back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 3 Janar, 2025

Janet Byron: Tosknishtja, Bërthama e Standardit

Gazeta

Gazi Berlajolli
Gazmend Berlajolli

Janet Byron: Tosknishtja, Bërthama e Standardit

nga Gazmend Berlajolli

Sheh dritën e botimit, në përkthimin e stërvonuem në shqip, studimi: “Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës: – Rasti i shqipes”, i linguistes amerikane Janet Byron, botue në origjinal qysh më 1976. Arsyeja e kësaj vonese do të duhej kërkue kryekreje në notën që mori ky studim prej gjuhësisë zyrtare shqiptare në periudhën socialiste. Rrjedhimisht, pak gjuhëtarë e studiues, me njohje të themelta të anglishtes dhe dell prej hetuesish individualistë, i referohen studimit të Byron-it, madje edhe mbas vitit 1990. Struktura e studimit në fjalë asht kjo: mbasi i shtron, nën dritën e vështrimeve sociolinguistike, qasjet teorike ndaj planifikimit gjuhësor në kapitullin fillestar, Byron e zhbërthen procesin e standardizimit të shqipes në diakroni e në sinkroni, që prej ideve dhe idealeve të rilindasve, e tek orientimet dhe zhvillimet, para dhe mandej mbas Luftës së Dytë Botnore. Boshtin e studimit të Byron-it e zen vetë planifikimi gjuhësor i periudhës socialiste, të cilin ajo e kundron hollësisht në rrafshin fonologjik, morfologjik dhe leksikor. Byron e identifikon edhe momentin kthesë në linjën e politikës gjuhësore shqiptare: “Kalimi në socializëm pati si pasojë një kataklizëm jo vetëm në traditën letrare, po edhe në dialektet dhe, si rrjedhim, përcaktoi llojin e standardizimit që ndodhi”. [f.14] Studimi i Byron-it erdhi në kohën kur Tirana e Prishtina tashma po flisnin për nji variant letrar që cilësohej si nji kapërthurje sui generis me elemente prej të dyja kryedialekteve. Byron, megjithatë, vëren: “Toskërishtja përbën bërthamën fillestare të gjuhës standarde shqipe. Kur morën pushtetin, drejtuesit toskë e ngritën në një status më të lartë dialektin e tyre të shkruar, por të gjitha modelet e shkruara më të rëndësishme (në toskërishten letrare) ishin të shumëllojshme (kjo, pjesërisht, vinte si rrjedhim i historisë së gjatë të përdorimit të toskërishtes dhe pjesërisht i prejardhjes së ndryshme të shkrimtarëve që shkruanin në toskërishten letrare). Kultivimi i vetëdijshëm i këtij varianti letrar gjatë socializmit u ka dhënë përparësi elementeve të caktuara të këtyre modeleve dhe, në të njëjtën kohë, ka transformuar dhe njësuar shkallë-shkallë dialektin letrar. Si rezultat i lëvrimit, i zgjerimit të funksioneve (veçanërisht politike e ideologjike) dhe i ndryshimit gramatikor e leksikor, bërthama letrare e toskërishtes ka fituar veçori të cilat tani, pas tre dhjetëvjeçarësh ndryshimi të planifikuar, e dallojnë, por njëkohësisht e bëjnë edhe vijuese të toskërishtes letrare, që ishte shkruar në prag të Çlirimit dhe gjatë viteve të para të qeverisjes revolucionare”. [f.79]
Pra dy janë shtyllat kryesore që ngre studimi i Byron-it:
1.Socializmi pati ndikim vendimtar në ndryshimin e rrjedhës së maparshme në fushë të standardizimit, dhe
2.Standardi rezultues i kësaj periudhe ishte veçse vazhdimsi e latueme e tosknishtes letrare.

