Nga Tomorri i Beratit në Tomorrin e Janinës
Prof. Ramadan Isuf Sokoli
Një vështrim mbi këngëtimet mistike bektashiane
Populli ynë brez mbas brezi i përkujton ngjarjet e shënuara përmes këngëtimeve dhe gojëdhënave. Përndryshe, pa aso dëshmish shkrimore do të ngeleshim pa ndonjë kujtim të së kaluarës. Nëse nuk përmendej e kaluara jonë, me përvojat e me pësimet do të ngeleshim si kalimtarë pa lënë gjurmë. Si shumica e kombeve që kanë të kaluarën përkatëse, edhe ne e kemi të kaluarën tonë: por mjerisht pak kush e njeh si duhet.
Me të drejtë profeti Musaj (Moiseu), para se të vdiste, u la porosi pasardhësve që kurrsesi të mos shpërfillej e kaluara, (Deratoronimi 32/2) por ta shpëtojmë nga harresa.
Profeti Muhamed ka thënë se: “Kush njeh vendin e vet ka njohur edhe Perëndinë…”, prandaj e kemi ne për detyrë të gjurmojmë e të qëmtojmë njohuritë, porsi shenjtë shpirtërorë të vetëdijes sonë kombëtare.
Këngëtimet e bektashianëve dmth., ilahitë, gazelat e kasidetë, divanet, mevludet etj., shpalosen me një spektër të gjerë që shtrihen në shumë sfera të ndryshme. Ato këndohen e tregohen në rrethana të ndryshme, qoftë të përcaktuara qoftë të pa paracaktuara. Ato kanë tematikë e tipologji të ndryshme, ato i përkushtohen Perëndisë, krijuesit të gjithësisë, profetit Muhamed “Lavdu Qoftë” si dhe Profetëve paraprijës Dautit (Davidi), Musajt (Moiseu), Nuhit (Noeh), Isait (Jesusi) etj., si dhe shenjtorët Imam Aliut, Imam Hysenit e Imam Hasanit, Qerbelasë, Haxhi Bektashit e të tjerë shenjtorë e besimtarë.
Siç dihet eposi famëmadh i Qerbelasë u frymëzua nga masakra e Imam Aliut së toku me Imam Hasanin e Imam Hysenin që bënë kërdinë me salvimet (10.10.620). Hunqar Haxhi Bektash Veliu pat themelu në Anadoll me 1266, Teqenë e parë bektashiane.
Bëje ura e çezme/ Puse për sevap/ aman o Dervish
Teqeja që ngrite/ sipër në Kulmak/ Aman o Dervish
Ligjërata e këtyre këngëtimeve poetiko-muzikore shtjellohet me një larushi masash ritmike të thjeshta si dhe të përbëra, gjithashtu të përziera, të çrregullta e të lira. Kjo larushi e pasur masash ritmike përkon me larushinë e këngëzave metropozodike ku bashkëjetojnë parimi i lashtë i këmbëzave me parimin e rrokjeve. Vargjet e këtyre këngëtimeve tubohen me strofa përmasash të ndryshme me ose pa refrene, me gjasërime të ndryshme plot me liri vjershërimesh, me shëmbëlltyra e krahasime, dmth., me alegori metafora, metonomi etj., që shëmbëllejnë me një minierë xeherorësh të çmueshëm.
Këto këngëtime shtjellohen me gjithfarë shkallësh tonalo-modale të lashta (frixhiane, doriane, jonike, eoliane etj.) si dhe me të ashtuquajturat “perdeh” lindore (dyqah, huzam, huseini, nevish, raas e zyl etj.).
Kjo ligjëratë poetiko-muzikore është përgjithësisht e kuptueshme e shtjellohet me tinguj thelbësorë pa ngarkesa lajlesh e stërhollimesh. Ndërmjet këngëtimit të strofave rëndom u prin njëfarë preludi i gërshetuar me “interlude” e “postlude”.
Krahas shembëlltyrave dhe alegorive në këto këngëtime janë të shumta nënkuptimet me shprehje ndjesish dhe ndijimesh.
Këto ligjërata nuk janë porsi mëshikëza apo flluska boshe, por vrunjojnë nga hapësirat e përsiatjeve duke shprehur fuqinë e botës së mbrendshme e shumë nga thellësitë e shpirtit. Ato pasqyrojnë vetë jetën e popullit me mjedisin përkatës. Ato pasqyrojnë cilësitë gjuhësore, me veçoritë krahinore. Midis veçorive krahinore mjafton të përmend dallimet e frakturave me nënshtrim parapolifonike e polifonike të Shqipërisë Jugore.
Jo rastësisht në ritualet e bektashinjve, poezia dhe muzika dalin në pah me këngëtimet dhe me veglat vetëtingëlluese (idiofone) si troka, dhe temeleku (membranofone).
