back to top
-2.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Arbana – tregim nga Ferdinand Laholli

Gazeta

Ferdinand Laholli
Ferdinand Laholli

Arbana –

tregim nga Ferdinand Laholli

(Nga Cikli “Savra në kujtimet e mia nga Gjermania”)

Saçi i diellit përvëlonte atë fillim shtatori të vitit 1982, e nxënësit sado që tregoheshin gazmorë në oborrin e shkollës, prap dukej që mezi prisnin të hynin nëpër klasa. Edhe në qenien time lexohej padurimi. Veç unë s’e kisha nga dëshira për të qenë në një vend të hijesuar… Jo! Unë prisja veç ta dëgjoja emrin tim në zërin në shqiptimin e mësuesit kujdestar, për ta besuar se fillimi i shkollës së mesme, paçka se pa shkëputje nga puna, ishte më në fund i vërtetë…
Njeriu ka shumë ëndrra e dëshira, realizimi i të cilave përbën atë që ne e quajmë lumturi. Po ëndrrat nuk kanë skaj… as dëshirat. Pra, lumturia s’është tjetër veçse një etje e amshueshme. Çdokush nxiton të pijë nga kjo etje që s’të ngop kurrë… Edhe ai që e ka “mollë të ndaluar”… pra edhe unë, po filloja ta shijoja ndjesinë e saj.
Herë-herë më dukej se lejimi për të filluar shkollën e mesme ishte më tepër se një lumturi. S’mund të ishte ndryshe pas gjithë atyre ecejakeve të panumërta në zyrën e Këshillit Popullor, në Komitetin e Partisë së Rrethit, plus letrat e shumta të dërguara në Komitetin Qëndror në Tiranë…
Tashmë ndodhesha ulur në bangë, të cilën s’di pse e ledhatoja lehtas, butshëm e ngrohtë, si të ishte e dashura ime. Në krah kisha shokun tim Alfred Tafanin, i cili ndante të njejtin fat si timin… atë të interrnimit në Savër.
Për një çast pandeha sikur e tërë klasa ishte veç me të interrnuar, pse më në fund na ishte lejuar shkollimi i mesëm natën. Por s’ishte kështu… Jo kurdoherë pandehmat tona janë të vërteta. Më vonë do e kuptoja se në shkollën e mbrëmjes vinin edhe njerëz që ishin të detyruar të punonin ditën për t’i përballuar sado pak hallet e shumta familjare, por edhe nga ata që kishin dështuar në shkollimin e ditës, pra që ishin pak të paaftë.
Nisi apeli i emrave.
I pari në rradhë u thirr ai i Arbana Resulit. Vajza ishte ulur në bangën para meje. Ajo u ngrit në këmbë, për të pohuar praninë e saj në klasë dhe unë vura re se kishte trup të drejtë, dhe flokët e gjatë i kish lënë t’i derdheshin lirshëm mbi supet e bukur.
Emri dhe mbiemri i kësaj vajze, më kujtuan befas romanin “Tradhëtia” dhe autorin e saj. Këtë libër që e kisha lexuar para shtatë vjetësh, s’do ta harroja kurrë. Asgjë e habitshme! Gjërat e bukura jetojnë në panteonin e mosharrimit.
…Sapo kisha mbaruar klasën e tetë kur u njoha me këtë libër. Ishte pikërisht koha kur pushtetarët ma mohuan “njëherë e përgjithmonë” të drejtën e shkollimit të mesëm ditën. Që nga ajo moshë, kohën do ta kaloja gjithnji e më dendur në shoqëri me librat.
Fillimisht, librat m’i jepte gjitonia e motrës sime, korçarja simpatike me emrin Shpresa. Ishte pesë-gjashtë vjet më e madhe se unë, po kish dëgjuar që unë diç shkruaja… ndaj një ditë u ndal e më tha.
-Ti nuk duhet ta vrasësh kohën duke lexuar libra dosido. Ty të duhet literaturë e zgjedhur, dhe për këtë gjë do të ndihmoj unë.
Së pari më dha poezitë e Pushkinit, pastaj “Lirikat” e Lermontovit dhe së treti romanin “Tradhëtia” të Kapllan Resulit.
“Tradhëtinë” ma dha si fshehtas mes fletëve të gazetës “Zëri i Popullit” duke më thënë:
-Ky libër është i ndaluar të qarkullojë. Kuptohet nga kush. Po ti duhet ta lexosh. Ke për të mësuar shumë prej tij. Veç bëj kujdes mos ta shohë kush, se është i ndaluar.