Androkli Kostallari (1922)
Androkli Kostallari (1922)

Damka e Kostallarit

Studimi i Byron-it i shkonte ndesh politikës gjuhësore që udhëhiqte shteti socialist. Atij i duhej nji variant zyrtar, me bazë toske patjetër, por që të mund të paraqitej edhe si jetësim përpjekjesh konvergjuese që prej kohës së Rilindjes. Prandaj studimi i saj nuk u mirëprit në ato qarqe gjuhësore të Shqipnisë socialiste, të cilat kishin ndërmarrë planifikimin e shqipes për nevojat e kohës. Zani ma autoritativ i gjuhësisë shqiptare atëherë, Androkli Kostallari, asht ai që i shqiptoi dënimin veprës së saj në referatin që paraqiti për Konferencën Shkencore të mbajtun në Tiranë më 1984: “Në këtë vepër, që përmban mjaft pohime kundërthënëse, formimi i shqipes letrare të njësuar trajtohet në mënyrë të shtrembëruar e të thjeshtëzuar. Përfundimet themelore që jepen aty nuk kanë dalë nga analiza e thelluar e objektive e sistemit dhe e nënsistemeve të gjuhës letrare shqipe, të parë në zhvillimin e saj të pandërprerë, në lidhje të ngushtë me faktorët shoqërorë e me dialektet, sidomos që nga epoka e Rilindjes Kombëtare”.
Asht interesante se pakëz ma poshtë në kritikën e vet, Kostallari pohon që “…krahas tipareve të përgjithshme që kanë gjuhët letrare në botë”, ka edhe aso që për nji gjuhë të dhanë janë “origjinale e të papërsëritshme, të cilat mund të zbulohen e të kuptohen drejt vetëm po të njihet thellë e me vërtetësi sistemi i saj në evolucionin historik e tipologjik dhe faktorët e veçantë shoqërorë e gjuhësorë që e kanë përcaktuar këtë evolucion. Për këtë njohje nuk mjaftojnë vetëm metodat statistikore, sasiore, të cilave u jepet herë-herë një rëndësi e tepruar në të ashtuquajturin ‘planifikim gjuhësor’, por duhen bërë, mbi të gjitha, vlerësime cilësore, sepse në gjuhë, në të gjitha rrethanat veprojnë njerëzit, me idetë, ndjenjat, dëshirat e synimet e veta”.
Kostallari ban këtu pohimin se në vendime të tilla nuk zbatohet vetëm rigoroziteti i ashpër shkencor, por se përbamësi emocional, me ndjenjat, dëshirat e synimet “në kushte të caktuara historike” asht determinues. Por dëshirat, ndjenjat dhe idetë e krenëve vendimmarrës në kohën e Shqipnisë socialiste Byron nuk asht se i anashkalon. Ajo na e jep hartën e shtetit shqiptar krahas me listën e emnave dhe me prejardhjet e 27 udhëheqësve ma të naltë shtetnorë: përveç 7 udhëheqësve prej visesh veriore, ma i njohuni i të cilëve Sekretari i Byrosë Politike, shkodrani Ramiz Alia, pjesa dërrmuese e kreut udhëheqës të shtetit vinte nga jugu i vendit. Vetë Alia, me shpërlamjen e çdo gjurme të shkodranishtes prej ligjërimit të vet, qëndron si nji model i zbatimit të variantit zyrtar të kohës, po edhe si model orientimi për të tjerë veriorë me ambicie postesh prestigjioze publike. Relevancën e kësaj përkatësie krahinore të krenëve udhëheqës e diskuton Rexhep Ismajli, i cili në nji fusnotë të detajueme për çashtje