Pa u zgjatur me shkoqitje të imta thuhet se vallet, këngëtimet dhe ligjëratat e Bektashinjve shtjellohen me muzikën e vet tradicionale. Sipas dëshmive të udhëpërshkruesit Evlija Çelebiu ushtroheshin për këngëtimin e Kuranit në Medresenë e Beratit.
Në një ndër shllimet e Bektashizmave si postulat është ky: “Çfarë të mbjellësh në këtë jetë, atë korrë në botën tjetër…”
Ky shllim përforcohet edhe në ketë këngëtim të mjeshtrit Isuf Myzyri:
Këndon kumria ku bie fyelli/ Po rrëfen brengët e veta,
Kështu tha Isuf Myzyri/ Çin t’kërkosh atë gjeta
Ndërsa ky këngëtim është një farë hymni:
Kushdo që na e do të mirën/ Pastë ndihmën e hynqarit tonë
Ne përbuzim të vështirën/ Sepse kjo është udha jonë
Ndërsa tek ky këngëtim përkushtuar Baba Reshatit, shpalos pëlqirat e tij:
Në kullë të besimit, në sofër bujare/ I dha dritë tokës anembanë
Rritur me vuajtje me besë te Zoti/ Derbujare e derbaroti
Lidhur përherë me dritën e bujarit/ Nuk ju tut kurrë persekutimit
Dhe më tutje vazhdon me strofë:
Me fjalë zemre me shpirt lirie/ Ty të falim o yll perëndie
Ndërsa në këtë këngëtim nga Muhibët e Gjirokastrës (2004) spikat dëshira e vetëdijes kombëtare përkushtuar idealit e lirisë si dhe mbrojtjes së atdheut:
Të më bëje dhe të më doje/ Të më bëje o Zot ç‘të doje
Një zog që je zog qe/ Një zog që të fluturojë
Fushë e male fushë e male/ Mbi baba e mbi baba
Mbi baba o të mos shkojë/ Tyrbeja dhe tyrbeja
Tyrbeja e cile me boje/ Të kujtojë e të kujtojë
Të kujtojë o të kujtojë
Për qartësimin e vështrimit të shprehjeve vagulluese nuk shkoqiten me disa fjalë të rëndomta shllimet me misticizmat superiore.
Le të shikojmë edhe këtë këngëtim të mjeshtrit Isuf Myzyri i cili, i pikëlluar nga thashethemet e nga ngatërresat, parapëlqen të jetojë i vetmuar në mes të pyllit.
Zoti ju dhashtë bujarinë/ Që s’e latë udhëtarin jashtë
Buk e venë edhe raki/ Në ket kasolle mblue me kashtë
Bariu mikun e dëfren/ Edhe fyellit duke i ra
Zakone të vjetra i rrëfen/ Kështu gjyshërit na kanë lanë...
Dhe përfundon
Sa ëmbël po i bie fyellit/ Kush ka veshë me e ndigjue
Larg u ndodh Isuf Myzyri/ Bariut afër ju afrue.
Krahas porosive fetare, dervishët bektashianë udhëzojnë mirësjelljen larg mllefeve në marrëdhënie me të tjerët, kundra epsheve dhe veseve, që ua çartin zemrën shumëkujt. Udhëzon kundër egoizmit, dmth., kundër “unit” vetjak, kundra mashtrimit, urrejtjes dhe vrasjes.
Udhëzon zbulimin e mangësive vetjake, dmth., tundimet e djallit që çartin virtytet dhe pëlqirat e larta si mirësia, butësia shpirtërore, dashamirësia, deri tek flijimi. Ndryshe nga grindavecët larg thashethemeve dhe ngatërresave, dervishi duhet të jetë i çiltër, i drejtë, i matur e shembullor, i arsyeshëm duke synuar ndaj përsosjes morale.
Kur njeriu të zotërojë vetëqenien lëndore deri në shkallën eprore mund të shkrihet me Perëndinë, siç e ka përcaktuar mistiku ynë Baba Rexhepi.
Në këtë botim shquhen shllime të tilla:
Shkon e vjen si vetëtima/ Ti shkëlqen gjithësinë
Ose ky nënkuptim po nga Teqeja e Drizani:
Ti je drita e agimit/ Ti je shpresa e shpëtimit/ Ti je yll që ndriçon
Gjithashtu po nga aty:
Je haxhi Bektashveli/ për ty digjem si qiri
Si plaku dhe çilimiu/ Ndaj të falem qemetriu
Krahas këtyre qarkullojnë edhe këngëtime për tyrbet, për vendet e shënuara ku janë varrosë bamirësit e shenjtë. Aty në ditë të caktuara shtegtojnë pelegrinazhe, si psh., në Teqen e Kulmakut të malit Tomorr i quajtur “I shenjtë” ku blatohen therore.
