back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Myrto dhe nipi nga Anglia rrëfim nga Gëzim Zilja

Gazeta

Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Myrto dhe nipi nga Anglia
rrëfim nga Gëzim Zilja

Para tre vitesh kam shkruar për komshiun dhe mikun tim Myrton. Pinim bashkë kafen e mëngjezit dhe ndonjë raki “të bërë vetë” siç thoshte kamerieri.
Është ai Myrtua që i erdhi djali pas dhjetë vitesh nga Anglia me gruan dhe fëmijën dy vjeç; ndenji tetë ditë, por nuk shkoi as për vizitë te shtëpia e të atit, që ishte ende me mobiliet e kohës së diktaturës. Dy gjëra i ngelën peng Myrtos atë kohë: Nusja nga fshatrat e Fierit (Laleshka thoshte gjithë mllef) që nuk e la as ta prekte me dorë nipin e vogël dhe ato njëqind eurot, që ia dha fshehtas plakës i biri. Ishte bërë bishë nga zemërimi dhe i ishte betuar së shoqes: -Po e kape me dorë atë “qinçe” do të ndjek nga shtëpia! – Me sa më kishte thënë “qinçja” e euros ishte ende, pas tre vitesh mbi komodinë. E shoqja kur fshinte pluhurat e merrte e rrotullonte nëpër duar dhe e linte sërish atje duke murmuritur:
-Nuk kam nge tani në pleqëri të merrem me këtë “të çmendurin’ që kam për burrë.
Këtë vit, te “Da Capo”, ku sërish po gjerbja me nge kafen, dikush më kapi nga mbrapa dhe më mbylli sytë me duar
-Gjeje, gjeje kush jam? – thoshte duke qeshur.
-Ah, presor, ike dhe ti. Ke filluar të çedosh, – tha më zë të lartë duke qeshur me të madhe.
-Je Myrtua. Të gjeta! – thirra nga qejfi, pasi e dallova nga e qeshura. U përqafuam me mall dhe u ulëm. Kishte ndryshuar shumë dhe kjo më gëzoi. Pantallonat dhe shapkat dhuratë nga Kryqi i Kuq nuk i kishte më. Më vonë vura re se çdo katër-pesë ditë ndërronte rrobat dhe pantallonat e shkurtëra, që i rrinin fare mirë në trupin e tij ende robust të një sportisti të dikurshëm. Atletet e kuqe firmato, nuk i hiqte kurrë nga këmba dhe përsëriste:
-Më tha djali se më shkojnë të kuqe, pa për mua le të ishin të çdo lloj boje. – E bënte llogarinë si dikur për të më gjetur si rastësisht, por jo gjithmonë më linte të paguaja kafen dhe atë teken e vockël si dikur, që ia donte shpirti sabah-sabah.
-Mos na nënveftëso dhe neve, – thoshte, dhe shtonte gjoja i mërzitur, – të pasur nuk jemi xhanëm, po ja, ca lekë për të paguar kafen i kemi sa për të mos u turpëruar me shokët e miqtë.

