back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dy fjalë edhe prej meje, autorit të librit “E Penguara…” Lindita Dema – Harizaj

Gazeta

Lindita Dema - Harizaj
Lindita Dema – Harizaj

Dy fjalë edhe prej meje, autorit  të librit “E Penguara…”

Lindita Dema – Harizaj

Reagim  ndaj shkrimit “Vajzat e Interrnuara”… të Gj. Pervizit

Sa herë shkoj në Shqipëri, dhe kjo ka qenë shpesh jo e rrallë… mbasi çmallem fillimisht me njerëzit e mi, vizitat tek familjarët e të tjera…menjëherë gjej kohë dhe shkoj nëpër libraritë për të gjetur libra… dhe valixhja më mbushet vetëm me to (ndoshta kjo është një sëmundje e mirë, që më ka mbetur nga Koha e Internimit).
Ndër librat e shumtë që mora atë vit të 2011, ishte edhe “E penguara, – requiem për Linda B.” Jo, se më pëlqen ky autor, mbasi prej vitesh leximet e mia janë shumë larg nga çfarë shkruan Kadare. Por, mbasi e kam patur që e vogël porosi nga Babi: “…përkrah leximit të letërsisë së huaj, duhet të lexosh edhe letërsinë e vendit tënd, se edhe ajo është shumë e bukur… Kemi dhe ne shkrimtarë të mëdhenj, KOLLOSË… (absolutisht JO, për Kadarenë). Mos të zgjatem shumë, po të dal tek thelbi…. Nuk kam pasur dhe nuk gëzoj asnjë fije respekti o simpatie për Ismail Kadarenë si NJERI! Sepse, ai me penën e tij i ka shërbyer, dhe i ka thurur lëvdata të pa merituara deri në çmenduri… atij sistemi që vetëm e denigroj dhe e përçudnoj njeriun dhe shoqërinë shqiptare. Ndoshta, ka në ketë mes edhe vend për debat, po sidoqoftë, në përgjithësi, kjo është pikëpamja ime personale! I. Kadare i ka sherbyer KOMUNIZMIT edhe më shumë se gjithë Komiteti Qëndror i PPSH, me penën e tij…!

E penguara - roman I. Kadare
E penguara – roman I. Kadare

“E penguara, – requiem për Linda B”, romani i Ismail Kadaresë, shkruhet se u kushtohet vajzave shqiptare që u lindën, u rritën dhe u vajzëruan në internim…
Është paturpësi të shkruash se ky libër “…u kushtohet vajzave shqiptare që u lindën, u rritën dhe u vajzëruan në internim…” Autori si gjithmonë, nuk e ka kursyer veten as edhe te ky libër, (që sipas tij mund të jetë i fundit…!!) ta përdhosë atë pjesë së klasës së shtypur me personazhin e tij. Nuk mund ta imagjinoni… mezi e shtyva leximin e librit… kjo më bëri kushedi sesa here nervoze, nga mënyra se si shkrimtari e përshkruante vajzen e internuar, Linda B.!
Përshtypja ime personale: libër shumë i dobët dhe më la një ndjesi shumë të keqe. E kundërta e kësaj ndodh kur më pëlqen diçka, qëndroj edhe gjithë natën duke lexuar derisa të dal në fund…
Edhe unë, ashtu si Beba dua t’i them vetëm dy fjalë këtij shkrimtari. Është Krenari dhe kënaqësi e paparë për mua që jam stërmbesë, mbesë dhe bijë e atyre grave që janë zvarritur, por nuk janë përkulur KURRË, nëpër gjithë kampet e internimeve, duke filluar nga Berati, Tepelena, Porto-Polermo, Gradishta, etj., që nga viti 1945 e deri në vitin 1991.
Të gjitha Nënave dhe Gjysheve të shtrenjta, mikeve dhe gjithë vajzave të tjera në Gradishtë dhe në gjithë kampet e tjera, u premtoj se do t’i nderoj e respektoj deri ne vdekje. Për vlerat dhe cilësitë që na edukuan dhe na mësuan, duke mbajtur me vete gjithnjë sensin edukues për të ndikuar tek ne, për të na emancipuar, për të na bërë qenie të përgjegjshme e të ndërgjegjshme, për ta dalluar me kujdes të mirën dhe të keqen, dhe ta përballonim atë me dinjitet, edhe atje në atë Botë të poshtër ku nuk njihej se ç’ishte Liria dhe Drejtesia! Të gjitha këto Gjyshe, Nëna dhe Vajza të internuara meritojnë Medalje të Arta një për një! Sepse mbeten të bekuara dh me vlera të jashtëzakonshme dhe unë i cilësoj Ato Gra: Heroina… Sepse edhe atje në mizerje ditën të përcillinin tek ne Vlerat, Virtytet dhe Traditat më të larta njerëzore, e të cilat na përcaktojnë ne si Shqiptarë dhe potenciali i tyre jeton brenda ne të gjithëve, tek çdo grua dhe shqiptare e mirë!

