back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

E fundmja intervistë e Dr. Lazër Radit – Tefta Radi

Gazeta

Lazër Radi 1997
Lazër Radi 1997

“Kujtesa më qendroi e fortë…”

E fundmja intervistë e Dr. Lazër Radit

(Tefta Radi TVSH)

(…Kjo asht intervista e fundit e Dr. Lazër Radit…
Ishte fundqershor i vitit 1998… Gjendja e tij shëndetsore, tash sa vinte e përkeqsohej çdo ditë drejt teposhtës së pakthimit… Nji trupë e TV Shqiptar, me gazetare Tefta Radin, vendos që t’i marrë nji intervistë të gjatë… e bindur se ikja e tij s’do të ishte aq e ngutshme, (në fakt qenë më pak se 80 ditë…) Siç shihet edhe nga intervista e zbardhur, Lazri edhe pse kollitet gjatë gjithë kohës, përpiqet me gjithë forcat e veta të mos japë veten dhe të dëshmojë se ende ka mjaft me thanë… Edhe pse e ndjen se energjitë e tij tashma janë në limitet e shterrjes, kujtesa e tij brilante s’i bindej ma si dikur, e teksti i fjalive edhe përsëritet, ai i ikën thelbit të pyetjes dhe pasunia e tij leksikore ka pësue të çara… megjithatë Ai vazhdon mos ta japë veten, e të dëshmojë se ka dëshirë me rrëfye mjaft për jetën, për miqtë, për ngjarjet që ai ka jetue e përjetue… Si i pranishëm në kët intervistë, u përpoqa disa herë ta kthjelloj dhe t’ia baj ma të qarta pyetjet, por nuk ishte e lehtë… Kjo intervistë u regjistrue në qershor të 1998, tre muaj para se të ai ndrronte jetë, prej gazetares së TVSH, Tefta Radi. Ajo mbeti e pabotuar… sepse të gjithë besonin se ajo duhej të kishte nji vazhdim… nji vazhdim i cili në të vërtetë nuk ndodhi… E botojmë për së pari kët intervistë si nji dëshmi e këtij njeriu që s’u ndal asnjiherë së dëshmuari të vërtetën e tij dhe të kohnave në të cilat ai jetoi… jr)

