back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ramadan Sokoli, shiti pianon për t’i paguar diktaturës botimin e librit

Gazeta

Ramadan Sokoli i ri
Ramadan Sokoli i ri

Ramadan Sokoli,

shiti pianon për t’i paguar diktaturës  botimin e librit

“Të vdesësh pasi mplakesh,
është dukuri normale e jetës,
ndërsa të plakesh e të vdesësh faqebardhë
është ngadhnjim…” r. sokoli

Kush është Ramadan Sokoli

Prof. Ramadan Sokoli është themeluesi i muzikologjisë shqiptare, kompozitor, albanolog, folklorist, historian dhe estet i historisë së artit e kulturës shqiptare. Ai është pinjolli i fundit i shquar në linjën mashkullore të familjes të vjetër qytetare e tepër të njohur aristokrate shkodrane Sokoli.
Ajo çka të befason më shumë me statusin e tij personal, është historia e titullit të tij “Profesor”.
Saga e titullit “Profesor” e ka zanafillwn në korrespondencën e tij me kolegët e studiuesit e shquar të huaj në shumë vende të botës, që i drejtoheshin me: “I nderuari Prof. Sokoli,” apo “I respektuari Prof. Sokoli” ose thjesht “I dashur Profesor”. Njerëzit “mijushe” të zyrave enigmatike e pa emër që kryenin detyra të shumëfishta, që lexonin e survejonin korrespondencën e tij përpara se t’i lexonte ai vetë, Ramadan Sokoli, krijuan pa dashje vetë sagën. Ishin ata atje që paraqiteshin si kolegë, “miq”, administratorë, redaktorë, profesionistë, që filluan instinktivisht ta thërrisnin në ambientet e artit shqiptar: “Profesor Ramadani”. E ndërsa njerëzit dashamirës e admirues të veprës së tij profesionale nuk mund ta thërrisnin veçse në mënyrën më të natyrshme një kapacitet intelektual, artistik, pedagogjik e profesional si ai, e kishin për nder e krenari të sfidonin Akademinë e Shkencave Shqiptare që e injoronte e nuk kishte kurajon t’i akordonte zyrtarisht titullin “Profesor”.
Kjo tingëllon pa dyshim ironike e cinike, kur ndërkohë etnomuzikologët, artistët, albanologët e huaj i referoheshin, citonin e rendisnin në bibliografinë e veprave të tyre emrin dhe punimet e Ramadan Sokolit, flisnin e shkruanin me admirim e respekt për kolegun e tyre shqiptar. Ata të gjithë ishin me titull “Profesor”, jepnin leksione e mbanin ligjërata në institucionet më me emër në botë. Ndërkohë kur Harvard, Oxford, Yale, Berkley-California, Stanford, Library of Congress, British Museum, kalonin peripecira nga më të ndryshmet për të gjetur e futur në koleksionin e tyre librat e Ramadan Sokolit, ai në Shqipëri, injorohej dhe emri e vepra e tij nuk futej as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Si vlerësohej nga ndërkombëtarët

