back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Për zërin… dhe koncertin e Blertës… nga Jozef Radi

Gazeta

Blerta Zhegu 2012
Blerta Zhegu 2012

 Për zërin… dhe koncertin e Blertës… nga Jozef Radi

Nesër në Akademinë e Arteve, Blerta Zhegu nji soprano mjaft e re dhe premtuese, që po i ngjit shkallët e karrierës artistike me nji siguri entuziazmuese, jep koncertin e saj të parë recital… Sigurisht nji koncert pretendues, po të merret parasysh fakti se ende janë të pakta vitet që ajo ka mbaruar studimet, por tashmë zëri i saj i latuar në rrugë drejt perfeksionit, i përgatuar ndër kohra me mjeshtra si Nina Mula, Nathaniel Brodsky (ish solist i operas në Chicago dhe Metropolitan), pedagogu Giulio di Raco i Konservatorit “Claudio Monteverdi” në Bolzano dhe mjaft të tjerë artistë me të cilët Blerta Zhegu ka punuar dhe punon, duke kaluar edhe nëpër prova jo fort të lehta, si fjala vjen rolet kryesore te “Carmina Burana” dhe “Elisir d’amore” në Teatrin e Operas dhe Baletit, apo sinfonia e katërt të G. Mahler, realizuar në Quito të Ekuadorit, vepra të cilat mbeten jo vetëm dëshmi të talentit dhe përkushtimit të kësaj vajze të re, po edhe të punës së palodhur dhe besimit se me zërin i saj, ajo do ta thotë me forcë çka ndjen e çka vlon në shpirtin e saj prej artiste të talentuar…
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në koncertin e saj, ku Blerta më ftoi me gojë dhe me shkrim, si nji lloj faljeje, po përpiqem ta portretizoj Atë… ashtu si kam njohur këtu e njëzet e tre vite ma parë… po edhe si vazhdoj ta njoh sot e kësaj dite… kur ajo ishte nji krijesë e imët dhe e pupëlt, delikate dhe e ndjeshme, e ëmbël dhe shpotitëse, me dy sy të vëmendshëm që befas bëheshin të përhumbur; që aq shumë ishte e lidhur me gjyshët e saj, miq të hershëm të familjes sime, Mit’hat Araniti dhe Agime Pipa… Dy figura intelektuale brilante, të cilat komunizmi jo vetëm i burgosi, jo vetëm i interrnoi dhe i rrënoi të dy, po s’i la asnji mundësi as vajzës së vetme të tyre Odetës, të mbaronte nji shkollë… edhe pse vetëm nëpërmjet prindërve të saj ajo njihte disa gjuhë të huaja dhe kishte njohuri enciklopedike, në të gjitha fushat…!!
Kështuqë, sa herë shkoja t’i takoja gjyshët e saj, gjeja Blertën duke kënduar në oborr (s’di pse ai oborr më dukej si shesh i zymtë kështjelle, dhe ai zëri i saj i hollë e delikat sikur vinte nga kohë të largëta…)! Blerta këndonte gjithnji dhe sa herë që e shihja, i thoja të më këndonte diçka të re… dhe “e reja” e saj ishte diçka “e vjetër” e gdhendur, e latuar dhe përpunuar prej të tjerëve, duke u bërë pjesë klasike edhe e saj… Mbas çdo here shihja si ndryshonte zëri i saj, ngjyrosjet e timbrit, gorgexhiot, repertori muzikor, por interesat e saj ishin dhe mbetën përjetsisht klasike… Tefta Tashkon, fjala vjen e kishte mjaft për zemër dhe disa prej këngëve të saj janë filtruar edhe përmes zërit të Blertës…
Kështu ajo u rrit, u zgjat u, përsos ashtu kokfortësisht… edhe pse ngjitesh me droje në skenë… isha i bindur se ajo do të mbrrinte një ditë të ishte divë…
Prej kohëve kur këndonte “në lagje” patëm nji pakt bashkë… që kur ajo të bëhej “e famshme”, do të jepte nji koncert recital enkas për mua…!! Jam i sigurt që e kam fituar bastin me të, sepse s’jam fort larg asaj dite kur do të thuhet… Para jush: sopranoja e njohur… dhe do vazhdojë të duartrokitet emri i saj… Po sot është fjala që nëpërmjet këtij koncertit recital, së bashku me pianisten Lirika Pula – Kasapolli, të dëshmoj se mbetem ndër të parët që e kam ndjerë dhe kam besuar se ku mund të mbrrinte zëri dhe talenti i kësaj vajze, që gjithsesi ka mbetur po aq e ëmbël dhe po aq e brishtë… si dikur…
Suksese Blerta, uroj të shkëlqesh, edhe për pamundësinë time për të qenë në koncertin tënd dhe të pianistes, që vërtet është gratis, po të jesh e sigurt se të gjithë ata që do ta ndjekin at koncert do të ndjehen të pasuruar prej vlerave të tua të padiskutueshme…!
8 maj 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.