Për kënduesin e stërvitun
nga Mustafa Kruja
Gjuha e djalektet janë si kombi me fiset, si fisi me vllaznitë e me familjet; janë si trungu i nji drûni me krahët, degat, tajat e bisqet; me nji tjetër shëmbllesë ende, gjuha âsht nâna e djalektet janë bijt, nipnit e stërnipnit e saj. Me këto krahasime, duhet të tregojmë se djalektet kanë lemë nga gjuha, kjo âsht nâna a rrânja e të gjithve; kështu qi dikur të gjithë Shqiptarët kanë folë në njì mënyrë, me ndryshime fare të vogla, fare të pandieshme. Koha, shekujt i kanë larguem djalektet tona prej shoshoqit deri aty ku janë sod. Në nji popull të pashkollë, gjuha, tue qênë e pashkrueme, hŷn edhe ajo në rradhë të djalektevet, trungu kalbet e në vênd të tij bîn nji mënjollë e re. Po kur nji popull ka fatin me mbërrîmë në nji shkallë qytetnimi mjaft të naltë, me pasun nji shkrim, me gzuem nji jetë arsimi e kulture mjaft të zhvillueme, me shkolla të çdo grade, me shkrimtarët e vjershtarët e vet, atëherë mund të gjajë qi nji dialekt të nxjerrë pênda e vepra gjenijet a së paku të shqueme përmbi gjithë tjerat, qi të këndohen me lakmì prej shumëkujt, qi të stjudohen ndër shkolla, qi të shoshiten, të kthjellohen e të përhapen edhe me anën e shtypit e të merren mbrapa si modele edhe prej shkrimtarve tjerë, ky djalekt ngjitet atbotë mbi thronin letrar të kombit e mbretnon mbi të tana djalektet tjera si gjuhë e përbashkët, si gjuhë kombtare e kulturore. Përndryshe edhe letërsia jet dialektore e, për të krijuem gjuhën e përbashkët, gjuhën zyrtare të kombit, me nji orthografí, nji morfologjí, nji syntaksë të njâjtë e të caktueme me rregulla të preme, lypsen mundime individuale e kolektive gjuhtarësh, gramatikësh e letrarësh.
Komb’i ynë gjindet përpara ksaj nevoje.
“Abetari i të mërguemit” 1952
Marrë nga Muri i FB, Kliton Nesturi 9 dhjetor 2024