back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Valentin Pervizi – Një tjetër hero e martir: Ndue Pal Mirashi

Gazeta

Valentin Pervizi - oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm
Valentin Pervizi – oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm

Një tjetër hero e martir: Ndue Pal Mirashi

Valentin Pervizi rrëfen nga skëterra e burgjeve komuniste

Oficer akademist, erdhi në Shqipni për t’і shërbye Atdheut
dhe përfundoi në burgje e kampe internimi për 47 vjet rresht,
і konsideruem i dënuem i përjetshëm.
Ka lanë kujtimet e tija në dorëshkrime,
të cilat do t’i botojmë herë mbas here.
Në revistën që kaloi folëm për Prek Calin
që ndau me të burgun para pushkatimit.
Vazhdojmë me dëshmi të tjera që botohen për herë të parë
Revistën Kuq e Zi, me shpresë se do të dalë libri
që përfshin krejt jetën e tij… nji Odise e vërtetë,
e dhimbshme në mes të shekullit të XX,
kalue e tejkalue Uliksit të lashtësisë 3250 vjeçare…
.
Valentini dhe shoqja Maria Gorizia (1941)
Valentini dhe shoqja Maria Gorizia (1941)

Nji prej tyne ishte Ndue Pal Mirashi, që Valentini e kishte njoftë, në kohën e qëndrimit të tij te Lek Vuksani, kur partizanët komunistë sulmuen Dukagjinin. Çdo herë që kalonte pranë dritares  shihte se ata i priste një fat i tmerrshëm. Ata të mbështetun mbas mureve, ndërsa Pali në mes në kambë, që e përshëndeste duke buzëqeshun, ndërsa vazhdonte të kryente disa ushtrime trupore. Shokët përreth e vështronin me çudi dhe trishtim: “Ç’i hynin në punë ato ushtrime, përderisa së shpejti miset e trupit do të përfundonin atje nën zallin e Kirit?”
Një ditë prej ditësh, Ndue Pali i ishte afrue dritarës dhe duke e përshendetun i kishte thanë: “Mos na harroni!”.
Të afërmve të tyne u ishte dhanë leje që t’i takonin. Kur baheshin këto takime, rojet i mbyllnin të gjithë dyert e qelive të tjera me shul. Erdhën edhe prindët e Ndue Palit. Ai u paraqit para tyne me njifarë mburrje. I buzëqeshun, sikur asgja s’do të ndodhte!! Të vetët, duke pa ashtu, nuk mundeshin me hapë gojë nga emocioni dhe nga vaji që i kishte zanë. Porta e derës së Valentinit nuk ishte fort larg, dhe ai mund të shihte nga frangjia e derës dhe të ndigjonte gjjithçka flitej. Ajo skenë e takimit i kishte mbetë në kujtesë, e  s’mundi ta harronte kurrë!
Ndueja qe mundue me i qetsue me fjalë të mira, po edhe të forta e gjithë zjarr. “Tashma jam i gatshëm me e kalue pragun për n’botën tjetër. Zoti ka me m’pranue, sepse – kishte shtue – se kam qenë gjithmonë nji besimtar i mirë!”
E duke u folë të vetëve ma me hov vazhdonte: “Po ju, mos u dishproni, do të ringjallem në nji jetë shumë ma të mirë!” mbasi familjet e tyne i banin lutje për falje Presidentit të Presidiumit të Kuvendit dhe Instancave të tjera. Prandaj herë pas here merrnin nga pesë a gjashtë prej tyne dhe i pushkatonin atje te Zalli i Kirit.
Nji mëngjes herët, kur ende ishte errsinë, ndodhi nji ngjarje dramatike. Fillimisht u ndigjue zhurma e hekurt e bravave dhe shulave. Do t’i merrnin edhe disa të tjerë… Të burgosunit prisnin se kush e kishte radhën!! Policët pasi i mbyllën të gjitha dyert u ndalën para qelisë së vdekjes ku njeni prej tyne lexoi vetëm dy emna: Ndue Pal Mirashi dhe Caf Meti. Të tjerëve të grupit të tyne u kishte ardhë falja…
Ata të dy u ngritën nga shtresat, u veshën dhe pritën në kambë aty midis qelisë. Ndue Pali dhe Caf Meti u kthyen nga shokët e tyne, që ishin çue dhe rrinin duerkryq e kokulun të pushtuem nga emocioni, ato çaste kur xhelatët kishin ardhë me gërmihë viktimat e tyne. I pari që foli ishte Pali: “Të dashun miq, ne po nisemi për n’botën tjetër, prandaj ju përshëndesim, duke ju urue që të mos pësoni fundin tonë… Përndryshe, mirupafshim së shpejti dhe mbahuni të fortë sepse nji ditë kem me dekë të tanë!”
Sa tha këto fjalë, kishte hapë kambët, e kryqëzue krahët duke ndejtë në pritje. “Ç’bëni? – u kishte thirrë nji nga policët, që kishte grada oficeri, i cili u tha që të dilnin nga qelia. Ndue Pali u përgjigj që le të vinin ata me i marrë. Oficeri së bashku me nji polic banë disa hapa drejt tyne. “Të dy ma të mirë se kjo e jueja në këtë tokë plot vuejtje. Prandaj të dashunit e mi, mirupafshim në botën tjetër!”
Të tilla fjalë shumë të pakët ishin njerëzit që mund t’i shqiptonin në nji gjendje të tillë. T’afërmit, të mbytun nga dënesa e lotët s’mundën me thanë asnji fjalë. Të burgosunin që kishin ndigjue atë fjalë dhe e kishin ndjekë at skenë të jashtzakontë nuk i përmbanin dot lotët që u rridhnin vetvetiu prej syve të skuqun. Ndërkaq Valentini kishte pikasë nji spiun që njihej prej të gjithve, i cili edhe ai nuk mund t’i ndalte lotët. Çudi e çudive!!
Me thanë të vërteten, duhet theksue se përballë vdekjes janë të pakët ata që do të dinin të silleshin aq stoikë e aq heroikisht sa Ndue Pal Mirashi.
Pas këtij takimi dramatik, ishte afrue dikush tjetër te hekurat. Valentini nuk shqitej asnji çast nga frangjia e derës. Kështu mundi ta shihte atë që po takohej me të vetët.

