back to top
1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Kush ishte “Toger Baba”?! – nga Kastriot Dervishi & Albana Melyshi Lifschin

Gazeta

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi
Toger Baba
nga Kastriot Dervishi

Prej vitesh përmendej emri i këtij partizani që pas lufte u përshi në forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Vrasjet dhe sidomos torturat shtazarake ndaj grave, e bënë kaq të njohur për keq toger Babën, sa vetë regjimi i detyrua ta ndëshkojë.
Një injorant dhe i pashkollë, përfaqësues tipik i regjimit të injorantëve filloi të ndjekë metodat tipike për vrasës dhe hajdutë. Hodo Habibi u arrestua më 01.06.1947.
Më 5-14 qershor 1947, merret në pyetje nga Fadil Kapisyzi e më pas nga Zoi Themeli e Mustafa Qilimi.
-Hodo Habibit, lindur në vitin 1918 në Kuç të Vlorës, analfabet, me profesion bujk, me origjinë shtresë e varfër fshatare, ilegal nga viti 1942, por partizan nga maji 1944 me brigadën e 8-të, e më pas në brigadën e 6-të, ku kishte përgjegjësi deri komandant kompanie.
Kishte shkuar deri në Bosnjë me formacionet partizane. Pasi vjen në Shqipëri u vendos rreth shkurtit 1945, me forcat e Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër, “për ndjekjen e kriminelëve”, në Koplik. Kështu në prill 1945, ai thotë se vartësi i tij, Pertef Pëllumbi kishte torturuar disa gra në fshatin Vermosh. Nga Kopliku, zhvendoset në Mirditë me detyrë “ndjekjen e kriminelëve”.
-Në maj 1947, ai arreston dhe torturon Pjetër Kolë Mhillin nga Kallmeti. Pas tij arreston Kolë Simonin dhe Gjyste Voglin. Duke qenë pjesë e një bande në pushtet, vendos bashkë me një komunist tjetër që Pjetër Kolë Mhilli të pushkatohej rrugës për në Lezhë. Patrulla zbatoi me “përpikëri” urdhrin e tij. Së bashku me një komunist tjetër, vendosin që Kolën dhe Gjysten t’i pushkatonin. Të parin e pushkatoi me të njëjtën metodë se Mhillin, ndërsa për Gjysten u vonua.

Deklarata të toger Babës
“Para se të bëja vrasje kam arrestuar një vajzë në katundin Fishtë, mbasi isha informuar se strehon ilegalë. Mbasi e arrestova, pasi e kërcënova, ua dhashë partizanëve ta shtrëngojnë. Ata e torturuan. Më pas e thirra në një dhomë dhe detyrova dy gra që ta zhvishnin lakuriq.
-Por pasi këto nuk e zhveshën dot, pas vajza nuk deshi dhe qante, e detyrova unë që të zhvishej lakuriq. Ajo prej frikës time u zhvesh siç e ka bërë nëna. Pasi e zhvesha e lashë mëse një gjysmë ore të zhveshur dhe pastaj e lashë të vishej. Vajzën e zhveshur e panë veç disa ushtarëve, edhe disa nga populli.
-Pas 3-4 ditësh kam arrestuar edhe një burrë në këtë katund dhe e kam zhveshur lakuriq, nga mbrëmja deri në mëngjes. Atëherë e lashë të vishet dhe e lirova. I thashë të më dorëzonte të vëllanë. Këtë e kanë parë edhe disa katundarë.
-Në katundin Mnellë, kam shtrënguar dy murgesha që të na tregonin lidhjet që kishin me ilegalët dhe që sabotonin vajtjen e rinisë në hekurudhë. Njërën prej tyre, nga shtrëngimi që i bëra unë, prifti e çoi në shtëpi.
-Në katundin Kallmet ku pushkatova Pjetër Kolë Dushin, para se ta pushkatoja, në darkë thirra vajzën e tij, e mbajta dy orë, pastaj e lirova. Nuk i kam bërë gjë.
-Kam zhveshur një grua në katundin Dedaj të Koplikut dhe ashtu e kam futur në dëborë. Andej kam rrahur edhe disa njerëz. Mace nuk i kam futur njeriu në pantallona”.
Procesi ndaj Hodo Habibit, nisi më 14.6.1947 në fshatin Hajmel nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës. Në fillim, i pandehuri deklaronte se ishte dekoruar disa herë, se ishte kundër ballistëve e zogistëve. Në gjyq sillen deklarata të ndryshme për torturat e krimet e toger Babës.
Gjyste Gjergj Vogli nga Hajmeli, dëshmoi në gjykatë:
“Në shtëpinë e kushëririt tim, Kolë Simonit, ka ardhur toger Baba. E ka lidhur kushëririn dhe i ka nxjerrë të gjithë jashtë. Ka ardhur nga ana e shtëpisë sime dhe pasi i mbylli të gjithë në një dhomë, më pyeti e ku i kisha vëllezërit. Kur unë i thashë se i kam jashtë më tha të siguroja derën.
Unë i thashë se dera e siguruar ishte, por ai më tha të ngrihesha e ta siguroja pasi do bënim dashuri në qoftë se doja që unë e Kola të shpëtonim gjallë. Duke u ngritur vetë në këmbë, më tha që nuk e hante këtë gjë të rrinte me derë hapur e të vinin vëllezërit e mi e ta kapnin. Për këtë mori një hekur për t’ia vënë derës.
Erdhi te unë me automatik në dorë e më tha: “Unë ja të shkërdhej ty sot, ja shkërdhej Krishtin tënd’, e filloi më bëri ato që më bëri që nuk mund t’i them dot”.
-Me vendimin nr.192, datë 15.05.1947 Gjykata e deklaroi fajtor në bazë të ligjit nr. 41 dhe e dënoi me vdekje, në litar. U la në fuqi me vendimin nr.154, datë 27.6.1947 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.
Marrë nga Muri FB, Kastriot Dervishi 15 dhjetor 2024