të prejardhjes së udhëheqësve shtetnorë që paraqet Byron, konkludon: “Pos mangësive të tjera, [nuk përmenden, G.B.] mund të thuhet se jo gjithë këta do të kenë pasur implikim të njëjtë, apo të rëndësishëm, në çështje të gjuhës, ndërsa ka të tjerë, si S. Malëshova, që kanë luajtur rol me rëndësi në vitet e para pas Luftës”. Vërtet Malëshova mundet me u cilësue ndër pionierët e rrymës, për shkak të pasionit të tij për të provue se në procesin e formimit të kombit e të gjuhës vetëm Jugu i Shqipnisë luejti rol dhe se Gegnia e gegnishtja kishin mbetë jashtë këtij procesi. I ardhun nga Këlcyra e Përmetit, ai mundet me u shtue si nji tjetër pikë në hartën me prejardhjet krahinore të pushtetarëve të mbasluftës, të paktën për aq vjet sa qe politikisht e publikisht aktiv fill mbas lufte.
Nëse roli politik i S. Malëshovës nuk duhet lanë mënjanë, atëherë nuk duhet harrue as roli kyç dhe udhëheqës i A. Kostallarit në planifikimin gjuhësor. Byron vëren: “A. Kostallari ka qenë për shumë vjet drejtues i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Përveçse është anëtar i Komisionit të Ortografisë, ai është gjithashtu studiuesi i vetëm që ka ndërmarrë studime të gjera rreth natyrës së gjuhës standarde shqipe. Ai është ndoshta gjuhëtari me ndikimin më të madh në Shqipëri sot”. [f.73]
Në kritikën që i ban monografisë së Byron-it për procesin e standardizimit, Kostallari shton: “Thjeshtëzimi e shtrembërimi i këtij procesi në këtë libër arrin aq larg saqë aty pohohet se në Shqipëri ‘zhdukja e dialekteve’ (nënvizuar nga A. K.) ka marrë bekimin zyrtar”. Ma poshtë, jep spjegimin vetjak rreth raportit të standardit me dialektet: “Ky njësim, natyrisht, solli shuarjen e të dy varianteve letrare të mëparshme, por jo ‘zhdukjen e dialekteve’. Dialektet e shqipes, ashtu si edhe të gjuhëve të tjera, vërtet, në kohën tonë janë kategori mbeturinore në rrugën e shuarjes, por ato si variante të gjuhës së folur, kanë një qëndrueshmëri relative mjaft të madhe. Gjuha letrare ndikon gjithnjë më fuqishëm e më thellë mbi to, ua ngushton truallin gjeografik e shoqëror dhe ua robëson jetësinë, por ajo edhe ndikohet prej tyre. Ky është një proces dialektik që, pa dyshim, do të çojë dalëngadalë e shkallë-shkallë në një epokë kur në jetën e popullit do të zotërojë në qytet e në fshat vetëm gjuha letrare, me sistemin e pasur të stileve të saj, por e sotmja nuk i takon kësaj tërësisht”.
Kuptohet se besojma për nji homogjenizim të këtillë gjuhësor të popullsisë mbetet gjithnji utopike. Ndryshimet në koordinatat rajonale dhe shtresëzimet sociale përherë do të shoqnohen me ndryshimet përkatëse edhe të tipareve gjuhësore. Kostallari nuk spjegon ma tej sa e si do të ndikohej standardi, si varianti gjuhësor ma i naltë, nga variante të ulta si dialektet, veçmas kur në paraqitjen e raportit të forcave mes tyne, dialektet i portretizon si variante drejt shuemjes.

