back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Bota e zajeve… si refleksion në pikturën e Pashk Përvathit

Gazeta

Pashk Pervathi
Pashk Pervathi

Bota e zajeve…

si refleksion në pikturën e Pashk Përvathit

Bisedoi Jozef Radi 26 janar 2014

Si janë futur zajet në botën tuaj piktorike dhe kur ka ndodhur kjo…? Ka ndodhë krejt rastësisht. Rastësitë janë bashkudhëtare të punës sonë. Ndodhesha  në Himarë në praktikë mësimore… Isha student i vitit të katër dhe mbaj mend se ishte maji  i vitit 1990. Pikturonim çdo ditë, e plazh bënin në kohën e drekës. Një ditë, ashtu i ulur në breg fillova të ndërtoj një mozaik me guralecë të vegjël. Ndjesi që më erdhi nga shumëngjyrësia e gurëve të zallit që ishin me shumicë buzë ujit. Mbasi bëra diçka, përjetova diçka të veçantë dhe mendova: “Po pse nuk po bëj nji breg, kështu  si ky mozaik guralecësh dhe punën e fillova që at mbasdite. Nuk kisha nevoje t’i referohesha ma bregut të pafund që shtrihej para meje. Tashmë e kisha të ndërtuar në mendjen time peisazhin që do të bëja, e që në thelb përbënte esencën e asaj që shumë sy e shohin më pas. Kur iu futa punës, kuptova se kjo lloj pikture s’mund të bahej ashtu siç i kisha realizuar  peisazhet e maparshme… Ky lloj kuadri s’mund të realizohej në mënyrë impresioniste siç isha mësuar t’i realizoja peisazhet e maparshme. Penelatat e shkathta këtu s’bënin punë. Pra më duhej me e ledhatue secilin gur, me i dhanë secilit  ngjyrën e vet… Kjo punë më diktoi nji mënyre të re konceptimi që s’e kisha pasë ma parë… Kështu për secilin gur është gatuar ngjyra e tij e veçantë, pastaj tjetri e tjetri e kështu me rradhë… Ky kuadër u prezantue në ekspozitën e Pranverës, dhe si të thuash, ajo qe ndër veprat e spikatura të asaj ekspozite. Shtypi i kohës e pat vlerësuar për të tillë… Vepra  “Mozaik në Bregun e Himarës”, la gjurmë në memorien e time. Nuk mund të shqitesha lehtë prej saj. E sillja nëpërmend  dhe prisja ditën për të rifilluar një cikël të ri me këtë subjekt. Pata një tentativë, edhe pse të dështuar aty nga viti 1995. Mesa duket akoma s’isha gati për goditjen e “madhe”. Në vitin 1997, i diktuar edhe nga rrethanat që po kalonte vendi e ku ne piktorët peisazhiste ishim të privuar të pikturonim në lirinë tonë të plotë, në natyrë, vendosa t’i kthehem motivit  tim të kahershëm të guralecëve… dhe tabllotë pasuan njëra tjetrën. Përpiqesha të realizoja kompozime të pangjashme njeri me tjetrin. Edhe gama ngjyrore ishte e ndryshme nga njëra tek tjetra. Më në fund pata plot 15 tabllo më kët frymë, të gjitha të dimensioneve 100×100 cm…

Studio e Pashk Pervathit
Studio e Pashk Pervathit

Kjo frymë shterri në vitin 2007, kur Kryetari i Bashkisë së Korçës na ftoi në nderim te piktorit Vangjush Mio… Kisha plot 10 vite që nuk pikturoja në natyrë. Kur mbërritëm në Korçë, ballafaqimin e parë vendosa ta bëj me malin e Drenovës, motiv ky edhe i të madhit Mio. Ishte ditë emocionuese dhe ndjehesha i tejmbushur me emocionin që po më jepte natyra që shtrihej para meje. Kur e realizova veprën thashë me vete: “Sa paskam humbë gjithë këtë kohë duke mbetur brenda skllav i gurëve dhe mureve… Prej asaj dite krejt peisazhet i kam punuar vetëm në natyrë. Pra, jam rikthye edhe njiherë te natyra, te ajo që kishte qenë ma e qenësishmja në veprën time.. E megjithatë, mund të them, se kjo eksperiencë 10 vjeçare ma ka ndihmue shumë për motivet e sotme që bëj në natyrë. Dekorativiteti i punimeve me gurë, varka, kuaj e kodrina është shtrirë dhe është  bërë pjesë edhe e realizimeve të sotme në natyrë. Në një farë mënyrë e ka pasuruar veprën time me një notë të re që nuk e kisha pasur para se të filloja punimet e këtij cikli 10 vjeçar…

