Indro Montanelli (1909 – 2001)
Pasazhe të shkëputura nga libri i tij “Shqipëria një dhe njëmijë”
Gazetar i “Corriere della Sera”, historian dhe shkrimtar Italian.
Një nga pesëdhjetë heronjtë e lirisë së shtypit në botë.
Konservator, antikonformist, antikomunist.-
Pasazhe të shkëputura nga libri i tij “Shqipëria një dhe njëmijë”,
shkruar gjatë udhëtimit të tij në vitin 1938, në Shqipëri.
Durrësi:
Një lagunë veneciane, që ngrihet mbi një ishull të vogël të mbrojtur mirë prej erërave nga një kurriz pothuajse dyqind metra i lartë dhe bashkohet me bregun me dy rripa të hollë toke mes te cilave përgjumet laguna.
Nuk është një qytet, por tri qytete të shtresëzuar mbi njëri-tjetrin: Durrësi romak – Durrësi venedikas/bizantin dhe ai shqiptar.
E kaluara është ndoshta më e shkëlqyer se e ardhmja e tij…
Kur Iliria u shndërrua në provincë romake, nga një qendër shkëmbimi mallrash u shndërrua në një kështjellë të armatosur ku rrënojat e kësaj kështjelle përbëjnë edhe sot e kësaj dite murin rrethues të qytetit, i cili duket ende i mbrojtur prej tij…
Pikënisje e rrugës Egnatia që romakët e ndërtuan përmes luginës së Shkumbinit, për në Ohër, Manastir… e deri në Selanik dhe që idealisht lidhej në Brindisi me rrugën Appia…
Rilulëzoi pas tërmetit katastrofik të vitit 314 para Krishtit dhe ra në kohën e dyndjeve barbare.
Rënia e Romës solli rënien jo vetëm të Durrësit por rënien e gjithë kësaj Lindje të afërt, për të cilën kontakti me Italinë do të thoshte kontakt me Perëndimin dhe qytetërimin….
Vetë Durrësi ka pamjen e një tregu venecian sesa të një pazari turk, megjithëse sundimi otoman ka qënë shumë më i gjatë se ai venedikas.
Sundimi otoman shënoi rënien e qytetit, duke u zvogëluar pak nga pak në përmasat e një fshati….
Tani është një qytezë e ndershme lagune, që e di se nuk mund të bëjë shumë, por atë pak që mundet, dëshiron ta bëjë seriozisht dhe mirë…
Lezha:
Si të mos ndalesh tek varri i Skënderbeut, varri i të cilit është zhdukur, nuk dihet si dhe as përse.
Duhet të jetë varrosur në kishën e Shën Kollit, pranë pazarit në bregun e majtë të Drinit.
Ekziston Drini, ekziston pazari, ekziston kisha, por sa për varrin, mister…
Skënderbeu është ushtari i panjohur i Shqipërisë…
Shkodra:
Më interesonte jo dhe aq qyteti, sesa krahina, qendër dhe kryeqytet i së cilës është.
Qyteti ka pamjen e një fjalëkryqi të qëndisur sipas drejtimeve të Bunës, Drinit e Kirit, ku dallohen mirë lagja e vjetër nga e reja, ajo e krishterë nga ajo myslimane.
Kalaja bizantine/veneciane e Rozafatit ndrihet mbi Drinin, si ta ndalojë atë të pushtojë fushën përreth…
Njëri më tha: “Të gjithë të huajt janë të një mendje kur thonë se qyteti i vjetër u intereson më shumë, por të gjithë janë gjithashtu të një mendje të jetojnë në atë të riun…”
Që Shkodra është në rënie, shihet me sy të lirë, një arsye është se Mali i Zi e kanalizon tregëtinë drejt Danubit dhe arsyeja e dytë është “shpikja e Tiranës”, kështu e quajnë shkodranët.
Tirana si të gjitha kryeqytetet e reja të vendeve të reja, është qytet parveny (me qytetarë të një shkalle jo të lartë shoqërore dhe të pasuruar me shpejtësi), ku borgjezi i pafytyrë dhe pareli është në kërkim të privilegjeve të aristokratit, ajo komandon dhe gllabëron, çon ujë në mullirin e saj, i shtyp rivalët, i shtrydh me taksa, i izolon, i prish pak nga pak autonomitë vendore.
Shkodranët thonë se “Tirana po na merr frymën…”
Si në Shkodër e në qytete të tjera… dëgjova të më pëshpërisnin të njëjtin avaz:
“Përse duhet të jetë Tirana kryeqytet, dhe jo Shkodra që ka qenë në historinë e Shqipërisë, qëndra më e populluar dhe e zhvilluar?
Pse jo Vlora, port natyror, qytet bregdetar, mol për anijet që mbërrijnë nga perëndimi, vend i këndshëm plazhi?
