back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Regjimi enverist shkatërroi 200 xhami e kisha…

Gazeta

Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë

Regjimi enverist shkatërroi 200 xhami e kisha…

Goditjen më të rëndë, që regjimi ushtroi mbi trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve qe shkatërrimi i kishave dhe xhamive. Me një të rënë të lapsit, diktatura dhunoi e përdhosi brenda një viti çdo gjurmë të trashëgimisë fetare në vend: objekte kulti, rite fetare, veshje, art e çdo formë tjetër të kësaj trashëgimie.
Deri në vitin 1967 në vend funksiononin 1536 godina kulti. Prej tyre 294 kisha, xhami, teqe, etj ishin monumente kulture. Por pas valës shkatërruese të 1967, mbijetuan vetëm 96 objekte kulti nën cilësimin monumente kulture, mbrojtur nga shteti. Çfarë ndodhi me të tjerat dhe cilat janë këto objekte që u shkatërruan madje pa i dokumentuar fare, pa i fotografuar, filmuar e studiuar nga ana historike, arkitekturore, etj. Një pjesë e tyre u shndërruan në magazina të kooperativave bujqësore, apo stalla për bagëtitë, ndërsa të tjera u shembën apo  u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.
Të dhënat e mësipërme, i kemi vjelë nga një relacion i vitit 1967 hartuar në emër të ministrit të asaj kohe Thoma Deliana, por në mungesë të tij, duket se është firmosur prej zëvendësministrit të kulturës Hasan Duma. Ky i fundit me një letër përcjellëse, ku thekson se është porosi e Ramiz Alisë, nis për në Komitetin Qëndror relacionin e hartuar mbi gjendjen e objekteve të kultit në Shqipëri, dhe se si duhet shkurtuar lista e monumenteve të kultures vënë në mbrojtje të shtetit.

Xhamia e Plumbit Shkoder
Xhamia e Plumbit Shkoder

Relacionin e pajis me dy lista, një listë të objekteve të kultit që mendoheshin me vlera të rëndësishme e që duheshin ruajtur, dhe një listë me monumentet që duheshin hequr nga lista, madje pa u dokumentuar fare, për t’i vënë në përdorim publik. Ndërsa theksohet se një varg objektesh monument kulture do të hiqeshin nga lista për t’u dhënë për përdorim publik pak muaj më vonë, pasi kërkohej që të bëhej për ta një dokumentim i hollësishëm nisur nga vlerat arkitekturore dhe historike. Relacioni, të cilin e botojmë të plotë se bashku me listat shoqëruese sjell të dhëna të rëndësishme mbi këtë vendim drastik që regjimi mori në vitin 1967, duke ndaluar me dorë të hekurt çdo shenjë që lidhej me besimet fetare.

Dokumentet e plota

Sh. Behar
Me porosi të sh. Ramiz po u dërgojmë një relacion “Mbi shkurtimin e numrit të monumenteve fetare”.
17/X/967
Hasan Duma

Relacion: Mbi shkurtimin e numrit të monumenteve fetare

Deri në fund të vitit të kaluar në Shqipëri funksiononin 1536 godina kulti, të ndara si më poshtë:
Kisha ortodokse 600
Kisha katolike 31
Manastire 8
Teqe bektashinjsh 45
Teqe helvetikësh 2
Xhami 850

Kisha e Vaut të Dejës
Kisha e Vaut të Dejës

Përveç këtyre kishte edhe shumë kisha, xhamia etj., të cilat qëndronin të mbyllura prej kohësh dhe në to ose nuk kryheshin fare ceremoni fetare ose bëheshin rrallë.
Nga ndërtesat fetare të këtyre dy kategorive, nën mbrojtje të shtetit, si monumente kulture, ishin vënë 294 xhamia, kisha, teqe, etj.
Edhe më parë ne kemi qenë të mendimit se ka pasur teprime në caktimin e numrit si monumente të këtyre institucioneve fetare. Numri prej 294 ka qenë i madh dhe i pastudiuar mirë. Për këtë qëllim, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës ngarkoi një komision për ta riparë listën e këtyre monumenteve.
Komisioni në shqyrtimin që i bëri listës së këtyre monumenteve arriti në përfundim se duket shkurtuar në masën rreth 70 % duke lënë kështu në mbrojtje të shtetit vetëm 96 monumente të ndara si më poshtë:

Kisha 66
Xhamia 10
Teqe 1
Rrënoja godinash të vjetra dhe shpella 19

Në caktimin e listës së re, të cilën po ja bashkëngjitim këtij relacioni, komisioni dhe kolegjiumi i Ministrisë ndoqën këto kritere:
Të mbeten si monumente ato institucione fetare që kanë vlerë shumë të madhe historike, kulturore dhe artistike.
Ruhen monumentet fetare të periudhës paraturke të shekujve XV-XVIII.
Në ruajtjen e monumenteve jemi nisur jo vetëm nga periudha e vjetërsisë, por në radhë të parë nga rëndësia e tyre për njohjen dhe studimin e historisë së arteve figurative shqiptare dhe për historinë e kulturës në përgjithësi. Kështu p.sh. nga piktura jonë në listën që propozojmë janë veprat e Onufrit, David Selenicës, Kostandin Shpatarakut, etj., të cilat i kemi në një numër të vogël.
Piktorët e tjerë që i kemi në shumë kisha janë lënë për t’u ruajtur vetëm në ato institucione fetare ku ata përfaqësohen më mirë dhe veprat e tyre paraqiten në gjendje më të mirë. E marrë në tërësi, piktura jonë, do të përfaqësohet me krijimet e periudhës së lulëzimit më të plotë; për kohën e dekadencës është lënë në listë vetëm ndonjë dhe kjo është bërë për ta pasur më të plotë kuadrin e zhvillimit të saj.
Edhe për arkitekturën pothuajse këto kritere janë ndjekur. Janë ruajtur godina kulti që janë karakteristike të një kategorie të caktuar ndërtimesh e stilesh. Ndërtesat që përsëritin njëra-tjetrën janë hequr nga lista e monumenteve. Ka disa monumente të një shekulli, të cilat janë lënë në listë sepse përfaqësojnë tipa të ndryshme arkitekturale.
Në caktimin e listës së re u pat parasysh që të ketë monumente kulti nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Por ky kriter, siç mund të shihet edhe nga lista që paraqesim nuk mund të zbatohej plotësisht. Kështu p.sh. në jug të Shqipërisë ka më shumë monumente se sa në veri, gjë që rrjedh nga rëndësia dhe shtrirja e tyre në këto zona edhe nga fakti se këto studiuesit tani i njohin më shumë.
Për një pjesë të monumenteve para se të vendosej u bënë sondazhe në vend.
Në përfundim nga shqyrtimi i listës së monumenteve (294 që kemi pasur deri tani) hiqen 198 nga të cilat 41 jemi të mendimit të jepen që tani për përdorim publik. Të tjerat (157), që propozojmë të hiqen nga mbrojtja shtetërore, nuk janë pa vlerë. Megjithëse më pak se të tjerat edhe këto paraqesin vlerë të veçantë për historinë e kulturës sonë, prandaj para se të dorëzohen për përdorim publik, duhet t’u bëhet dokumentacioni përkatës. Dokumentacioni ka rëndësi të madhe për studimet e ardhshme në fushën e historisë së arkitekturës dhe të arteve.
Kryerja e dokumentacionit kërkon që ne të shtojmë forcat (inxhinierë, piktorë, skicografë, fotografë etj.) pranë Institutit të Monumenteve dhe Sektorit të Arteve të Institutit Histori-Gjuhësi, kërkon të pajisim ata me aparate të veçantë, filma me ngjyra, filma bardhë e zi dhe të angazhojmë edhe disa kuadro të Kinostudios “Shqipëria e Re” për të bërë filmimin e plotë të të gjitha monumenteve që nuk do të jenë më në ruajtje.
Kryerja e dokumentacionit është e lidhur edhe me faktin se në përgjithësi monumentet e kultit janë të njohura pak nga studiuesit tanë. Gjatë dokumentacionit që kërkojmë të bëhet, ne do të mund të saktësojmë më mirë listën, do të japim një gjykim më të drejtë për ruajtjen ose jo të tyre.
Kryerja e dokumentacionit për monumentet që do të hiqen nga mbrojtja shtetërore kërkon kohë. Rretheve do t’u jepen për t’i përdorur ose adoptuar për nevojat e tyre vetëm në tremujorin III të vitit 1968. Para kësaj kohe do jepen pjesërisht ato institucione për të cilat nga ana jonë do të ketë përfunduar dokumentacioni.
Shtojmë se, meqë numri i institucioneve fetare që mbeten si monumente, është relativisht i vogël (gjithsej 96) dhe njëkohësisht këto janë monumentet më me vlerë të vendit tonë, del detyrë që t’i mirëmbajmë, t’u bëjmë shërbimet e nevojshme dhe t’i kthejmë në qendra të vizitueshme ku njerëzit tanë të mësojnë për rëndësinë e vlerën historike, kulturore e artistike të tyre.
Ministri:
(Thoma Deliana)