Në trevën e Beratit, në këtë perlë etnokulturore të Shqipërisë, rrëzë malit Tomorr, mendohet se aty ishte një faltore përkushtuar “Zeus-Diellit”, pikërisht aty në selinë e Hyjnive. Në atë mjedis rronin murgj të lashtësisë. Me kalimin e kohës ai tempull pagan u shndërrua në faltore të Krishterë e pastaj përfundoi në Teqe Bektashinjsh. Sipas traditës së lashtë vinin aty pelegrinët besimtarë dhe blatonin therore. Kjo traditë u trashëgua nga kultet e lashta brez mbas brezi, dhe arriti deri në kohën tonë. Theksojmë se me të njëjtin emër, Tomorr, i trevës së Beratit, kemi një tjetër mal Tomorr pranë Janinës, ku dikur ndodhej Orakulli i Dodonës. Lashtërisht, sipas kulteve të trashëguar, murgjit e ponitshin për çdo agëshol të diellit, me urime duke goditur një farë mjeti vetëtingëllues (idiofone), prej guri ose prej druri, porsi troka e arbëreshëve. Ky mjet vetëtingëllues me kalimin e kohës u zëvendësua nga çanga metalike. Sipas një gojëdhëne popullore të arvanitasve, që banojnë aty maleve dhe që kanë ruajtur një traditë gojore që është një visar shumë i çmuar, rreth e rrotull Orakullit të Delfit, pandehej se jetonte një murg i padukshëm, i pastër e madje i shenjtë që godiste troken duke shungulluar (shih Aristidh Kola në “Gjuha e Perëndive” Tiranë 2004).
Kjo krahinë e bukur me një sërë fushash pjellore e luginash herë të pyllëzuara e herë të zhveshura, por plot me dritë e me ngjyra të gjalla, shtrihet nga vargmalet lindore të Gramozit deri te Joni në perëndim. Kryeqendra e Çamërisë është Janina, pranë liqenit piktoresk 500 metra mbi sipërfaqe të detit, ku e kishte selinë e vet shqiptari Ali Pashë Tepelena.
Gjatë një pelegrinazhi myhibi bektashian Ibrahim Hasnaj u frymëzua kësisoj:
Atje ku shpirtrat çdo natë pastrohen/ Atje ku hynqari predikon
Ku lahen e pastrohen./ Atje ku rrezja botën ndryshon
Ndërsa në përkujtim të Qerbelasë po cekim këtë këngëtim të Zhurit të Kosovës (i incizuar në 2004)
Seç po fryn flladi i lehtë/ Kujton luftën e vërtetë
Kujton trimat atje ku ranë/ Ja Hasan e Ja Hysen
Ndërsa kjo elegji Kosovare përkujton dëshmorët
Nana i rriti moj qyqe/ Për vatan shehit ka ra
Lumja nana ç’ka lindë/ Lum Kosova ç’ka rritë
Nuk ju dhimet jeta kurr’/ Për liri e për flamur
Nji plagë force nji plagë dheu/ Jam shqiptar e musliman
Në këtë botim shquhen shumë këngëtime të devotshme atdhetare të përkushtuara vendlindjes (autori Shefqet Bajo).
Durrës qytet i bekuar/ Nga çdo anë që shikon/ Thesaret e tu vëren
Mbrenda teqeve nuk këndohen këngët e ashtuquajtura “të buta” dmth., erotike, jo fetare. Me këtë rast ia vlen të përmendet një këngë e tillë me njëfarë fryme shekspiriane, ndonëse i lartpërmenduri ishte i paarsimuar:
Sikur bota të errësohet/ Sikur dielli nuk ndriçon
Sikur syu të verbohet/ Vetëm ti mos m’u idhno
Dhe pas gjashtë strofash katërshe përfundon
Ti për mua je vetëm gëzim/ Ti je flladi që më qetëson
Ti je paqja, ti bekimi/ Ti je ylli që ndriçon.
Nuk mungojnë shembujt e pasqyrimeve të gjendjeve shpirtërore si psh:
Pleqëria është me huqe/ Unë i marrë e i shkalluar
Një kupë të bardhë dhe një të kuqe/ Pose vdekja tu afrua
Dhe duke përfunduar:
Jetë të gjatë ju shokë të keni/ të përqafuar të këndoni
Me shëndet kupat t’i ngrini/ Por edhe neve të na kujtoni
Pa u zgjatur me tujte rreth cilësisë së repertorit që kushtëzohet mjaft nga variante e ndryshme, le të ndalenii edhe pak rreth marrëdhënieve me folklorin muzikor duke vënë në dukje se kemi një përmbledhje botimesh:
Mori molla mirselie/ Në ato male në ato hije
Atje shi e borë nuk bie/ Binte serma fije fije
Theksojmë se një këngë e tille është këngë jo vetëm e bektashinjve por e repertorit përgjithesisht të Tiranës duke përfshirë edhe të krishterët.
Këtu nuk është rasti i volitshëm për shqyrtime me të hollësishme rreth parimeve mistike apo estetike. Mjafton të nënvizojmë pasqyrimin e vet truallit, të vendlindjes si dhe vetëdijes kombëtare duke përçuar mesazhin shpirtëror të kohës me virtytet, besën, bujarinë, trimërinë, atdhedashurinë etj., me provaninë hyjnore.