Arshi Pipa në studion e tij
Arshi Pipa në studion e tij

Vrojtimet e Pipës

Byron i shquen krejt dy kontribute të randësishme prej gegnishtes në variantin e përcaktuem si standard: grupin zanor -ue në dy klasa fjalësh si dhe përemnin i vet. Porse, shton ajo, këto përbajnë veçse “…huazime të gegërishtes në toskërishte, të cilat e pasurojnë kodin marrës, por nuk e shtrembërojnë a gjymtojnë atë”. [f.77]
Arshi Pipa jep nji përmbledhje të ngjeshun të atyne elementeve fonologjike, gramatikore e leksikore, të cilat Byron i rendit si huazime gege në tosknishten e kultivueme (letrare) e prandaj në shqipen standarde. Huazimi kryesor fonologjik, simbas Byron-it, asht ai me grupin zanor -ue të gegnishtes, e që simbas saj gjeneron të vetmen prodhimtari të fjalëformimit prej landës gege mbrenda standardit. Të përmbledhuna nga Pipa, huazimet janë këto:
1.“Shqipja e njësuar letrare” (ShNjL) ka pranue mbrapashtesën gege -ues për nomina agentis: mësues, sulmues, në vend të mbrapashtesës së tosknishtes letrare me -onjës: mësonjës, sulmonjës. Kjo formë asht eliminue sepse asht arkaike; ShNjL ka për parim t’u shmanget arkaizmave. Ajo bjen ndesh edhe me prirjen çhundorëzuese në tosknishte. Nji tjetër arsye asht se mësues e sulmues janë përdorë ngjeshun në shtypin partiak gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, fjala vjen “brigada sulmuese”, kjo e mbrama me gjasë tue qenë arsye vendimtare: njani ndër argumentet kryesore për reformimin e ShNjL ishte se reforma duhej me u bazue në gjuhën e shkruejtun dhe të folun prej partizanëve gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, nji gjuhë kjo që kryesisht ishte toske.
2.ShNjL e ka përvetësue edhe mbrapashtesën e mbiemnave prejfoljorë -ueshëm, tue qenë se nuk ekziston nji barasvlerë toske e saj. Tosknishtja letrare ka pasë përdorë pjesoren për mbiemnat që tregojnë aftësi ose meritë. Kësodore, i besuar nënkupton edhe ‘believed’ (i besuem) edhe ‘believable’ (i besueshëm), njeri i besuar tue pasë kuptimin ‘believable man’ (njeri i besueshëm). Edhe qëndrimi zyrtar i gjuhësisë në Shqipninë socialiste e mbështet supozimin e Byron-it për pikën e parë. Fjala vjen, edhe te Gramatika e Institutit të Gjuhësisë së AShRSh gjejmë: “Tipi i mbiemrave që formohen nga e tashmja dialektore në -onj, -enj, e foljes: tregonj-ës, rrëfenj-ës, ka dalë nga përdorimi në gjuhën letrare; në vend të tij është përgjithësuar tipi i mbiemrave të formuar nga tema e foljeve ose nga tema e pjesores me prapashtesat -ues, ose -s (tregues, rrëfyes)”. Bash me nji paralelizim të shembujve si këta dy të fundit, tregues e rrëfyes, Pipa ia del me kapë gegizma shtesë që i plotësojnë dy pikat e masipërme, e që, simbas tij, autores “…i janë përvjedhë pa i vërejtë. Në Fjalorin e Kostallarit, kam gjetë edhe rrëfyes e fyes, si dhe i thyeshëm dhe rryeshëm. Kjo nënkupton se ShNjL e ka ndjekë modelin e formimit të emnave veprues (nomina agentis) si dhe të mbiemnave prejfoljorë, jo veç me foljet me -ue, po edhe me foljet me -ye.
