back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tabakhanja poezi nga Fernando Pessoa

Gazeta

Alida Jolie "truth is here"
Alida Jolie “truth is here”

…Me Pessoan jam njoftë do vite ma parë… dhe siç ndodh me gjanat e bukura që lshojnë shkëndijë, kshu m’ndodhi edhe me poezitë e tij, dhe n’veçanti me Tabakhanen. Ndoshta për arsyen e thjeshtë që shpesh herë n’hapat e mia të jetës jam ndje bosh… kot dhe asgja njashtu si Pessoa. Asht e mundun që secili prej nesh në rrugën tonë me u ndje si ky poet, i cili e përshkruen veten në at mënyrë sa asht pa asnji vlerë, pra kurrgja.
Nji mbramje janari isha tuj e lexue prapë kët poezi dhe nji ashkël vezulloi n’trunin tem, e diçka më tha… “Mos prit ta bajnë të tjerët, po futju e përktheje vetë”. S’mbaj mend ta kisha lexue përkthimin e kësaj poezie ma parë. Fillova me e përkthye dhe sa më shumë përpiqesha aq ma shumë më sfidonin rrjeshtat e shkruem prej poetit portugez. Sa herë që mendojsha se po i afrohesha aq ma shumë m’dukej sikur ai m’largohej. Më dukej sikur m’thoshte, “Provo ma fort se ke hala rrugë me ba”. Pessoa m’dukej sikur m’ftonte ma fort në labirintin e poezisë së tij. E njishtu, derisa përkthimi filloi me marrë at formën e duhun, at amëlsinë  dhe “ngrohtsinë” e caktueme… alida jolie

Fernando Pessoa (1888-1935)
Fernando Pessoa (1888-1935)

Tabakhanja poezi nga Fernando Pessoa

Nuk jam asgja.
Përherë do t’jem asgja.
Nuk dishroj t’jem tjetërgja.
Përpos kësaj, ruj mes vedit të tan andrrat e botës.

Dritaret e odës teme,
Oda e nji prej milionëve të botës që askush s’din asisend)
(Dhe po t’më njifshin mue, ç’munden me ditë?)
Hapun bri udhës t’mistershme përherë kryqzue prej kalimtarëve,
Drejt nji udhe t’parrahun prej mendimesh,
T’vërteta, pamundësisht t’vërteta, t’sigurta, panjoftë sigurinë
Me fshehtësinë e sendeve poshtë vorreve dhe krijesave,
Me vdekjen që njom muret dhe thinj floktë e burrave,
Me Lumninë që nget karvanin e gjithçkasë tëposhtë udhës
së asgjasë.

Sot ndjehem i humbun, si me msu’ t’vërtetën.
Sot ndjehem i kthjellët, si t’isha tuj vdekë
Dhe s’ndjej asnji mall për ç’ka m’rrethon
Shkëputem, kjo godinë dhe kjo anë e rrugës m’bahet
Varg treni i gjatë, fishkëllima e nisjes
Mbrena krytit tem,
Përkund nervat e mia dhe nji kërcitje eshtnash në largim.

Sot jam hutue, si dikush që kërkon, gjen dhe harron.
Sot jam nda n’dysh mes besnikërisë që i detyrohem
Tabakhanes përtej rrugës, si nji gja reale e jashtme
Dhe ndjenjës që çdo gja asht andërr, si nji gja reale e mrendshme

Dështova në gjithçka.
Përderisa s’kisha asnji synim, ndoshta përnjimend gjithçka ishte kot.
Ç’ka m’kishin mësue,
Zbres prej aty, poshtë te dritarja mbrapa shpije.
Nisem fshatit me ide të mëdha,
Por krejt çka gjeta atje ishte bar dhe pemë,
Dhe aty ku gjendej njerëzia, ata ishin krejt si të tjerët.
Zbrapsem prej dritares dhe ulem në karrige. Ç’ka të mendoj vallë?

