Keda Kaceli:
“At’ Zefi Pllumi… e mbajta premtimin!”
Kur vlera e besës kapërcen edhe vdekjen…
Intervistë e Keda Kaceli dhënë gazetares Albina Gjergji – Koha Jonë
Përkthyesja e veprës, “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, rrëfen lidhjen shpirtnore me françeskanin e hekurt, fjalën e dhënë për botimin e librit në gjuhën italiane, njohjen me Silvio Berlusconin, pikënisjen për t’ia besuar këtij politikani parathënien e veprës detajet e promovimit të librit në Senatin e Republikës italiane, si dhe pakënaqësinë nga mosinteresimi i mediave shqiptare për këtë ngjarje jo të zakonshme…
Keda Kaceli është shqiptarja e parë që sjell në italisht veprën “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, njërit prej penave më të shquara të letrave shqipe dhe françeskanit që i rezistoi më së shumti diktaturës së egër komuniste. E cilësuar si vepër monumentale, promovimi i këtij libri, përkthyer mjeshtërisht nga znj. Kaceli u mbajt të enjten që lamë pas në Senatin e Republikës italiane. Në këtë event, të organizuar dhe kuruar me detaje nga vetë përkthyesja e librit, morën pjesë disa nga personalitetet më të larta të politikës italiane dhe shqiptare, figura të njohura të artit dhe medias, ku ndër to spikaste prania e politikanit më të lakuar në Itali, Silvio Berlusconi, i cili ka shkruar parathënien e veprës së At Zef Pllumit. Në fjalën e tij, të mbajtur në Senat, Berlusconi përshëndeti iniciativën e Keda Kacelit, mbesës së Jonuz Kacelit, vrarë nga regjimi komunist në Shqipërinë e diktaturës. “Përshëndes punën e jashtëzakonshme të shqiptares Keda Kaceli, e cila nëpërmjet përkthimit të dëshmisë së At Zef Pllumit më bëri të njoh një anë tjetër të Shqipërisë, atë të krimeve të shumta të kryera nga diktatura komuniste, vuajtjet e tmerrshme të shqiptarëve në ato vite, si dhe fakte të tjera që s’i dija më parë. Dëshmia e Pater Zefit ulëret dhe pasi ke lexuar librin, ajo vazhdon te ulërasë brenda teje”, tha ndër të tjera Berlusconi në fjalimin e tij.
E lumtur që arriti të përfundojë denjësisht një projekt kaq të rëndësishëm dhe që mbajti premtimet e dhëna vite më parë, Keda Kaceli tashmë po shijon frytet e punës së saj, një punë e konsideruar nga vetë ajo si një mision, pasion dhe… premtim i mbajtur. Vlera e besës kapërcen edhe vdekjen dhe sipas Kacelit, libri i At Zef Pllumit meriton altaret e historisë për dëshminë që sjell. “Kontributi që kam dhënë për ta bërë të njohur këtë vepër më bën krenare dhe të fortë për rrugëtimin e sapo filluar dhe që arrita të realizoj ëndrrën time… dhe jo vetëm timen, por të të gjithëve si unë”, u shpreh ajo ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”.
Pas përfundimit të prezantimit të librit, të pranishmit në institucionin më të rëndësishëm politik në Itali, iu drejtuan më pas një salle tjetër të Senatit për të përgëzuar autoren e përkthimit të veprës së At Zef Pllumit. Lidhur me punën disa vjeçare me këtë libër, pikënisjen e saj, njohjen me Berlusconin, si dhe ndjesitë që po përjeton pas përmbushjes së misionit, përfaqësuesit e gazetës “Koha Jonë”, si e vetmja media shqiptare e pranishme në këtë event i mori këtë intervistë Keda Kacelit.
