back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Erica Camaj: …Jam shkodrane dhe dukagjinase e vërtetë!

Gazeta

Martin dhe Erica Camaj
Martin dhe Erica Camaj

Erica Camaj:

“…Jam shkodrane dhe dukagjinase e vërtetë…!”

Thuhet se gjallërimi i kombeve ka nisë me frymën e poetëve!
Në magjen e Alpeve tona madhështore 84 vjet më parë me frymën dhe shëmbëlltyrën, tyre lindi dhe u gatua kolosi i letërsisë shqipe Martin Camaj.
Camaj ishte një shqiptar i vërtetë, kampion i florës sonë alpine, plot shkëlqim tejet i ujdisur, i gjatë, trupdrejtë, i bukur, sykaltër me vështrim romantik, i shartuar me sythet më dalluese të një gjeniu artistik. Ai komunikoi me shaminë e kaltër të qiellit tonë arbror, me tokën, lulet, zogjtë, ujvarët dhe stinët, U gëzua u mallëngjye, qau, qeshi dhe u dashurua. E gjendur në Shqipëri me rastin e ditëlindjes së njeriut më shtrenjtë të jetës më një pronocim për gazetën Telegraf, bashkëshortja e Camajt Doktoreshë Erika Camaj një grua e rradhë gjithë delikatesë dhe elegancë, por edhe e zgjuar dhe praktike tamam si një gjermane e vërtetë tregon për dashurinë e madhe që e lidhi në mënyrë të pazgjidhshme, me poetin tonë kalorsiak, dashuri që nuk u nda as nuk u tkurr fare, as pas vdekjes fizike të poetit, dashuri që beri gjermankën safi, të ndihet shqiptare e vërtetë…

Zonja Erika ju komunikoni shumë lirshëm në gjuhën amtare të bashkëshortit tuaj, shqipen e mësuat nga pasioni apo si detyrim për hirë të respekti për bashkëshortin tuaj? Kam qënë e lumtur dhe shumë me fat që që u dashurova me një shqiptar të madh si Martin Camaj. Dashuria nuk njeh kufi, unë fillimisht dashurova njeriun Martin Camaj, pastaj edhe gjuhën amtare të tij e cila më ka berë të ndihem tërsisht shqiptare.
Sa e vështirë ishte për ju fillimi i mësimit të gjuhës së panjohur shqipe? E vështirë ishte të dashuroje Martin Camaj, një burë aq hirëplot e zemërmadh, një qytetarë i denjë i botës, me një botë universale kulturore, që bëri institucionet më prestigjioze të kulturës gjemane të flasin shqip të flasin, jo mua njeriun e tij më të shtrenjtë. Gjithsesi në fillim nuk ka qenëshumë e lehtë. Sapo ishim martuar, kur ra zilja e telefonit por, im shoq nuk ishte në shtëpi. Ngrita receptorin dhe dëgjova fjalë të pakuptimta për mua deri atëherë: “Si e kemi punën…”- unë u përgjigja çfarë ke pse bertet?! Pastaj ai vazhdoi thuaj Martinit, jam në burg “Kur erdh im shoq unë i shpjegova fjalën “burg” e zbërtheva sistematikisht si një kala kështjellë ku shkonin studentë për vizitë. Në ketë kohë Martini nxori duart prapa, i kryqëzoi dhe menjeherë e kuptova se cili ishte kuptimi i fjalës burg ku kishin përfunduar miqtë e tij kosovarë.
Fillimisht cila fjalë e gjuhës shqipe ju ka bërë më përshtypje? Ka qenë fjala “pilaf” që dëgjoja më shpesh. Kjo ndodhte kur në shtëpinë tonë vinte Ernest Koliqi i Madh dhe menjëherë thoshte: “Sot do të hamë pilaf”, bile ai ngrihej dhe bënte vetë, apo nuk hante veç një tenxhere të terë…

