pasi ajo kohë, sidomos për letërsinë, tashmë është e kaluar, veçmas për brezin e poeteshës, e cila është, ose e ka zbuluar vetën si poeteshë, në kohën e transformimeve të mëdha të shoqërisë shqiptare, ku do të “ndodhë m’u ba përvëlimi yt,/ në t’gushtit zagushi/ rueju mos lyp m’u flladitë fundgushës,/ as mes gjinjve t’mi”, (faqe 19).
Edhe lirikat e Mulgecit janë transformime të dukshme, gjithëherë emocionale, dhe me provokimin të dukshëm të ndjenjës shpirtërore duke zbuluar përshkrime rrallë të përjetuara, por edhe aso elemente të përafërta me përjetimet e secilit individ, veçse parë nga këndvështrimi i një poeteshe veriake me të gjitha dallimet shprehëse e fizike, po më shumë në aspektin e përjetimit shpirtëror të saj, dhe me interpretime tejet karakteristike të vargut dhe poezisë si përbërje më e zgjeruar: “Oh, kjo stinë kurr’ mes nesh ftohtë/ s’ka me stinue/ veç tue pranverue…”, (faqe 20), dhe mesazhi përfundimtar është drejtuar “eh, lum ti për vedi mor djalë,/ kshtu ka me t’gjetë,/ n’u dashurofsh në mue!”, (po aty, faqe 20).
Ndjenja e përjetimeve që lexohen nëpër këto lirika, duket se janë rrjedhë e vetvetishme, një fluiditet yndyror që ka afinitet të depërtojë në secilën pore të trupit, edhe lirika e saj ka afintet depërtues në ndjenjën dhe përjetimin artistik të mënyrës shprehëse dhe gjuhësore, sepse ajo “etshëm shuen etjen e digjet si qirì”, (faqe 89).
Lirikat e tilla nuk njohin korniza etike aq më tepër të aspektit patetik, në të kundërtën lirikat e saj do të vuanin nga skematizmi dhe improvizimi, gjë që do të binin ndesh me karakterin njerëzor të poeteshës, e cila edhe kur flet është goxha e drejtpërdrejt, pa hipoteka dhe paragjykime, siç shihet edhe nga vargjet: “me çilë sytë, mbrenda syve/ zemrës, me i dhanë zemër/ me m’dashtë dashurisht, si un të due!”, (faqe 88). Andaj edhe lirikat e këtij libri, përveç se rrinë “Ngat/ Afër”, janë të çliruara nga krijimi i vargut të mbyllur dhe atij meditativ dhe si lirikë është varg krejt i veçanta dhe tejet provokuese në kuptimin ma pozitiv të kësaj shprehje letrare, pasi edhe vetë e thotë se “Aktore ndjenjash s’u bana kurrë”, (po aty, faqe 89).
Në këto raste, lirikat e Asja Mulgecit i kanë këputur vargojtë e patetizmit dhe ka dalë e çiltër, e pastër, ashtu siç duket të jetë edhe natyra e saj njerëzore, sepse poezia buron nga shpirti i individit, andaj edhe ky libër dhe këto lirika janë mjaft të përkryera, pa patur nevojë të mistifikohet ndryshe, dhe kjo prirje shihet qysh në poezinë e parë me një titull sinjifikativ që lajmëron mënyrën e vështirë të të shkruarit dhe për vështirësitë e mundshme të mendimit erotik të cilin e ka si dekor ilustrativ nëpër lirikat e saj.

Sa vështirë…
Membranën u gërvish qiejve
plasaris koren e tokës
tue thirrmue ambël: Të due!

Nektarin e shpirtit m’duhet m’e yshtë
me lajka t’flliqta, s’ban me ngatrrue
vshtirë asht me dijtë me dashtë
Oh, sa e vshtirë
me dijtë me m’dashtë mue!
(faqe 3)

Në vargun “Mbërthye kthetrave t’dashnisë”, (faqe 131), duket sikur poetesha ka eksploruar qëllimisht me ndjenjën e të përjetuarit, kurse në gjysëm vargun tjetër “puthje t’mungueme”, (faqe 129), shprehet një mungesë e theksuar e dashurisë së munguar, jo vetëm si akt i puthjes, ose i aktit më të thellë, por dashuria në vargun lirik ka të bëjë edhe me afrinë dhe respektin e munguar ndërmjet një shoqërie, pse jo edhe në mes të dy gjinive të kundërta. Andaj poetesha sugjeron lexuesin e poezisë së saj “të mos vdesë, pa ia dhuruar vetes mjaltin e ambël”, që në vargun e saj transformohet si element i shprehje e lokalizmit veriak si “helmambël”, andaj shprehet ajo “mos vdis pa lëngue i dashuruem”, vargje që lexohen te poezia “Mos vdis”, të cilën për vlerat artistike që ka, po e risjellë krejtësisht të plotë.