Toger Baba - Hodo Habibi nga Kurveleshi
Toger Baba – Hodo Habibi nga Kurveleshi
Kush ishte Toger “Baba”, sigurimsi
që përdhunonte gratë dhe terrorizoi Mirditën…

Toger Baba, që Mehmet Shehu e solli në Mirditë, për të nënshtruar mirditorët ka qenë faqja e zezë e partisë komuniste, e filloi gjyshi tregimin e tij.
Plaku ktheu gotën e vogël të rakisë dhe nguli pirunin mbi një kokërr ulliri, të cilin e bashkoi me një copë djathë.
-Ai i vuri emrin vetes “babë”, a thua se Mirdita kishte nevojë për “baba”. Emrin që i kish vu e ama e kishte Hodo Habibi dhe ishte prej Kurveleshi.
Ishte njeri mizor, imoral, i pa nder e i pa princip. Erdhi me kartabjankë në Mirditë me shtru në hu djemtë e burrat e me çnderu femnat. Kishte me vete 200 partizanë dhe dorën të lirë me pushkatu kë të donte ai, pa gjyq fare.
Në atë kohë, asht fjala për vitin -’46, në malet e Mirditës ishin rreth 500 burra, të shpërndarë në çeta të vogla. I kishin lanë shtëpitë e tyre pasi nuk e donin regjimin e Enver Hoxhës. Ishin në hall se për t’u hedhur përtej kufirit në Jugosllavi, kishin frikë se Titoja mund t’i dorëzonte tek qeveria e Tiranës.
Toger Baba kishte për qëllim gjetjen e arrestimin e tyre.
Ai e filloi misionin e tij me terror në popull, pa dallim. E nisi fillimisht në Fanë. Dha urdhën që katundarët të mos i mbyllshin shtëpitë e as ditën e as natën, se ishin për kontroll. Burrat i mblodhi dhe dha urdhër t’i shtronin në hu, pasi t’i zhvishnin. Të çburrëruar e të lidhun dorë për dorë i shtynin pranë një zjarri të madh të ndezur, ndërsa i rrihnin.
E sa për gratë… mjerë ajo grua që ia vinte synin Toger Baba, se nuk dilte nga duart e tij pa u përdhunuar. Kur hynte nëpër pyje në ndjekje të të arratisurve merrte me veta gra (jo burra) që t’i tregonin rrugën. Pasi mbaronin misionin ato të shkretat ktheheshin në shtëpitë e tyre të turpëruara e pa guxuar të thoshin një fjalë.
Populli jetonte në panik.
Qeverisë i shkuan raporte për punët e tij të zeza, por mbeten nëpër sirtarët e zyrave derisa i erdhi fundi kësaj pune.
Në tetor të vitit 1946, ai mbërriti në Kodrën e Spaçit dhe arrestoi krejt burrat e katundit, 40 vetë. Të lidhur dorë për dorë ata i detyruan të ecin tre orë në këmbë, të zhveshun. Në katundin Mushtë të Bjeshkës së Munellës përdori si burg për ta një stallë lopësh, ku balta kishte shkuar deri në gju. Të nesërmen burrat i vunë përsëri përpara deri në Kimëz. Atje kishte mbledhur burra e gra nga katundet e tjera.