Folësja Tefta Radi gjatë lajmeve
Gazetarja Tefta Radi gjatë lajmeve

Z. Lazër së shpejti del libri juaj i pesëmbëdhjetë, ç’mund të na thuash për gjithë krijimtarinë tuaj, në këto pesë-gjashtë vitet e fundit, duke pasë parasysh që libri juaj i parë është botuar në tetor të 1993? Gjithçka asht e vonume dhe gjithçka asht pothuaj jashtë kohe dhe asht për t’u çuditë, si në nji moshë të thyeme kur njerzit mezi ecin, dhe shkojnë drejt shterrjes unë hala pata forcë me shkruejtë kujtimet e mia e të la mbrapa libra që sigurisht kanë me i interesue publikut shqiptar. Kam fillue nga Gjyqi Special në 45-ën edhe kam përfundue me Jovan Duçiqin edhe tashti me librin e fundit mbi Migjenin, me të cilin kaluem së bashku verën e vitit 1936 në Pukë. Më vjen mirë se do t’i la lexuesit shqiptar, edhe disa prej kujtimeve të mia të nji periudhë mjaft interesante të lëvizjes letrare shqiptare.
Vërtet unë s’kam pretendime të nalta letrare, as që veprat e mia kanë diçka të jashtzakonshme, po jam i bindun se janë nji dëshmi për kulturën shqiptare, dhe asht e natyrshme që nji jetë e jetueme kaq gjatë, duhet t’i interesojë mjaft lexuesit shqiptar, sepse gjatë periudhës 47 vjeçare të diktaturës, unë kam qenë i burgosun politik dhe s’kam mujtë me shkrue as ndonji vepër të plotë, bile shpesh as kam guxue me e shkrujtë.
Gjithë krijimtarinë tuaj e keni prodhuar mbas daljes nga burgut apo keni mbajtur shënime edhe në burg? -Jo, jo, jo, nuk kam guxue në burg, nuk kam guxue me mbajtë në burg asnji shënim se na kontrollonin përditë, e në mënyrë të veçantë kur shihni që ndonjeni merresh me shkrime, atëhere lajmërohesh komanda dhe na vinin e na banin nji kontroll i rreptë deri në shkepjen e dyshekve, duke mos na lanë asnji send që mund të shkruhesh, as letra, as lapsa, as blloqe e as pena. Kam mundë me përfitue diçka vetëm kohët e fundit, kur isha i internuem në Savër, atëhere munda me shkrue diçka që i fusja o nën dhè o te ndonji arkë e vjetër që e mbaja fshehas e që vetëm gruaja ime e dinte vendin, se ku gjendeshin ato dorëshkrime, ato pak dorëshkrime që munda të krijoj në at periudhë tmerri. Diktatura qe nji periudhë shumë e gjatë, pothuej 47 vjeçare, burg e interrnim, ku unë s’munda me dhanë asgja, po sigurisht mbrënda vetes diçka më vlonte, diçka doja me thanë, diçka kisha me thanë, e në mënyrë të veçantë insistova të përshkruej “Vitet Tridhjetë”, të cilat i kam jetue intensivisht herë si nxanës i gjimnazit, herë si student në Romë… Nuk po e konsideroj vedin shkrimtar, por nji shkrues i thjeshtë, edhe kështu çka kam mujtë me shkrue, sa kam mujtë me përfitue jam përpjekë me i regjistrue në mendjen time pa lanë shumë dokumenta e shkrime që mund të ma rrezikonin edhe ma tej jetën… E theksova ishte nji kontroll i rrezikshëm dhe shumë i rreptë që na bahesh ne, në mënyrë të veçantë atyne që konsideroheshin si intelektualë reaksionarë… bile qe nji periudhë kur isha i interrnuem, i veshun keq ashtu me copa e zhele, aq sa të tjerve mund t’u vinte keq dhe thoshin: “Lene, se gjynah i shkreti, shife së në ç’gjendje asht katandisë…!!” Kjo ndoshta ishte e vetmja mënyrë me i shpëtue diktaturës se kështu duke mos shitë mend… (kollitet mjaft) munda me jetue pa ba ndonji vepër të randsishme, po të paktën munda me jetue… Periudha ma e randsishme e veprimtarisë sime, ka qenë sigurisht mbas tetëdhjetës…
Mbas tetëdhjetës apo mbas nëntëdhjetës? Sigurisht mbas nëntëdhjetës?!  Mbas tetëdhjetës… Mbas nantëdhjetës erdhëm në Tiranë… Atëherë fillova me u shfaqë dhe me botue ne shtyp. Mbasi erdha në Tiranë, dy-tri vjetët e parë m’u desh të konsultohem në Bibliotekën Kombtare, me gjithë gazetat e revistat e ndalueme, me shkrimet e nji kohe të shkueme… Vërtet jam mundue me i gjetë ku janë e ku s’janë edhe jam rrekë me i rreshtue e me i rregullue disi, por fati im qe se kujtesa më qendroi e fortë, ndonëse po i kaloja 78 vitet, domethanë isha në moshën e nji pleqnie të thellë, me shpirt nëpër dhambë po rezistoja.
Në krijimtarinë tuaj ku e keni vënë theksin? (ndërhyn Jozefi) Ke përshkruan itinerarin e jetës, po s’e ke përshkrue mirë, ti ke nji grup poezish, të cilat i ke botue në librin e parë, e që janë nga periudha e burgjeve dhe i ke ruajtur me kujdes (Lazri kollitet) Në 63-in ke tentue të botosh monografinë për Migjenin d.m.th. S’asht e vërtetë se gjatë diktaturës ti s’ke punue dhe s’ke provue të botosh! Nga viti 84-85, ke filluar shkrimin e kujtimeve të tua, të biografisë për Mirash Ivanaj, dora e parë, etje. Këto të gjitha janë të gjitha punë të kryeme para 1991-it, apo jo? Nuk kam ardhë aty ende!! (Jozefi) T’i thashë që t’i kesh parasysh kur të bësh itinerarin që të pyet Tefta, “A ke shkruar ti…” the jo nuk kam shkruar, ndërkohë e vërtetë asht se ti ke shkruar poezitë për Kosovën, të botuara në librin e fundit, kanë qënë të gjitha të shkrueme para 85-ës! Më vjen shumë keq, unë thashë nuk kam shkrue, sepse s’kam dashtë me lanë në asnji mënyrë gjurmë dorëshkrim që mund të më kapeshin… (Lazri vazhdon të kollitet).