Dikush tregon një histori interesante për “djallëzinë” e njohur të prezantuesve të librit shqiptar në panairet ndërkombëtare. Kjo është një histori e një bibliografi e muzikologu universitar amerikan, që i shfrytëzonte rastet e panaireve të librave për të shtënë në dorë ato libra të që përçonin ato punime të pakta artistike e shkencore shqiptare, me vlerë të mirëfilltë. Kjo kishte ndodhur diku në Gjermani. Ai, me të marrë vesh se në panairin e librit përfaqësohej edhe Shqipëria, kishte vrapuar të hulumtonte se çfarë mund të gjente në lëmin e etnomuzikologjisë shqiptare. Ai nuk po u besonte syve, kur pas shumë vite heshtjeje, po shihte emrin e Ramadan Sokolit me veprën “Gjurmime Folklorike”.
Kuratorët e pavionit shqiptar i kishin vendosur librat në mënyrë të tillë, ku emrin e Ismail Kadaresë e Ramadan Sokolit e kishin ekspozuar ngjitur me një nga veprat e Enver Hoxhes e Arben Putos. Kombinim i bukur e tepër i gjetur! Ai ishte zgjatur të merrte dy të parët, por kuratori kishte nxituar e i kishte ofruar edhe dy emrat e tjerë. Por bibliografi me politesën e mprehtësinë karakteristike të gjuetarëve të thesareve, kishte buzëqeshur e kishte thënë: “I’m sorry, it is not my field of expertise”. Ngjante sikur oferta për dy librat e dytë ishte e llojit: “Mirë, ble dy të parat për të cilat je i interesuar, e të dytat janë “free”, pa parà. Na është caktuar detyra t’i shesim edhe këto!!”.
E përmenda rastin e mësipërm sepse diçka unike është lidhur me historine e librit “Gjurmime Folklorike”. Ndoshta është rasti i vetëm në historinë e botimeve të librave në shqip, ku autori është detyruar nga shtëpia botuese të paguajë për korrigjimin e ribërjen e librit, pasi libri kishte shkuar në bocet për botim me “gabime ideologjike” e duhej të korrigjohej. Autori shiti pianoforten që të mund të paguante organet kompetente për të parë libri dritën e botimit. Kompozitori shet pianon, instrumentin me të cilin identifikon jetën e tij si kompozitor, shokun më besnik të rrëfimeve muzikore të ditëve të tij më të bukura e më të brengosura, për të nxjerrë në botim një libër që do të ndihmonte për të prezantuar kulturën etnomuzikologjike shqiptare më tërësisht e thellësisht.

 

Profesor Ramadan Sokoli
Profesor Ramadan Sokoli (foto Vrioni)