Shkencëtari famëmadh Albert Ajnshtajni ka thënë se:“Përfytyrimi është më i rëndësishëm se njohja”
Të hetosh përtej cipës së dukurive e të zbulosh thellësitë përtej njëmendësive dmth., çka nuk dëgjohet e nuk shihet me sytë e ballit, nuk është punë e lehtë.
Shumë e ndërlikuar është çështja e gjenezës së këtyre krijimeve poetiko-muzikore për të shkokluar marrëdhëniet e ndërsjellta, ndikimet dhe shartimet si dhe përthithjet nga burime të ndryshme por pa paragjykime. Nuk duhet harruar se kemi përjetuar periudha dyndjesh kohore të mëdhaja me ndikime Lindore, me huazime dhe ndikime trajtash dhe stilemash të ndryshme. Zakonisht kur temat, motivet, stilemat etj., shtegtojnë nga një vend në tjetrin, ato, si të thuash “aklimohen” prandaj marrëdhëniet dhe shkëmbimet apo ndikimet e shartimet e përthithura nga burime të ndryshme kundrohen si pasurim i traditës etnokulturore.
Latinët e lashtësisë thonin: “Ex orient lux” – që do të thotë se: “drita vjen nga lindja”.
Së andejmi vrunjojnë e rrjedhin shllime fetare e filozofike se toku me shume dukuri të rrafshit lëndor e shpirteror.
Siç u tha më lart nuk duhet harruar se atdheu ynë ka përjetuar dyndje me batica e zbatica në drejtime të ndryshme. Prandaj zor se mund të përcaktohet gjeneza e disa marrëdhënieve, të cilat ende nuk i njohim tërësisht e në mënyrë të mjaftueshme. Sidoqoftë huazimet e aklimimet duhen gjykuar jashtë parimeve puriste dhe raciste që nuk pajtohen e nuk përligjen me njëmendësinë tonë. Nuk njoh kund ndonjë traditë etnokulturore pa ndikime, pa huazime e pa shkëmbime të ndërsjellta, pra të kulluara. Vetëm shkretanët, ose shpellakët parakë nuk kanë mundësi të marrin as nuk kanë ç’të japin. Populli ynë ndërkohë dijti të japë e të marrë çka i nevojitej, të huazonte çka i pëlqente, por jo me përdhuni.
Krijimet poetiko-muzikore të traditës etnokulturore shëmbëllejnë pak a shumë me krijesat e gjalla. Ato lindin, zhvillohen, rëndom tjetërsohen dhe dikur, shumë syresh, shuhen. Erakliti para 2000 vjetësh thoshte se “…gjithçka rrjedh me kohën… gjithshka përçohet porsi rrjedha e lumit… asgjë nuk qëndron në amullsi…” Bash vetë në ndryshojmë në çdo çast. Kjo dukuri është në vetë natyrën e jetës.
Në gjirin e teqeve dervishët, ndonëse dëshironin një jetë të qetë e si të tërhequr, prapseprap ishin të lidhur me jetën e vendit. Madje shumë syresh përpiqeshin me mish e me shpirt për çlirimin kombëtar. Disa prej tyre u bënë fole arsimi dhe kulture. Në selitë e tyre u ndërgjegjësuan për atdhetarizmin, u bënë luftëtarë liridashës e disa syresh u flijuan dhe ranë dëshmorë. Në gjirin e teqeve u brumosën një yllësi krijuesish poetiko-muzikorë. Mjerisht disa kanë ngelë ende të panjohur nga mërtisja e tisit të anonimisë. Mjafton të përmendim me këtë rast mjeshtrin Isuf Myzyri, ndonëse i paarsimuar, por i njohur anembanë atdheut si lëvruesi i krijimtarisë popullore i lidhur shpirtërisht me mjedisin bektashian.
Kjo traditë etnokulturore mbetet ende e pastudiuar mirë dhe e panjohur tërësisht, e do të mbetet e pavlerësuar pa qëmtimin e pa botimin e tërësishëm. Për ta bërë këtë nevojitet punë ndërdisiplinore, nevojiten mjete e kushte të domosdoshme, sidomos nevojiten aresyetimet e drejta. Ndërkohë botimet e deritanishme të këtyre këngëtimeve kanë ngelë të çveshura nga jonet përkatëse. Rrjedhimisht ate janë të gjymtuara e të “thata”, e bash duken si “shurdhe” e pa zë.
