back to top
-2.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Fantazma e Enverit… opinion nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Fantazma e Enverit… opinion nga Ilir Seci

Fotografitë e diktatorit Hoxha nëpër ceremoni, jemi mësuar tashma t’i shohim çdo vit, kur i nxjerrin në tubimet e tyre enveristët. Në atë sensin e vëzhgimit tonë, kemi vërejtur se në ato tubime shumica e pjesmarrësve janë Ishër… Kryetarë Degësh të Brendshme, Sekretarë të Parë Partie, Komisarë e Komandantë brigadash, Nëpunës të flaktë ideollogjie, firmosës dënimesh me vdekje, shkatërrues jetësh të pafajshme, vrasës nga ata që prenë në mes ëndrra të rinjsh tek arratiseshin kufinjve, ishër… nga të gjithë fushat e jetës… zbatues të zellshëm të krimeve më të përbindshme që mund t’inkryente vetëm diktatura e proletariatit…
Në vitet ’90, kur u shpresua se erdhi Demokracia ishërit u tulatën pas fustaneve të grave, por jo për kohë të gjatë, sepse i shpëtuan ndëshkimit të merituar, falë formulës djallëzore “Të gjithë bashkëfajtorë, e të gjithë bashkëvuajtës!”
…Kur stuhia kaloi, të lehtësuar “ishërit” dolën prap shesheve, fillimisht me droje si ajo breshka që nxjerr kryet e sheh përreth me frikë, por pastaj morën zemër! Koha punoi për ta dhe vit pas viti, ceremonitë me foto të diktatorit u bënë rutinë, njejtë si kurorat e luleve plastike!
Përvit, në data të caktuara jemi të ndëshkuar të shohim lajme, pamje tubimesh ku gërxhot mbajnë në duar foton e Enverit… As për t’u mëshiruar nuk mëshirohen dot… duke i njohur se kush janë, njeriu s’mund të ndjejë veçse keqardhje, tek i sheh ashtu të drobitur, të rrëgjuar si kuaj gërdalla, kërrusur nën barrën e rëndë të mëkateve të tyre! Ai zelli i tyre prej robotësh sikur dëshmon që këta njerëz rrojnë veç për ritualin e daljes me foto në kësi ceremonish. Ritual që njëfarësoji ngjan me kthimin e shpendve shtegtarë, me ndryshimin se ndërsa zogjtë shtegtarë ndjellin pranverën, “shtegtarët” e Enverit ndjellin acarin diktatorial…
Dalja e tyre me 5 Maj të këtij viti, la shijen më të hidhur tek shumë shqiptarë që reaguan të indinjuar… Indinjata nuk erdhi nga dalja në publik e fotove të diktatorit, sepse siç thamë, s’është e para herë që rishfaqet fytyra e diktatorit të urryer. Çka e bëri indinjuese këtë rishfaqje të fotove ishte prania e ministrit të Drejtësisë – Nesip Naço, në ceremoni ku homazhet u bënë para portretit të diktatorit!? Indinjim shkaktoi nderimi me grusht i Pandeli Majkos, një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, PPSH-së me të ndërruar! Po ashtu zemëratë shkaktuan fotot e nxënësve në Përmet tek nderonin me grusht si në kohën e diktaturës!?
Nëpër gazeta apo rrjetet sociale një pjesë e madhe e shoqërisë reagoi menjëherë ndaj shfaqjes agresive të këtyre recidivave diktatoriale.
Që ka enveristë në Shqipëri, kjo është gjë e ditur, sepse në Shqipëri asnjëherë nuk është kryer dekomunistifikim, për pasojë nuk mund të zhdukej enverizmi! Mjafton të kujtojmë me kët rast përbetimet e vullnetarëve të Enverit pas rrëzimit të bustit të diktatorit, në Shkurtin e vitit 1991.