Ç’ka mund të bahem, kur s’di kush jam?
Ç’ka mendoj? Mendoj shumë gjana!
Dhe shumë mendojnë me kenë e njajta gjá po s’munden me kenë ma shumë!
Gjeni? N’kët sekondë
Qindra mija mendje janë formue me pasë andrrën e nji gjeniu si unë,
Ban vaki, që historia s’mban mend asnji rast,
Dhe gjithë sukseset e tyne t’imagjinume janë nji pirg plehu
Jo, nuk besoj në vedi,
Tanë azilet e t’marrëve janë mbush me t’lajthitun të sigurt!
Unë, që s’kam asnji siguri, a jam pak i marrë, apo krejt i marrë?
Jo, jo mua…
Në sa papafingo, dhe jo-papafingo të botës
Janë vallë tuj andrrue gjenitë n’kët orë për vedin?
Sa aspirata t’nalta, dhe fisnike, dhe t’kthjellta-
-Po, përnjimend t’nalta, fisnike, dhe t’kthjellta-
Dhe kush po din nëse edhe t’arritshme,
Kurrë s’ta po e shohin dritën e dlirtë të diellit, e as me ndigjue nga veshët e ndokujt?
Bota asht e atyne që lindin me e mposhtë,
Jo për ata që andrrojnë se munden me e mposhtë,
edhe nese kanë të drejtë.

Alida Jolie... "everything is broken"
Alida Jolie… “everything is broken”

N’përfytyrimet e mia bana ma shumë se Napoleoni.
Kam rrokë me humanitet teori kundër zemrës ma fort se Krishti.
Krijova në heshtje filozofina që asnji Kant s’i shkruejti.
Por unë jam, e ndoshta përherë do t’jem, ai i papafingos
Ani se s’jetoj në të.
Do t’jem përherë nji që s’ish lindë për kët gja;
Do t’jem përherë nji që kishte do cilësina;
Do t’jem përherë nji që ka pritë drynin t’i çilet bri murit pa derë,
Dhe këndova kangën e Pafund n’kotec t’pulave
Dhe ndieva zanin e Zotit n’nji pus t’puthitun.
Besoj n’vetvete? Jo, në kurrnjisend.
Shtjeftë Natyra n’krytin tem t’përndezun
Diellin e saj, shiun e saj, flladin që shpupurit flokët e mi,
Dhe ajo ç’ka mbetet, o ka ardhë, o s’vjen kurrë ma.
Skllevën t’zemrës ndër yje
Mposhtim krejt botën para se me u çue prej shtratit.
Zgjohena dhe ajo asht gjysëterr,
Përmendena po ajo asht e huej për ne
Braktisim shpijat dhe ajo asht tan rruzulli,
S’bashku me Sistemin Diellor, Udhën e Qumështit e Pafundësinë…

(Ha çokollatat, mituke!
Ha çokollatat!
Dije se s’ka metafizikë në botë përveç çokollatave.
Dije se t’gjitha fetë s’kanë me t’mësue ma fort se ambëltoret.
Ha, zhulse e vogël, ha!
Sikur t’mujsha me i hangër çokollatat me t’njajtën çiltërsi si ti!
Por mendoj se, po t’lëvizja letrën e argjendte, t’bame nga fletë kallaji
Kisha me e l’shue përdhe, siç l’shova jetën teme.)

T’paktën, prej hidhnimit që s’do t’jem kurrë
Ka mbetë kaligrafia e ktyne rrjeshtave,
Si harkore e rrëzume prej Pamundësie
T’paktën, i shenjtnoj vedit përbuzjen pa lot
Fisnik së paku në mënyrën e përplasjes
së teshave t’palame, ky  jam unë, në rrjedhën e ngjarjeve
Dhe rri pa kanatjere, në shpi

(O ngushllimi jem, që s’ekziston, prandej ngushëllon,
O perëndeshë greke, sajue si nji statujë e gjallë,
O patric romake, pamundësisht fisnike, dhe tinzare,
O princeshë trubadurësh, sojnike dhe e bojatisme
O markezë e shekullit tetëmbëdhjetë, supzbulume dhe shpërfillëse,
O koketë me namë prej epokës së etënve tanë,
O diçka moderne, që s’të përfytyroj njashtu si duhet,
E gjitha ti, cilado qofsh, n’mujsh me m’frymëzue, frymzomë!
Zemra jeme asht derdh në kovë
Si t’gjithë evokuesit shpirtnorë, unë evokoj
Vetevedin por nuk gjej asgja,
Avitem te dritarja dhe shoh rrugën me kthjelltësi absolute,
Shoh kinkaleritë, shoh trotuaret, shoh makinat që kalojnë,
Shoh qëniet e gjalla që ecin bri njëna-tjetrës,
Shoh që ekzistojnë edhe qentë,
E gjitha randon mbi mue si dënim në mërgim,
E gjitha m’asht e huej, si gjithçka tjetër.)