Kësodore, Dhimitër S. Shuteriqi në “Histori e Letërsisë Shqipe”, Tiranë 1951, në një kaptinë të veçantë rreth bejtexhinjve (fq. 33 e tutje) ka shprehur mendimin e tij plot me gjykime të pasakta e të gabuara. Midis të tjerash ai shkruante se: “Duke pushtuar Shqipërinë Turqit suallën me vete edhe kulturën e tyre. Gjuha zyrtare u bë turqishtja, gjuha e fesë së re që u përhap në pjesën më të madhe të popullit ishte arabishtja, me të shumtit u bënë ata që nisën të njohin e të përdorin turqishten e shkruar. Veçanërisht feudalët e përfaqësuesit e tjerë të shtresës sonë të pasur të Shqipërisë, të cilët shërbenin në ushtrinë turke” e më tutje: “kultura turke përhapet veçanërisht në vendin tone duke filluar që nga shek. i XVII. Kjo kulturë zu rrënjë nëpër qytetet e qendrat fetare si teqetë…”
Ndokush thotë për brengën e Dhimitër S. Shuteriqit që e paskan detyruar që të mos përmendte emrat e disa autorëve të nëmur nga komunistët. Mirëpo, pa u kërkuar falje viktimave të tyre të shumta, në “Fjalori i Gjuhes së Sotme Shqipe” Tiranë 1980, hartuesit, Prof. Androkli Kostallari me shokë shkruan me përçmim për: Bektashizmi, ky sekt i muslimanizmit, i cili ka ekzistuar në të kaluarën në Shqipëri. Ai i ka cilësuar si “bejta” me përçmim, si vargje pa vlerë.
Në krijimtarinë e tyre vërehën perla të hijeshisë estetike, me një hyllësi autorësh si Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, e deri të poeti kombëtar Nairn Frashëri. Ato sollën një laryshi temash, motivesh dhe trajtash poetiko-muzikore. Ata pasuruan euritminë e parimit “sasior” me risimet e gjaseramjeve (rima), apo bashzanimet në fund, dhe në mes të vargjeve. Me kumbime të këndshme.
Ndryshe nga sa mëtohet nga hartuesit e lartpërmendur të Fjalorit të Gjuhës Shqipe se: “këto bejta ishin në zhdukje e sipër, kjo pandehmë përgënjeshtrohet duke përmendur këngëtimin: “Si u jeta për flamurin” kënduar nga bektashianët e grupit të Lazaratit me rastin e Festivalit Folklorik Kombëtar në Berat në 1995 (ata e kishin ruajtur të gjalle me gjithë përpjekjet për çrrenjosje të regjimit), krahas shumë shembujve të këtij botimi.
Veprimtaria e bektashinjve në Shqipëri është fakt i hershëm. Hë për hë me njohuritë e deritanishme ende nuk mund të përpilojmë një historik shterues. Vetëm mund të them se teqeja më e hershme e bektashinjve shqiptarë në Shqipëri është ajo e Kaninës së Vlorës themeluar nga Sinan Pasha (1451 -1512).
Pas kësaj vjen Teqeja e Harambashi Babait të Tetovës ndërtuar në 1538.
Haxhi Bektashi pat kryesuar karakterin islamik të frymës shpirtnore. Jo rastësisht në atdheun tonë u përhap shpejt dhe u rrënjos që në shekullin e XIV. Mendohet se vetë Skënderbeu bashkë me nipin e tij Hamzanë, në rininë e tyre, qenë rreshtuar në trupën e Bektashinjve të Jeniçerëve, – siç thuhet në librin e Baba Ali Tomorrit me titull “Libri i Bektashinjve” (botuar në Tiranë me 1929), – shih Moikom Zeqo “Syri i Tretë”, Tiranë 2001, fq. 43)
Siç është venë në dukje – përmes një broshurë (Shih Ramadan Isuf Sokoli me titull Antifonari i Durrsakut Gjergj Danish Lapacaja, botuar 1998) tradita jone poetiko-muzikore e sferës fetare qoftë e trashëguar gojarisht e brez pas brezi, qoftë e trashëguar nëpërmjet dëshmive shkrimore, është një ndër lëmet kulturore nga më të pa hulumtuarat.
Dihet se në vendin tonë bashkëjetojnë besimtarë katolikë, pranë trashëgimeve bizantinë dhe islamike. Veçanërisht traditat liturgjike arbëreshe të Italisë Jugore, ku nëpër famullitë apo nëpër mungatat janë ruajtur thesare të mirëfillta me vlera studimore të shumta. Ndryshe, këtu në Shqipëri, kanë munguar pothuajse fare perimtimet shkencore rreth kësaj sfere, sepse kanë munguar kushtet paraprake për një veprimtari të tillë. Veçanërisht në Shqipëri ka munguar përkrahja e tillë. Deri me sot asnjë muzikolog nuk është ngarkuar zyrtarisht që të shqyrtojë Kodikët e Purpurtë të Beratit; ose perikopenë ungjillore të Bibliotekës Ambroziane, nga pikëpamja muzikologjike. As nuk është ngarkuar nga ndokush që të qëmtojë, të gjurmojë e të tejshkruajë ilahitë dhe mevludin se toku me trashëgimet e tyre poetiko-muzikore të traditës isiamike. Lidhur me këtë traditë dëshëroj të vë në dukje se me rastin e ekspeditës shqiptaro-gjermane të vitit 1957, incizuam në Shkodër mevludin kënduar shqip nga tre tenorë të shkëlqyer. Shiriti origjinal i atij incizimi ndodhet (mjerisht!) në fonotekën e Institutit të Shkencave të Berlinit Lindor.