Në fakt, Byron shënon se “…megjithatë, ekziston nji klasë temash, në mënyrë specifike tema foljore, nga të cilat vetëm gegërishtja normalisht formon mbiemrat me -shëm. Kjo prapashtesë i shtohet gjithmonë pjesores. …Rregulla zbatohet për të gjitha foljet, por ato që mbarojnë me ua/ue përbëjnë klasën më të madhe dhe më prodhuese”. [f.104-5] Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) te leksemat: i bezdisur, i kuptuar, i paharruar drejton përdoruesin tek trajtat përkatëse me -shëm. S’do mend se përpiluesit e Fjalorit nisen nga logjika që përdoruesit t’ia sugjerojnë trajtat me -shëm si normative, para se ato me -ur. Por, vetëm shqipja jugore nuk e ban diferencimin semantik ndërmjet tyne. Mbasi as Fjalori këto diferencime semantike mes trajtave me -shëm dhe -ur nuk i jep, për me propozue përdorime të ndame të tyne, del se hartuesit e tij, edhe në këtë pikë, janë vu në shërbim veç të folësve të shqipes jugore.
Përveç emnave veprues (mësues, rrëfyes) e mbiemnave prejfoljorë (i besueshëm, i thyeshëm), prodhimtarë në standard, lidhun me praninë e ndonji elementi tjetër leksikor me fillesë gege, Byron pohon: “Duket se nuk ka ndonjë interes për të përjashtuar elemente të veçanta të gegërishtes; sigurisht, modeli i gegërishtes nuk është prodhimtar në standard”. [f.102]
Elemente të atykëtushme leksikore me tipare fonologjike të gegnishtes, të tipit i vranët, asnjanës, bamirësi e zanore, të futuna drejtpërdrejt e pa tjetërsim në standard, janë dëshmi e këtij pohimi, sepse mbeten joprodhimtare mbrenda kodit pranues. Simbas Pipës, autores i ikin edhe nja dy gegizma të tjerë, ndonëse ma periferikë, që gjejnë vend në variantin standard, e që e dallojnë këtë prej tosknishtes letrare. Së pari, kur fjala ka dy bashkëtingëllore në pozitë nistore, në “GjNj” e zashmja pason të zashmen, e pazashmja të pazashmen. “Meqë tosknishtja tregon luhatje në këtë pikë, GjNj ka përvetue modelin geg: zhdukur, jo çdukur”, pohon Pipa, tue shtue se i njejti shteg asht ndjekë me mbrapashtesën -izëm të gegnishtes, për të cilin tosknishtja ka -izmë: komunizëm/komunizmë. Tue u kthye tek mbiemnat prejfoljorë si i besueshëm, i thyeshëm, përvetësimi i tyne, simbas Byron-it, përban nji huazim të domosdoshëm që ndihmon në zgjidhjen e ambiguitetit të krijuem prej polisemisë që mbiemnat e tipit i besuar dëftojnë përmbrenda arealit tosk. [f.105, 112, 128]
Kjo hapje ndaj elementit gegë e ven në dyshim cilësimin e Kostallarit për tosknishten letrare si “një koine letrare gjithëjugore me bazë të gjerë e prandaj edhe të hapur për të thithur elemente nga dialekti tjetër”. Kjo sepse, sa ma e gjanë baza, aq ma e vogël nevoja për me thithë elemente prej dialektit tjetër. Megjithatë, sa nga këto boshllëqe të tosknishtes qenë të gatshëm arkitektët e standardit me i mbushë me landë prej gegnishtes?

