back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

A ka pasë diktator Shqipëria e diktaturës? esse Jozef Radi

Gazeta

 

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

A ka pasë diktator Shqipëria e diktaturës?

esse nga Jozef Radi

Shpesh kam shkruar dhe folur për diktaturën në Shqipëri, pa e anashkaluar asnjiherë diktatorin…
Në reflektimet, shënimet, bisedat dhe shkrimet mia të herpashershme, i ngërthyer edhe prej faktit se kam qenë pjesë e asaj kohe të jetuar, pra kam parë, kam ndjerë, jam shkolluar dhe kam pësuar mjaft prej atyre bëmave dhe pasojave katastrofike të kësaj diktature gjysëmshekullore, dhe  mbetem i bindur se në atë realitet të përditshëm, diktatura vërtet ushtrohej prej nji personi të vetëm i quajtur “Udhëheqsi”, por njiherit ajo ishte nji bashkëpunim dhe nji bashkrendim kriminal i atij grupi ose klani personash, të ndërvarur kryekreje prej liderit, deri ditën që ai i bënte mish për dhëmbët e tij të florinjtë, por që para ditës se “satërit” i llustronte dhe i lëvdonte aq shumë me fjalë dhe me buzqeshje të tija hipokrite, sa të mjerët harronin se pas tyre që vetëm vdekja…
Pyetja që më trazon prej kohësh dhe në vazhdimësi  ia bëj vetes është: A ka pasë vëretet nji diktator Shqipëria?!
Dhe në përpëlitje për t’i dhënë nji përgjigje si duhet kësaj pyetje, ju ftoj edhe ju në shteg të këtij refleksioni pak të vështirë.
Në analizën dhe gjykimin tim e ndjej të domosdoshme të retushoj diçka në lidhje me konceptin e diktaturës gjysëmshekullore, dhe ndjehem i detyruar të theksoj qysh në fillim se Shqipëria nuk ka pasur diktator të mirfilltë! Po, le të thellohem pak përmes kësaj analize dhe të përpiqem ta provoj këtë të vërtetë.
Në konceptin bazë, diktatorët janë figura të mëdha historike po edhe histerike; figura me shumë energji (shpesh negative e me shumë dhunë); të mbështetura me nji kolektivitet agresiv turmash dhe ushtrish po edhe me projekte gjigande pushtimesh – jehona e të cilave siguron vazhdimësi ndër kohra, dhe shumë prej tyre janë edhe sot e kësaj dite në histori. Kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë, zakonisht te popujt e mëdhenj e të fuqishëm, pse vetëm ata mund t’i nxjerrin e t’i mbështesin këta njerëz (mbinjerëz) me dritë-hije të fuqishme – si rrjedhojë edhe diktatorë të fuqishëm, dhe të shpalosin nji diktaturë si rezultat i mbështetjes së këtij tipi mbinjeriu, ku krahas negativitetit historik që ai mund të sjell si pasojë, (pse më së shumti ngrihet mbi dhunën dhe nënshtrimin e popujve), në të njejtën kohë ajo ndërton edhe nji projekt madhështor në emër të këtij apo atij populli a kombi, të cilit i përket diktatori!