Teqeja e Gjirokastrës
Teqeja e Gjirokastrës

Lista e monumenteve që hiqen nga mbrojtja e shtetit pa qenë nevoja t’u bëhet dokumentacioni

Rrethi i Beratit
1)Teqeja e Sheh Qerimit – Berat
2)Xhamia e Telsikave – Berat
3)Kisha e Ungjillizimit – Berat
4)Tyrbja pranë varreve të dëshmorëve – Berat
5)Tyrbja në të hyrë të parkut “Stalin” – Berat

Rrethi i Elbasanit
1)Xhamia e Ballijes në qytetin e Elbasanit.
2)Teqeja e madhe pranë parkut automobilistik në qytetin e Elbasanit.

Rrethi i Durrësit
1)Kisha e Sh. Spiridhonit në qytetin e Durrësit.
2)Kisha e Sh. Premtes në qytetin e Kavajës.

Rrethi i Ersekës
1)Kisha e Fjetjes Shën Mëri – fshati Postenan.

Rrethi i Fierit
1)Kisha e Sh. Gjergjit në qytetin e Fierit.
2)Kisha në fshatin Pishë Poro.

Rrethi i Gjirokastrës
1)Kisha e Sh. Illiut – Nokovë.
2)Kisha e Sh. Kollit – Vanishtë.
3)Kisha e Sh. Kollit – Sopik.

Kisha e Shën Mëhillit Berat
Kisha e Shën Mëhillit Berat

Rrethi i Korçës
1)Kisha e Sh. Illiut – Boboshticë.
2)Kisha e Sh. Kostandinit dhe Elenës – Drenovë.
3)Kisha e Sh. Kollit – Leshnje.
4)Teqeja e Vrepckës – Moglicë.
5)Kisha e Todhrit – Poloskë.
6)Kisha e Sh. Gjergjit – Dardhë.
7)Kisha e Shëngjergjit në qytetin e Korçës.

Rrethi i Krujës
1)Teqeja e Haxhi Hamzajt në qytetin e Krujës.

Rrethi i Lezhës
1)Kisha e Sh. Ndoit në rrethin e Lezhës.

Rrethi i Peshkopisë
1)Kisha e Tollomanit në fshatin Ceron.

Rrethi i Sarandës
1)Kisha e Sh. Premtes – Lukovë.
2)Kisha e Sh. Gjergjit – Lubcat.
3)Kisha e Sh. Thanasit – Muzinë.
4)Kisha e Lëkursit.

Rrethi i Shkodrës
1)Kisha e madhe në qytetin e Shkodrës.
2)Kisha e Sh. Gjergjit – Tphanë.

Rrethi i Tiranës
1)Teqeja – Mullet.
2)Tyrbja – Mullet.

Rrethi i Tropojës
1)Xhamia e Buçajes – Buçajë.
2)Kisha e Brisë.
3)Kishat e grykës – Geg-Hysen.

Rrethi i Vlorës
1)Tyrbja – Kaninë.
2)Kisha e Kallogjerit – Kaninë.
3)Kisha e Sh. Onufrit pranë Vlorës.
4)Kisha e Sh. Thanasit – Dhërmi.
5)Kisha e Sh. Kollit në Ujë të Ftohtë – Vlorë.
17/04/2014

Marrë http://shenja.mk/index

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.