Mos vdis…
Mos vdis, pa ia dhanë helmamblin vedit,
kët “helm” pa shijue
se veç njashtu i jepet kuptimi jetës,
veç njat herë e kupton se vërtet ke jetue!
Mos vdis pa lëngue i dashuruem
shtratit t’vërtetës!

Pa vuejt i dashuruem, mos jep frymë
ksisoj, edhe njasaj bote t’akullt
do ndihesh gjallë, paçka se gjakngrimë
ngat teje, veç engjej do t’rrinë!
(faqe 11)

E një natyre të ngjashme është edhe poezia “Arom’s tyne ruejnë dashninë”, (faqe 35), me një profil të realizuar në planin artistik. Siç shihet Asja Mulgeci, poezinë e shkruan si ndjenjë e përjetuar në vete, “Kanga, – thuhet – asht vaji i burrit”, por “zemrën thërrmon dhimbja e dashnisë”, madje as guri s’ka forcë me duruar, “ani pse ksaj vuajtje t’mjaltë/ zemrat ndihen bekue”, (faqe 66). Dhe ky parim i saj duket i saktë, pasi çdo gjë niset nga vetvetja për t’iu përshtatur edhe të tjerëve, madje edhe lexuesve të saj, siç di të shprehet poetesha, “tue u kacafytë idhët me fatin,/ që pamshirshëm ma ftofi shtratin”, (faqe 69). Siç shihet një tog i tërë nga vargjet e poezive janë ngacmuar nga realiteti i përjetuar, pastaj janë përpunuar dhe trilluar artistikisht nga mendja e saj, dhe duke pasur afinitet të shkruaj i ka bërë poezi që lexohen dhe përjetohen mirë. “Ani n’dashtë, pse ka guxue/ dashninë me ma shiblue”, (faqe 63). Nga kjo që thashë, duket se poetesha, kundrejt artit poetik është shumë e vëmendshme, mbledh secilën ndjenjë, secilin pasion dhe pastaj gjykon me mënyrën dhe stilin e saj, me ato mjete artistike që i posedon, i ka sendërtuar edhe këto lirika të cilat qëndroj mjaftë mirë, siç qëndron edhe vargu i saj, ato “mbesin tue u dashtë mes vuajtjesh/ tue shijue ndjenjën mes xhelozive!”, (faqe 55). Tamam, ashtu siç veprojnë edhe të tjerat, në poezi ajo pasqyron veten, shqetësimet e saj, emocionin e përjetimit, trishtimin lemeritës, krenarinë tej bjeshkëve, ngritjen dhe gëzimet, si dhe thyerjen e shpirtit, si dhe përshkruan edhe vetminë e madhe, duron përçmimin, jeton për ta shijuar dashurinë, andaj gjithnjë e kërkon atë nëpër rrjedhën e kohës duke i kthyer në lirika të kësaj natyre.

Ta shof shpirtin
M’u poshtë synit ta pres lotin
e ta prek me buztë e mia,
i hap sytë e ta shof shpirtin,
bash njaty, ku lind dashnia.

K’ta lot janë bash si musht zemre,
n’rrokllime t’gotës pi me fund,
dehesh ndjenjash, sillesh botës
kthehesh shtriqesh prap te unë!
(faqe 71)

Asja Mulgeci - Ngat Teje
Asja Mulgeci – Ngat Teje

Lirikat e Asja Mulgecit, janë trokëllima e takave, hapat e saj nëpër trotuar, sikurse edhe ngjarjet përreth që i bëjnë përshtypje. Po aq edhe shikimet e të tjerëve, të atyre syve që nuk dinë se çfarë kërkojnë. Në netët e gjata shtrëngon në gji vetminë, mungesën e dashurisë, por falë afinitetit krijues ajo nuk ndjehet kurrë e vetmuar, sepse ka dhunti për të shkruar vargje që e bëjnë të lumtur. Poezia është mister në vete, herë – herë pa shtegdalje, solide në përmbajtje, e qëndrueshme në ndërtimin e saj, dhe koncize strukturalisht. “Edhe n’se lindin njizet diej”, përsëri nuk zbehet forma poetike e saj, mesazhi “me ndriçue errsinën e natës teme”, atëherë kur “dita s’vjen kurrsesi, po s’erdhe ti i dashtun”, për t’i dhënë “zemër ksaj zemre!”, (nga poezia “Pa titull”, faqe 95).
Në disa lirika të gjata, mund të nxirren dy e ma shumë poezi, në raste të tjera vetëm një strofë është poezi më vetet e realizuar si krijim artistik, një poezi të tillë e sajova, për të parë se si poezia e shkurtër kryen funksionin identik të të njëjtës poezi me disa strofa të stërzgjatura. E kjo mënyrë jep mundësi për të ndërtuar poezinë e sajuar si një lëndë krejtsisht e vetme, p.sh.:

Ftesë
Eja i dashtun
mos m’len ngarkue n’mall e lot,
eja, kurrë s’të kam pritë,
ma shumë se sot!
(faqe 102)

Poezitë e Asja Mulgecit janë vargje të “lazdrueme si manare”, ato vazhdojnë pasionin e vet njëra pas tjetrës dhe krijojnë identitet e individualitet artistik ku idetë e caktuara lihen përgjysëm për të vazhduar në lirikën tjetër, sa shpesh krijohet përshtypja se kemi një vazhdimësi deri në poezinë e fundit. Andaj gjykoj se ideja e këtyre lirikave tregon se poetesha i ka realizuar mjaft vlera të qëndrueshme artistike.

A mundesh…?
N’se vij shtriqun
e lazdrueme si manare,
a mundesh shpirtit me ia ndalë dalldinë;
a mbyllesh dot mbrenda vedit
trupin m’e ngujue n’dry;
a mundesh mos me m’kqyrë
e sytë me i lanë pa sy;
zemrën a mundesh m’e ndalë me punue,
dejesh gjakun a mundesh m’e ç’ngjyrue;
a mundesh me ba sikur s’je gjallë
n’se je me mue,
a mundesh,
a thue?!
(faqe 125)

Vëllimi me lirika ”NGAT TEJE”, mjaft mirë do të qëndronte edhe sikur të titullohej “AFËR TEJE”, sepse edhe “bota, femën asht,/ ndaj dhe shton çdo ditë nurë,/ dhe pse fytyrën ndrron saka,/ sa të tilla ka virania,/ s’kem për me e msue kurrë”, (poezia “Zoti n’gjunj si grue m’ulet”, faqe 134), dhe padyshim edhe titulli dhe poezitë e letrarizuara vetëm sa do të fitonin në vlerë, tamam siç mund të parafrazohej sipas vargjeve të saj: “Jo, me mue t’krahasohesh,/ ani pse, kam t’njajtën gjini,/ ti rreth meje, vdes e ngjallesh,/ zgurit tand un ngjizi jetën,/ ah pa mue, je krejt e vogël,/ lëngon fishkun n’shtërpni”, (po aty, faqe 134). Pavarësisht kësaj, si tërësi tematike, kjo poezi është përplot me ide, përplot me mënyra shprehëse, kurse me mjetet artistike të futura në funksion, është sajuar kjo lirikë kaq e mirë.

Mos ndodhtë kurrë
Oh ç’diell pwrvlues nxjerr kryet
mbas resh njashtu përngut,
mos m’i thaj buztë njomë n’riga shiu,
përziem me lotin poshtë syve
mos i zgjat gishtat lastar si dashnor hileqar
se malli m’asht ba mur…
gur bedenash t’shpirtit jam ba gur
qysh kur s’jem puth sysh
e njani-tjetrit s’i kem hy nën lkurë
malli zgjatet korsive t’zemrës,
mes botëve m’u ba urë
dashnia q’i m’përvlon krahnorit
ftyrës ka me m’shtue veç nur…
Mos ardhtë kurrë njajo ditë
mbrenda vedit m’u fikë
pritjes me i thanë: Mjaft ke pritë…!
Mos ndodhtë kurrë!
(faqe 133)

E gjitha, poetesha Asja Mulgeci, ka treguar pjekuri artistike me ndërtimin e profilizimit të saj artistik, kurse në dy vargjet e fundit është shprehur se “Fryms teme rrekem m’ia mbushë bronket,/ e kot po mundohem me t’ngi!”, (poezia “Mbramjes perenduam në t’njajtin sy”, faqe 135), vargje këto përtej modestisë njerëzore, por realisht prekin ndjenjën e brendshme, zjarrminë e poeteshës, që lexohet me pasion, duke lënë mbresa për botën femrore, që ka lirika e poeteshës Asja Mulgeci.
St. Gallen, 21 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.