Kështuqë, simbas meje popujt e vegjël, me probleme ekzistence dhe mbijetese historike e kanë të pamundur të nxjerrin diktatorë. Pra, Koncepti i Diktatorit, është produkt i popujve të fuqishëm, i popujve  që kërkojnë ekspansion në histori, i popujve që krijojnë mbiprodhime vlerash, ide dhe projekte madhështie të vetvetes, dhe fuqi ekonomike dhe ushtarake për të mbështetur nji të arthme, ku nji individ i fuqishëm i quajtur Diktator bëhet përfaqësues më sublim i atij populli a kombi, dhe e shtyn atë kolektivitet të pamasë të besojnë se ky Njeri (i dërguar i nji forcë hyjnore) mund t’i çojë ata drejt asaj lavdie që u përket vetëm atyre!!!
Nëse u referohemi diktatorëve të ndryshëm në histori, mund ta shohim se ata s’janë të paktë le të fillojmë nga Faraonët te Aleksandri i Madh, nga Jul Qezari te Neroni, nga Caligula te Xhinxhis Khani, nga Napoleoni te Robespieri, nga Lenini te Hitleri, nga Musolini te Stalini e Mao Ce Duni, pra në nji vështrim të shpejtë historik, del se këta janë pak a shumë edhe pikat më kulmore historike të diktatorëve. Sigurisht, mbas figurave të sipërpërmendura janë gjithnji popuj të mëdhenj, të fuqishëm e të rëndësishëm, me dëshira të vërteta ekspansionesh dhe pushtimesh, pra me ide madhështore ndaj vetes së tyre, dhe mund të thuhet pa ndonji ndërdyshje se popujt e vegjël as mund të nxjerrin diktatorë, dhe as mund të çojnë përpara ndonji projekt të madh për popullin apo kombin e tyre… Ata pjellin vetëm hije diktatorësh që mund t’i emërtojmë si kasapë, xhahilë, merhumë.
Popujt e vegjël s’bëjnë tjetër veçse prodhojnë shëmtyra diktatorësh, dhe shëmtyra më e afër e diktatorit, është tirani, krimineli politik ose banditi me pushtet… Këta udhëheqës popujsh të vegjël (tip Mero Lamçesh) e kërkojnë me këmbëngulje lavdinë e diktatorit, dhe janë edhe tw gatshwm ta pranojnë edhe fundin e tyre… vetëm e vetëm për t’iu kacavjerrë  lavdisë historike të gjithpërmendjes si Diktator…
Pra, popujt e vegjël, (ndër ta edhe ne shqiptarët), e kanë të pamundur të kenë një projekt madhështor. Kjo gjë në Shqipëri e ndër shqiptarë as ka qenë, as është dhe as mund të jetë e mundur ndonjëherë, sepse Shqipëria historikisht mbetet vend i nji mbijetese stoike shekullore, nji territor tkurrjesh e reduktimesh sistematike, bile gjatë periudhës së komunizmit… nëse s’mund të flitet për ndonji tkurrje gjeografike, mund të flitet me siguri për nji tkurrje shpirtërore të pashembullt të krejt nji populli, i cili tashmë kishte hyrë në konfliktin më të madh historik të tijin: konfliktin me vetveten.
Dhe investimi në këtë konflikt me vetveten sot është i dukshëm dhe i prekshëm në të gjitha planet dhe në gjitha këndshikimet…