Në shtëpinë e Camajve në Temal
Në shtëpinë e Camajve në Temal

Dinit ndojnë gjë për Shqipërinë përpara lidhjes suaj me Camajn? Unë më përpara nuk kisha njohuri fare për Shqipërinë. Tre emrat e parë që më ka mësuar për vendin e tij, im shoq kanë qenë Shqipëri, Shkodër dhe Dukagjin. Qysh nga viti 1968, kam jetue me Shqipërinë, jam njohur me virtytet e shqiptarve; besën, burrninë, zakonet. Për mua fjala shqiptar është nder dhe krenari, burri im kishte rranjë të thella me tokën e që lindi dhe kto rranjë thoshte rritën e bëhen lisa, në çdo degë bëhen kokrra, që do me thënë rranjet ishin themeli, lisi ishte gjuha e pasur shqipe e Martinit dhe kokrrat e çdo degë janë veprat e tij.
Kush është Martin Camaj sipas njeriut më të dashur që jetoj 38 vjet pranë tij? Një njeri zemërmadh, me gjak të kulluar shqiptari, me talent me dhunti fenomenale natyrore, që prezatoi me dinjitet kulturën shqiptare duke i dhënë asaj pasaportën e munguar europiane, një qytetar i madh i botës, Një Nikë i vërtetë i maleve shqiptare, një rapsod i viseve të Dukagjinit, i gjatë, i pashëm, këngëtar, i saktë, lakmues i çdo gjaje të bukur, të cilit kurrë nuk i mungoi fjala e bukur shqipe!
Pa i rënë tërthorazi si njohe dhe u dashuruat me Martin Camajn? Një shoqja ime po jepte provim përpara Camajt dhe një bashkkolegut të tij profesor. Ajo po qante pasi nuk ishte e përgatitur dhe nuk arrinte ta merrte provimin. Në këtë kohë Camaj ishte afruar kolegut: – A t’ia japim këtë provim, pasi unë nuk mund të shoh një femër duke qarë. Ajo e mori provimin e për këtë shtroi një darkë në të cilën isha e ftuar edhe unë  e për rastësi më takoj të rrija pranë profesor Martin Camajt…
Po më pastaj? Nuk e di as vetë një kryqëzim shikimesh, një drithërimë zemre, një prezantimi i shkurtë emocional dhe një bisedë këndshme për Shkodrën, të cilën ai e donte aq shumë.
Vetëm kaq jo as gjë më tepër? Pse pak është të lexosh në sy vegimin e një dashurie të pakufishme!
Puthjen e parë e morët a e dhatë? Puthjen e parë e mora nga Martini.
Ua dhuroj apo ua vodhi? Ma dhuroj me shumë sinqeritet dhe fisnikëri, një njeri si ai, të dehte e të bënte për vete, dhe s’ka nevojë ta rrëmbejë vjedhurazi. Unë e prisja atë puthje… akoma edhe sot, 17 vjet pas ndarjes nga jeta të tim shoqi më bën të ndihem e lumtur…
Bukuria e shquar e bashkëshortit tuaj ju ka bërë xheloze se mos mund ta adhurohej nga të tjera femra? Martin ishte një star, të cilin edhe Afërdita do ishte e lumtur sikur ta kishte përkrah… Unë këtë e dija mirë dhe isha e lumtur që kisha. Madje kisha mësuar nga Martini fjalën e bukur shqipe se: – “qoftë burrin e qoftë gruan që ke në krah, nëse nuk ta lakmon kush, nuk duhen gja hiç!!” Ndërmjet tri virtyteve që janë besim, shpresa dhe dashuria – dashuria është më e larta sepse kupton dhe fal gjithçka, domethënë toleron dhe nuk mbaron kurrë. Atëherë mund të thuhet se dashuria pa tolerancë është pa kuptueshme…
Martin Camaj ishte një kala që nuk merrej lehtë, ai kishte një karater dhe univers shpirtëror shumë më të bukur se fytyra e tij engjëllore…
Na trego ndonjë momet krejt të veçantë nga jeta juaj intime? Kemi aq shumë sa është vështirë të bësh diferencë, gjithsesi ndoshta nga më të veçantit është rasti i udhëtimit me avion mbi Atlantik, me rastin e 60 vjetorit të lindjes së Martinit. Avioni pasi vonoi dhe bëri një ulje të detyruar në ishullin e Nju-Fuland. Aty festuam gjysmën e ditlindjes, gjysmën tjetër e festuam në avion, se morëm një avion tjetër për të vazhduar udhëtimin…