Kam jetue, studiue, dashurue dhe besue,
E sot, s’ka lypës që s’e kam zili pse ai s’asht unë
Shikoj leckamanët, të smunët dhe dredhitë e kujtdo,
Dhe mendoj: ndoshta ti kurrë s’ke jetue, as studiue, as dashurue, as besue
(Sepse asht e mundun me e ba realitet të gjithën pa ba asgjanë)
Ndoshta ti thjesht ke ekzistue, si nji zhapik që i kanë këput bishtin
Dhe bishti vazhdon e lëviz, pa zhapikun.

Ç’ka duhet të kisha ba, s’e bana,
Dhe ç’ka s’duhet të kisha ba, e bana
Xhaketa e dominosë m’rrinte shtrembtë
Filluen me m’ngatërrue për tjetër kënd, nuk b’zana dhe humba vedin,
Kur desha me hjekë maskën,
Më ishte puthit mbas ftyre,
Kur e hoqa maskën dhe kqyra vedin n’pasqyrë,
Kuptova sa isha plakun.
Isha dejshëm e s’dijsha me veshë xhaketën domino që kisha heqë
E shkapeta maskën dhe m’zuni gjumi n’garderobë
Si nji qen i mëshiruem prej bote
S’e nuk përbaja rrezik
Dhe e shkruej këtë histori për t’ju sigurue se jam sublim.

Tinguj muzikorë për strofat e mia të kota
Sikur t’mujsha me t’pa ty si diçka që t’kam sajue
Sesa me t’pa gjithherë si Tabakhanen përtej rrugës,
Duke e nëpërkambë me vetëdije ekzistencën
Si i dehuni kur rrëzohet ndër qylyma
O n’shtrojën e kashtes pa vlerë, vjedhun prej ciganësh,

I zoti i Tabakhanes ka ardhë te dera dhe asht ndalë aty.
E shoh me bezdisjen e nji qafe gjysë të ngrime
Dhe bezdisjen e nji gjysëm-shpirti të brengosun.
Ai ka me vdekë dhe unë kam me vdekë.
Ai ka me lanë tabelat e tina dhe unë kam me lanë poezitë e mia.
Tabelat e tina do t’harrohen, si dhe poezitë e mia.
Ma pas do të vdesi rruga, ku rrinte tabela,
Edhe gjuha në të cilën ishin shkrue poezitë.
Do të vdesi dhe planeti rrotullues, ku e gjithë kjo ka ndodhë
Në satelitët e tjerë të sistemeve të tjera ndonji si njeriu
ka me shkruejt gjana si poezia dhe t’jetojë nën gjana si tabelat
Gjithmonë nji send përballë tjetrit,
Gjithmonë nji send aq i padobishëm sa tjetri,
Gjithmonë pamundësia aq e marrë sa realiteti,
Gjithmonë misteri i thellësisë aq i fortë sa misteri i andrrës në majë.
Gjithmonë ky, ose gjithmonë kjo, ose as njana e as tjetra.

Por nji njeri ka hy mbrenda Tabakhanes (me ble duhan)
Dhe realiteti kokëfortë papritun më godet.
Unë gjys çue, energjitik, ngulmues, e njerëzor,
Do t’munohem me i shkruejtë kto vargje që thonë të kundërtën…

Ndez nji cigare dhe mendoj ç’ka mund të shkruej,
N’at cigare shijoj lirimin nga t’gjitha mendimet.
Ndjek tymin si t’ishin hapat e mia
Dhe kënaqem, me ndjeshmërinë dhe aftësinë e çastit,
Lirimin prej të gjitha spekullimeve

Me vetëdijen se metafizika asht pasojë e të mos ndjemit mirë
Mbas kësaj pllakosem në karrige
Dhe vazhdoj me pi cigare.
Sa t’kem jetë, do vazhdoj me tymue

(Nëse martohem me vajzën e rrobalarses teme
Ndoshta do t’jem i lumtun)
Me kët mendim, ngrihem.  Avitem te dritarja.

Burri ka dalë nga Tabakhania (rras qindarkat në xhep).
Ah, e njoh njatë: ai asht’ Estevi pa metafizikë)
(I zoti I Tabakhanes ka dalë ke dera.)
Si me nji instikt hyjnor, Estevi u kthy e m’pa mue.
Ai m’ban me dorë, unë bërtas “lamtumirë o Estevi!”, dhe universi
rikrijohet përpara meje, ashtu i papërsosun, e i pashpresë,
dhe zoti i Tabakhanes buzëqesh.

Përktheu: Alida Jolie

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.