Zajet 1 - Pashk Pervathi
Zajet 1 – Pashk Pervathi

Pra, mbas kësaj ideje ti kalove nga nji ekstrem në ekstremin tjetër, nga ai punimi i imët dhe tejet i saktë i vogëlsisë së guralecave te hapsira e paanë. A mund të thuhet se bota e zajeve është nji pjesë shumë e rëndsishme e krijimtarisë suaj… ose a ndjehesh i personifikuar te bota e zajeve, ose siç shprehesh edhe vetë… çdo zall është punuar me kujdes, me nji nuance  të vetën, specifike…”, pra kjo gjë mendoj se ka kultivuar tek ti ndjenjën e kërkimit dhe kambënguljes. Kjo në fakt u kthye te unë në nji lloj tendence… E pata fillue me ndërgjegje at’here se ndjeva se të gjithë artistët po kërkonin rrugë të reja. Edhe unë doja ta rinovoja mjetin tim shprehës. Nuk isha me ndryshimin për hir të ndryshimit, por ndryshimin te vetja po e kërkoja brenda motiveve të mija dhe brenda Unit tim artistik. Motivet me gurë, varka dhe kuaj me ndihmuan shumë në qëllimin tim dhe në arritjen  e realizimeve të veçanta ta pahasura ma parë në krijimtarinë time. Shumë artistë të tjerë kaluan nga realizmi tek abstraksioni. Pra në tejskajshmëri. Unë nuk isha për këtë. Tashmë e kisha një “armë” që duhet ta shfrytëzoja. Gurët, me format e tyre reale do të më shërbenin në qëllimin tim. Ato në forma reale por të abstraguara në ngjyrë do të më lejonin të bëja pikturën që dëshiroja. Të luaja me sipërfaqet ngjyrore sikur lodroja dikur në peisazhet e natyrës. Ishte gja e bukur dhe emocionuese kjo mënyre pikturimi. Gurët tashmë ishin të kuq, blu, jeshil dhe të shumë nuancave të tjera. Por gjithnji realë në formë. Besoja se kjo lloj pikture e realizuar gjatë kësaj periudhe, ka ndikuar mjaft pozitivisht te piktura që unë bëj sot, sepse secilin detaj s’e merrja për ta fiksuar në mënyrë impresioniste siç më ndodhte në peisazhet, pra merrja jo veç thelbin e asaj çka shihja por edhe asaj çka ndjeja, dhe u bëj nji lloj gërshetimi ose pastrimi. Pra e kam pastruar figurën, i kam pastruar raportet, dhe asht thanë nga kritika se kjo gjë i dha nji notë të re pikturës sime…”
Kam vënë re edhe te pikturat e mëvonshme, bota e zajeve, futet në mënyre spontane gjithkund, ka raste që edhe gjethet, edhe lulet edhe retë, i sheh si ata zajet e dikurshëm… pra duket sikur do dromca të kësaj periudhë bien edhe në krijimet e tua të mavonshme? Mendoj se po.. Ma e dukshme kjo  është shfaqur në tendencën ngjyrore se sa në formën konkrete të gurëve. Masat e mëdha piktorike marrin zanafillë nga sipërfaqet dekorative të realizimeve me gurë. Por, ka ndodhur që motivin e gurit e kam të shfaqur edhe në format e reve në qiell për një fare periudhe. Më dukej se identifikohesha më mirë në këtë mënyrë dhe krijoja forma të abstraguara që më shërbenin në qëllimin tim. Kjo si të thuash është tashma nji karakteristikë e imja…

Zajet 2 - Pashk Pervathi
Zajet 2 – Pashk Pervathi

A mos kishte kjo periudhë e botës së zajeve ndonjë lidhje me izolimin që ndodhi brenda teje…?! Izolimi i vitit 1997, vetëm sa e përshpejtoi vendimin tim për t’u rimarrë me motivin e gurëve. Edhe para izolimit, unë e pata kët tendencë. Kjo pati ndodhur në vitin 1995, me pesë tabllo, por që unë i quaja të pasukseshme. Mendoja se nuk e kisha thënë fjalën e plotë.
A mund të quhet kjo periudhë e artit tuaj, nji periudhë depresive? Mendoj se jo. Kjo periudhë edhe pse një gjendje depresioni të përgjithshëm të shqiptarëve, mua nuk ma ndërpreu dëshirën për ta gjetur vehten time në rrugën e re të projektuar vite më parë. Kjo periudhë më orientoi të shkoj drejt kërkimesh të reja dhe më përshtati me rrethanat… Ndoshta ishte diçka e mbetur në skutat e ndërgjegjes sime… pra kjo më dha mundësinë për ta zhvilluar më tej.

