back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një mbrëmje e zakonshme njujorkeze… nga Alida Jolie

Gazeta

Alida Jolie - Mëngjes janari i fillim 2014-s
Alida Jolie – Mëngjes janari i fillim 2014-s    

Një mbrëmje e zakonshme njujorkeze…

nga Alida Jolie

30 janar 2014
Një mbrëmje e zakonshme si gjithë mbrëmjet e këtij qyteti pakufi…
Po kthehesha për në shtëpi me metro, dhe mora trenin e linjës së verdhë që të të çon në skaje të ndryshme të New York-ut. Metroja, në orët pas mbarimit të punës ose siç quhet ndryshe “rush hour”, është përplot me njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve qëndron në këmbë mbasi vendet janë pothuaj të zëna. Linja N ndaloi dhe unë u gjeta brenda. Fatmirësisht pashë që s’kishte shumë udhëtues. Kjo më lejoi të gjeja një vend bosh dhe ulesha… Libër me vete atë mbrëmje s’kisha, kështu që i lëshova sytë përreth për të parë cilët ishin bashkëudhëtarët e mi atë të premte të akullt janari… dhe syri më ndali te një personazh i çuditshëm. Kush ka patur rastin të udhëtojë me metro në e NY e di fort mirë se kjo shfaqje nuk është e pazakontë. Tipa të të gjitha llojeve mbushin metrotë këto vitet e fundit. Bile, mendoj që të gjithë këta, e kanë gjetur vendin e tyre të ekspozimit pikërisht në vende të tilla, që mos të humbasin mes turmave, avenjuve dhe rrugëve plot turistë të metropolit.
Këngëtarë, valltarë, predikues, fallxhorë, lypës të çdo rrace e ngjyre, personazhe të përditshëm lëvizës, por personazhi që kapi syri im kët mbrëmje ishte një “medituese”. S’e di nëse ishte vërtet yogiste medituese, por po e emërtoj kësisoj. Qe ulur këmbëkryq dhe kish zënë një pjesë të madhe të stolit e as donte t’ia dinte për ndokënd tjetër që ishte në tren. Trupin drejt, sytë puthitur hermetikisht, duart në prehër…. Po vëreja se ajo përtypej tërë kohës, a thua se kishte fara luledielli. Në të vërtetë, s’kishte asgjë. Ndoshta e vrasin protezat…! mendova me vete. U mundva të mos e shoh, por qe e pashmangshme. Tani jam përballë saj dhe dua s’dua sytë më përplasen tek ajo. Me marifet nxjerr celularin nga xhepi dhe filloj të bëj atë që s’duhet bërë, por e ndjej se është më e fortë se unë, ashtu shkujdesshëm filloj dhe e fotografoj medituesen që përtypet qetësisht si gamile. Ajo në botën e saj, unë në botën time… Ndjehem paparac që momente të tilla s’i lenë asnjëherë t’u ikin nga duart. Sa herë bëj foto të tilla ndjej brenda vetes një të qeshur që fillon e formohet ashtu qetësisht derisa kërkon të shpërthejë furishëm. Marr frymë. Thonë se frymëmarrja në raste të tilla të ndihmon. Mundohem ta kontrolloj të qeshurën, por e kam të pamundur. Qesh me vete si e marrë. Ul kokën dhe mundohem të strukem në qoshen time për të mos rënë në sy. Hedh sytë rreth e rrotull për t’u siguruar që askush s’po vëren lëvizjet dhe të qeshurën time nën hundë. Ndoshta jam unë ajo e çmendura. E qeshura s’më ka lënë bile sa vjen e më shtohet, kur shoh personazhi përballë që rri ulur pranë meditueses e më sheh me sy qortues dhe investigues njëkohësisht. Mundohet të kuptojë qëndrimin e çuditshëm të tjetrës. Hiçasgjë. Tund kokën dhe mundohet të mos bezdiset nga prania e saj, që mbi dhjetë minuta as i ka hapur sytë fare. Tjetra rri ashtu e strukur në vetvete me sytë mbyllë që të mos shohë asgjë rreth e rrotull…

Alida Jolie - Daily news...
Alida Jolie – Daily news…

Konduktori automatik njofton stacionin dyzetenëntë të linjës N. E panjohura ngrihet dhe me sytë si përgjumësh më vështron ngultas, a thua se më kishte parë gjatë gjithë kohës që unë e kisha fotografuar. Zbret nga treni dhe unë ndjehem si e çliruar nga e gjitha ajo skenë.
Papritmas një zë burri më thotë: “Ajo e meritonte ta fotografoje!”. Aty e qeshura ime që ishte gati të venitej, u kthye sërish, por kësaj here pa ndjenjën e fajit se mos e shihnin… Tjetri filloi të komentonte… se sa e çuditshme i qe dukur e panjohura. Biseda me të panjohurin që kam në krah sa vjen e rritet. Më kishte parë dhe dëgjuar gjatë gjithë kohës dhe unë xinxërfillja pandehja se tjetri as e kish mendjen. Qesh prap me vete, por nuk trazohem aspak. I pohoj tjetrit se merrem me fotografi, si për ta justifikuar veten dhe flasim pa teklif dhe qeshim krejt lehtësisht, duke theksuar se kësi situatash janë tashmë pjesë e jetës së metropolit tonë, i cili është përplot me pamje dhe njerëz mjaft interesantë.
Më pyet për punën, nga jam dhe si quhem. Kur i tregoj emrin, të cilin s’e kishte dëgjuar më parë më komplimenton për emrin e bukur. Pyetjen për emrin e prisja. S’është hera e parë që më ndodh, kështu që s’habitem.
Ai vazhdoi me pyetjet e tij.
-Ç’do të thotë emri yt?
Ndalem nji çast para se t’i përgjigjem. – Emri im ka dy kuptime. Të dy kuptimet i pëlqej, sepse më duket se më identifikojnë më së miri.
-Fisnike… i them.
Më shikon në sy me të qeshurën që i formohet në fytyrë, dhe thotë “Ah vërtet, shumë fisnike e gjitha kjo skenë sonte!” Qeshim.
-Po ju si quheni?
– Ahmer.
-Hmm… Eh, ç’kuptim ka?
-E kuqe.
-Ah, e kuqe… si vera që do pi sonte – i them, – Apo “Emri im është – e kuqe” si libri i Orhan Pamukut.

Alida Jolie - Ndodh edhe kshtu...
Alida Jolie – Ndodh edhe kshtu…

-Po po, fiks ashtu. Bile, mendoj të bëj një film me atë emër, meqë ai ma paska “vjedhur” emrin e librit… vazhdoi ai duke qeshur.
-Pas ca vitesh do i kthehem filmbërjes… dhe më tregoi si kish studiuar për ca kohë dhe më pas i qe futur “ligjit”, si profesion më solid e fitimprurës.
Stacioni tridhjetë… njoftoi mbrritjen e tij në destinacion. U ngrit, më përshëndeti duke më uruar një mbrëmje të këndshme. Me mirësjellje më falenderoi për bisedën spontane dhe krejt të rastësishme të asaj mbrëmjeje.
Një mbrëmje me të panjohur të rastit, me personazhe të çuditshëm, me njerëz ashtu si unë që s’rrinë dot pa kapur çaste të këtij metropoli… kudo… në rrugë, në bare, në tren, në metro, ku gjallojnë kombësi dhe njerëz nga më të ndryshmit.
Eh, ky është New Yorku… thashë
Interesant, afashinant, i çmendur pafundësisht, por që s’të le bosh asnjëherë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.