Asokohe nuk u pa e arsyeshme që edhe këtu në Shqipëri të kishim një kopje të dytë të incizimit. Madje për këtë punë, autorit përkatës i që hequr vërejtje “nga lart”!!
Dihet se hartimi i poemit poetiko-muzikor përkushtuar mevludit dmth veprimtarisë se Profetit Muhamet, në gjuhen shqipe, ka një traditë të hershme, mbi 250 vjeçare. Deri më sot numërohen 15 autorë mevludesh duke filluar me Hasan Zyko Kamberin, për të vazhduar me Hafiz Ali Korçën, pastaj H. Ali Ulqinaku, H. Ibrahim Dalliu, Sheh Ahmet Shkodra, H. Abdulla Zemljaku, L. Floqi, Tahir Pajtovci, Faredin Osmanin, Idriz Lame, Ll. Veliun, Zejnullah Azis Hasani, Sheh Xhevdet Shehu, Shefki Hoxha, Haxhi Ciko, Sulejman Elbasani H. Islami, Mullah Mehmet Hasani se toku me Idriz Laskan (në Amerikë) dhe Fahredin Osmanin (Gostivar) etj…
Ndërkohë këtu në Shqipëri qenë marrë masat për studimin dhe restaurimin e disa faltoreve por as që është menduar për krijimin e kushteve të volitshme për gjurmimin e traditave poetiko-muzikore-fetare.
Vetëkuptohet se gjatë dhjetra vjeçareve të shtetit parti moniste këtyre traditave nuk u përkushtohej asnjëfarë kujdesi. Përkundrazi ishte një punë plym me rreziqe e me kërcënime. Me këtë rast u marr leje lexuesve që të përmend përvojën time të hidhur.
Lidhur me një dokumentar kinematografik përkushtuar muziktarit Jan Kukuzeli, për të cilin pasi e bllokuan për ta asgjësuar me premtuan disa vjet burgim për agjitacion e propagandë fetare. Veç kësaj po përmend edhe bllokimin përkohësisht të një studimi rreth Niketë Dardanit botuar në revistën “Les Lettres Albanaises”, për shkak të atij studimi rrezikohej asgjësimi i botimit për karton, së toku me pasojat.
Gjatë zgjedhës së kuqe, e sidomos pas vitit 1966, u ndalua veprimtaria fetare. U vunë në shënjestër e listë të zezë një mori autorësh e veprash të botuara e dorëshkrime, të shfaqura ose të pa ekspozuara. U dëmtuan biblioteka shtetërore e private. Një yllësi krijuesish të ndritur atdhetarë e liridashës, ithtarë të palëkundur e të paepur të idealit kombëtar e pësuan keq. Nëpërmjet gjithfarë akuzash, shpifjesh e trillimesh u ndëshkuan, madje u salvuan nga ajo çmenduri e tërbuar. Vallë kush mund t’i përshkruajë gjithë atë mizori egërsirash.
Siç e thotë vetë emri “Utopi” (dmth Kërkushi) me një idealizim si ajo e përfytyruar nga Tomas Muri nuk ka as nuk ka pasur gjëkundi si ajo që kaloi vendi ynë. As porsi “Qyteti i Diellit” përfytyruar nga Tomas Kampanelli me një shoqeri marcianësh, gjoja racionalistë e të “katandisur në numra” çnjerzore si përbindësha, gjithashtu sajesa artificiale të tilla si ajo “Republika” e Platonit, një shoqëri e “idealizuar” që nuk i përket kësaj bote. Kush ka synuar njëmendësimin e një shoqërie të përkryer nëse do të ngjitej në fuqi do të zhgënjehej nga dhuna e tragjedia ku njeriu ishte i shtypur nga totalitarizmi, pa u pajtuar me zgjedhën që shtyp të drejtat e njeriut falë Sigurimit të Shtetit. Siç thoshte parrulla “utopia e shuar, por rrofshin utopitë!”
Asnjëra nga fetë Abrahamite, (dmth Hebraizmi, Kristianizmi dhe Islamizmi) nuk e përligjin dhunën. Përkundrazi ato synonin mirëkuptimin. Feja e pastër dhe e mirëfilltë, mbështetur në drejtësi në mirësi dhe në virtyte i afron njerëzit me Perendinë. Të treja fetë e lartpërmendura kanë pika të përbashkëta, ndërsa në vend të urtësisë, mirësisë dhe dashamirësisë se ndërsjelltë përkundrazi kush shpif, kush urren, kush mashtron, kush shtyp e vret, kush bën prapësi, vepron kundra lartësisë hyjnore. Sipas Kuranit: “Pa atdhe nuk ka fe!”