Rrëzimi i diktatorit... 20 shkurt 1991
Rrëzimi i diktatorit… 20 shkurt 1991

***
Në bazë të kalendarit të sivjetëm historik Shqipëria, pritet të festojë 70 vjetorin e largimit të të fundmit ushtar pushtues gjerman nga territori shqiptar. Edhe pse anashkalohet e vërteta historike e kësaj lufte, mbasi komunistët dhe nacionalistët patën nji rrugë të përbashkët deri te Konferenca e Pezës, bile patën edhe nji çast eterik nyje (Konferenca e Mukjes), ku fati i shqiptarëve mund të ishte i ndryshëm nga ky i sotmi, mendoj se s’mund të ketë histori, nëse vazhdohet me idenë e kontributit të vetëm të Partisë Komuniste në këtë luftë.
Jo… Njimijë herë jo! Pse aty është edhe kontributi i shumë grupimeve të tjera politike kryesisht nacionaliste, e që në kontekstin historik, nji pjesë e tyre u shfaqën si pjesë e nji strategjie më afatlargët se ajo e Luftës së Dytë Botërore, e ku fati i shqiptarëve, s’qe asgjë më shumë se “fati i ca qindarkave të mbetura ndër xhepa pasanikësh!”.
Sigurisht, komunistët me atributet e fitimtarit, ndërtuan edhe skemën e madhështisë së fitores së tyre, përjashtuan gjithkënd dhe gjithçka që s’ishte e ngjajshme me ta (!!!) dhe e filluan kështu rikrijimin e krejt ngrehinës së historisë shqiptare, prej vetes së tyre, të ngritur mbi themele mashtrimi, dhe pa ja kursyer lavdet vetvetes. Pra nji lloj narcizmi politik që çoi në adhurimin e skajmë të Partisë (dhe Timonierit) deri në ditën e mbytjes së anijes së tyre.
Me nji shpejtësi marramendëse dhe shpërfillëse ndaj gjithçkaje të vyer e të krijuar me mundim ndër shekuj, ata krijuan heronjtë e tyre, krijuan datat e tyre historike, pompuan lavdinë e tyre, iu vunë lente shumë prej ngjarjeve minore, krijuan superpersonazhet e tyre historike, vodhën autorsi betejash e ngjarjesh, i dendën brezat me lavdira fjalimesh dhe bëmash, dhe përdhunshëm e detyruan krejt botën shqiptare të vërtitej rreth tyre, vetëm rreth tyre dhe askund jashtë tyre…
Ata shpallën dëshmorë shumë se varre, rrëzuan mite të vjetra dhe krijuan mite të reja, ata s’dhanë asnjiherë shpjegim pse numrat e tyre s’u përputhën kurrë me dokumentet e tyre(!!!!) ata krijuan armatën heroike të mashtrimit, për të mbrritur te dita e skamjes së madhe, duke e shpallur atë: ditë e Triumfit legjendar… pra, kishin krijuar gjithçka u nevojitesh për ta përjetësuar nji sundim që shpresonin të mbetej në jetë të jetëve i tyre: krijuan nji histori të vulosur me krimet dhe mashtrimet e tyre që funksionuan dhe funksionojnë…
Kështu, lavdia e asaj fitoreje që duhej të ishte e pjestueshme, tashti u përkiste atyre, vetëm atyre dhe askujt tjetër… asgjë tjetër në historinë e shtetit shqiptar s’kishte më vlerë, nëse s’qe e lidhur me ta dhe ideollogjinë që buronte prej tyre. Ja pra, me nji të rënë të lapsit qenë përjashtuar epoka dhe tradita, ngjarje dhe personazhe, gjak dhe sakrifica, kulturë e përkushtim… me nji fjalë qe cënuar krejt historia e nji kombi, në emër të lavdisë së nji hist(e-o)rie të re…
Për pothuaj pesëdhjet vjet kjo frymë u bë program, u bë doktrinë, u bë filozofi, u bë ideollogji, u bë muzikë, u bë letërsi, u bë traditë… u bë frymë u bë gjithçka… u bë ajo e quajtura e lavdishmja diktaturë, dhe u duk sikur të gjithë ne u bëmë koshientë se ishim keqësisht të nënshtruar dhe të mendimit se ajo duhej rrëzuar për të gjetur shpëtim…
Dhe projekti i çmontimit, u duk sikur nisi me rrëzimin e statujës së tiranit që të gjithë e kemi quajtur gabimisht: Diktatori. Që për çudi u sha më shumë dhe më së shumti prej atyre që e deshën aq shumë(!!!), prandaj ai nuk pati kurrë nji ndëshkim as dinjitoz, as ligjor, as të qartë e as historik nga pikpamja institucionale e këtij Shteti… që aq shumë i pëlqente të vetquhej demokratik… e që synonte dhe pretendonte Europën…
Sot, problemi më i madh e këtij përvjetori jubilar, dhe i qeverisë në pushtet, nuk është as ekonomia dhe as prespektiva, por vetëm rehabilitimi i atij grushti personazhesh që diktatura vetë i kishte shkelur me këmbë; dhe glorifikimi i atyre ngjarjeve të periudhës së saj të lavdishme, jo për vlerat që ato përfaqsojnë, por pse ajo vetë s’mund të jetonte jashtë konceptit të “Partisë mbi të gjitha”, dhe zhdukjes së “armiqve të brendshëm” nga rradhët e saj… Pra, nga vetë diktatura…
Edhe at pako gjë që ajo e kish krijuar me aq mund… e pat shkatërruar e zhbërë krejt pa dhimbje, e bindur se ajo mund të krijonte brenda natës qindra figura të tjera sepse fabrika  saj “njeriun e ri”, ai projekt afatlargët i saj, ishte inkubator i nji projekti që ndjell vetëm keq!!!