Totalitarizmi e kishte frikë dhe zili

I tregoj të gjitha këto në ditën e Ramadan Sokolit, të një njeriu që ka zbuluar, motivuar, cytur e ndihmuar shumë talente në fusha të artit, siç është muzika, baleti, opera, piktura, skulptura, filmi, etj. E për mua personalisht ka qenë ai zjarri që më ka ngrohur e busulla intelektuale, ku mësova të vlerësoj artin, filozofinë, humanizmin e të mos mposhtem e të jem krenar për origjinën time shqiptare e familjare.
Ishte ai që më mësoi se vargjet e Lasgushit përçojnë vetvetiu muzikën që Profesori e kompozoi frymëzueshëm, është ai që më shpjegoi se Naimi na tregoi se jemi shqiptarë, e Fishta, me patosin e fuqishëm poetik, na tregoi se përse duhet të jemi krenarë që jemi shqiptarë e ta duam Shqipërinë. Vitet e përndjekjeve na bënë të kuptojmë se përse totalitarizmi na persekutoi, na pati frikë, zili e njëkohësisht na imunizoi që të mbijetojmë e të tregojmë historinë tonë e të personaliteteve si Ramadan Sokoli.
Në intervistën dhënë periodikut shqiptar “Universi Shqiptar i Librit” në 1998, në lidhje me kontributin e tij, për të nxjerrë në dritë shumë emra artistësh të shquar europianë me origjinë shqiptare, dyzetë prej të cilëve vetëm në librin “16 Shekuj”, ai përmblodhi këtë kontribut…
“…Megjithë rrënimet që solli vërshimi i barbarëve në këtë truall, duke përmbytur në gjak atë qytetërim të lashtë, prapëseprapë pasardhësit e ilirëve mbijetuan pa u asgjësuar e pa u egërsuar. Historia e ka vërtetuar katërcipërisht se traditat etnokulturore nuk shuhen tërësisht pa u shuar vetë populli që i mbart ato. Duke krahasuar muzikën e Himnit famëmadh kishtar (himnit Vatikanas) “Te Deum” të Niketw Dardanit, vërehen mjaft përputhje e afërsi me jonet e muzikës sonë popullore, intonacione, stilema e madje gjymtyrë melodike të përbashkëta. Mendoj se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me çështje rrënjësh thjesht antropologjike, por me rrjedhën e 16 shekujve të vazhdimësisë ilire-arbërore-shqiptare.
Nëse grekët mesjetarë vërenin në ligjëratën muzikore të Jan Kukuzelit mjaft elementë “barbarë”, …ky fakt mund të shpjegohet me vetë prejardhjen e Jan Kukuzelit, vendlindjen e këtij muziktari arbër dhe muzikën e vendit e tij.
“Moti i Madh i Arbërit” nxori personalitete të shquara si Marin Biçikemi, Gjon Gazulli, Leonik Tomeu, Mark Bazaiti, Andrea Aleksi nga Durrësi, etj. Ata ishin të vetëdijshëm për shqiptarinë e tyre, prandaj shpirtërisht nuk u shkëputën nga Atdheu i tyre. Në pikturën e Andrea Karpaçit (1455-1526), me titull “Ngadhnjimi i Shëngjergjit” vërehet një hollësi kuptimplote. Piktori ka vendosur mes turmës një lodërtar. Kanë qenë shqiptarët që përhapën lodërtinë nëpër Europën Perëndimore. Artistët shqiptarë kanë pasuruar fondin ndërkombëtar të kultures, ndërsa vepra e tyre i përket mbarë njerëzimit, në radhë të parë, ato i përkasin kombit që i nxori nga gjiri i vet…
Kur Universi e pyet për librat çka ai lexon, Ramadan Sokoli përgjigjet: “Kush pandeh se di shumë, në të vërtetë di fare pak në përpjestim me çka nuk di. Nëpërmjet leximit të veprave me vlera, përpiqem të mbush ato zgavra madhore të njohurive të mia e të ngrihem në lartësinë e duhur për të përballuar mençurisht çështjet e jetës të përditshme…
Sapo rilexova veprën “Lavdi Çmendurisë”(Laus Stultorum). Ndonëse kjo vepër është shkruar pesë shekuj më parë nga Erazmi i Roterdamit, ende tingëllon bashkëkohore sidomos për ne shqiptarët. Tani, në këtë moshë të shtyrë, e kam kullotur tërësisht livadhin e jetës sime, prandaj dua ta shfrytëzoj mbarë e mirë këtë riskë që më mbetet. Por më mungon qetësia dhe kthjelltësia e nevojshme për të punuar. Koha që po përjetojmë është më gjëmëmadhja e kombit tonë. E si mund të punosh “kthjellët” kur mbizotëron parimi hegelian “gjithkush kundër të gjithëve”?!
Pleqëria na bind për brishtësinë e jetës. Ashtu si pranvera që nxjerr prore gjethe e lule të njoma, edhe dashuria për jetën gjinikon shpresa e frymëzime të reja. Por ky “dimër” i jetës së njeriut, që ndryshon nga qerthuri i stinëve të natyrës, nuk është mbyllje e një cikli vjetor që përsëritet pa rreshtur, por është përfundimtare. Sidoqoftë, të vdesësh pasi mplakesh, është dukuri normale e jetës, ndërsa të plakesh e të vdesësh faqebardhë, është ngadhnjim…”

Universitetet e botës e kërkonin si lektor

Vetëm pas vitit 1990, Ramadan Sokoli mundi t’u përgjigjej ftesave të shumta për të marrë pjesë si lektor në universitetet e ndryshme të Europës apo në konferencat e simpoziumet ndërkombëtare. Ai ka prezantuar punime e leksione në Gjermani, Zvicër, Itali, Greqi, Turqi, Sllovaki, etj.
Shpresojmë, pavarësisht moshës së shtyrë, të mund të vijë për një cikël leksionesh këtë vjeshtë në SHBA, i ftuar nga Universiteti i Minesotas. Për herë të parë, ftesat nuk dergjen sirtareve të aparatçikëve të artit, Për herë të parë, personalitetet e studiuesit e huaj, kur pyesin e kërkojnë të takojnë Profesor Ramadanin nëpër festivale, simpoziume apo vizita studimore, nuk marrin përgjigjen fantazmagorike:
“Fatkeqësisht, Profesori është i sëmurë apo nuk është në Tiranë, ka shkuar me shërbim, etj…, etj”. Për herë të parë (kur shteti monist shqiptar, i detyruar nga trysnia ndërkombëtare apo insistimi i të huajve), nuk organizon vizita protokollare në ambientet e Hotel “Dajti”-t, nën mbikëqyrjen vigjilente të “fytyrave amorfe të sigurimsave”, për t’i siguruar të huajt se Ramadani është gjallë e i palënduar. Për herë të parë, studentët e shkollave të muzikës e të Institutit të Arteve mund të mësojnë se autori i disa prej pjesëve instrumentale, këngëve popullore, valleve, nuk është më anonim, por është kompozitori Ramadan Sokoli.