Zajet 3 - Pashk Pervathi
Zajet 3 – Pashk Pervathi

Baza e artit tuaj është peisazhi. Fakti që ti u more me gurët… statikën e gurëve… pra që nuk janë peisazh… dëshmon që ti dole nga natyra jote dhe mënyra se si i ndjeve gurët dhe se si e solle botën e gurëve, dëshmon se ti po eksperimentoje me nji botë statike, të ngurtë… E vërtetë, po unë s’i kam parë gurët, thjesht si gurë ne vetvete, unë i kam përcjellë ata si elemente të ndërtimit të nji tablloje, si nji ekuilibër piktorik në harmoni me njëri tjetrin dhe me kuadrin në tërësi… Qëllimi im ishte ekuilibri piktorik dhe ekuilibri i ngjyrave… Bile mund të them se mua s’më ka interesuar fare guri… ai veç më ka shërbyer si mjet artistik për të shkuar te qëllimi im. Unë prap kam dashtë me qenë konkret dhe jo abstrakt. Pra forma ishte guri… abstragimin e kam realizuar me ngjyrat… sepse doja të krijoja nji lloj ansambli… pse, ashtu siç kam përdorë gurët, kam përdorë edhe kuajt, delet, varkat, me nji gamë të pabesueshme ngjyrash të ndryshme. Sepse s’është dhe aq e thjeshtë kjo lloj pikture, mund të them bile se kjo është më e vështira. Kjo pikturë është jashtzakonisht e vështirë dhe nji kuadër i tillë kërkon kohë, shumë ma tepër kohë dhe mund se nji peisazh. Kjo lloj pikturë është e lodhshme, e vështirë, rraskapitëse… bile mund të them se këto kuadro janë unike, të papërsëritshme, vetvetje. Me thënë të drejtën unë kam provuar mjaft emocione me kët lloj pikture, por mbas 15 punimesh, mendova se e kisha ezauruar kët motiv, por  artisti kërkon të punojë, kërkon të gjejë shtigje të reja… dhe nji shteg të ri, ku unë isha mjaft prodhues, e gjeta vetëm kur dola në natyrë. Sot, mund të them se mbas kësaj periudhe, duhet të kem kaluar vërtet nji periudhë depresive, sepse s’po kisha motive te reja per te punuar ne studio. Më duket se e kisha thënë fjalën time me  gurët, kuajt, varkat dhe kodrinat. Ishin plot 10 vite pune intensive. Kishte ardhë nji çast që s’dija se çfarë të bëja më në telajon time.. E ritheksoj se 2007-a, qe momenti dhe fati, që na thirrën në Korçë, në kolonine  artistike “Ditët e Mios”. Ishte momenti i një faze të re, të bukur dhe entuziaste për mua. Ishte fillimi i realizimeve të reja mbas disa viteve eksperimentim me ngjyrat.

Theth 2010 - Pashk Pervathi
Theth 2010 – Pashk Pervathi

Cili është raportin që ke me portretin, sepse kam përshtypjen se e konsideroni si dytësor në krejt artin tënd? Portretin e kam ba thjesht për dëshirë dhe ka qenë rastësor.. Mund të them se portretet ma të mira janë ato të fillimeve të krijimtarisë, kur akoma s’kisha shkuar në Akademine e Arteve, por dhe disa të vitit 2012. Nganjëherë është vendimtar dhe motivi për suksesin e veprës tënde. Vitin e kaluar një vajzë rome, është bërë muza ime. Asaj i kam realizuar pesë portrete, të cilat i ekspozova  në shkurtin e vitit 2013. Këto portrete bashkë me portretin e babait tim dhe ndonjë tjetër, shërbyen për të krijuar një mendim të ri tek artdashësit dhe kolegët: “Ti Pashk, e bëke mirë edhe portretin!!”. Kjo ishte fjalia më e përmendur në ditët e ekspozitës.

Portet Gruaje… Pashk Pervathi
Portet Gruaje cigane … Pashk Pervathi

Ç’lidhje ka bota e ciganëve me artin tuaj… pse ju tërheq bota e tyre? Tendenca që unë pata në trajtimin e gurëve në nuanca ngjyrore dekorative më përafronte shumë në koncept me veshjet e ciganeve. Ciganet, përdorin ngjyra të forta e kontrastuese, dhe çuditërisht shumë të kombinueme. Atyre ju rrin bukur portokallia dhe e verdha indiane me ngjyrën e fytyrës, edhe e kuqja me pamjen e tyre krijon shumë harmoni. Pse e kam bërë kët portret do thuash ti? Ja kjo është Zyraja… Zyraja po shkonte ne punë… dhe kalon para shtëpisë sime me kët lloj fustani. Pra vetëm prej fustanit të saj unë e kërkova Zyranë të më pozonte. Kjo mbetet ajo lloj pikture që unë e kërkoja përherë… Simbas meje, ajo e kishte botën e zajeve veshur…
Po portretet e zadrimoreve dhe mirditoreve? Ato i kam punuar kryesisht pse jam apasionuar mbas kostumeve kombtare… këto punime janë pa shumë pretendime piktorike, si të thuash janë nji lloj etnografie e asaj zone që unë i përkas, sepse në fund të fundit ato janë edhe veshjet e nënës sime…
Biseda u realizua me 26 janar 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.