Nënat e vuajtjeve të pafundme...
Nënat e vuajtjeve të pafundme…

Zotëri i nderuar,
Ju nuk mund t’u dedikoni një libër këtyre vajzave, sepse ju qysh me shkrimet tuaja të hershme i keni vrarë shpirtërisht dhe moralisht ato… mbasi atyre edhe një paragraf i bukur dhe i shkruar me modesti mund të ishte i mjaftë… që ato të fluturonin (në endërrimet e tyre) dhe të iknin larg… prej asaj mizerje që ju i kishit përplasur pamëshirshëm… E pra ato, nuk gjetën kurrë asgjë nga çfarë ato kërkonin në veprën tuaj…dhe lexonin libra të verdhë, që ishin të ndaluar dhe kaloheshin nëndorë.
O Zot, ruajna nga komunistët, kamaleontët dhe puthadorët…
19 mars 2014

Related Images:

More articles

9 KOMENTET

  1. Juela, gjithnji kemi shkëmbyer bashkë mendime interesante, edhe ajo çka më shkruaje sot ishte më shumë se e tillë… Unë të çmoj mjaft si në mënyrën e konceptimit ashtu dhe atë të shtrimit të problemit, në kët rast është fjala për letërsinë… Unë mendoj se nji shkrimtar është i lirë në fantazinë e tij krijuese, po njiheresh mendoj se në nji shoqëri ku vritet shpirti i lirisë, nji shkrimtar duhet të jetë zëri i shpresës… sado fantazi që të ketë nji vepër letrare, ajo që duhet të mbetet është e vërteta jetësore… si i tillë ai e ka për detyrë të mbrrijë tek e vërteta edhe kur jeton larg saj… Mbeten gjithnji kënaqeëi diskutimet e përbashkëta…
    Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  2. Arta Cela Goga
    Zoti Artan, të më falësh për ”shfryrjen e rëndomtë diletantësh”, dukesh që je njeri me kulturë dhe inteligjencë të madhe, po dhe më falet them, se ”fshatar hesapi”, vetëm se kisha dhe nja dy gjëra për atë ”gjigandin tënd”. Një shkrimtar nuk mund të thotë që veprat e mija janë vetëm për ata që kanë nje mendje te holle ,per inteligjentet dhe ata që kanë një nivel kulturor të lartë (e ka shkruar e shoqja e tij në librin Kujtimet), vetëm shkrimtar, poet apo për çfarë e mban veten ai nuk mund të jetë. Mos e mban veten më të mirë se Dante (që djali im e ka pëlqyer që në klasë të tretë fillore dhe akoma vazhdon ta lexojë), Leopardi apo me poetët e tanishëm, Alda Merini, Isabel Allende, mos t’i marr të gjithë me radhë tani. Një ”gjigant” si Kadareja, që të jetë me të vërtetë gjigand duhet të ketë thjeshtësinë brenda tij, dhe më duket se ai nuk futet te këta njerëz. Dhe njeherë, të më falësh për ”shfryrjen time të rëndomtë diletante”…
    Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  3. Juela Sulka
    Jozef, mendoj që një takim në Kampin e Savrës me të internuarit nuk mund t’i mjaftonte Kadaresë apo gjithkujt për të zbuluar atë botë të brendshme apo edhe të jashtme të një grupi të caktuar njerëzish. Janë disa gjëra që duhet t’i jetosh, duhet t’i ndjesh deri në kockë për t’i kuptuar. Edhe unë që flas në këtë rast jam superficiale, gati s’kam asgjë të përbashkët me këto gra të nderuara që kanë folur në emër të një kategorie në tërësi. Unë thjesht kam dëshirën e mirë për të njohur një realitet që kaq shumë janë munduar të na e fshehin, të na e ngjyrosin me lloj lloj penelatash ata që pretendojnë të kenë më shumë zë. Nuk kam qënë kurrë në majë të Olimpit dhe s’kam qenë as në “tunelet” e Ferrit. Kam qënë diku në mes. Aq sa mund të më tërhiqte shkëlqimi i rremë i Olimpit aq më shume më tërhiqnin klithmat e ferrit. Unë jam thjesht një e dëshiruar e përvëluar e një të vërtetë tëë munguar. Jam humane dhe jam mëkatare. Pamvaresisht nga natyra ime shumë e shpeshtë e “bastian contrario” e them që në rastin e Kadaresë unë jam shumë paragjykyese. Bëj pjesë ndoshta në atë kategori shumë të vogël shqiptarësh, që jo vetëm nuk e adhurojnë, por jo rrallë herë refuzoj të bëj dikë të fitojë nga shpezimet e mia. (pranoj me përulësi që s’kam blerë as një libër të tijin në jetën time, i kam marrë o në bibliotekë, o borxh). Kjo u bë gati princip i jetës time, kur shumë krijime të bukura kam arritur t’i lexoj vetëm në ëeb pasi autorët nuk kanë mundësi ekonomike për publikimin e tyre dhe i japin falas për të gjithë në ëeb apo pdf.
    Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  4. Arta dhe Juela… së pari ju falenderoj për shënimin e lënë për këtë shkrim, megjithse e theksoni faktin që nuk e keni lexuar librin… Ajo që desha të sqaroj, është se këto shkrime nuk janë fushatë kundër ndokujt, por janë thjesht dhimbje grashë dhe vajzash që e kanë provuar në lëkurë këtë jetë skëterrë internimesh dhe reagojnë dinjitetshëm, jo thjesht për të dëshmuar pozitën e tyre, por edhe atë të gjysheve e nënave të tyre të shenjta. Nuk mund të jetë e vërtetë se Kadare, s’ka pasur asnji lloj informacioni, për jetën e këtyre grave… sepse, e para Ai së bashku me të shoqen, kanë qenë në nji takim në Kampin e Savrës me 14 tetor të 1989, dhe së dyti është e mjaftë që ai t’i hidhte nji sy veprës së Visar Zhitit, për të pasur qoftë edhe njifarë skicimi të vakët për Ferrin e asaj kohe dhe asaj jete, ku ato që vuajtën, më së shumti ishin gratë…

    Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  5. Artan Kerluku
    Secili ka të drejtën e tij të kritikojë një vepër letrare apo një autor, por vetëm pasi e ka lexuar, po dhe kuptuar thellë veprën e tij. Në rastin e një gjiganti si Kadareja kërkohet shumëfish maturi e nivel kulturor për të shkruar një kritikë të denjë letrare dhe jo shfryrje të rëndomta diletantësh…
    Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  6. Juela Sulka
    Idem, librin nuk e kam lexuar dhe në këtë pikë kam frikë ta bëj. Unë nuk jam kritike letrare që të jem e detyruar ta lexoj një libër. Nisur nga recesionet si ky më lart (që nuk është i pari) do kërkoj t’i evitoj vetes një pakënaqësi kauzuar nga leximi i një libri. Por ajo që kam thënë edhe herë tjetër, një që e mban veten për “shkrimtar i madh” nuk mund t’i lejojë vetes gabime të tilla. Mendoj se Kadare ka qenë shumë larg atij relaiteti, atyre ndjenjave që kërkon të përshkruaj, dhe duke qenë larg, duke mos ja patur fare idenë, bie në atë që di të bëj më mirë, një shërbim të fundit sistemit…

    Marrë nga Muri i fb 23 mars 2014

  7. Arta Cela Goga
    Nuk e kam lexuar këtë libër dhe nuk kam jetuar si e internuar (nuk e njoh atë jetë), prandaj nuk nuk mund ta gjykoj dot. Doja vetëm të thoja që Kadare nuk më ka pëlqyer kurrë, dhe nuk kuptoj të tjerët kur thonë se është: ”Zoti shqiptar i shkrimit!”. Gjithmonë kam menduar që në këtë njeri ka diçka që nuk shkon, që para 25 vitesh, dhe duke lexuar për të bindem më shumë se intuita ime nuk më ka gënjyer…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.