Akademia, në zgjedhjet e fundit, nuk e zgjodhi anëtar të saj

Më në fund, në vitin 1995, Akademia e Shkencave i dha zyrtarisht titullin “Profesor”, duke e zgjedhur anëtar të saj. Ky “rehabilitim” në vitin 1999, pas riardhjes në fuqi të “internacionalistëve” fatkeqësisht nuk zgjati shumë.
Akademia, në zgjedhjet e fundit, nuk e zgjodhi anëtar të saj. Kjo gjë të kujton një shkrimtar të madh francez, i cili ishte shpërfillur zyrtarisht nga shteti i tij sa ishte gjallë. Para se të vdiste, ai u la porosi të afërmve të tij që mbi varr t’i shkruanin një epitaf, ku thuhej: “Ai ishte një Hiç, madje as Akademik”.
Emri dhe vepra e Prof. Ramadan Sokolit është përfshirë në disa enciklopedi të huaja dhe tani së fundi në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquar të Shekullit të XX, përgatitur nga Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge (Angli).
Shkrimi i fundit i Kolosit të etnomuzikologjisë shqiptare në RD e 27 shtatorit 2007. Flet për kalvarin e vuajtjeve të shumta gjatë regjimit komunist

Pse transmetohej pa emër muzika ime në Radio “Tirana”?!

Gjatë 14 muajve të hetuesisë sime përjetova vuajtjet mizore të papërshkrueshme. Kush e ka provue, mund ta di. Martirët e mjerë se ç’kalojnë, por si në shtratin e Prokustit. Në asi kushtesh kobëzeza, zor se mund të qëndroje e dilje së andejmi. Por, krahas të këqijave, pëson e mëson kush qëndron i papërkulshëm e i kalitet karakteri. Pas periudhës së hetuesisë, në gjyqin tim ishin 12 të pandehurit, ndër të cilët dhjetë ishin djem e vajza të reja. Gjykimi im zgjati vetëm dy seanca, gjatë dy mbasditeve. Ata të ashtuquajturit dëshmitarë, që na ballafaquan me deponime të detyruara, i kemi falur.
Megjithëse në gjendje të rëndë fizike, jam përpjekur me qëndrue.
Pas dënimit, vuajtëm në burgun e kanaleve të Bedenit (Myzeqe), një det mjerimi i pafund, ku lëvrohej urrejtja e martirizimi, por shpresa për të mbijetuar na jepte një fuqi mbinjerëzore. Periudha e burgut zhduku vlerat njerëzore e intelektuale të shumë njerëzve. Demoralizimi e çoroditja ishin dëmet më të mëdha që i bëri epoka e diktaturës komuniste popullit shqiptar. E i gjithë ky makth kaloi. Shumë njerëz nuk janë më, i kujtoj të gjithë me mall, me keqardhje e me nostalgji…

Ramadan Sokoli - muzikolog (1920-2008)
Ramadan Sokoli – muzikolog (1920-2008)