“Rrno vetëm për me tregue”, një vepër monumentale e At’ Zef Pllumit, falë jush tashmë vjen e përkthyer edhe në italisht. Pas finalizimit të gjithë kësaj pune, cilat janë ndjesitë që provoni pas suksesit të prezantimit znj. Kaceli? Përfundimi i këtij udhëtimi të gjatë më bën të ndjehem e realizuar dhe jam shumë e lumtur që arrita pas shumë vitesh të përfundoj një projekt, të cilin për nga rëndësia dhe përmbajtja e kisha lidhur kryekëput me fill të dyfishtë me jetën time, qoftë personale qoftë profesionale. Fakti që arrita krejt e vetme të mbaj premtime të bëra afro 10 vjet më parë më bën të mendoj se ngulmimi dhe besimi tek diçka e madhe të japin fuqinë për të vazhduar përpara kokëlartë. Momenti final i këtij angazhimi qe pikërisht prezantimi në Romë, ku emri dhe jeta e Patër Zefit dhe e martirëve shqiptarë u nderuan në institucionin më të lartë të demokracisë dhe vendim-marrjes par-excellence, Senati i Republikës Italiane. Një sukses i jashtëzakonshëm që u përcoll në mediat italiane, si drejtpërdrejt, ashtu edhe në të gjitha edicionet e lajmeve dhe të përditshmet e së nesërmes në shtypin e shkruar. Vepra e Patër Zefit është monumentale, pasi jeta e tij si martir i gjallë, që i mbijetoi komunizmit ogurzi dhe “rrnoi vetëm për me tregue” është më vete monumentale. Për respektin ndaj këtij veprimi, ndaj atij përkushtimi që vetë Patër Zefi vuri në jetë, me besim e dashuri, duke u shtruar të shkruajë kujtimet e tij për të na i lënë thesar trashëgimie me margaritarë kujtimesh, ne brezave të rinj dhe pasi Patër Zefi kur më njohu, ma “dhuroi”, pra ma lëshoi të drejtën e autorit, vendosa se kisha detyrim moral për ta bërë të njohur kudo, mbi të gjitha në Itali, vendin ku u rrita dhe jetoj prej 23 vitesh me familjen…
Një promovim, që duhet theksuar për nga përmasat dhe pjesëmarrja e shumë personaliteteve të njohura, politike, të artit dhe medias ishte krejt ndryshe nga sa kemi parë deri më tani. Çfarë e bëri më të veçantë, sipas jush këtë ngjarje? Kush e organizoi dhe pse pikërisht në Senat? Organizimi i këtij eventi ka qenë shumë i detajuar, pasi e kisha dëshiruar pikërisht kështu siç u realizua. Salla e vogël e Senatit s’mbante as 100 vetë, por ajo u mbush edhe 3 herë më shumë. Nuk qe një takim-event politik, por kulturor! Të ftuarit ishin miqtë e mi të një jete, njerëz të dashur dhe persona që më kanë mbështetur, duke besuar tek unë në këto vite. Znj. Grida Duma ishte e vetmja e ftuar e veçantë, një personalitet i mirënjohur për publikun shqiptar, e cila ishte pjesë e këtij takimi dhe më nderoi me praninë e saj prej mikeshe dhe intelektualeje të rrallë shqiptare. Ndjej ta falenderoj, sepse më ka dhënë mbështetje maksimale para dhe pas eventit. I ftuar tjetër, i njohur i imi, ishte Avni Delvina, artist i grafikave të shumta me përmbajtje kulturore anti-diktatoriale. Të tjerëve ju “hapa derën”, por nuk e merituan. Pati surpriza të këndshme dhe të pakëndshme si të paftuar nga Shqipëria dhe të vetëftuar, të cilët rrezikuan mbarëvajtjen e eventit, por përtej kësaj… realisht kështu siç e kisha ëndërruar prej kohësh edhe realiteti i kaloi përmasat e imagjinatës. Pjesëmarrja qe e gjerë dhe mikpritja për një eveniment të tillë shumë e ngrohtë. Interesi ishte i madh, mbi të gjitha i një pjese politike intelektuale dhe mediatike italiane, pasi për tema të tilla vështirë të flasësh dhe të referosh mes një paneli shumë të shquar, i cili i shtoi vlerat promovimit. I kisha përzgjedhur prej disa muajsh ligjëruesit, apo bashkëfolësit e mi në panel. Drejtori i së përditshmes, “Il Giornale”, Alessandro Sallusti, Monsignor Luigi Negri, Kryepeshkop i provincës Ferrara-Comaçhio dhe Presidenti Silvio Berlusconi, të gjithë relatorët pranuan pjesëmarrjen me një përkushtim të madh. Ata erdhën aty, së pari në sajë të miqësisë së shkëlqyer mes meje dhe tyre, por mbi të gjitha në sajë të respektit dhe vlerësimit për veprën, monument-kulture, “Rrno për me tregue” dhe ndaj At Zef Pllumit.
Pse zgjodha Senatin për prezantimin e librit?