Gjyshi dhe nipi
Gjyshi dhe nipi

Gjatë gjithë kohës që bënim muhabet një djalë i vogël rreth 4-5 vjeç nuk i ndahej duke e mbajtur nga dora. I bëra shenjë nga vogëlushi që po më shihte gjithë kureshtje.
-Është nipi im, po nuk di shqip. Ka nja dy javë që e kam prurë këtu në Shqipëri dhe e mbaj unë me plakën.
-Nuk të kuptoj!
-Po ç’do kuptosh o komandant? Nuk kishin si ta mbanin se im bir punonte larg dhe vinte vetëm fundjavave në shtëpi. Laleshka, e ëma, punonte në një byrektore te disa kuksianë gjithmonë turni i tretë. E merrte në dy të natës dhe e linte turnin në dhjetë të mëngjezit. Kur kthehej nga puna e zinte gjumi sa hapte derën. Lere mos e nga, si ajo punë. Erdhi vet djali që na mori se unë as një fjalë anglisht nuk di. Na thirrën me plakën gjoja si turistë, por shpejt e kuptova që puna ishte te nipi. Më erdhi keq dhe thashë të rrimë ca e t’i ndihmojmë. Po ky i uruar nuk dinte asnjë fjalë shqipe se laleshka nuk do që të mësojë shqip: ka nënshtetësi angleze thoshte. Pas tre muaj burg në shtëpi, se burg ishte për mua, i thashë plakës: -Ti po deshe rri, unë të do iki! Erdhi dhe ajo e shkreta me mua. Na vinte keq për nipin po nuk ishte për ne Anglia. U bëra derr. Më mori malli për gurët e drurët si i thonë një llafi. Po deshe më beso, por e kam puthur njëqind herë atë derën shtrëmbaluqe prej llamarine të oborrit të shtëpisë. Kur i hoqa shulin dhe e lëviza, krikëllitja e menteshave të ndryshkura m’u duk si muzikë. Qava kur hyra brenda. Jo ore byrazer nuk ka si vendi yt, si toka jote. Ore më mori malli edhe për ferrat e baçës, që kam dyzet vjet, i shkul e ato sërish mbijnë. E vetmja zgjidhje ishte të merrnim djalin me vete në Shqipëri. Kënaqet i varfëri, e vjen pas meje e pas plakës si manar. Më ka pjell belaja se nuk di shqip dhe kalamajtë e lagjes nuk kanë lënë fjalë të pista pa ia mësuar. Bela e madhe për zotin! Ca fjalë i ka mësuar. Ajo Laleshka (ma atë e kishte gjithë mllefin jo me të birin) që ka shkuar me një fustan e një palë brekë në Angli, le të plasë po të dojë. Edhe një strofë nga vjersha e Naimi Frashërit, ia kam mësuar.
-O Klevis, ajde këtu afër të keqen gjyshi! Thuaja atë vjershën që të kam mësuar, këtij shokut tim.
Djali u step pak pastaj filloi me një shqipe të ngatërruar:
-Mëmële(dhe) quhet toka/ Ku më ka l(r)ënurë koka
Ku kam dashur mëmë e atë/ Ku më njeh dhe gul(r) i thatë!
Sapo mbaroi mori frymë thellë dhe pa Myrton gjithë krenari.
-E shikon o komandant? Ia kam mësuar vetë një për një. O e bëj shqiptar unë këtë, o mos më thënçin Myrto!
-E bën ti Myrto, e bën, – i thashë, – Ti e do vendin tënd dhe këtë Skelën tonë të dashur.
-Skela ka qenë më përpara, tani këtu nuk e merr vesh qeni të zotin. Le që beton i gjallë ngado të hedhësh sytë. Shyqyr kemi detin e çmallemi me të.
-Të të bëj një vërejtje të vogël o Myrto, po aman mos të të ngelet qejfi!
-Nga ty? Për kokën tënde o presor, ç’është ai llaf?
-Ajo vjersha shumë e bukur që recitoi nipi nuk është e Naim Frashërit, por e Çajupit. Pastaj djali nuk ka lindur në Shqipëri. Mësoja tët biri atë. Gjej ndonjë vjershë tjetër të shkurtër për gjuhën shqipe, nga Naim Frashëri.
-Më hape punë tani. Do më japësh kohë një javë dhe të shikosh se çfarë kam për t’i mësuar.
Një javë më vonë atje në një cep të Kulaçit (rrethrrotullimit) të Skelës, të Kafeneja e zakonshme, Myrtua kishte kohë që më priste. Kishe veshur këmishë me mëngë të shkurtëra, me një palmë jeshile në gjoks dhe lule shmëngjyrëshe anash, pantallona ngjyrë tulle gjithë xhepa dhe atletet e kuqe, dhurata nga i biri.
-Po hajde o presor se na thave sytë! Kemi gjithë mëngjesin që presim. Nipi do të të thotë vjershën e Naimit.
-Në dhjetë e gjysmë e lamë! Mo më nxirr bojën para nipit, – ia ktheva po me shaka. Sapo unë u ula nipi me qëndrim gatitu filloi:
Gjuhën e mëmëdheut mëso!/ Ajo mund të të ndritonjë.
Edhe të tjera ti këndo!/ Po atë ta kesh për zonjë.
Sapo vogëlushi mbaroi vjershën e rroka fort, e putha në faqe, dhe i thashë i përlotur:
-Bravo Klevis, të lumtë! Je një shqiptar i vërtetë dhe gjyshi jot është patrioti më i madh në të gjithë Skelën.
Myrtos iu bë qejfi sa nuk thuhet dhe murmuriti i lumtur:
-Po ja o presor përpiqem me aq sa di. Unë nuk kam bërë shkollë të madhe, po Klevisi nuk ka për të shkuar në Angli pa mësuar të flasë shqip. Djalin e kam vënë në be: Nëse nuk flisni vetëm shqip me nipin, mos më shkelni në shtëpi, ti dhe ajo laleshka jote, që përmirte në majë të gjëmbit kur erdhët në Shqipëri. E pashë me sytë e mi: Kurrizi i dilte në byrektore, te kuksianët, atje në Londër.- Ciku gotën e rakisë me timen dhe përfundoi: Hajde se më mirë do bëhet! Po ja do vuajmë edhe ca kohë se me ç’duken bathët….
Gëzim Zilja, 20 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.