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit
Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Ma mirë bosh se gegë

Ta shqyrtojmë edhe nji tjetër tip mbiemnash që Byron nuk e trajton në studimin e saj. Nji shtjellim shpejtazi i tyne këtu na ndihmon me kuptue nivelin në të cilin boshllëqet e standardit janë plotësue me landë prej gegnishtes. Janë këta mbiemnat prejfoljorë me mbrapashtesën -të, e cila realizohet herë-herë edhe si -ët a veç -t; përmbledhtazi ta shënojmë me -(ë)t(ë). Qe, për ilustrim, do shembuj të tërhequn prej studimit që Aleksandër Xhuvani dhe Eqrem Çabej u bajnë mbrapashtesave të shqipes.
1.-të: i fëlliqtë, i ngritë, i ftohtë;
2.-ët: i hapët, i lagët, i ngordhët;
3.-t: i zgjuet, i shtrënguet, i thyet;
Ky tip mbiemnash asht larg ma prodhimtar në gegnishte. Ndonëse shum prej mbiemnave të këtij tipi nga nëngrupet 1 e 2 gjejnë vend edhe në shqipen standarde, kjo nuk ndodh me asnjanin mbiemën të nëngrupit 3, atij me togjet zanore -ue dhe -ye të temës.
Në studimin e Xhuvanit dhe të Çabejt thuhet se mbiemnat e këtij tipi “tregojnë përgjithësisht një cilësi”. Kostallari pohon: “…kështu është pranuar nga gjuha letrare funksionimi paralel, me sa duket me prirje diferencimi semantik, i mbiemrave foljorë të tipit i hapur (tipar i arritur si pasojë e veprimit) dhe i hapët (tipar cilësor i vështruar shkëputurazi nga veprimi) ose përdorimi i gjerë i mbiemrave foljorë me -shëm (i zbatueshëm, i pranueshëm, i tretshëm), ku tipari përcaktohet sipas aftësisë, vetisë, mundësisë për t’ju nënshtruar një veprimi”. Spjegimi i Kostallarit mbi diferencimet semantike asht i njejtë me atë të Xhuvanit e Çabejt. Megjithatë, leksikografia zyrtare e pasqyron këtë diferencim semantik veç atëherë kur kuptimet janë të ndame mirë edhe në tosknishte (i ftohtë/ i ftohur). Të vështrueme prej kandit krahinor të jugut, dy trajtat mund të ngjajnë sinonime në disa konkretizime të caktueme (i lagët/ i lagur). Kjo sepse jo veç format me -shëm, por edhe ato me -(ë)t(ë) dalin të mangëta në tosknisht, tue i pasë për barasvlerë po mbiemnat prejpjesorë me mbaresën -(u)r. Pra, po i kontrastuem diferencimet semantike ndërmjet mbiemnave të tipit i ngritë, i hapët, i zgjuet – me nga nji shembull prej secilit nëngrup – me mbiemnat e tipit i ngrimë, i hapun, i zgjuem, kurse nga tjetra t’i krahasojmë të dy anët e binomit i ngritë/ i ngrimë me barasvlerat përkatëse të dialektit tosk, do t’i ndeshim prap mbiemnat prejpjesorë me vlerë polisemike, të tipit i ngrirë, i hapur, i zgjuar. geg. tosk. Kuptimi i ngritë, i ngrirë 1.që këtë gjendje e ka cilësi të veten *i ngrimë i ngrirë 2.që asht pru në këtë gjendje prej ndikimit të ftohjes i hapët i hapur 1.që ka tiparin e të qenit hapë* i hapun, i hapur 2. që asht hapë si pasojë veprimi mbi te* i zgjuet, i zgjuar 1.i kthjellët prej mendjes (cilësi)* i zgjuem, i zgjuar 2.jo ma i fjetun (gjendje) [Në përputhje me praktikën e Byron-it, yllthi asht vu para fjalëve që nuk gëzojnë status standard.]
Qartazi, ambiguiteti i masipërm i mbiemnave nën shtyllën e dytë asht zgjidhë tue i pranue mbiemnat e tipit i ngritë, i hapët në normën standarde. Të njejtit rrjedhimisht gjejnë vend në ashtuquejtunën leksikografi normative, ani pse rrallë e hiç hasen të përdorun në standardin empirik, shì për shkak të atij lloj funksionimi paralel që u caktohet nga planifikuesit e gjuhës.
