back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Fletë nga ditari i Majit… nga Edmond Hasani

Gazeta

Mondi... çaste relaksi
Mondi… çaste relaksi

Fletë nga ditari i Majit…

nga Edmond Hasani

11 maj, e dielë

Mushkonjat fluturojnë lart!!!
Shqiponjat hanë thonjtë poshtë!

***
Në murin tim shkrova:
“Një popull që zgjedh të qeveriset nga hajdutë, mashtrues dhe të korruptuar nuk është viktimë – por bashkëfajtor!” George Orvell
50 vetë ma pëlqyen; 5 me shkruan; s’iu përgjigja askujt, po mendova si të nisem për Vlorë…

11 maj, vazhdon e dielë
Përveç pastrueseve gjeja tjetër që më josh në hotele, janë sirtaret e komodinave, të cilat i gjej më interesante se gazetat!
Eksperiencat më të pabesueshme seksuale apo aventurat me fantastike erotike i gjen të shkruara aty nga studenë ngelësa, ushtarë frikacakë, prostituta shëmtaraqe, punëtorë dembelë, zyrtarë pisanjosë, sportistë dështakë apo manjakë perversë!
I lexoj me endje dhe përpiqem të kuptoj shpirtin e njeriut pasi nga kategoritë e tjera sociale asgjë nuk kam kuptuar!

13 maj, e martë
Jam në Vlorë nga dita e djeshme!
Ulur në një sallë interneti, shikoj jo me bisht të syrit femrën që menaxhon sallën, e cila mezi duron aromën e një parfumi gabi që kundërmoj unë pas përqafimit me një ish ushtar, sot shitës vaji ulliri! Kohë e paqendrueshme, britma kalamajsh, tek-tuk biseda pleqsh me kasketa për avionët, femra palloshe, qenushe me shumicë, muzikë idiote nëpër bare dhe ritëm jete buzë detit ku plazhet Rama i ka kthyer në pika nostalgjie për aventurat e sezoneve të shkuara! Ndërkohë i kërkoj kësaj femrës së internetit një qese nga ato që mbajnë shoferët e furgoneve!
-Po vjell dhe unë nga aroma ime, aroma e ish ushtarit, sot shitës vaji ulliri!
-Po vjellim bashkë, more i uruar, – më buzëqeshi femra…!
Eshtë vapë e njëkohësisht fresk… si gjithmonë në këtë qytet ku mallkimi dhe bekimi jetojnë për bukuri prej kohësh dhe as gjejnë kurrë arsye të divorcohen!!!

Mondi - variant pranveror
Mondi – variant pranveror

Po e njëjta ditë…
Zuskë e qenit…!
Ktheva kokën nga erdhi ai ”kompliment”! Një tip i veshur me kostum të bardhë e me një kasketë, po të bardhë kineze, me këpucë të bardha, me taka, lexonte Zërin e Popullit!!
M’u kujtua që dikur në shkrimet e tij ”antikomuniste”, ku kryeministri ynë trim dhe i nderuar, kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Socialiste e etiketonte gazetën ZP…  “zuska plakë” apo “zeher i popullit”!
Kanë kaluar kohë shumë që atëhere, jo vetëm për trushplarje me kasketa të këqija kineze, por jo aq shumë kohë sa skleroza të banojë në trurin tonë të lodhur nga kurvëritë politike, ndër të tjera!
“Zuskë e qenit…”, përsëriti kostumkasketkëpuc bardhi sërish… ndërsa unë duke ikur mendoja për të 700 herë se jemi një popull i mrekullueshëm hajvanësh, që vazhdojmë  të ushqehemi me gazeta politike, gjokse këngëtaresh, tashetheme parukieresh debile, premtime të fortësh elektoralë, raki ”t’bome vet”, copa mishrash pa hesap, gënjeshtra erotike dhe… ëndrrra pa kufi!!!

përsëri 13 maj, përsëri e martë… eh, dreqi e marrtë
A do një varr zotni? Po mundohesha para ca minutash ulur te Bolonja, pranë portit, të fokusoja me kamera hënën mes reve mbi Ujin e Ftohtë! Si gjithmonë rreth meje patjetër do ketë prostituta, pijanecë, njerëz të çuditshëm apo çmendurakë gjithfarëllojesh! Pijaneci zeshkan u ul pranë meje pa patur nevoje fare për mikpritjen time e kur i thashë se “…nuk kam akoma ndonjë nevojë emergjente për varr…” i ndikuar nga theksi im më pyeti “Nëse rastësisht isha nga Fushë-Kruja dhe shisja këpucë italiane të vjedhura! Pas disa gotash njohje me të, kuptova se ai kish blerë ca toke buzë detit e aty kish ndërtuar një varrezë private me varre të bukur të cilat i jepte me qera ose i shiste me çmim të negociueshëm!
Duke parë djersët mbi ballin e pronarit të varrezës përfytyrova veten brenda një varri guaskash zbukuruar me tufa e kurora leshterikësh dhe iriqësh deti! Ai sikur m’i lexoi mendimet e më tha se vendi ishte shumë i bukur e natën edhe mund të dilja nga varri e të lahesha në det nën dritën e hënës! “Nejse, mendohu e nesër dhe mos më luaj fjale, – më tha zeshkani i çuditshëm, që siç mësova gjatë bisedës se rrallë ishte i biri i vetëm i një gjysëm prostitute, e cila kish vdekur nga një halë peshku!!!
Tani që shkruaj jam në dilemë dhe për dreq harrova ta pyes se çfarë njerëzish kane pronotuar aty, pra çfarë komshinjsh do kem natën, buzë detit, nën dritën e hënës që sonte nuk e fokusova dot!

14 maj, e mërkurë
Po pi kafe në fund të bulevardit, në një lokal pranë Rotondës, në Skelë!
Ndërsa kamarierja më shërben, ndjej se duhet të isha bërë kurvar! Një shitës gazetash, sozi i Arvizusë, fut kokën nga dritarja në lokal dhe i shkel syrin asaj, më hedh nji shikim mua dhe me pëllëmbëm e dorës fshin qurrat e mëngjesit!
Ngadalë bari mbushet me klientë, nga ata të cilët askush s’flet me zë të ulët!
Paguaj kafenë, përballem me sytë e qeshur të kamarieres dhe nën duhmën e keqe të Arvizusë dal në bulevard! Dielli, pas shtërngatës së mëngjesit më duket më miqësor, por them ta shijoj pas hyrjes e daljes në fb!
Ideja e të qenit kurvar vazhdon të më sëmbojë!

Dashuri dhe shi
Dashuri dhe shi

15 maj e enjte,
Të dashuroj çdo çast me relakson, pavarsisht vështirsive, kaosit, dilemave, dyshimeve, xhelozive!
Të mendoj politikisht çdo çast apo dite më dërmon, më lodh, më asgjëson!
Të dëgjoj muzikë çdo minutë është si të jem në ëndërr e të jem ëndrrimtar çdo çast është si te jem muzikant i shquar!
Të lexoj çdo ditë është si të njoh çdo çast befasitë e karaktereve njerëzore e të njoh karakteret njerëzore më ndihmon të mësoj më shumë për veten time!…
Nga esseja…  “Ç’jam unë?” Edmond H!

Mbas tri orësh… dita po e njëjta
Sapo mbarova së shkruari librin tim të parë dramatik!
Tani më duhet të shpik lexuesit e tij e pak më vonë, edhe kritikët e tij!
Do jem i lumtur nëse nuk e vlerësojnë, sepse në të kundërt më duhet të shkruaj një tjetër kryevepër… si e para!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.