back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ndalu për pak edhe ti… te Vorret e Rrmajit… Refleksion Jozef Radi

Gazeta

Vorret e Rrmajit në Shkodër
Vorret e Rrmajit në Shkodër

Ndalu për pak edhe ti… te Vorret e Rrmajit…

Refleksion nga Jozef Radi

Te Vorret e Rrmajit jeton nji pjesë e pavdekshme e jetës dhe kulturës shkodrane… e jo veç shkodrane po edhe mbarëshqiptare… Shkodra s’e ka mendue asnjiherë lavdinë si qëllim në vetvedi, ajo ka ardhë siç i vijnë lulet prendverës, dhe asht ba shpirt i qytetit,  ajo s’e ka ruejtë asnjiherë lavdinë veç për vedi, por e ka derdhë gjithkah, si nji “shi të artë”, përndryshe s’do të ishte Shkodër… E teprova?! Jo, aspak! S’kam thanë asgja me tepri deri tash, bile jam i bindun se kam thanë pak… krejt pak. Dhe m’duhet me shtue se Lavdia e Amshueme e Shkodrës s’do të kishte asnji kuptim pa Vorret e Rrmajit…
Pse Vorret e Rrmajit?!
Sepse në fund të fundit deka asht caku i gjithkujt prej nesh, po deka në Vorret e Rrmajit ka tjetër shije, tjetër kuptim, tjetër vlerë, tjetër përmasë… pse në Rrmaj s’ka veç vorre dhe emna, s’ka veç qiparisa dhe lule, s’ka veç qirij e mermerima lutjesh, ka diçka hyjnore që sapo e ven kambën njaty e ndjen që t’futet mbrenda shpirtit dhe s’të shkulet ma… Dhe, O Zot, bjema ditën e dekës, kur t’ma kesh da hisen, po ma len nji qoshe vend diku njaty në Rrmaj…
Pse n’Vorret e Rrmajt, flen lavdia e këtij qyteti, që ende rrin pip në kambë dhe i ban dritë jo Shkodrës, por gjithkah mundet… Unë s’due me përmendë emna, se lavdia e seicilit prej atyne që mundem me përmendë asht krejt e vocërr ballë asaj lavdie të përbashkët të krejt atyne gjigandave që e kanë lanë jashtë n’ajrì at dritë madhnuese që quhet kulturë, gjuhë, fe, dashni, muzikë, pikturë, fotografi, trimni, poezi, humor, mirsjellje, delikatesë, guxim, qytetni e shumçka tjetër që Shkodra e ka pasë, e zoti ka me dashtë me e pasë gjithherë me bollëk ky qytet, e kurrë jo veç për vedi…
Te Vorret e Rrmajit u ndala kësaj për diçka tjetër…
Diku te nji vorr pashë të gdhendun mbi gur nji epitaf krejt i thjeshtë… Ishte edhe nji vit i largët… kohë, kur gjuha shqipe ishte ende n’shpërgejt e gjetjes së gërmave të veta, në përplitje të gjetjes s’atij kahu kah duhej të merrte… U ndala… I kqyra me hutim e dashni ato gërma të lëmyshkta, diku edhe të brejtuna kohe, po jo të palexueshme as të padeshifrueshme. Ndejta mbas tyne si ai fëmija i hutuem mbas loje, pse desha jo veç me u knaqë me ato gërma po edhe me e zhbirilue kuptimin e tyne sa ma saktë… Deshta me e zbërthye njat mesazh të gdhendun në gur, dhe me e ndje si nji relike që mbetet mbrenda meje…
I mblodha nji për nji ato gërma, si të ishin gërma arit… i qita me kujdes prej gurit dhe i vuna mbi letër, mandej m’u desht me e kqyr njat gjuhë shqipe të gdhendun në gur, pse veç e gdhendun në gur ajo kish mbetë e pavdekshme… Me nji frymë ia dhashë at kuptim që ndoshta m’u duk ma i drejti, po edhe në mos qoftë, pak gja mundet me qenë ma ndryshe… U ndjeva i lumtun… Kisha lexue shqipen e para njiqindenjizet viteve, at shqipe të para kongreseve… pse shqipja – mendova me vedi – ka lindë pa pasë nevojë kongresesh, që shumkush rreket me jua dhanë krejt lavdinë atyne… duke harrue at rrugë të pafund mundimi që ka bà, derisa ka mbrritë me u ngulë te ajo rrasë e heshtun gurit njaty në Rrmaj…
U ndala për pak te ajo rrasë guri aty te Vorret në Rrmaj dhe të mendova edhe ty…
Kur të kesh kohë, shko e ndalu edhe ti kajherë… asht magjike… asht krejt jeta… edhe ajo e gjithsecilit prej nesh që nji ditë ka me ngulë në gur… njashtu, n’do gërma të shtrembta t’shqipes së bukur, dhe t’atyne t’shpirtnave që ecin drejt amshimit…

Varri i Gjon Kurtit n'Rrmaj
Varri i Gjon Kurtit n’Rrmaj

DRIT I PAST SPIRTI
I KUSCS GION CURTIT
UDA A PREI KSAI JET. TE JTEN
E MATE ME 2 DIT PRIDIT
1896 JETOI NGHET
E PREKU 62 VJET

(Dritë i pastë shpirti
i kushës (kushërinit) Gjon Kurtit
u nda prej kësaj jete të enjten
e madhe me 2 ditë të prillit 1896
jetoj ngjet e preku 62 vjet) Leximi im
9 qershor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.