Kush është Ramadan Isuf Sokoli

Lindi në Shkodër, në 14.06.1920, në gjirin e një familje qytetarësh të pasur. Zanafilla e tij del nëpër gojëdhëna e sipas një peme gjenealogjike thuhet se kjo famije rrjedh nga fshati Bojaj i Sumës së Malësisë së Madhe.
Është marrë me muzikë që në shkollën fillore, ku ishte ngritur një fanfarë veglash frymore të tunxhit. Në këtë shkollë mësoi përdorimin e disa veglave. Më vonë, gjatë shkollës së mesme, mësoi përdorimin e violinës si dhe të disa veglave me tela. Në moshën 16-vjeçare filloi të krijojë këngë.
Gjatë viteve ’30, ndoqi studimet e larta në konservatorin “Luigi Cherobini” të Firences, për flaut e kompozicion.
Në vitin 1945-1946, emërohet si instruktor muzike në Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Më vonë u punësua si instruktor i filarmonisë shqiptare. Por pas një viti, për shkaqe biografie e pushuan nga puna. Pas pak kohe e emërojnë në Shtëpinë e Kulturës (1952-1953), por edhe aty e pushuan po për shkaqe biografie. Së andejmi, punësohet në Liceun Artistik si arsimtar për flaut si dhe për disa lëndë të ndryshme. Aty, për herë të parë, futi në programin mësimor lëndën e Folklorit Muzikor, duke bërë vetë dhe përpunimin e teksteve, dhe programin.
E nxorën në pension në moshën 55-vjeçare, si një arsimtar të thjeshtë, në një kohë që e ndjente veten ende shumë të fortë për të dhënë e punuar më shumë.
Sipas dëshmive të shkruara në Arkivën e Raguzës, Sokolajt rrjedhin nga malësorët e Dalmacisë. Të parët tanë kishin lidhje krushqie me feudalët e vendit. P.sh. Ibrahim Pashë Bushati u martua me Fifen e Dervishajve (alias Sokoli). Dikur, këto lidhje krushqie u prishën me Vezirin e fundit Mustafa Pashë Bushati, për shkak të vrasjes së nipave, (të cilët nuk duhet të trashëgonin titullin e familjes, por ishin fëmijët e tij që duhet ta trashëgonin). Ky kob mizor la oshëtima të mëdha. Mahmut Beu (stërgjyshi im që shpëtoi gjallë) iku me prindërit e vet dhe me kushërinjtë e vet dhe u strehua në pallatin e Sulltanit të Stambollit, ku punuan si administratorë. Pas rënies së Mehmetit, Vezirit të Shkodrës, këta u kthyen në atdhe, bashkë me kushërirën e vet dhe rindërtuan shtëpinë në Shkodër, ku linda dhe u rrita dhe unë.
Pra, siç e thashë më lart, të parët e mi kishin lidhje me Hamza Kazazin, Iliaz Pashë Dibrën, etj. Aso kohe, Shqipëria shtetërore përbëhej nga katër vilajete: Shkodra, Shkupi, Manastiri dhe Janina.
Bash në kohën e iluminizmit dhe të Kongresit të Berlinit, vendi ynë mjerisht u cilësua nga diplomacitë “një shprehje gjeografike”, prandaj shqiptarët patriotë po flijoheshin për copëtimin e vendit tonë, i cili po ndahej në katërsh, duke e gjymtuar nëpërmjet kufijve të dhunshëm. Në këto rrethana, Hodo Mahmut Sokoli la votrën për mbrojtjen e tërësisë tokësore. Një mori burrash trima e liridashës u tubuan në Bibliotekën e Pazarit të Vjetër. Hodo Mahmut Sokoli, nga ballkoni i ngrehinës, mbajti një fjalim të zjarrtë: Pastaj shkëputi dekoratat dhe gradat e larta, madje zhveshi rrobat ushtarake dhe i zëvendësoi me rroba kombëtare. Ndërkohë, u hoq nga shtiza flamuri turk e në vend të tij u vu flamuri kombëtar shqiptar. Kjo ngjarje e shënuar bëri jehonë të madhe – siç u shpreh poeti kombëtar Gjergj Fishta: Nëpër shtatë krajlitë i vojti nami, Ky nam është ruejt deri më sot nëpërmjet këngësh popullore, të cilat vijuan të këndohen deri në kohën tonë:

Hot e Grud ishin betue,/ Ulen n’Shkodër me ba dert,
Pa gjak malet mos me i lshue,/ Jena nisë me u ba millet.
Shkodër e Malësi janë çue,/ Duen me zgjedhë nji komandant.
Hodo Pasha asht emnue,/ Nuk ka çajre pa na ardhë.

