back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Katër Mendime dhe Katër Poezi nga Leon Lekaj…

Gazeta

Leon Lekaj
Leon Lekaj

Katër Mendime dhe Katër Poezi nga Leon Lekaj…

Leon Lekaj, e ndjen poezinë në çdo qelizë të qenies së vet, prandej e ka vra kahera britmën e dukjes… Vargjet e tij lexohet lehtë, pse janë të shkrueme me at puplën klasike… problem i vetën i tyne asht mbasleximi… sepse ai të shtyn me mendue thellsisht e me i dhanë hapsinë fantazisë…
Mirseerdhe Leon, e t’kërkoj ndjesë për vonesën…
Jozef Radi

Privimi e vendos dëshirën në piedestal! (l. lekaj)

***

(Në ditën e parë të takimit me tim atë në burgun e Ballshit)

Njimijë çilsa të bindun rënkuen.
derisa u hap edhe porta e fundit.
Në ajrin që vërshoi si i marrë
im atë u mor me buzëqeshjen e harrueme
me flokët e premë shkurt
me xhaketën e vjetër, që mbante krahëve
e me shpinën e krrusun
nga pesha e fajeve
që nuk i pat ba kurrë.
Në ballin e rraskapitun i lexohej
nji shprehje e biblës
për ata që “nuk dinë çka bajnë…”

Ma prunë, pastaj ma morën tim atë.
në sytë e mi u shtrëngue grushti i kockave
dhe lotët që s’i derdhi asnjiherë.

Unë mbeta mbas hekurave primitiv
me ndigjue kangën e njimijë çilsave
kur të burgosej pafajësia.

Leon Lekaj - "Shpirt i Braktisur"
Leon Lekaj – “Shpirt i Braktisur”

***  
Letërsia i ngjet nji zogu,
i cili çdo copë qielli
e ban hapsinë të vetën. (l. lekaj)

***

M’u lute të ecja në gjurmët e tua prej ajri
ku toka, – më the, – asht ma e shenjtë se qiejt
e gjeometria e shpirtit
matet me sende të buta.
e unë renda…
U derdha me duert e lodhuna prej pritjes
drejt frikës sime të pakuptimtë
që më çonte tek ti
deri çastit kur bebja e synit tand
ra në grushtin tim t’hutuem
si nji shpend i plagosun.
Deri në çastin kur unë mbrrita me pa kjartë
se si lkundet drita e mekun
në rrugën drejt vyshkjes.
E at’herë…
në gurin e çastit të mbramë
lashë agoninë e andrrës sime.
Të jepte shpirt
mes lumit të fjalëve të tua
që prej kaq kohësh iu mungonte fryma.

Leon Lekaj - Nje Artist...
Leon Lekaj – Nje Artist…

***
Disa e shesin vedin shtrenjtë…
shumë shtrenjtë,
aq shtrenjtë,
sa s’gjejnë kurrë blerës… (l. lekaj)

***
Sonte, ke ikë, e dashtun.
Tek kandi i fjalve që s’bzajnë
ishin sendet e tua:
Nji valixhe,
nji album i boshatisun
dhe takat e këpucëve, që iu ngulën shpinës time.
Hemoragjia e ikjes
u derdh si labirint kështjelle
mbi venat e fjalve që munguen
e flaka e pishtarëve
nuk mujti me ndriçue
as kupën e lakmive tona
të lanun në mshirën e gjysmës.

Sonte, ke ikë, e dashtun.
Në tavolinë, grimcat e mozaikut tand
dhe sytë e mi të lodhun,
që megjithatë do të dinë me deshifrue
agoninë e gjestit të mëdyshun
dhe çastin e pabindun të gjymtyrëve.
që rend drejt fundit.
At’herë po!
At’herë mbylli sytë,
që të mos mundesh me pa
mortin e fjalëve që nuk lindën kurrë
dhe duert e mia të mbërthyeme fort
në pragje lamtumirash.

Leon Lekaj - Napflio 2013
Leon Lekaj – Napflio 2013

***
Bukuria e nji dite duket sapo lind dielli,
e nji gruaje sapo ajo fillon të flasë. (l. lekaj)

***
“Nostalgji”

Mbramë ra shi i përmalluem, e dashtun
sot toka asht zgjue e ngime në puthje.

Kumti i vetëtimës
u përplas te e djersituna e nji xhami
e unë s’pata kohë me braktisë trishtimin.
Dashunia qe nji truall i zhuritun
në rrugën e gjatë të frymës sonë
dhe fjalët e turbullta që riguan sysh
shuejtën veç epshin e shkurtë
e s’mujtën me të bindë
se ishe e vetmja hanë e blertë
që pikonte natës sime.

Mbramë ra shi i përmalluem, e dashtun.
Shtegtar i muzgjeve të vona
etjen rrënuese të syve të mi
e lashë në vetminë e stolit që rrinim bashkë,
mandej mbusha çastin
me të djeshmen tande.
E me zanin e lagun i pëshpërita patave të egra
për ngjyrën e bukur të ngashërimit,
që prej vitesh kisha burgosë
n’ofshamën time të mbledhun grusht.
Athinë, Shkurt 2013

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.