Një vepër e tillë e meritonte këtë sallë madhështore. Salla prestigjioze, në Palazzo Giustiniani, (Sala Zuçari) është Salla e Presidentit, e cila lëshohet rrallëherë dhe me leje të posaçme, pasi duhet të kesh njohjet e duhura. Presidenti i Senatit, më dha mundësinë dhe lejen e përdorimit të saj dhe e shoqëroi lejen me një letër, ku më përgëzonte personalisht për iniciativën serioze. Presidenti i Senatit është i majtë, por kur jemi përballë një aktiviteti me këto përmasa kulturore, politika duket se i kapërcen kufijtë ideologjikë. Kuptohet që këto detaje i di vetëm unë, që isha e vetmja organizatore e eventit. Habitem – paçka se nga rangjet e ulëta nuk më habit më asgjë – me disa elementë të pakualifikueshëm të skenës politike dhe diplomatike shqiptare, sesi u munduan ta përlyejnë nëpër mediat shqiptare një organizim të shenjtë për një njeri të shenjtë. Unë zgjodha posaçërisht atë vend dhe atë qytet, pasi Patër Zefi meriton altaret e historisë dhe ku më mirë mund të prezantohej kjo vepër, sesa në Romë, në Senatin e lashtë për ta lartësuar figurën e korifeut të së vërtetës historike shqiptare. Më vjen keq që shumë shqiptarë nuk e çmojnë ende të vërtetën.
I zhvilluar në Senatin e Republikës italiane, institucionit politik më të rëndësishëm në Itali, në këtë ngjarje u vu re prania e madhe e mediave italiane! U pasqyrua siç dëshironit ju kjo ngjarje e madhe? T’ju them të drejtën nuk e prisja një jehonë kaq të madhe mediatike. Krahas lajmit të prezantimit të libri të Patër Zefit në italisht, botuar nga Shtëpia Botuese e vogël, por kurajoze, “Diana Edizioni”, me titullin “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” me parathënie të Presidentit Berlusconi, ishte edhe lajmi i kthimit të tij në Senat pas rënies së tij. Dëshira ime e madhe dhe ngulmi që Martirët shqiptarë të nderoheshin në Senat për t’ju dhënë drejtësinë e amshuar e goditi shumë Presidentin dhe për respekt ndaj meje ai pranoi ftesën, e cila legjitimoi rikthimin e tij në atë vend, ku e rrëzuan nga detyra e lartë e Senatorit. Ndryshe nga mediat shqiptare, për të cilët lajmi kryesor ishte, “…shqiptarët rikthejnë Berlusconin në Senat” me shumë detaje të pasakta dhe qëllimisht të pavërteta, për mediat italiane ky ishte lajmi dytësor i rëndësishëm i pasqyruar drejtpërdrejt dhe “streaming” në të gjitha TV kombëtare dhe dixhitale tokësore. Këtë nuk e prisja. Më befasoi, por më forcoi bindjen se kisha bërë diçka shumë të madhe. Kisha bindjen se Zoti me Patër Zefin dhe gjyshin tim në krah, më kishin dërguar bekimet e qiellit. I falenderoj!
Po nga mediat shqiptare jeni ndjerë e mbështetur? Duhet të jem e sinqertë! Aspak e mbështetur, përveç gazetës suaj, “Koha Jonë” që ishte e pranishme, pa rekomandime në ditën më të rëndësishme të jetës sime profesionale. Vetëm z. Nebil Cika shkruajti para eventit një letër të hapur, e cila që befasuese dhe prekëse për mesazhin dhe mbështetjen. Askush tjetër. Përkundrazi, mediat shqiptare nuk u interesuan aspak të kishin informacion mbi eventin dhe u mjaftuan me materiale të pasakta e të pavërteta, sikurse thashë më lart. Një provë diletantizmi gazetaresk, ose një përligjie groteske e informacionit. Për të ardhur keq, jo për mua, por për pasaktësinë…
“Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” paraprihet nga një parathënie shumë speciale, e shkruar nga pena e njërit prej politikanëve më të lakuar në Itali, Silvio Berlusconit. Pse zgjodhët pikërisht këtë emër për të bërë parathënien e librit? Unë jam rritur në Itali dhe këtu kam mësuar vlerat e idealeve që më mëkoi shqyptaria. Jam ushqyer, ndonëse mund të duket çudi, me patriotizmin dhe atdhedashurinë, dashurinë për dijen, për dritën e së vërtetës dhe etjen për liri e drejtësi dhe këto ndjenja e këto vlera u përforcuan në vite jashtë Shqipërisë sime. Ka patur disa arsye, për të cilat zgjodha Berlusconin. Fillimisht doja për Pater Zefin jehonë mbarëbotërore, pasi as në Shqipëri nuk mori aq sa i takonte kur qe mes nesh, ndaj desha “shpagim” për atë dhe për martirët që i harroi politika dhe injoranca. Berlusconi gjithnjë fliste për liri dhe anti-komunizëm dhe më dukej pena e duhur për ta plotësuar veprën në gjuhën italiane. Ka dhe një arsye, të cilën unë e pashë si shenjë sado të vogël, për të cilën kërkova këtë parathënie… emri SILVIO. Do habiteni, por një nga emrat, me të cilët firmosej At Gjergj Fishta, Homeri ynë shqiptar ishte Silvio, në nderim të Papës Piu II, Silvio Picolomini, i cili u nis për në Raguze që të kurorëzonte Gjergj Kastriotin me titullin e lartë, “Athleta Christi”. Ishin pra disa arsye të mëdha e të vogla që e mendova Berlusconin si personin e duhur për këtë parathënie. Me Patër Zefin bisedonim shpesh, flisnim shumë dhe i kisha premtuar se figura të larta, mes tyre dhe Berlusconi do ta lexonte librin e tij dhe do të fliste për të. Ishte një premtim që duhej ta mbaja. Berlusconi, jo vetëm e lexoi e foli për të, por u ul e shkruajti bujarisht parathënien e së fundmi dhe e promovoi këtë vepër. Zoti vonon, por nuk harron, ndaj sot i di vlerën gjithë mundit, pritjes dhe shpresës. Misioni duhej përmbushur në mënyrën më dinjitoze, siç edhe ndodhi në Senat.