Trimat shqiptarë të kryesuar nga komandanti i tyre te Ura e Rrzhanicës, qëndruan e ngadhnjyen. Këtë ngjarje, me të drejtë, e përmendin si një akt demokratik e heroik të historisë sonë kombëtare.
Më vonë i kurdisën një grackë, e futën në një anije luftarake turke dhe e dërguan në Stamboll, ku i bënë gjyqin. Së andejmi, të dënuar e dërguan në Azerbajxhan, ku vdiq ose më mirë plasi nga marrazi.
Në jetën familjare, ai ishte fatkeq. E kush mund t’i tregojë vuajtjet e tij. Në vitin 1936, Mehdi Frashëri, ministër i qeverisë së atëhershme, i vuni emnin “Hodo Beg” një rruge në Tiranë dhe një rruge në Shkodër, për ta nderue këtë hero kombëtar. Unë, përshembull, u linda në këtë shtëpi dhe u rrita me një frymë patriotike, me një dashuri të madhe për atdheun”.
Si u inçizuan rreth 1000 pjesë në shirit magnetofoni?
“Jam marrë me muzikë që në shkollën fillore, ku ishte ngritur një fanfarë veglash frymore të tunxhit. Në këtë shkollë mësova përdorimin e disa veglave. Më vonë, gjatë shkollës së mesme mësova përdorimin e violinës si dhe të disa veglave me tela. Në moshën 16-vjeçare fillova të krijoj këngë, si psh: “Blegëron delja”, me tekst popullor.
Më vonë nxora këngën “Lulja me erë”, e cila u përhap edhe përtej kufijve shtetërorë, nëpër Kosovë. Theksoj se kjo këngë, gjatë lëvizjes studentore 1981-1985, me tekst të ndryshuar, u bë një himn kushtuar lirisë kundra shtypjes kombëtare e genocidit serb.
Gjatë viteve ’30, vajta në Itali, ku ndoqa studimet e larta në konservatorin “Luigi Cherobini” të Firences, për flaut e kompozicion. Nuk kisha bursë e asnjë ndihmë shtetërore, meqë im atë ishte i internuar politik nga fashistët. Nga kjo kohë, midis krijimtarisë vokale e instumentale mund të përmend një “Nokturn”, përkushtuar shokut tim Qemal Draçini, i cili më 1947 vdiq si martir në birucat e Sigurimit.
Pasi u ktheva nga shkollimi, u emërova si instruktor muzike në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, në vitin 1945-1946. Më vonë u punësova si instruktor i Filarmonisë Shqiptare. Por, pas një viti, për shkaqe biografie më pushuan nga puna. Pas pak kohe më emëruan në Shtëpinë e Kulturës 1952-1953. Edhe aty më pushuan po për shkaqe biografie. Së andejmi më punësuan në Liceun Artistik si arsimtar për flaut si dhe për disa lëndë të ndryshme. Aty, për herë të parë, futa në programin mësimor lëndën e Folklorit Muzikor, duke bërë vetë dhe përpunimin e teksteve dhe programin. Ndërkohë vazhdoja lëvrimin e etnomuzikolgjisë në terren, duke kryesuar ekspedita shqiptaro-gjermane (1957), si dhe shqiptaro-rumune (1958). Nëpërmjet ekspeditave të lartpërmendura u inçizuan rreth 1000 pjesë në shirit magnetofoni.
Fillimisht transmetohej muzika ime në Radio “Tirana”, por pa emër. Pak e nga pak filluan të jepnin ndonjë edhe me emër, si p.sh., rapsodi për pianoforte, koncert për flaut e orkestër, duete për vegla frymore (flaut, oboe ose klarinetë). Një kuintet veglash frymore. Një kuartet për klarinetë e harqe, disa miniatura për klarinetë e harqe, elegji për violë e violinë, valle për orkestër, “Buzë liqenit” (Suitë orkestrale). Gjithashtu, janë botuar dy vëllime me miniatura për piano. Ndërsa për vokalet janë përpunuar disa syresh, si “Tufë këngësh për fëmijë”, “Mallëngjimi arbëror”, “Burimi në mal”, “Dhimbja e nënës”, “Kënga e fundit e Jeronim de Radës”, “Dimri-sipas poezisë së Ndre Mjedës”, Korale e shoqëruar me pianoforte.