Pse jo Durrësi?
Pse jo Korça, qyteti më i përparuar?
Pse jo Berati, qendër mijëvjeçare, pajisur me dyzet kisha?
Pse jo Elbasani, qendër kryesore intelektuale?
Pse jo Kruja, vendi ku lindi Skënderbeut?
Pse jo Lezha, vendi ku u varros Skënderbeu?
Pse jo Gjirokastra?
Thoshin: “Tirana na kushton, vetëm merr pa dhënë asgjë”.
Njëri prej tyre më tha që t’ia them apo t’ia shkruaj Musolinit”.
Një tjetër më tha se ka shumë qytete që kishin më shumë të drejtë se Tirana të emëroheshin Kryeqytet, dhe me më pak ose aspak shpenzime…
Brenda Mbretërisë, kundërvënie krahinash, brenda krahinës kundërvënie fis me fis, brenda fisit kundërvënie familje me familje….
Anën e vërtetë e Shkodrës, atë madhështore të saj nuk e kuptova, vetëm më pas, pasi lashë pas krahëve qytetin dhe fillova të kacavaresha përgjat shpateve të maleve që e sundojnë në veri e lindje.
O udhëtar që shkon në Shkodër, mos ndalo aty, vazhdo të ecësh më lart dhe vetëm atëherë do ta kuptosh se çfarë është Shkodra!!!!!
Shqipërinë e interpreton më mirë një kullë malsore sesa të gjitha bulevardet e kryeqytetit.
Në malësi dëgjova se: “Mysafiri është i shenjtë dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, kjo e kodifikuar nga Lek Dukagjini….
Fisi është shprehja më e lartë e ndjenjës shoqërore të malësorit që, përtej fisit, nuk shohin asgjë…
Malësori i veriut është njeri fizikisht i bukur, i bukur pa naze, i gjatë, i thatë, i skalitur në tipare të ashpra, burrëror në të gjitha shprehjet e tij, i vetëdijshëm, instikti dhe veprimi i shpërthejnë pothuaj njëherësh, pa diafragmën e të menduarit, njeri i fortë prej shkëmbi, zor se dallohet nga flora dhe fauna që e rrethojnë, edhe pse shumë i varfër ai është zotëri i vërtetë, ka një linjë të tij elegante, një dinjitet të tijin fizik të pacënuar aspak nga varfëria e të veshurit dhe thjeshtësia e jetës së tij, ky bari i varfër i veriut në mjerimin e tij është një zotëri i vërtetë, ai është estet dhe jo tregëtar, nuk e kupron paranë – nuk shet por dhuron, një jetë e vetmuar dhe e ashpër e zhvillon tej mase personalitetin e këtyre njerëzve, duke iu afruar ndjen gjigantizmin e tij pa pasur mundësinë ta masësh e ta gjykosh, ka virtute homerike të guximit e të trimërisë, forca e mirësia janë një gjë e vetme, luftëtar dhe poet nga instikti, çdo heroizëm është objekt kënge për të, aspirata e madhe e tij është të kujtohet edhe pas vdekjes si protagonist i aventurave të rrezikshme, secili prej tyre kur lind vë kandidaturën për pavdekësi.
Tirana:
Më la përshtypjen e një mizërie njerëzish të zënë me punë. Shumë njerëz, por jashtëzakonisht të veckël, në krahasim me gjigandin vetmitar të malësisë…
Tirana është vënë në rrugën për t’u bërë një qytet perëndimor… qytet modern, pothuajse i shpikur, si ndonjë qytet amerikan që i ka zëvendësuar rrokaqejtë me minare.
Koha e saj, ka veçse dy masa: të tashmen dhe të ardhmen, e kaluara nuk ekziston.
Ka tri kinema të shëmtuara dhe asnjë teatër…
Shqiptari i qendrës është më pak i prirur ndaj hajnisë dhe aventurës, nga Mati e poshtë është më pak luftarak dhe më shumë tregëtar e fshatar…
Kruja:
Është qyteti më i çuditshëm pas Venecias.
Të thuash të vërtetën, Kruja nuk është një qytet: është një pazar i mbuluar rreth të cilit është mbledhur një qytet… Një Zot e di se kush dhe përse e ndërtoi atje lart… në një shpatinë të sertë. Atje jetojnë rreth katërmijë kopshtarë me shije toskane, të apasionuar pas ullishtarisë..
Këtu rigjen poezinë mashkullore dhe brumin arkaik të Shqipërisë në të vërtetë….
Fieri:
…Nuk është qytet, por vetëm një fshat më i zhvilluar për shkak të nyjës rrugore mbi të cilën ngrihet.
Berati:
Është një betlehem i bardhë.