Kuptimplote është fakti se Shën Gjergji e Shën Niketë Dardani, këta shenjtorë paleokristianë, në ikonografi pasqyrohen jo si paqësorë, por të armatosur me shpata, me mburojë, etj., të detyruar kështu nga rrethanat e jetës për të mbrojtur lirinë.
Bektashinjtë e mbështetën parësisht pavarësinë kombëtare. Përveç zbatimeve fetare ata luajtën një rol të rëndësishëm shoqëror e politik në dobi të pavarësisë kombëtare. Gjatë zgjedhës së huaj të treja fetë e ndryshme, pa dallim ndërmjet tyre, janë përpjekur e kanë luftuar me penë e armë në shërbim të atdheut kundrejt dasive fetare. Ka mbizotëruar mirëkuptimi me epërsinë e vetëdijes kombëtare. Fetë e ndryshme nuk sollën përçarje, por sollën tolerancë gjatë vorbullës së fuqive të errëta, të cilat sollën shqetësime lidhur me trojet shqiptare përtej kufijve shtetëror të tanishëm. Me të drejtë padija është kundruar si armiku parësor i fesë. Prandaj teqet e dervishëve u bënë vatra të arsimit amëtar. U bënë gjithashtu përkrahës e strehë e çetave liridashëse kur u dha njëfarë kushtrimi kundra lukunisë gllabëruese të fqinjëve tanë. Këshilli atnor bektashian vendosi mevetësinë në gjuhën shqipe. Në Kongresin e parë të shqipes së Bektashinjve (4-17.01.1920) u shpall pavarësia e Tarikateve Islamike, duke u paraprirë hapjes së rrugës Autoqefale Ortodokse në përpjekje për predikimet në gjuhën shqipe.
Pastaj në gusht të 1922, Fan. S. Noli themeloi në Berat Kishën Autoqefale Shqiptare duke mënjanuar Patrikanën në çeshtjet kishtare lidhur me pavarësinë kombëtare.
Asokohe kërkohej me çdo kusht që të largoheshin udhëheqësit e huaj, veçanërisht të zboheshin ngatërresat antishqiptare, për të evituar copëtimin e mëtejshëm të atdheut.
Dikur dervishët përndiqeshin nga pushteti në fuqi, prandaj besimtaret e teqeve vepronin në fshehtësi. Po përmend me këtë rast dëbimin e bektashinjve nga Shkodra në fillim të shek. të XIX.
Asokohe u përndoqën e u shkallmuan teqetë, u masakruan kundërshtaret liridashës. Egërsisht më mizore nga të gjitha është shpallja e vendit tonë “Ateist” (me forcë) si vendi i parë ateist në botë.
Siç u tha më lart, pati një intolerancë ndaj besimtarëve që mendonin ndryshe. Ata u përndoqën tinëzisht gjatë kremtimeve fetare, jo vetëm nëpër faltore, por deri në banesat private. Famëkeqja “Luftë klasash” u përkeqësua. Me 1967, u mbyllën faltoret, u shembën selitë e kulturavë të ndryshme dhe u shëmben shumë mungata e teqe. Zgjedha e kuqe ndali ushtrimin e fesë pa dallim besimi qoftë musliman e qoftë të krishterë; u përndoqën e u salvuan klerikët liridashës, u burgosën, u torturuan e u vranë duke shkaktuar rrëke lotësh e gjaku. Madje u përndoqën jo vetëm të gjallët rrezikzes, por edhe të vdekurit me prishjen e vorrezave e tyrbeve.
Por me gjithë përndjekjet dhe salvimet prapë se prapë rezistuan dhe mbijetuan.
Tani Bektashianët përbejnë një tarikat nga më të përhapurit e më të njohurit të Islamizmit në mbarë botën me seli Kryegjyshatën në Tiranë.
Pas shpalljes se pluralizmit në Shqipëri vendi ynë u fut në zhvillimet demokratike, u rihapën faltoret, mungatat, teqet e tyrbet. Disa syresh u rindërtuan rishtazi. Pra u lejua besimi fetar. Njerëzit e dremitur u zgjuan nga ankthi. Rrjedhimisht u përtëri lulëzimi i gjithësisë shpirtërore dhe i vetëdijes. Ndryshe nga pandehmat (Shih fjalori i gjuhës shqipe të sotme) nuk u shfarosën besimtarët e përkushtuar, as nuk u shua zjarri i pashuar nëpër tempujt.
Pas gjithë këtyre vuajtjeve dhe salvimeve, ende me vrragët e plagëve të thelIa, në vend të brerores së degës së ullirit nuk duhet të shkojmë së prapthi porsi gaforrja me atë “libertas non liberta” për t’u katandisur si është më keq. Zoti na ruajtë nga mashtrimet shpirtliga me atë pjellë të skotës mjerane që na gremisën në zgrip të humnerës së mjerimit të pafund. Shpresojmë se ish të përndjekurit me gjithë fatin e tyre tragjik e të ngujuar porsi Prometeu të dërrmuar e të cfilitur, prapseprap, qëndruan e mbijetuan kundra shfrytëzimit. Shpresojmë se liridashësit u kalitën përmes përpjekjeve për të qëndruar të paepur me pikësynime të larta e largpamëse.