Gjirokastra - 70 vjetori
Gjirokastra – 70 vjetori

Në fund të viteve ’90, diktatura shqiptare po linte jo vetëm nji shterpësi totale ekonomike dhe pronësie, por nji humnere kulturore dhe shpirtërore! Ajo e kish varfëruar edhe veten deri në at pikë sa s’i kish mbetur asgjë tjetër veçse: “t’i ngrinte nga balta e të rivriste të rënët!!”
Pra, pjesa më e madhe e atyre personazheve që ajo i kish ngjitur me zulmë e hosanara gjer në majë të lavdisë, i kishte shkatërruar me aq cinizëm e diabolizëm sa edhe ata e kishin humbur përfundimisht raportin me vetveten. Prej asaj periudhe aq të gjatë (gati një gjysëm shekulli), ata s’kishin më as personazhe, as heronj, as ngjarje, as vepra (hiq veprat e tiranit) dhe as struktura kulturore… kishin vetëm nji projekt djallëzor të moslëshimit të pushtetit përmes nji strategjie që në dukje i brohoriste lirisë, por që në shpirt i mbetej nostalgjia e diktaturës. Të parin veprim ligjor ata cënuan në mënyrën më makabre të mundshme të drejtën e shenjtë e pronës dhe pronarit të ligjshëm.
Tani, ata s’kishin më asgjë, veç ca datave dhe ca personazhesh fytyr humbur, dhe po t’i qëmëtosh me kujdes, vëren se kët çerekshekull, beteja më e madhe politike, ekonomike dhe mediatike mbetet ajo e datave… dhe nji personazhi vetmitar, i cili mbasi qe sharë me direktivë partie dhe me libër shtëpie, pikërisht prej atyre që e kishin dashur me ashkun e shpirtit. Të tjerë heshtën dhe punuan urithshe… në pritje të kësaj dite të turpshme: Rikthimit të lavdisë së dikurshme diktatoriale të këtij Përbindëshi.
Sot mendoj, se është nderi më madh që i bëhet këtij njeriu që sundoi gjysëm shekulli me zjarr dhe hekur, duke e quajtur Diktator… Pse mendoj se diktatorët janë krejt tjetër gjë… E vërteta është se ky njeri kurrë s’ka menduar gjë të madhe as Shqipërinë e as shqiptarët… kurrë s’ia ka ndjerë që këtij vendi, që i qe shkulur më shumë se gjysma, t’ia përmendte kët gjë më së pakut edhe në rrethe të ngushta… ai njihet dhe do mbeset në histori si sundimtari më i egër dhe më i paskrupullt që polli kjo tokë, imitimi më i shëmtuar i ndonji Pashai; shkatërruesi më i madh i krejt vlerave njerzore dhe intelektuale… po edhe shkatërrues edhe krejt i atyre idhtarëve të vërtetë të komunizmës shqiptare, që ai ua rrëmbeu “teseren e kuqe” për të ngritur mbilavdinë e vet të shëmtuar…

Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit
Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit

Mendoj se gjëja e parë që duhet të zgjidhte ky 70 vjetor i ndërdyshtë, do të jetë përcaktimi i emrit të tij të vërtetë të këtij njeriu, që askush s’mund ta përzerë nga historia e këtij kombi për të këqiat që i ka sjellë atij. Për të qenë korrekt, mendoj se përcaktimi i tij mund të vërtitet rreth Tiranit të egër, kriminelit politik dhe i banditit me pushtet.
Tirani – ka më shumë lidhje me pushtetin; Krimineli Politik – ka më shumë lidhje me mbajtjen e pushtetin; Banditi me Pushtet – e sheh shtetin si çiflik të vetin, pra as si Tiran ai s’është i plotë, sepse ka diktuar shumë prej vrasjeve pa gjyq, zhdukjes së kufomave, masakrimit të kundërshtarëve, pra veprime të nji krimineli dhe banditi… Të gjitha veprimet dhe krimet shtetërore janë bërë në emër të nji individi dhe jo të ndonji ideje apo ideollogjie, veçse janë maskuar mbas tyre.
Mbi kët bazë, pushteti i sotëm kërkon me të gjitha mënyrat se festa e 70 vjetorit e fitores së Luftës së Dytë Botërore, pra “Festa e fitores mbi fashizmin, nazizmin dhe tradhëtarët”, të vazhdojë si dikur, se lavdia e madhe e kësaj fitoreje është ndërtuar mbi ndëshkimin e tradhëtarëve dhe familjeve të tyre të pafajshme, dhe se “lufta e klasave” është nji projekt i lënë përgjysëm…!!
Zakonisht popujt e vegjël janë të detyruar të veprojnë, të kombinojnë e të luajnë me rrezikun e ekuilibristit në teh të rrezikut…
Në teh të këtij rreziku edhe komunizmi shqiptar e luajti lojën e vet. Në strategjinë konstante të interesave për shkatërrimin e shqiptarëve, fuqizimi i kastës komuniste qe projekti më i goditur, dhe po ta shohësh me qetësi kët projekt dhe po ta vëzhgosh me vëmendje nga të gjitha pikat, si nga ato me dritë edhe ato në hije, mund të thuhet se ky lloj projekti ka funksionuar dhe po funksionon mjaft mirë deri në ditët e sotme.
Fakti që sot të gjithë po flasin për “rikthimin e figurës së tiranit”, për ata që e pësuan dhunën e shtetit, apo “udhëheqsit të madh”, siç përpiqen ta lustrojnë adhuruesit e tij, duke harruar se ai mban mbi shpinë krime të panumërta, e përsëris se me fjalën e tij, me direktivat e tij, me firmën e tij, me ulërimën e tij janë zhdukur mijra e mijra njerëz të pafajshëm dhe jo vetëm aq, po edhe krejt  ato vlera të rëndësishme që nji kombi të vogël i krijoi, që kurrë s’iu dha qetësia e mjaftushme për ta vlerësuar sa dhe si duhet vetveten. Kjo tregon se s’është e vërtetë se ata s’e kanë kuptuar të vërtetën historike të këtij personazhi, dhe të kohës që ai jetoi e sundoi, dhe as të pasojave që ai solli, por ata përpiqen ta glorifikojnë atë për të shpëtuar gjithçka të mundshme, prej kalimit të pushtetit politik tek ai ekonomiko-politik e oligarko-financiar, si nji falenderim për atë çka solli, duke kërkuar njiherit me të gjitha mjetet dhe mënyrat, t’u imponojnë gjithë atyre shtresave të popullsisë që pësuan në mënyrën më tragjike dhunën sistematike të ushtruar prej kësaj figure… Ky është një kërcënim ihapur, kjo është nji fyerje tashmë e shpallur që duhet të vazhdojë në përjetësi!
Kjo Figurë, i shërben sot Pushtetit si i vetmi retush, si e vetmja pikë referimi, si e vetmja përçarje-sunduese, në kët krizë të pafundme idenditeti, në këtë krizë të pafundme figurash e vlerash, që kjo frymë bande, që ky lloj pushteti i ka bashkangjitur vetvetes, dhe që pa grimën e skrupullit përpiqet ende ta shfaqë si triumf dhe lavdi të tij.

maj – qershor  2014 – shtator 2015

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Tonin Radi
    Kaq të neveritshëm kanë kenë dhe vazhdojnë me kenë sa edhe tuj sha me duket se po ju bajmë nder… Ti lamë qelbësinat në harresë meqënse nuk mujtme me ju ba kurrgja

    Jozef Radi
    z. Tonin, shpesh në gjykimin e njeriut të thjeshtë, e keqja e madhe nëpër të cilën kaluem si popull asht diçka që duhet harrue. Por në gjykimin dhe vlersimin historik, asht diçka që s’duhet harrue kurrë, sepse vijnë të tjerë breza që kanë nevojë me dijtë dhe me kuptue atë çka ndodhi, dhe cilido mendim, a vlerësim i asaj kohe, me sens realizmi merr vlerë të shumfishtë, sepse krijon shpirt vetmbrojtës ndaj së keqes, e cila asnjiherë s’e ka të vështirë me u përseritë duke shkaktue dame edhe ma të mëdha…
    Ky asht në të vërtetë edhe qëllimi i këtij shkrimi…‬
    Marrë nga Muri i fb

  2. Po a munden të gjithë të thellohen, dhe të bëjnë një analizë të tillë?! Unë mendoj se jo! Po kjo esse le t’ju mbetet brezave, se dhe historia e shkruar e Shqipërisë është shtrembëruar për se keqi!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.