Por, tue i kthye shtyllës së parë, vërejmë se logjika e pranimit në variantin standard nuk asht ndjekë me mbiemnat e tipit i zgjuet, i thyet. Ndryshe nga emnat e vepruesit (me mbiemnat përkatës) si dhe mbiemnat prejfoljorë dhe ndajfoljet me -shëm që pranohen në tanësi – madje edhe kur pjesoret dalin me togun zanor -ue të gegnishtes (mësues; i kuptueshëm; gëzueshëm) – mbiemnat me mbrapashtesën -(ë)t(ë) në shqipen standarde pranohen veç përzgjedhtazi. E njejta logjikë ndiqet edhe për ndajfoljet me mbrapashtesën -(ë)t(ë) si rrastë, hapët, shtruet, nga të cilat veç e mbrama nuk gëzon status standard.
Ndonëse format prodhimtare me ue (mësues, i kuptueshëm) kanë zanë vend në standard, forma si i zgjuet, shtruet, ku kemi të njejtin tog zanor ue, mbeten jashtë tij. Byron vëren: “Në lidhje me përfshirjen e dy grupeve të formave të gegërishtes [mësues, i kuptueshëm, G.B.] në gjuhën standarde janë bërë disa pyetje.
(1)Në cilat kushte dhe kur ndodhi kjo?
(2)Përse janë pranuar këto forma, ndërsa klasat e tjera të gegërishtes (d.m.th. shumica e formave leksikore të gegërishtes që përmbajnë ue) janë lënë mënjanë?
(3)Çfarë arsyetimi kanë dhanë autoritetet gjuhësore, nëse kanë dhanë ndonji, për format me ue në përdorimin standard?
(4)Cilët faktorë kanë favorizuar mbijetesën e ue në gjuhën standarde?
Këto pyetje nuk janë trajtuar plotësisht nga studiuesit shqiptarë; si pasojë, ato pak përgjigje që nënkuptohen nga analizat e tyre, janë ose të pamjaftueshme, ose të tërthorta.” [f.104]
Sido me qenë, duket se logjika e ndjekun nga autoritetet gjuhësore njeh prapseprap disa “parime udhëzuese”. Vërehet qartë nga ilustrimi i masipërm se ajo ka për parakusht të mos e shënojë asnji mbiemën a ndajfolje me mbrapashtesën -(ë)t(ë) të cilave lehtësisht u shquhet qenësia gege dhe nuk janë përvetësue prej tosknishtes. Të parët në këtë listë vijnë mbiemnat e ndajfoljet me togun zanor ue (i kulluet, i zgjuet, shtruet) bashkë me ata me togun ye (i shpërthyet, përlyet). Për rrjedhojë, mbiemnat me -(ë)t(ë), madje edhe kur i pranon norma, praktika e përdorimit i shpërfaq veç në rastet kur diferencimi i tyne kuptimor asht krejt i qartë edhe për folësin e shqipes jugore. Kësisoj, në zbatimin empirik të standardit ndeshim dendun mbiemna si i ftohtë, i ngrohtë, për shkak të diferencimit të qartë nga i ftohur, i ngrohur, por jo edhe mbiemnat i ngritë, i lagët a i hapët, ku diferencimi semantik vjen e zhduket, veçmas ndër folësit e shqipes jugore.
Nga njana anë, mospranimi i mbiemnave të nëngrupit 3.(i zgjuet, i përlyet) megjithëqë barasvlera e tyne toske (i zgjuar, i përlyer) del polisemike, dhe nga ana tjetër, pranimi veç i pjesshëm prej nëngrupeve 1. e 2. (i ngritë; i hapët), dëshmojnë se nuk ka ndonji përpjekje serioze me i mbushë boshllëqet e tosknishtes me landë të gegnishtes dhe as për ndonji shkrimje sui generis të dy kryedialekteve në nji variant të njësuar mbidialektor.
Mbiemnat e ndajfoljet që pjesoreve me -ue e -ye u mbrapashtesojnë nji -t nuk hyjnë në shqyrtimin e planifikuesve të gjuhës fare, ndonëse, siç na kujtojnë Byron e Pipa, grupi zanor -ue e -ye u hyjnë në punë te emnat e vepruesit (mësues, rrëfyes) e mbiemnat me -shëm (i zbatueshëm, i rrëmbyeshëm). Vlerësimi i Byron del i saktë: standardi përvetëson veç ato trajta prodhimtare të gegnishtes që të tilla janë dëftue ma parë përmbrenda arealit të tosknishtes. Për ma tej, këto trajta të gegnishtes hyjnë në standard vetëm me atë ngarkim kuptimor me të cilin funksionojnë mbrenda arealit marrës të tosknishtes, do të shtonim mbas këtij vrojtimi.