Mund të na thoni si lindi ideja për të bashkëpunuar me Berlusconin znj. Kaceli dhe si jeni njohur me këtë figurë publike, shumë të komentuar politikisht? Berlusconin e njihja si figurë publike nga mediat dhe politika. Pasi isha njohur me Patër Zefin dhe për të realizuar dëshirën e tij fillova të merrja pjesë në takimet politike në Itali. Për herë të parë e takova në Romë, në vitin 2007, ku u njohëm personalisht në një tubim politik për kristianët e persekutuar në botë. I fola për veprën dhe më tha që donte ta lexonte. Ia dërgova dhe në një takim tjetër me të rinjtë e “Forza Italia-s” e pyeta nëse e kish’ lexuar?! Më tha se po e lexonte dhe se ishte lemerisur nga gjithçka shkruante At Zefi në libër. Atëherë i thashë që edhe unë isha mbesë martiri, e të ndjerit gjyshit tim, z. Jonuz Kaceli dhe kisha dëshirë që ai të shkruante parathënien e librit të At Zef Pllumit, për t’i dhënë në këtë mënyrë pak drejtësi të vonuar martirëve të lirisë shqiptare. Ai pranoi me dëshirë të madhe, ku shprehu edhe vlerësimin e tij maksimal.
Çfarë e lidh Berlusconin me ngjarjet e përjetuara nga shqiptarët në regjimin komunist, sipas jush? Berlusconi nuk ka jetuar në komunizëm si ne, por ai e njeh komunizmin nga tregimet e etërve Salezianë në Milano dhe tregimet e dëshmitë e disidentëve që kalonin perden e hekurt për të jetuar të lirë në Perëndim. Për këto arsye themeloi në Itali Lëvizjen politike të Qendrës së Djathtë, për të luftuar çka mbetej nga ideologjia komuniste pas rënies së Murit të Berlinit dhe çka po rindërtohej nga mbetjet komuniste në Itali në vitet ’90 për marrjen e pushtetit. Vetëm Berlusconi ia arriti me leadershipin e tij dhe me votën e sovranit të zmbrapste fitoren e tyre në Itali. Gjatë këtyre viteve pastaj shohim sulmin mediatik dhe politik që ai pëson çdo ditë për bindjet e tij dhe sa i komentuar është në çdo hap që hedh. Si humanist dhe intelektual ai ka lexuar shumë mbi diktaturat e kuqe të lindjes dhe qëllimi kryesor i veprimtarisë së tij ka qenë të luftojë padrejtësinë e ideologjisë së majtë, që në Itali nuk është ajo lufta e klasave, siç ishte Marksizëm-Leninizmi, por është smira shoqërore dhe urrejtja për njerëzit e suksesshëm, të pasur e të realizuar.
Po juve me politikën çfarë ju lidh? Unë mendoj se çdonjëri nga ne është i lidhur me politikën. Politika është shumatorja e gjithë aspekteve të jetës, mbi të gjitha pikërisht interesi dhe respekti ndaj vlerave njerëzore. Kur politika pastaj lidhet ngushtë me ty dhe historia jote familjare lidhet ngushtë me historinë kombëtare, doemos do merresh me politikë. Fakti që unë ndjehem pjesë e politikës është rrjedhojë e ngjarjeve që kanë përfshirë familjen time, trungun e tregtarëve dhe patriotëve të mëdhenj, familja autoktone tiranase, Kaceli në vitet pas Luftës së II Botërore, veçanërisht në ngjarjen më makabre të krimeve të diktaturës, atë të atentatit të bombës në ambasadën sovjetike, ku gjyshi im i nderuar, Z. Jonuz Kaceli, një intelektual liberal me pikëpamje perëndimore, u vra mizorisht nga regjimi nën torturat e Mehmet Shehut dhe u ripushkatua i vdekur me 20 intelektualë të shquar shqiptarë që ishin fotografia më e mirë e elitës së kombit. Mes tyre kishte edhe një grua, shkencëtarja Sabiha Kasimati dhe të tjerët ishin burra arsimtare, ushtarakë, ideologë, avokatë e tregtarë.