I parë nga lart, të duket një qytet prej kartoni, ashtu siç mund ta ndërtonte një Walt Disney që ka zëvendësuar gjeometrinë me poezinë.
Shtëpitë janë njëra mbi tjetrën, në garë kush mbërrin e para në majën e një shkëmbi të djegur nga dielli e që rryma e fuqishme e Osumit e ka çarë në dysh…
Një urë e vjetër… bashkon dy lagjet e qytetit të poshtëm, por më pas një qytet i epërm, i shkëputur, i huaj, një ballkon i shfaqur mbi Tomor, Antelaun shqiptar: një muze i gjallë i ngujuar midis kurrizeve të thyer të majës shkëmbore, me një fortesë që natyrisht e mban kyçur…
Me kisha të vogla ortodokse të ngjashme me shtëpi të vogla dhe shtëpi të vogla të ngjashme me kisha të vogla ortodokse, të cilat janë tridhjet e dy, pothuaj një për çdo familje…
Kalaja ka pamje fisnike dhe të pastër, prej qendre të vogël aristokratike province… vajzat të veshura me të zeza si fanatiket… burrat nuk shihen gjëkundi, duhet të kenë zbritur në qytetin e poshtëm për të bërë tregëti, ata pak që kanë mbetur duhet të jenë duke u marrë brenda shtëpive me punë gdhendjeje dhe argjendarie, fshatar nuk duhet të jetë askush e as bari.
Kreu i kësaj San Marinoje shqiptare, nuk është as kryebashkiaku dhe as prefekti por është metropoliti, një zotëri shumë i nderuar dhe mikpritës… Rasputin pa vese…
Njerëzit e Beratit, bëjnë vetëm dy gjëra në jetën e tyre tokësore: punojnë dhe luten. Luten që të punojnë edhe në jetën e tyre qiellore.
Vlora:
Kryeqytet i një treve, në një Shqipëri të përmirësuar, do mund të ishte nga më pjelloret, e pasur me ullinj dhe begati… edhe pse i torturuar nga malaria, qyteti është i lulëzuar, sepse porti i siguron tregëti dhe shkëmbime me bollëk….
Sot Vlora numëron rreth dhjetëmijë banorë, dy të tretat myslimanë, një e treta të krishterë… Doli në krye të luftës së madhe, në sajë të familjes Vlora, një familje që nuk i gjendet shoqja në të gjithë Shqipërinë për patriotizmin e paepur dhe për kompromisin e zgjuar mes besnikërisë ndaj traditive dhe virtuteve kombëtare dhe një shije të hollë të tipit perëndimor.
Shtëpia e tyre është një muze i shkëlqyer: aty kam kaluar orët më të këndshme të qëndrimit tim në Shqipëri dhe aty kam dëgjuar gjërat më të mënçura mbi çështjet shqiptare…
Himara:
Një Siçili gadishullore, me bimësi të bollshme, madhështore, shumëngjyrëshe, e larme në profile kodrinore.
Gjirokastra:
Poli tjetër i skajshëm i Shqipërisë, shtëpi të bardha e të vockla, turma të vogla artizanësh dhe tregtarësh, qendra qytetare me shqetësime të çuditshme intelektualësh…
Qytet mikroborgjez, ngjitur mbas një kodre mbi amfiteatër, është një qytet klasik dhe i veçantë…
Korça:
Qyteti më i drejtpeshuar, më i kulturuar dhe sqimatar i Shqipërisë….
E çuditshme: Qyteti më lindor i Shqipërisë, në të njëjtën kohë, edhe më perëndimori.
Punohet në Korçë, bëhet zejtari, studiohet dhe lexohet…
Njëzetepesëmijë banorët e Korçës, janë njëzet e pesë mijë borgjezë dhe e kanë shndërruar qytetin e tyre në një Milano të vogël të Shqipërisë jugore.
Rrugët e saj janë të pastra.
Shtëpitë e saj të mbajtura më me kujdes, dëshmojnë një rend qytetar, ndërsa prodhimi artizanal i qilimave dhe fabrika e saj e madhe e birrës, dëshmojnë një rend ekonomik.
Edhe fusha përreth, e punuar me kujdes, e krehur me dashuri, dokumenton lidhjen e popullit me tokën e tij.
Le të thahet më në fund këneta e Maliqit dhe këtu do të lindë një hambar, sepse rrafshnalta ka klimë të butë dhe brumi i njerëzve është i një marke të mirë.
Pikërisht këtu, në këtë qytet, përfundoi udhëtimi im rreth Shqipërisë.
Si pikëmbërritje, për ta ruajtur shijen e mirë në gojë, zgjedhje më të mirë se kjo s’mund të bëja.
Marrë nga Muri i FB, Shpëtim Turani, 20 dhjetor 2024