Përmbyllje

Monografia e Byron-it, sot kur regjimi socialist nuk vepron ma, do të duhej me shërbye për të qartësue se asht e pamundshme me ecë tutje në fushë të planifikimit gjuhësor në veçanti, po edhe të integrimit kombtar në përgjithësi, pa i kuptue huqet e mangësitë e politikës së partikularizmit krahinor edhe në fushë gjuhe. E nëse do të mundohemi me e caktue vektorin orientues të kombit shqiptar në raport me gjuhën standarde, duke përdorë formulën e duhun emocionale që t’i shërbejë si komponentë cilësore standardit, s’do mend se atë do të duheshim me e lypë te konsolidimi sa ma i madh i vetë elementit shqiptar, te përafrimi i matejmë i shqiptarëve me njani-tjetrin nëpërmjet standardit i cili, para se ligj, do të shihet si mjet që do t’i përshtatet përherë kësaj nevoje.
Duket se në përgjithësi synimi i planifikuesve të gjuhës në periudhës socialiste ishte me e ndjekë parimin e zbatimit të nji tosknishteje, ndonëse të ngritun e letrare, prapseprap sa ma të natyrshme e të vetvetishme; me fjalë të tjera, të tillë qysh vinte drejtpërdrejt nga goja e elitës në periudhën socialiste, nji e vërtetë kjo, të cilën edhe shum studiues shqiptarë zunë me e thanë haptas mbas përfundimit të kësaj periudhë. Politikës gjuhësore i interesonte me e ngritë tosknishten në mbisistem, jo me përpilue nji të tillë me landë prej të dyja kryedialekteve, ndonëse mbisistemi i krijuem cilësohej i njësuar. “Efekti i normëzimit të gjuhës moderne ka qenë të racionalizojë atë që ishte një zhvillim i vetvetishëm i toskërishtes letrare”, pohon Byron. [f.115]
“Xhenet Bajron ishte si nji meteor që erdhi në gjuhësinë shqipe”, asht vlerësimi që i jep Bahri Beci kontributit të linguistes amerikane për sqarimin e drejtë të procesit të standardizimit gjatë periudhës socialiste, e që mbetet kushtëzues i fatit të shqipes edhe sot. Përkthimi i studimit të saj, ba nga gjuhëtarja Mariana Imeri, vjen në shqip me nji korrektësi terminologjike dhe përgjithësisht i saktë nga ana kuptimore. Dora redaktoriale, mjaft e kujdesshme, e Rami Memushajt, hetohet gjithashtu. Në të njejtin ble, botim i shpisë botuese Dituria, përfshihen edhe dy studime të mavonshme të Byron-it mbi çashtje planifikimi të shqipes: “Planifikimi i gjuhës në Shqipëri dhe te shqipfolësit në Jugosllavi” si dhe “Një vëzhgim për arritjet e planifikimit gjuhësor te shqiptarët e Jugosllavisë.”
Përkthimi i studimeve të Byron-it vjen në kohën kur kultura shqiptare ka nisë t’i rishqyrtojë vendimet e planifikimit gjuhësor të periudhës socialiste. Ai hap mundësi të panumërta për thellimin e tejtimin e studimeve në këtë fushë, jo veç për ta përçanësue saktë politikën gjuhësore të asaj periudhe, por edhe për ta përudhë drejt politikën gjuhësore të bashkëkohësisë. Kjo sepse sot nuk asht ma e randësisë parësore me i dhanë notë standardizimit të periudhës socialiste. Periudha e sotme, me shoqni tashma me orientim demokratik pluralist, kërkon politikën e vet përkatëse gjuhësore, e që mund të jetë veç ajo e kompromiseve mes planifikuesve dhe në shërbim të forcimit të ndërkomunikimit mes shqiptarëve.
Gazmend Bërlajolli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.