Tregimi... botuar te "Koha Jone"
Tregimi… botuar te “Koha Jonë

U kujtova se babai i saj ishte oficer dhe anëtar Partie.
-Po yt atë a di gjë për kët libër? – e pyeta me zë të ulët!
-Ai më këshilloj ta ruaj nga të tjerët. Jo nga frika se mund ta përjashtojnë nga Partia, por nga frika e humbjes.
E gjitha kjo m’u kujtua vetëtimthi aty në klasë. Apeli vazhdonte, po mua më dukej sikur thirrej veç emri i Arbana Resulit. Haluçinacion i dëshirueshëm për mua. Edhe çastet sikur kishin tjetër fytyrë, atë të gëzimit nga stolisja me gjerdanin e emërmbiemrit të asaj vajze.
-Ndoshta ekzemplar i Kapllan Resulit? – fola pa e ditur shkakun dhe personin kujt po i drejtohesha.
-Çfarë?! – deshi të dinte Fredi.
-Ndoshta ekzemplar i Kapllan Resulit? – përsëdyta unë, at llomotitjen time të paadresë e gati gati të pakuptim.
Fredi s’foli, ndërsa Arbana e ktheu kokën nga unë. Befas, pashë një fytyrë të bukur, buzë të qershijta dhe dy sy në ngjyrën e lotit… S’di pse m’u dukën të rrëmbushur ata sy, që përcollën tek unë një shikim të vakët, përzjerë me mirnjohje. Diç më dhembi në krahëror. Ndoshta zemra. Kurrë s’kam dashur të shoh sy të përlotur, ngaqë sytë për mua kanë kuptimin e brigjeve të shpirtit.
Kur mbaroi mësimi i asaj mbrëmjeje të parë dhe ne dolëm nga klasa, s’di si u gjendëm përkrah njëri tjetrit.
-Ti jeton në Savër? – më pyeti Arbana, duke më ngrohur të tërin me afërsinë e të folurit të saj.
-Po! – i thashë unë dhe buzagaza.
-Udhëton me biçikletë, apo…
-Në këmbë. Ti duhet ta dish se një biçikletë kërkon një rrogë vjetore të blihet, por hallet e befta që na dalin aq shpesh ditëve e bëjnë pothuaj të pamundur një blerje të tillë… E keqja është se s’kemi as linjë urbani, e unë duhet t’i bëj tetë kilometrat në ardhjekthim, pas gjithë asaj lodhje rraskapitëse në fushë.
-Në rrugën e Plukut, funksionon në rregull urbani. Pra e kemi të zgjidhur këtë problem, po siç duket sonte do ta bënkam në këmbë rrugën! – tha dhe qeshi lehtë.
Fjalët e saj më gazmuan. Ishte një e folur e taktë, përplot mirsjellje.
Ecnim nën kurorë plepash. Dhe rrugës na shoqëronte kori gazmor i zogjve, që mua më dukej sikur i gëzohej shoqërimit tim me atë vajzë të panjohur…
Ia thashë Arbanës çka mendova. Ajo provoi të buzëqeshte, por nuk mundi. Sytë e saj ishin të veshur me një tis të lehtë trishtimi.
-E ke lexuar “Tradhëtinë” – më pyeti papritur.
-Po! – i thashë shkurt, ndërkohë m’u kujtua një ndodhi.
-Në vitet e shërbimit ushtarak, në kompaninë ku bëja pjesë, ishte edhe një ushtar me mbiemrin Resuli. Muharrem quhej. Jetonte në Kosovë të Vogël. Pra, në rrethin tonë. Duke u nisur thjesht nga mbiemri Resuli, mendova se do të ishte i afërm i shkrimtarit. Por jo. Pas përvojës së fituar me të, m’u duk e kotë që pyetjen e dikurshme ta përsëris edhe në adresë të mbiemrit tënd.
Vajza nuk foli… Pashë që i shtrëngoi nofullat dhe një lot iu rrokullis teposhtë faqes dhe humbi diku… Jo, nuk humbi… ai lot rëndoi mbi dhimbjen time…
-Unë jam e bija… – tha papritur ndërsa ecnim.
-E bija e kujt? – e pyeta pa e kuptuar si duhet pohimin e saj dhe u ndala.
-Jam e bija e Kapllan Resulit!
Shtanga i gjithi.
Kur e kisha lexuar “Tradhëtinë”, s’i kisha mbushur të pesëmbëdhjetat, dhe kisha mbetur i mrekulluar nga ai lexim. Gjithmonë besoja se mrekullitë janë vepra të hyjnive. Dhe për mua Kapllan Resuli ishte nji hyjni, që kish zbritur në tokë, për të na sjellë “Tradhëtinë”, e pastaj për të vazhduar në përjetësinë e tij…
Pashë Arbanën që lotonte… dhe ashtu mes përlotjes… po më tregonte për nënën e saj Verën, të vëllanë Arbenin, për veten e saj dhe sigurisht edhe për babanë e saj…
Jetonin prej disa vitesh në Pluk, ndërkohë punonin mes pluhurit dhe baltës së fushës. E dija fort mirë se çdo të thoshte ajo punë në fushë, ku të jesh i privuar nga të gjitha liritë e të qenit njeri. Pra e dija mirë… se në atë fushë të interrnuar, edhe për një rrënjë bime të prerë padashtas, shpalleshe edhe “Armik i Popullit”! Aty më shumë se lodhja, qe frika dhe përçmimi që na ndiqnin hap pas hapi… dhe ishte pikërisht koha kur llomotitej aq shumë për njeriun, për liritë e tij absolute, për lulëzimin e tij, ndërkohë që njeriu i ngjante aq shumë një peme rrënjëdalë…
Kur ra fjala për të atin, Kapllanin, nisi të fliste zëulët, aq zëulët sa fjalitë mezi merrnin kuptim në veshët e mi. Aty mësova se shkrimtari ndodhej në burg prej vitit 1970, se gruan dhe fëmijët nuk i lejonin të kontaktonin me të, qoftë edhe përmes letrash, kurse për takime as që bëhej fjalë…
Teksa e dëgjoja… zgurdulloja sytë…
Pra shpërblimi zyrtar i dhënë Kapllan Resulit, për romanin “Tradhëtia” ishte Burgu!!
Kuptohej që ajo e ashtuquajtur “Kohë e Partisë”, nuk ishte tjetër veçse pjellë e ndyrë gjaksorësh panegjerikë.
Atë mbrëmje, përjetova dhimbjen dhe lotët e asaj vajze për prindin e saj…
Po unë që s’e kisha njohur kurrë babanë tim!?
Pas ndarjes me Arbanën, m’u desh të kthehem në barakën time në Savër. Ku gjeta nënën dhe dy vëllezërit.
-Kam njohur Arbana Resulin, të bijën e Kapllan Resulit! – u thashë me një ndjenjë madhështie sapo hapa derën.
-Duhet të jetë e bukur, që po na tregon… – ma priti nëna me at humorin e saj të natyrshëm.
-Po, e bukur! – pohova unë.
-Edhe e mënçur?!
-Po, e mënçur…
-Edhe e vuajtur, sigurisht?!
-Si askush tjetër!
-I ati i saj, është shkrimtar, ndërhyri vëllai im i mesëm, – dhe sot ndodhet në burg…
-Jo, – e kundërshtova unë – atë nuk e burgosin dot! As e vrasin dot… As sot e as kurrë… Ai është i përjetshëm tek Fjala…