Aty i ra në sy gruaja e Preng Gjon Markut. Quhej Dilë. Ai e arrestoi dhe pastaj dha urdhër që ta zhvishnin. Gruaja kundërshtoi me fjalë të rënda dhe atëherë togeri urdhëroi të bëhej një zjarr me dëllinja të thata dhe ta hidhnin gruan në zjarr. Burri i saj duke mos duruar më, shpërtheu lidhjen e duarve dhe arratiset nëpër mal ashtu siç ishte, i paarmatosur. Policia dhe partizanët e Toger Babës iu vunë pas dhe e vranë. Një kushërini të tij, që atë kohë studionte në Moskë, Pal Nikoll Prendit, i shkoi fjala se ç’po ndodhte në Mirditë Ai mori dy javë leje… dhe kthehet prej andej dhe raportoi gjendjen në qeveri.
Raporti i Pal Nikoll Prendit i shkon në dorë ministrit të Brendshëm në atë kohë, Koci Xoxes.
Toger Baba e lë Mirditën e shkon në Zadrimë. Mendoi se me Zadrimën do ta kishte ma lehtë, duke mos e ditur se zadrimasit përbëheshin më shumë nga mirditorë. Në Hajmel vendosi qendrën e tij. I ra në sy një vajzë e bukur. Ishte e motra e Kol Simonit, Luçia. Për ta pasur lehtë me ia shti në dorë të motrën, Luçien, arreston të vëllain nën preteksin se ky ka strehuar çetat e malit. E torturon djalin me pyetje, po nuk nxorri gja prej tij. E vërteta ishte që Kola s’ishte marrë me këtë punë.
Atëherë ai arrestoi Luçien, dhe i kërkon të bjerë në shtrat me të. Kur ajo nuk pranoi atëherë ai i u hodh për ta përdhunuar. Vajza rezistoi me gjithë fuqinë e saj, duke ia çjerrë fytyrën me thonj togerit, dhe i shpëtoi nga duart. Iku me vrap dhe u fsheh në një shtëpi në katund. Aty priti sa të dilte drita dhe u nis për në Shkodër. Ndërkohë togeri kishte dhënë urdhër që katundi të dorëzonte vajzën ose përndryshe do t’i vriste të vëllain, Kolën. Dhe ashtu bëri. Porositi që ta dërgonin djalin në burgun e Lezhës e rrugës ta vrisnin nën pretekstin se u kishte ikur nga duart rrugës.
Luçia me të mbërritur në Shkodër shkoi drejt e te familja e Tuk Jakovës me të cilën familja e saj, kishin miqësi. Prova se çfarë i kishte ndodhë ishte ajo vetë, boll që ta shikoje të shkyeme rrobash e të rrahun. Tuku e këshillloi të shkojë në Tiranë dhe i dha vajzës një letër për t’ja dhanë në dorë Koçi Xoxes.
Koçi Xoxe kur e pa vajzën në atë gjendje dhe lexoi letrën dha urdhër që të shkohej në Hajmel e të vërtetoheshin në vend gjitha sa ishin raportuar për Hodo Habibin, të ashtuquajturin “Toger Baba”. Gjykata e Shkodrës kishte marrë informacionet për veprimet terroriste të togerit ne Mirditë.
Toger “Baba” (Hodo Habibi) u var në konop.
Më kanë thanë se ma vonë, mbasi Enver Hoxha e dënoi Koçi Xoxen, Toger “Babën” e banë Hero..
Shkëputë nga libri “Yjet nuk janë të kuq” i shkrimtares shqiptaro-amerikane Albana Melyshi Lifschin

Marrë nga Progegnishtes, me 22 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.