Mes Krishtlindjeve dhe Theofanisë
ose Kur ka lindur Imzot Theofan Stilian Noli
nga Kristaq Jorgo
Ka një mosdakordësim, për mua me një vlerë simbolike madhështore, lidhur me datën e lindjes së Imzot Theofan Stilian Nolit. Tradicionalisht, pranuar dhe nga Imzot Noli vetë, si datëlindje e Tij mbahet 6 janari. Ndërkohë ai ka ardhur në jetë për Krishtlindje. Si kështu dhe cila është e vërteta?
Në librin “Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox Church in America, 1908- 1958”, Boston 1960 [“Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, 1908-1958”] Imzot Noli shkruan: “Then Fan Noli tried to get from his mother the exact year of his birth. Mother Maria answered: “I don’t remember the year, but I do remember that it was christmas eve, and the church bells were ringing”. She meant Christmas Eve according to the Old Calendar, which according to the New Calendar was January 6th.” [“Më pas, Fan Noli u mundua të mësonte nga e ëma vitin e përpiktë të lindjes së tij. Nënë Maria u përgjigj: “Unë nuk e mbaj mend vitin, por e mbaj mend që ishte Nata e Kolendrave dhe binin kambanat e kishave. Ajo e kishte fjalën për natën e Kërshëndellave, sipas kalendarit të vjetër, e cila në krahasim me kalendarin e ri, binte më 6 janar.”]
Tash, një sqarim i thjeshtë: Krishtlindjet sipas kalendarit të vjetër, atij Julian, sot e gjithë ditën në fuqi në një varg kishash të Lindjes, natyrisht nuk bien e nuk festohen në 6 janar, por si gjithkund e gjithherë, më 25 dhjetor. Për ta thënë ndryshe: sot kalendari i këtyre kishave nuk shënon 6 janar, por 25 dhjetor, datë e festimit të lindjes së Krishtit atje. Veçse 25 dhjetori i atjeshëm është 6 janari ynë sipas kalendarit të ri, atij Gregorian.
Imzot Noli ka pranuar ta fiksojë e ta mbajë 6 janarin si datë të lindjes së vet, gjithë duke nënvizuar se ka ardhur në jetë në natën e Krishtlindjeve e ndonëse prej 1925-s zyrtarisht Shqipëria pranoi Kalendarin Gregorian, sipas të cilit si datëlindje e tij do të duhet të njihet e të festohet 25 dhjetori.
Simbolikisht do të interpretohej kjo ndërlidhje datash, ky kryqëzim kalendarësh, lejuar nga vetë Imzot Noli (datëlindja natyrale, Krishtlindja, e ajo formale, Theofania, Zbritja e Shpirtit të Shenjtë, Dita e Ujit të Bekuar) si dhe emri i pagëzimit ‘Theofan’ të të lindurit në Ditën e Krishtit, njëheri si një shenjë nga Lart e pastaj si një dëshmi e vetëdijshme e Ndriçimit, e Vullnetit dhe e Bekimit për të realizuar të Pamundshmet, për t’i kapërcyer vonesat e për t’i paraprirë Kohës, për t’u ngritur nga njeriu drejt Mbinjeriut, për t’u bërë – me një varg të vetin – “kryengritës i Shënjtëruar”, njëmendësues Veprash madhështore.
Është një Krisht mbi të cilin bie Hiri i Shpirtit të Shenjtë që ditën e Tij të Lindjes; Krishti shqiptar i pagëzuar Theofan, që nxiton të bëhet gati për Misionin e vet – Imzot Theofan Stilian Noli, një nga Etërit e Shqipërisë Moderne, Themelues i Kishës sonë Ortodokse Autoqefale e një Shenjt i saj, Hero i Madh i Historisë dhe i Kulturës Shqiptare.
Marrë nga Muri i Fb Kristaq & Edlira Jorgo, 6 janar 2025