 

Profesor Ramadan Sokoli
Profesor Ramadan Sokoli

Nga botimet e shkruara po përmend:

“Vallet shqiptare”, nëntor 1954
“Fjalët e përmbledhura në lëmin e muzikologjisë”, në buletinin shkencor 1956
“Metrika dhe prozodia jonë popullore” (nëntor 1953)
“Melodika jonë populloe” 1960
“Humori dhe satira në lirikën tonë popullore” 1961
“Rreth muzikës sonë popullore” 1961
“Rreth muzikës shqiptare në kohën e Skënderbeut”, muzika dhe shkenca (Revista “Shkenca dhe jeta”)
“Figura e Ali Pashë Tepelenës” (Revista “Ylli” 1970)
“Mbi Veprimtarinë e Fan Nolit si kompozitor”
“Këngët e dashurisë”, në revistën “Mehr-licht”
“Sistemet e shkrimeve muzikore”, Rev.”Ylli”
“Gjeneza e flamurit dhe Hymnit kombëtar”,
“Hyllësi e këngëve të bektashianëve”

Ramadan Sokoli - 16 shekuj
Ramadan Sokoli – 16 shekuj

Përveç këtyre janë botuar në frëngjisht, në revistën “Les lettres albanaises” një numër artikujsh për personalitetet e kulturës dhe muzikës shqiptare, duke filluar me Niketë Dardanin i shek. IV, Jan Kukuzeli i shek.XII, Letërkëmbimi Dragomirshizkit me Gjergj Kastriotin, Skënderbeun: Fan Nolin, si dhe një seri artikujsh për piktorë, skulptorë e arkitektë. Disa më të rëndësishmit janë: “Lahuta dhe këngët e kreshnikëve”; “Ndihma e gjuhës sonë për muzikologjinë”; “Rreth gurrave të muzikës sonë popullore”; “Gjama mortore”; “Folklori muzikor shqiptar”; “Lorenc Antoni”; “Kryeveprat e artit parahistorik”, etj. Shto këtu edhe disa shkrime të botuara në Revistën “Shqipëria e re”, në gjuhë të huaj, si dhe në gazetën “Eurorilindja, dhe në revistën “Pionieri”.

Janë skedarizuar, pra, disa qindra shkrime të botuara në bibioteka të ndryshme. Ndër këto dallohen edhe librat:
1. “Les dances populires et les instrument muzicaut du people Albanias”, Tiranë 1958
2. “Chansun populaire Albanais (Albanskije narodinije poesni)”, Tiranë, 1965
3. “Figura të ndritura – Jan Kukuzeli e Andrea Aleksi”, Tiranë 1965
4. “Folklori muzikor shqiptar -Morfologjia”, Tiranë 1965
5. “Metodë për fyell”, Tiranë, 1970
6. “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, Tiranë 1971
7. “Folklori muzikor shqiptar – Organografia”, Tiranë, 1970
8. “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1984
9. “Figura e Skënderbeut në muzikë”, Tiranë, 1978
10. “Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1982
11. “Këngët patriotike”, Tiranë, 1985
12. “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë 1991
13. “16 Shekuj, Tiranë”, 1995
14. “Në botën e gojëdhënave shqiptare”, Tiranë, 2000
15. “Antifonari i Durrsakut Danush Gjergj Lapacaja”, Tiranë, 2001
16. “Përtej 16 Shekujsh, Tiranë”, 2002
17. “Pjesë shqiptare për fidanishen e pianistëve të rinj”, Tiranë, 2002
18. “20 miniatura pianiste”, Tiranë, 2002
19. “Krijime e flijime”, Tiranë, 2003

Përveç këtyre, më mbetën për të shtypur rreth katër vëllime mbi doket e zakonet “Nga djepi deri në varr”; “Rreth mjeteve popullore”; “Rreth 12 mijë vargje të këngëve popullore”. Kjo nuk është punë e pakët dhe as e vogël.
(marrë nga gazeta rd 2008 – nuk figuron autori)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.