5 maj 2014
5 maj 2014

Të gjithë i mbajme mend ato turma dumbabiste, që për fat të keq nuk qenë të vogla dhe për pasojë të pamundura që të injorohen! Ata vullnetarë që përbetoheshin e hakërreheshin atëhere nuk avulluan, nuk shkuan gjëkundi… ata janë në mesin e shoqërisë shqiptare dhe herë pas herë dëshmojnë ekzistencën e tyre. Ashtu si bënë edhe këtë 5 Maj 2014, në ceremoninë e Ditës së Dëshmorëve… Veç me një ndryshim; ndryshe nga herët e tjera kësaj rradhe kishin mbështetje institucionale! Prania e ministrit të Drejtësisë në ceremoninë ku nderohej Diktatori Hoxha si dhe përdorimi i nxënësve të shkollave shtetërore në homazhe, e implikon rëndë shtetin shqiptar! Ministri Naço, i gjetur përballë kritikave u mundua ta paraqesë këtë ngjarje si episod “që ai as e ka vërejtur”?!… Nëqoftëse nuk e kishte vërejtur gjatë ceremonisë, atëhere pati rast ta vërente kur ja vunë në dukje!? Edhe pse u prit të reagonte kur ja vunë në dukje kët episod, në të vërtetë ministri asnjë qëndrim nuk mbajti!? Ministri Naço duhej të dilte me një qëndrim si ministër i një shteti që të paktën formalisht e ka dënuar  diktaturën e Hoxhës! Deri më sot nuk e ka bërë… Mungesa e qëndrimit nënkupton miratimin e heshtur nga ana e Naços!?
Pra nuk ishte një episod i parëndsishëm, por diçka më shumë!?
…Majko nga ana e vet u mundua ta kalonte me humor, siç duket është ndërgjegjsuar për statusin e vet si politikan që nuk merret shumë seriozisht, për shkak të bufonatave të shpeshta. Kurse në rastin e nxënësve të shkollës shtetërore në Përmet, të cilëve ju kërkua të nderojnë me grusht, si në kohën e diktaturës, lehtë merret me mend se kjo nuk ka ngjarë pa dijeninë e Drejtorisë Arsimore! Pra të dyja rastet dëshmojnë mbështetje institucionale dhe kompromentim të shtetit shqiptar!
Çfarë ndodhi këtë vit?! Nuk e dinte vallë Nasip Naço se çfarë jehone do kishte në shtyp ceremonia në fjalë?! …Sigurisht që e ka ditur! Po Nasip Naço është vegël e bindur e Ilir Metës dhe përmes ministrit Naço, Kryeparlamentari Meta bën gjithë eksperimentet e veta politike… Naço bën aluzione politike, krijon terrenin dhe pastaj me t’u matur ujërat fton Metën të bëjë “Lëvizjen” e rradhës… Mjafton të kujtojmë atë rastin gjatë fushatës elektorale, kur Nasip Naço trazoi ujrat politike me deklaratën: “Meta kryeministër”!… Naço e di mire se ç’bën! …Ilir Meta shtyn urët me të…!
Atëhere çfarë aluzioni politik ka prania e Naços në ceremoninë me fotografinë e Enver Hoxhës?! …A thua po përpiqen ta rehabilitojnë Babanë e tyre ideologjik Rilindasit?!
Në fakt, kjo është përpjekje për ta rehabilituar dhe ringjallur ideologjinë enveriste! Dhe kjo bëhet për shkak se është ideologjia që predikon dominimin e shtetit mbi interesat e individit, dhe ajo është ideologjia që justifikon dhunën e shtetit ndaj individëve, në emër të qëllimeve madhore!!!
Ringjallja e ideologjisë enveriste si e vetmja që ka funksionuar në zaptimin e shqiptarëve për një gjysëm shekulli, është me shumë rëndësi për jetëgjatësinë në pushtet të Rilindjes, dhe kjo i vjen shumë për shtat si metodë qeverisjeje asaj! Doemos që ringjallja e asaj ideologjie kërkon një rehabilitim (qoftë edhe të pjesshëm) të figurës së Enver Hoxhës… si simbol mbijetese! Dihet rëndësia e simboleve në ideologji, e në veçanti asaj komuniste! Nuk është fantazi kjo që po shkruajmë! Është krejtsisht e mundshme… Koalicioni Rama-Meta, i ka 84 votat e mjaftueshme për të bërë çdo ndryshim me shumicë votash!
Kjo nuk duhet harruar për asnjë çast!
Kur themi që do Ringjallin ideologjinë nuk është fjala për restaurimin e sistemit diktatorial në kuptimin e plotë fjalës. Jo!… Miliarderët e kuq, pronarët e rinj të Shqipërisë, ata që kanë vila me nga 12 banjo, ata që kanë makina dhe jahte luksoze, s’kanë ndërmend aspak të shtetzojnë miliardat e gllaberuara! Çfarë duan të realizojnë ata është: instalimi i një sistemi autokratik i ngjashëm me atë të Rusisë së Putinit! Sistem që konsiston në një fasadë demokratike, me farsa zgjedhjesh, me pluralizëm të kontrolluar nga oligarkët që dominojnë Ekonominë, rrjedhimisht dhe Pushtetin… Oligarkët tashmë kanë bërë miliarda, pronat e pronarëve të ligjshëm i kanë përvetsuar dhe praktikisht janë ata zotër të Shqipërisë, kështu që tani vetëm sigurimi dhe blindimi i pushtetit të përjetshëm u ka mbetur! Kështu atyre, u duhet të thërrasin në ndihmë edhe figurën e Babait të tyre shpirtëror – Enverit, për evokimin e kohës kur: “Shteti ishte shtet!”…
Në vitin 2000, kur Ilir Meta ishte Kryeministër, i pyetur në një intervistë se cili ishte idhulli i tij si kryeministër… ndër gjithë kryeministrat shqiptarë, ai qe përgjigjur se: “…idhull kam Mehmet Shehun!” …Ndërsa Edi Rama, që kurse është kryeministër ka nisur të flasë për “plane madhore” dhe “interesa kombëtare që po rrezikohen”…
19 maj 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.