Gjatë fjalimit të tij në Senat, Berlusconi vlerësoi maksimalisht punën tuaj si përkthyese, por edhe si përçuese e një mesazhi të fortë të një Shqipërie të panjohur më parë nga shumë italianë. Nga i gjithë fjalimi i tij, çfarë ju ka mbetur më shumë në mendje? “Dëshmia e Patër Zefit ulëret dhe pasi ke lexuar librin ajo vazhdon të ulërasë brenda teje”, kjo është fjalia më domethënëse e fjalimit të tij. Ai tha që unë e kam ndihmuar të zbulojë një Shqipëri të panjohur. Kjo më bën krenare, pasi ishte e dobishme kjo zbulesë për të përçuar heroizmën e shqyptarisë, të shumë bijve e bijave të shqipes që dhanë jetën për liri. Në sjelljen ndaj gruas ndahen njerëzit nga shtazët dhe tek ne komunizmi shqiptar veproi mizorisht kundrejt gruas, të cilën e la grua të ve, bijë jetime dhe nënë qyqe. Dy janë momentet që vlerësova shumë nga fjala a Berlusconit: 1.Kur përmendi gratë e rrahura me macet në thes dhe 2.Nderimin e thellë për Patër Zefin kur tregoi për kampin e Bedenit. Berlusconi përmendi aty edhe të riun, Viktor Kujxhia varur në kryqin e ndërtuar si forkë mes kampit të Bedenit të tmerrshëm. Na solli një moment direkt nga jeta e Patër Zefit, sikurse bëri Monsignor Negri dhe aktori që kisha zgjedhur për pjesën që e interpretoi në menyrë aq prekëse.
Një pasion i vrullshëm, një qëllim i caktuar, apo një premtim i mbajtur. Si do ta cilësonit misionin tuaj për përkthimin e kësaj vepre? Të gjitha bashkë. Unë kam bindjen se një veprim intelektual godet më tepër e më fort se çdo veprim politik, qoftë ai fizik, apo teorik. Dëshira ime ishte që të jepja një kontribut të vockël për të hedhur dritë mbi të vërtetën historike. Pastaj kur ti sheh që kjo vonon, do të thotë se ka një projekt nga Lart për të e atëherë të kthehet në mision dhe pasioni i vrullshëm bëhet zell, këmbëngulje, qëllim. Martirët kërkojnë shpagim dhe drejtësi. Në një farë mënyre, ata gjejnë pak paqe kur ne jo vetëm i kujtojmë, por edhe kur dikush punon për ta.
Ju e keni njohur edhe drejtpërdrejt At Zef Pllumin, si e kujtoni figurën e tij dhe çfarë nuk do të harroni kurrë nga bisedat që keni bërë me të? Kjo pyetje më ngjall shumë emocion, por do mundohem të mos qaj. Ai ishte një hero i kohëve tona. Patër Zefin e njoha personalisht në verën e vitit 2005, por librin e kisha lexuar vite më parë. Për mua ishte Bibla e Dhimbjes Shqiptare. Pas takimit të parë me Patër Zefin ai më dërgoi me postë të drejtën e autorit. Një emocion dhe vlerësim i jashtëzakonshëm që nuk e prisja. Brenda pak muajsh përktheva vëllimin e parë dhe në pranverë të 2006 ishte gati. Për më se 2 vjet Patër Zefi u bë Ati im shpirtëror. Flisnim shpesh, në Shqipëri takoheshim sa herë shkoja dhe një herë më kërkoi ta shoqëroja në Panairin e Librit. Kujtime të vyera që i kam në mendje si sot, me një dashuri të pakufishme. Veprën e At Zef Pllumit unë e kisha lexuar vite më parë, pasi në shtëpinë time konsiderohej si Dossier-i i së vërtetës mbi gjysmëshekullin e diktaturës komuniste. Tezet e mia, të parat e kanë lexuar disa herë atë libër. Kur unë vendosa ta takoj, rastësia deshi që ta njihja në ditën e datëlindjes së tij të vërtetë, më 24 gusht 2005. Isha së bashku me mamanë time të dashur. Na priti me bujarinë mikpritëse gegë të veriut, me një fisnikëri që rrallë e hasim në të përditshmen tonë. Më tha, “kjosh beku’ moj varzë” e më konsideroi “peshqesh i datëlindjes”. Prekem akoma sot kur e kujtoj, pasi nuk isha në dijeni asokohe, ngaqë të gjithë dimë 7 prillin si datëlindjen e tij, por 7 prilli ishte një datë që i caktohej armiqve të popullit si damkë, ngaqë përkonte me pushtimin fashist. Dhe vetëm kjo do mjaftonte për të kuptuar mizorinë e diktaturës. Ndërrimi i datës së lindjes, heqja e identitetit. Me Patër Zefin