Të rinj të internuar në Kuç 1957 (Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)
Të rinj të internuar në Kuç 1957
(Bardh Kupi, Valentin Pervizi, Dedë Gjonmarkaj, Lek Pervizi)

.
Ishte nji djalë i ri, rreth 20 vjeç, i pashëm e shtathjedhun. Vetëm duke e pa, Valentinit i ziente shpirti për fundin e tij të shpejtë. Pyeti njenin që ishte aty afër për at djalë që u kishte ngjallë aq mëshirim. Ai i tregoi se, ai djalë kishte qenë polic dhe për fatin e tij të keq, kishte marrë pjesë në arrestimin e një komunisti. Eprori që e kishte urdhnue ishte dënue me pesë vjet burg, kurse vartësi i tij duhej ta paguente me jetë!!! Atij komisari të policisë që ishte aty në burg, nuk i fliste askush sepse mbahej si spiun…
Qelia e të dënuemve me vdekje rrinte gjithmonë e mbushun plot. Mbasi dënoheshin nga gjyqi special famëkeq ata duhet të prisnin do kohë para ekzekutimit… Herojt ishin hjedhë mbi ta me egërsi të madhe me dy thika të nxierra nga lugët e tyne, duke i fërkue në betonin e birucës. Nisi zanja mes tyne. Nga britmat vrapuen aty policët e tjerë me shkopij. Të dy të burgosunit që ishin truplidhun e shumë të fortë, po u banin ballë shtatë policëve dhe kishin plagosë dy a tre prej tynë me thikat e bame me lugët e tyne. Kur njeni prej policëve thirri: “T’i shtyjmë këta vigana drejt derës nga fundi… dhe ashtu vepruen. Në këtë mënyrë e nxorën Cafin në oborrin e vogël, ku ishte roja i armatosun, i cila u drejtoi automatikun dhe Cafi mbeti keq, duke thirrë ma za të naltë e duke i mallkue ata kriminelë. Kurse brenda, policët arritën me e mposhtë Palin, i cili kishte humbë ndjenjat. Mandej iu sulën Cafit duke e goditë të gjithë njiherësh me shkopijtë derisa i ra të fikët, dhe e tërhoqën zvarrë mbrenda. Ashtu të katandisun pandjenja i hodhën në nji karrocë si t’ishin thasë leckash dhe s’kaloi shumë dhe u ndigjuen edhe krismat e armëve vrastare.
Të nesërmen e kësaj ngjarje, kishte mbrritë edhe Kryetari i Degës së Shkodrës, i cili si nji kafshë e tërbueme u ishte çjerrë policëve e rojeve, duke iu bërtitë me sa mundesh që të ndigjonin dhe të burgosunit: “Po ju more derdimena, pse nuk i keni vra të gjithë aty brenda në qeli? Të gjithë duhet t’i kishi eliminue pa mëshirë!”
Cilës racë njerzore u përkisnin këta xhelatë të pashpirt e të pandjenja shqiptarizmi, që i torturonin dhe i vrisnin të burgosuni e shkretë e të pafajshëm?
Emni i njatij xhelati ishte Pjetër Bullati, i cili u pushkatue ma vonë si “Tradhëtar i Partisë!!!” më 1949. Me akuzën se kishte qenë agjent dhe spiun i jugosllavëve.
E vetmja akuzë e vërtetë ndaj tij…
Marrë nga revista “KuqeZi” nr. 83-84

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.