Wiliam Rayerson me te shoqen dhe Lazer dhe Tefta Rad
Wiliam Rayerson me te shoqen dhe Lazer dhe Tefta Radi

Vazhdojmë Z. Lazër: Ku ka synuar krijimtaria juaj? Krijimtarinë time unë do ta ndaja në dy pjesë: nji krijimtari e pakët e periudhën së fundit të burgut dhe interrnimit dhe në periudhën e dytë ma e bollshme të themi, mbasi u liruem dhe mundëm të vendosemi këtu në Tiranë.
Periudha e parë përfshin disa punë të vogla si përmbledhje poezish, shënime të ndryshme, dorshkrime kujtimesh, të cilat unë munda me i mbledhë dhe me i futë në nji qese plastike dhe me i groposë në dhè. Kët gja e dinte vetëm grueja ime edhe unë, askush tjetër në botë s’e dinte se ku ishte ajo diçka e groposun me plasmas në dhè… kjo ishte periudha e parë krijimtarisë, ku herë pas here sikur shkrueja ndonji poezi, të cilën me kujdes përpiqesha ta fusja në dhe, pse po t’më gjindesh mund të kisha penalitete mjaft të rrezikshme. Do me thanë mund të kaloja prap nëpër kalvarin e gjyqeve dhe dënime. Atëherë, me ju shpëtue këtyne gjanave, shkrueja natën dhe po natën e vorrosja, në at vend që vetëm grueja jeme e dinte. Mbas kthimit në Tiranë, në Bibliotekë Kombtare gjeta edhe mjaft prej artikujve që kisha shkrue, studimet, poezitë, të cilat mbasi i nxora nga arkivat, disa i shkrueja vetë disa m’i banin shokët, herë falas e herë me pagesë, kështuqë mujta me i nxjerrë shumë prej shkrimeve nga gazetat dhe shtypi që gjindeshin në Bibliotekën Kombtare. Fjala vjen m’u deshtën mjaft materiale të Gjyqin Special, mbasi n’at gjyq isha nji ndër të gjashtëdhjetët personat që u dënuen ma ashpër…
Me çfarë motivi ju dënuan? Po, na dënuan si propagandistë kundër pushtetit popullor… në nji kohë që s’ka pasë pushtet populli!!! Ishte nji dënim shumë i rreptë për at kohë! Mua më dënuen me tridhjetë vjet burgim, po duke marrë parasysh se dënimi i parë dhe ma kryesori ishte pushkatimi (u pushkatuen plot 17 vetë, ndër këta edhe kunati i diktatorit), dënimi i dytë ishte burgimi i përjetshëm dhe dënimi i tretë ishte me tridhjet vjet burg, pra unë isha në kategorinë e tretë: me plot tridhjetë vite burg!!! Ma vonë mora vesh se Bedri Spahiu ishte ankue pse mue pse më kishin dhanë vetëm tridhjet vjet, mbasi sipas tij duhesh t’isha pushkatue…!! Nejse, kështu të paktë i shpëtova rrezikut të vdekjes… Pra, në Bibliotekë Kombtare, mblodha krejt materialin për vitet tridhjetë, po eshe mjaft material nga viti 1930 deri në 1944-n… edhe e përshkrova kët pjesë ma të poshtnueme të Historisë së Shqipërisë, të cilën unë e konsideroj si nji nga periudhat ma të plota shtetformuese të jetueme nga njerëz që ende janë gjallë… domethanë që e kanë jetue at kohë… Aty e kam përshkrue me hollsi dhe me detaje interesante krejt at periudhë dhjetëvjeçare të Shqipnisë… Edhe besoj se asht nji libër me mjaft interes për lexuesin shqiptar… Mbas kësaj, u mora me tre volume poezish… Poezitë janë të kohnave edhe të vendeve të ndryshme… Të parat poezi i kam botue bashkë me djalin tim, Jozefin… gjysma e fillimit të atij volumi janë punimet e mia kurse gjysma e dytë janë poezitë e tij… poezi pak ma të rafinueme, ma të pjekuna, edhe ma të studiueme… Në bibliotekë kam gjetë edhe mjaft material për jetën mësuesit, mikut dhe bashkvuejtsit të njoftun Mirash Ivanajt… Janë gjana shumë interesante, sepse atë personalitet e studjova nga të gjitha pikpamjet, pse kisha jetue periudhën e tij si Ministër i Arsimit, po edhe periudhat e mavonshme, shto edhe vitet e jetueme në burg, në veçanti periudhën dyvjeçare në zyrën e përkthimeve, ku në të njejtën dhomë ishim tre vetë: Mirash Ivanaj, Mihal Sherko edhe unë… që përkthenim materiale vetëm për Ministrinë e Punëve të Mbrendshme, me nji fjalë materiale për Sigurimin…

Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë - Pluk 1965
Lazër Radi e Sulejman Hoxha si mekanikë – Pluk 1965 (ulur ne te majte)

Nga ç’gjuhë përkthenit kryesisht? Përkthenim nga italishtja ose nga frëngjishtja, po edhe nga serbishtja, pse shumë s’e njifnin serbishten… e njifshim vetëm unë dhe Prof. Ivanaj… Nga këto gjuhë kemi përkthye mjaft libra, por Ivanajn unë studiova nga të gjitha pikëpamjet! Edhe si i burgosun ai mbeti burrë zotni, njeri shumë i përgaditun, intelektual i dorës së parë…
Folët për Ivanajn, ndërsa pyetja ishte për krijimtarinë Tuaj? Kam nji libër që ia kam kushtue krejtsisht figurës së tij, sepse e njofta dhe punova mjaft me të, por ma shumë më intereson jeta e Ivanajt, sepse me Ivanajn dhe Mihal Sherkon kemi jetue bashkë mjaft kohë, doemos ishim të privilegjuem se përkthenim enkas për Ministrin e Punve të Brendeshme…
A kishin besim te njëri tjetri? Kishin shumë besim… po ma së pari te puna jonë. Shtoj se aty kaluem edhe çaste të vështira se unë edhe Ivanaj flinim në nji zgabucinë afër nji banje, ai ishte ma i futun mbrenda, unë isha pak ma jashtë, ndërsa Mihal Sherkoja kishte nji krevat dysh në njenin prej tyne flinte vetë Mihali… Për Ivanajn ma vonë unë kam gjete dosjen ne arkiv dhe mora gjithë procesin e tij gjyqsor, për ta paraqita sa ma qartë në biografinë e tij…
(Lazrin nisi ta mundojë edhe ma tepër kolla dhe të ndjehej i lodhun, kështuqë trupa e xhirimit vendosi vazhdimin e intervistës ta zhvillonte nji ditë tjetër, kur ai të ndjehesh pak ma mirë… Por kjo nuk ndodhi, tashma ai kishte marrë teposhtën e shëndetit dhe pa kalue as tre muaj Ai iku nga kjo jetë, në nji moshë pothuaj 83 vjeçare… jr)

 

Related Images:

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.