e dashur atë ditë bëmë shumë muhabet mbi jetën dhe veprën e tij. Më pyeti për jetën time, për studimet dhe për familjen, të cilën e njihte mirë. Më tha se, pas çështjes së bombës ku vranë gjyshin tim, ai ishte shumë i frikësuar se raprezalja ishte shumë e madhe dhe se rrezikonte arrest sërish. Folëm shumë gjatë për studimet e mia. Ai shpesh dërgonte studentë shqiptarë jashtë Shqipërisë që të shkolloheshin e të ktheheshin në Atdhe të arsimuar. Më bëri t’i jap fjalën se do studioja, do diplomohesha e do të punoja edhe për “Shqipninë tonë”, ashtu siç më shkruan në njërën nga letrat e tij. Gjatë takimit tonë të parë u diskutua fakti që nuk kishte një përkthim në gjuhë të huaj e as në italisht, ndonëse Italia ishte aq e afërt. I thashë se vepra e tij meritonte që të njihej prej kujtdo dhe se duhej patjetër përkthyer dhe unë isha e gatshme të jepja kontribut në këtë drejtim. Më tha se po të doja mund ta përktheja unë dhe se ai do të ishte i lumtur, nëse do të arrija ta botoja. Mora detyrën me shpresën se do ia dilja dhe i thashë se kushdo do të fliste një ditë për veprën e tij. Edhe Bruno Vespa e Silvio Berlusconi. Më shikonte me atë dëshirën e njeriut që shpreson se fjala e sapo thënë të gjejë realizim në realitet e më pati pyetur, gati për t’u siguruar, “A thu Pater, Berlusconi ka me e lexu librin tem? A thu po i intereson?”! “Patër do të bëj çmos që t’i interesojë e t’na i thotë dy fjalë…”, mbaj mend që i thashë. “Kjosh beku moj varzë, kjosh beku”, më tha. Kaloi koha, pata disa takime të tjera me Patër Zefin deri në takimin e fundit me të në Gemelli, ku i premtova për herë të fundit se libri i tij do ishte mision jetik për mua. Pasi harrojmë se ato ngjarje Patër Zefi i ka përjetuar kur ishte djalë i ri, ende i pashuguruar meshtar. Pak para se At Zef Pllumi të ndahej nga jeta i kisha dhënë Berlusconit librin ta lexonte. Sinqerisht jam krenare që sot ai jo vetëm na i tha dy fjalë, por shkroi parathënien dhe doli të promovojë para botës librin që rrëfen ferrin e jetuar nga Patër Zef Pllumi, djalë i ri. Jam munduar të lartësoj figurën e At Zefit dhe dëshiroj t’jetë krenar për mua dhe detyrën e shenjtë që më la, pasi nëse ai “Rrnoi për me na tregue”, unë punova për me e përcjellë në brezat e sotëm dëshminë e tij, jo vetëm si prift, por edhe si njeri…
Keda Kaceli, ju jeni mbesa e Jonuz Kacelit, i vrarë nga regjimi i egër komunist në Shqipërinë e diktaturës. Çfarë ka trashëguar (karakterialisht) Keda nga gjyshi i saj dhe a është puna me këtë libër edhe një dedikim për një pjesë të shpirtit tuaj, Jonuz Kacelit? Atdhedashuria na karakterizon të dyve. Dashuria për dijen dhe lirinë gjithashtu. Gjyshi im, Babë Nuzi ishte një intelektual autodidakt dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Ndër të parët solli një shtypshkronjë në vendin tonë. Jam shumë e lidhur me figurën e ndritur të tij, ndaj edhe veprimtaria, përkushtimi dhe impenjimi im intelektual, si dhe përkthimi i librit i kushtohet sigurisht z. Jonuz Kaceli, martir i demokracisë dhe i lirisë shqiptare, por sigurisht edhe një baba e një burrë i përkushtuar ndaj fëmijëve dhe zonjës së tij, e dashura gjyshja ime, zonjë e randë, Mereme Tagani Kaceli. Një njeri i dashur dhe plot gjallëri. Babë Nuzi do kish’ qenë një gjysh i rrallë, i veçantë aq i dashur për ne nipat e mbesat e tij. Do uroja veten mijëra herë, nëse i ngjaj sadopak. Është pishtari i jetës sime, ndaj kam themeluar bashkë me nipa të tjerë, një Fondacion Ndërkombëtar që mban emrin e tij dhe që quhet, “Fondacioni Jonuz Kaceli” me qëllim që në emër të tij të bëhen vepra intelektuale dhe shoqërore në të ardhmen, mbi të gjitha për të rinjtë shqiptarë që vijnë nga familje të persekutuara. Uroj vetëm ta nderoj.