Martin dhe Erica Camaj midis miqve
Martin dhe Erica Camaj midis miqve

Cilët kanë qënë miqtë më të ngushtë shqiptarë të Camajt gjatë azilit të gjatë në perëndim? Martini pati miqësi të pathyshme me Koliqin, Nolin, At Danjel Gjeçajn, Arshi Pipën, Antoni Athanas, Lin Delinë, Prof. At Luigj Marlekajn, Dom Prekë Ndrevashajn, etj.
Çfarë ndjeje kur lexoje poezitë Camajt? Ndjeja kënaqësi të jashtëzakonshme. Unë i lexoja poezitë përpara se ai t’i botonte. Edhe pse ishim në profesione të ndryshme kishim mjaft pika të përbashkëta që na bashkonin. Unë çdo fundjavë kthehesha në një sekretare e tij. Sistemonim punën e bërë gjatë javës, jepnim mendime dhe bënim gati materialin për botim.
Sa ndjente Camaj mungesën e lexuesit shqiptar? Ai ishte i vetëdijshëm se i mungonte hapësira e pritur e lexuesit shqiptar, por gjithnjë ishte i bindur se ai një ditë do ta kishte… Camaj nuk ishte nga ata njerz që mërzitej dhe brengosjen e shfrynte mbi të tjerët. Ai ishte i përmbajtshëm me një jetë të brendshme shumë aktive. Në momentin që përfundonte një libër e shikoja se kalonte një gjendje të tensionuar, pasi vriste mendjen nëse kishte bërë libër apo jo!!
A është vërtetë se ju keni banuar në një shtëpi karakteristike tradicionale shqiptaret ngritur enkas nga Camaj? Po kemi banuar dhe banoi përsëri, shtëpia jonë gjendet në Lengries rreth 50 km larg Mynyhut, gati në kufi me Austrinë. Këtë shtëpi im shoq e ngriti për të pasur përpara syve imazhin e vendlindjes së tij Dukagjinit. Shtëpia ka një odë të madhe pritje me oxhak në ballin e së cilës qëndron e varur lahuta kreshnike, dyshemeja e shtruar me lëkura dashi gjithçka është mobiluar nga një mjeshtër arbëresh me orendi e sipas traditës etnografike shqiptare. Kjo shtëpi është një muze i gjallë i etnografik, ku Camaj shlodhej, përtërihej dhe shuante mallin për vendlinjen.

Erica Camaj & Bardh Lohja 2013
Erica Camaj & Bardh Lohja 2013

A pati Camaj ndonjë amanet të fundit, e nëse pati cili qe ai? Kur kuptoi se sëmundja po e rrëzonte përfundimisht, im shoq më la dy amanete: Ditën e varrimit t’i vinim mbi kokë qeleshen e Dukagjinit, ndërsa amaneti i dytë tek koka e varrit ku të prehej përjetsisht t’i vini një gurë varri nga fshati i lindjes Temal. Mesha e përmotshme e dritës u mbajt nga miku i tij personal i ardhur nga SHBA Dom Prekë Ndrevashaj. Mbi varrin e tij studentët shqiptarë në shiritin e kurorës: “Ti je i yni, ne jemi tutë”, Ndërsa pas 4 muajsh, studentët vijnë në fshatin e vendlindjes së Camajt, marrin atje një gur të madh dhe e çojnë në Mynih ku dhe vendosin tek kryet e varrit të Camajt, sipas amaneti të tij të fundit.
Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe a vazhdoni të vini përsëri? Kam ardhë në vitin 1993, dhe nuk jam ndier aspak e huaj, Farefisi Camaj ma ka lehtësuar qëndrimin këtu. Në Shqipëri kam gjetur bukë, kripë e zemër dhe unë e kam pranuar me kënaqësi dhe zemër. Unë vij në Shqipëri, jam shkodrane dhe dukagjinase e vërtetë… ashtu siç ishte edhe Camaj i madh
Marrë nga www.prelemilani.com

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Shumë mallëngjyes kjo intervistë…
    Një gjermane që e shpreh dashninë për gjuhën tonë, kur shumë janë shqiptarët që e kanë harru gjuhën dhe fëmijve nuk ua mësojnë! I ndeshim këto fakte shpesh në komunikim me të njohur që jetojnë jashtë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.