Revista "Koha Jone"
Revista “Koha Jonë

Marrë nga Muri i Fb i Cezar Ndreut
Revista “Koha Jonë” 1991

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Klasën e parë fillore e kam bërë në shkollën e Vjetër te lagja e Sulenjve, dhe ne të klasës së parë mbaronim më shpejt mësimet dhe duhet të shkonim në shtëpi. Shkolla kishte formën e gërmës L, ku klasa jonë ndodhesh në fund fare, dhe duhet të kalonim gjithë klasat me radhë derisa të shkonim te klasa jonë… edhe kur mbaronim mësimin kalonim dhe shikonim Tabelat e Nderit me fotot e nxënësve të dalluar . Ishim të vegjël dhe vonoheshim derisa i lexonim çdo klasë të dalluarit e sajë… Në kët kohë në klasat më të larta fillonte mësimi dhe mua më bënte përshtypje zëri i lartë i Mësuesve të shkollës kur thërrisnin emrat e nxënësve të klasës, duke vazhduar ecjen me tej dëgjohej spjegimi i mësuesve me radhë. Më tepër i mbaja këmbët të dëgjoja mësues. Zef Gjeloshajn kur jepte rusisht dhe dëgjoja klasën duke kënduar Cip cip mai cipiati cip. cip mai … Duke ikur më tej nuk di pse më tërhiqte zëri mënyra e të folurit e një mësuesi që mbante baluke të gjata në klasën me dritare të hapur a dhe nuk pipëtinte askush veç zërit të tijë dhe të gjithë klasën e parë dëgjoja te klasa ku jepte mësim Kapllan Resuli.
    Në klasën e dytë lexova një libër me tregime të Kapllan Resulit… Shumë i bukur për moshën tonë dhe mezi prisja që të rritesha e të më jepte mësim Kapllan Resuli… Por pa shkuar në klasën e pestë atë e arrestojnë… Dhe për çudi libri i parë që më ra në dorë në Fabrikën e Letrës i ardhur për t’u bërë brumë për karton ishte Tradhëtia… E lexoj autori Kapllan Resuli. Ne e lexuam dhe e shpërndamë dorë më dorë…
    Ju falemnderit që më sollët këto kujtime…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.