Mendoni se u është dhënë vendi dhe meritat që ju takojnë ish të persekutuarve dhe familjarëve të të vrarëve në regjimin komunist nga qeveria shqiptare? Absolutisht jo. Gjaku i tyre thërret drejtësi nga toka arbnore e shumëkush prej tyre s’ka as varr, as emër. Drejtësi për ta nuk do ketë më kurrë. Duhet pranuar me vetëdije. Të përmenden një herë, apo disa herë në vit nuk mjafton, sidomos kur ky lakim vjen për qëllime të ulëta elektorale. Ata janë heronj, për të cilët askush nuk doli të kërkojë falje. Ata janë martirë, por jeta dhe vepra e tyre e ndritur u shkel, u përdhos, u dhunua e u vra gjatë diktaturës dhe memories i humbi nami e nishani. Ata kërkojnë drejtësinë e amshuar! Është detyrim moral i politikës dhe shoqërisë t’u jepet! Shumë në opinionin publik mendojnë se vendi kryesor që u takon atyre është vendimmarrja, apo përfaqësimi politik, por kjo është e ditur: pushteti është i madh, por ndasitë janë të shumta dhe nuk ka për të gjithë. Atyre u takonte dinjiteti dhe jo nëpërkëmbja. Duhej një studim i thellë dhe disa politika shoqërore për rehabilitimin e tyre në komunitet dhe mirëqenia bazë e jetesës. Ka ende persona të persekutuar që jetojnë në vendet ku ju caktua të internoheshin. Ndarjet e shumëllojshme brenda, apo jashtë telit me gjemba, afër, apo larg ushtarit në kufi, poshtë, apo lart pemës janë tronditëse për talljen me shtresën. Të turpshme janë vendimet për pronat dhe shpronësimet, legalizimet, apo dëbimet. Sikurse është i turpshëm ligji që barazon vrasjet, pra një jetë të humbur me 8 vjet burg dhe heqje lirie. Dekrete të turpshme të një demokracie vocërrake dhe të papjekur.
Çfarë mendoni se duhet bërë më shumë? Duhet bërë shumë. Unë nuk mendoj për familjaret, sesa për ata si heronj e martirë. Më parë kujtova Viktor Kujxhinë, për të cilin Patër Zefi shkruante, “Ah, Viktor Kujxhia nuk do t’i harroj kurrë ulërimat që delnin prej trupit tand djaloshar, njashtu i torturuem varun në furkën e Bedenit, porsi Krishti i lidhun n’kryq”! E ky është një shembull ndër mijëra. Më rënqethet mishi sesi mund të mendojmë të ecim para pa kërkuar falje ndaj atyre njerëzve që nuk morën shpagim, as moral dhe as material për ta? Me mijëra vajza, gra, djem, burra nuk dëshmuan dot e nuk u dihet varri. Si të mos ulërijmë, si të mos indinjohemi, si mundemi të harrojmë kaq shpejt tmerret e komunizmit shqiptar? Harresa të dënon të përsërisësh gabimet dhe unë uroj që kjo të mos ndodhë kurrë në Shqipërinë time. Vepra intelektuale, përkthime, shpërndarje e sa më shumë informacion për të kaluarën, mbi të cilën u vu një kapak i rëndë harrese duhet të ishte hapi i parë për të nderuar memorien e tyre.
