back to top
2.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Lef Nosi – Një figurë poliedrike

Gazeta

Lef Nosi (1877-1946)
Lef Nosi (1877-1946)

Lef Nosi – Një figurë poliedrike

Në përvjetorin e lindjes (9 prill 1877 – 20 shkurt 1946)

Atdhetar, veprimtar politik, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog, filatelist, njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, krijues i bibliotekës më të madhe personale krahas asaj të Mit’hat Frashërit.
Janë të rrallë në historinë tonë kombtare, por edhe në botë, që në të njejtin person të gërshetohen kaq shumë veprimtari me interes publik dhe privat, kaq kontribute dhe merita për shtetin e posaformuar shqiptar, kaq pasione dhe përkushtime për punën intelektuale, sa në rastin e ortodoksit elbasanas Lef Nosi.
Jeta e tij është një rrugëtim i gjatë me shumë “stacione” në historinë tonë kombtare:

Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)
Lef Nosi (Piktura Arben Morinës)

-Formulues, së bashku me Faik Konicën, që në vitin 1907, i të parit program politik për shtetin e ardhshëm shqiptar.
-Pjesëmarrës, në 1908, në Kongresin e Manastirit, ku u hodhën bazat e hartimit të alfabetit latin të gjuhës shqipe.
-Nismëtar i themelimit të shkollës pedagogjike Normale të Elbasanit në 1909, që formonte armatën e mësuesve të shtetit të ardhshëm shqiptar.
-Botues i së parës gazetë të qytetit të Elbasanit , të emërtuar “Tomorri”, në 1910
-Delegat i Elbasanit në Kuvendin Kombtar të Vlorës, njëri prej firmëtareve të Deklaratës së Pavarësisë të 28 nëntorit 1912.
-Ministër i Postë-Telegrafës (4 dhjetor 1912 – 21 shkurt 1914) në qeverinë e shtetit të parë shqiptar të Ismail Qemalit.
-Delegat i Elbasanit, i caktuar për të pritur Princ Vidin në Durrës, në mars 1914.
-Delegat i Elbasanit në 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, krahas Mehmet bej Konicës, Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës dhe Imzot Luigj Bumçit, që kontribuan në ruajtjen e pavarësisë të shtetit të brishtë shqiptar…
-Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në qeverinë e Nolit, 1924.
-Tërhiqet nga jeta politike me “Fitoren e Legalitetit” në dhjetor të 1924, dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës dhe mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë të paçmuar për historinë e popullit tonë.
-Në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarsisë, boton revistën historike të përmuajshme “Dokumenta historike për t’i shërbyer historisë tonë kombtare”, si dhe një fletëpalosje me Aktin e Pavarsisë së 1912, të vetmin dokument që kemi sot për këtë Akt.
-Letërkëmbyes i spikatur me personalitete të njohuna të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë; ndër këto edhe me studiuesen skoceze Margaret Hasluck, që qëndroi në Shqipëri nga ‘23-’39, duke përshkuar viset e skajshme të vendit për 13 vjet, e apasionuar mbas folklorit e traditave shqiptare.
-Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali së bashku me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon. Kthehet n’atdhe më 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, etj., dhe themelojnë Lëvizjen e Ballit Kombëtar.
-Më 14 shtator 1943, nën pushtimin gjerman, mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur e neutral. Zgjidhet njëzëri si Kryetar i saj.
-Anëtar i Regjencës, e cila luante rolin e kryetarit të shtetit, së bashku me Mehdi Frashërin, Padër Anton Harapin dhe Fuad Dibrën, në periudhën 1943-1944.
-Sipas kujtimeve të bashkëkohësve kur miku i tij, Afez Musa Basha, e pyeti se përse po merrej me politikë në këtë moshë të thyer dhe kur fati i luftës tashmë dihej, thonë se u përgjegj: “Çunat janë të rinj, serbi jua ka me hile…!”
-Në prill 1945, kapet nga komunistët dhe gjykohet si “kriminel lufte” dhe “kolaboracionist”, bashkë me Patër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin, dhe dënohet me vdekje dhe ekzekutohet, në 20 shkurt 1946.
-Gjatë regjimit komunist, historiografia e kohës e ka cilësuar si “kolaboracionist” dhe “kriminel lufte” dhe për të dhe veprimtarinë e tij ka pasur një heshtje të gjatë – 45 vjeçare.

Lef Nosi - Mehdi Frashëri - Pater Anton Harapi
Lef Nosi – Mehdi Frashëri – Pater Anton Harapi

Ky ishte në pak rreshta rrugëtimi i Lef Nosit, i përndjekur në të tre regjimet: i arresutar nga turqit, i internuar nga italianët dhe i pushkatuar nga komunistët shqiptarë.
Pas vitit 1990, u nderua si patriot i shquar, në një ceremoni organizuar në vendlindjen e tij, me pjesëmarrjen e familjes Nosi. Në vitin 2004, i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Elbasanit; Një rrugë në Elbasan dhe një shkollë në Prizren mban sot emrin e tij. Në vitin 2007, dekorohet me urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. E ardhmja do te jetë më objektive në vlerësimin kompleks të kësaj figure poliedrike të kombit shqiptar.

Ps. Hajro Çini ka lënë këtë shënim, të cilin e gjejmë me vend t’ia shtojmë shkrimit: Lef Nosi është një nga patriotët më të ndritur të Shqipërisë. Ai së bashku me Mehdi Frashërin dhe Patër Anton Harapin negociuan me sukses NEUTRALITETIN e Kombit shqiptar me tetor 1943. Ai ishte një nga 4 kryetarët e këtij shteti neutral. Shqipëria ishte vendi i parë Europian që u pushtua me mënyrë kriminale nga Italia. I vetmi vend në botë që e kundërshtoi kët pushtim ishte Gjermania, e cila pas kapitullimit të Italisë dhe futjes së armatave të saj në Ballkan, ku pushtoi brenda ditësh edhe Greqinë, pasi kishte pushtuar pak më parë Francën, i njohu Neutralitetin Kombi të Bashkuar Shqiptar…
Marrë nga Muri i fb, i Klodi Strallës

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.