Le t’i rikthehemi edhe një herë librit znj. Kaceli. Sa vite kishit që punonit për të? Përkthimi në vetvete më ka marrë pak muaj, ndërsa Projekti me P të Madhe, ka zgjatur shumë, gati një dekadë. Pritja për parathënien dhe për shtëpinë botuese ka qenë pjesa më e vështirë. Në jetë asgjë nuk është e lehtë. Duhet punë e mund për ta fituar. Në Itali shpesh lodhja, mundi dhe vështirësitë janë të dyfishta. Isha vetëm, ndonëse kisha mbështetjen e familjes, por në përgjithësi isha vetëm, sidomos kur Patër Zefi iku përgjithmonë. Më la një boshllëk të pazëvendësueshëm, por iu përkushtova të mbaja premtimet e bëra dhe nuk hoqa dorë kurrë, derisa libri pa dritën e botimit dhe pak ditë më parë dritën e promovimit, ku pati dhe jehonën e madhe në media. Çdo hap ka qenë i peshuar mirë dhe më besoni, jam e lumtur që doli me sukses.
Po mendoni të botoni ndonjë libër tjetër të At Zef Pllumit? Sigurisht. Mendoj se do të kompletoj të paktën trilogjinë. Dëshira është që publiku të ketë tërë spektrin e veprës, por duhet kuptuar edhe lexuesi italian, i cili e ka më të lehtë të kuptojë ardhjen e komunistëve në pushtet, sesa mbajtjen e pushtetit, apo revolucionin kulturor që pasqyrohet më gjerë në vëllimet 2 dhe 3 të opusit.
Pas kësaj, keni ndërmend të bashkëpunoni për ndonjë libër tjetër, të ndonjë zhanri tjetër në Shqipëri? Kur një punë, apo projekt del me sukses do të thotë se puna e vërtetë sapo ka filluar. Do të vazhdoj të eci në vazhdën e zhanrit që fillova dhe do ju mbaj të azhornuar mbi zhvillimet e mëtejshme.
Puna juaj mbi përkthimin e librit të At Zef Pllumit është konsideruar edhe si një shembull pozitiv për rininë shqiptare. Si ndjeheni teksa dëgjoni këto fjalë dhe a keni një mesazh për rininë shqiptare? Më ka lumturuar pa masë një vlerësim i tillë, pasi i tillë ishte qëllimi. Dëshira ime është të transmetojmë tek të huajt ato vlera që gati janë harruar nga ne vetë. Përkthimi është mesazh shprese, në mënyrë që historia të përmendet dhe të kujtohet. Të punosh për të mos lënë në terrin e harresës vepra, apo të vërteta të jetës sonë dhe historisë sonë të afërt është në vetvete një gëzim dhe arsye krenarie. Në Shqipëri unë vërej një apati paralizuese. Personalisht do kisha dëshirë që rinia të interesohej më shumë për tema të tilla. Mendoj për ata të rinj që harrojnë shqipen, ose huazojnë fjalorin e huaj me përtaci për të gjetur idiomën e gjuhës mëmë. Gjuha pasurohet duke lexuar e duke hulumtuar veprat e të parëve. Qofshin vepra në gegnisht, apo toskërisht, apo gjuhë zyrtare, ose dialektore. Kultura e mban gjallë genin e një Kombi.
Koha Jonë 13 mars 2014
Elida Hysenbegasi
“Komedine Hyjnore…, Dante nuk e shkroi për ju, po për ne!” – pat thënë At Zef Pllumi në një nga kumtesat e organizuara për nder të Aligierit të madh… Këtë herë po i japim ne botës një të tillë vepër dhe për shoqërues në rrathët e Ferrit, në vend të Virgjilit të ëmbël, një At me shpirt të madh…
(Marrë nga Muri i fb. Lavdie Mato 7 prill 2014)
Sot asht 7 Prill…
dhe ndër dokumente të At Zef Pllumit, kjo datë figuron edhe si ditë e lindjes së tij, po në t’vërtetë s’asht kështu, sepse ai ka le me 25 gusht 1924… E megjithatë, mendova se me e përkujtue nji herë ma tepër kët Njeri dhe klerik, nuk asht ndonji fatkeqsi, bile… mbasi ta keni lexue kët intervistë do ta kuptoni se asht mirë me e përkujtue përditë Atë… e në mënyrë të veçantë me vlersue fjalët dhe veprën e pashoqe të kësaj vajze shqiptare… të quejtun Keda Kaceli…
Mundem me thanë pa frikë, se kjo asht ndër intervistat ma të bukura që kam lexue në jetën time…
I dashur Jozef,
E lexova intervistën dhe përligji krejt përshtypjet e mia. Pasi kam lexuar librin e Tij, ajo që mendova ishte: Bravo kësaj vajze të re në moshë, por të pajisur me sensin më të thellë të dashurisë, mirënjohjes dhe vlerësimit të së drejtës dhe virtytit.
Intervista ishte vërtet brilante…