Me shembjen e zgjedhës së kuqe të ateistëve, me lirinë e besimit fetar, gëluan mashtrimet. Në këtë kohë mbinë si këpurdha gjoja “disidentët” të brumosur me botëkuptimin materialist të monoteistëve duke përqafuar mistikën kësodore. Moikom i Zeqo në vëllimin “Princërit e Mistikës” ndonëse Sekretari i II i PPSH i rrethit të Durrësit e Ministër i Kulturës në Republikën Socialiste, shpallet me lehtësi e pa ndrojtje si i tillë (disident). Nevojitet jo vetëm guxim por edhe paftyrësi, pa u zoritur, pa u penduar e pa u shfajësuar e pa kërkuar ndjesë.
U shemb Muri i Berlinit par ndërkohë “nostalgjikët e diktaturës” ngritën shumë mure e shumë gardhiqe përçarjesh, e tani zor se mund të dallosh mashtruesat dhe përdhunuesat nga viktimat.
Shoqëria e depolitizuar po përpiqet të çlirohet nga shtypja dhe dita ditës përkujdeset për mirëqenjen, që ta gëzojnë jetën me parimet etike të butësisë shpirterore, bujarisë, miresjelljes dhe mirësisë.
Rrokja e tërë këtyre çeshtjeve të ndërlikuara, thellimi dhe zgjerimi i njohurive tona kërkojnë rritjen përtej shikimit tonë.
Ndërkohë janë zbuluar genet që u japin veçoritë e bërthamave qelizave. Aty nga gjysma e shekullit të XX, falë studimeve të biologjisë molekulare, shkenca arriti të depërtojë në të fshehtat e jetës, pra u zbulua struktura e molekulave të genit DNA. Kësodore nëpërmjet studimeve biologjike të molekulave u arrit shkoqitja “rreth strukturës molekulare që përbën cilësinë e qenieve të gjalla. U dëshmua se kromozomet e vezës së fekonduar, trashëgojnë disa veçori nga nëna e baba, duke përbërë njëfarë kodi gjenetik. Prandaj rrjedhin ndryshimet. Qeniet njerëzore përbëhen nga të njejtat elemente lëndore, por megjithatë janë të ndryshme. Trupi njerëzor ka mori e mori qelizash me shumë se yjet e Kashtës së Kumtrit, që vërtiten në harmoni. Shumë prej tyre vdesin dhe rigjenerohen për çdo sekondë. Valle çka i ujdisë e çka i mban të gjalla atë mori maramendëse të thërrimeve dhe elektroneve?
Vallë kush përjeton përsiatje të tilla marramendëse nuk tronditet, por shpritërisht ngrihet lart e ma lart në kohë e hapësire të pa censuruar. Kush vallë lehtësohet duke shkarkuar peshën përkatëse arrin në skaj të qenies tokësore, kush sodit lart në kupë të qiellit të spërkatur me mijëra yjesh ndërsa miliarda qelizash të gjalla shuhen e rigjenerohen për çdo çast i duke pikluar me rreshje e rrshekë derdhur në oqeanin e pafund të gjithësisë, duke u shkrirë me lënde organike. Vetëm Perendia që vrenton e kthiellë mund të zbërthejë këso çështjesh shpirtërore. Deri diku mund ta shprehë edhe poezia e muzika e frymëzuar dhe e përkryer.
Përparimi njerëzor bëhet nëpërmjet përpjekjeve të vijueshme. Por kjo temë meriton një shtjellim të posaçëm në kushte të volitshme.
Dëshiroj të përmend mitin e Sizifit të mitologjisë së lashtë. Sipas gojedhënës, Kryezoti i Olimpit qenkësh zemëruar me Sizifin dhe e paskësh ndëshkue në skëterrë ku detyrimisht duhej të ngrinte përpjetë një shkrep deri në majë të sukes. Por guri i madh pa arritur deri në majë të përpjetës rrokullisëj teposhtë. Kështu mundeqari i shkretë robëtohej e stërmundohej papushim. Sizifi, ky me i mënçuri i tokësorëve ishte i bindur për një punë të tillë të kotë, si merimanga që endte dhe çendte pa pushim pezhishkën.
Kështu qenka fati i hidhur gjurmuesit ëndërrimtar të zhgënjyer që arrin në muzg të jetës: i rraskapitur e cfilitur, por i heshtur. Vetëm dy pikla lot nuk i përmban përmes qepallash, – pikla lot me të rënda se shkrepi.
Mbamendja e bartësve rreth traditës popullore ka kufizimet e veta dhe zor se mund të mos mbulohej edhe nga harresa. Prandaj shkruhet në shtresë të bardhe me ngjyrë të zeze, kësodore nëpërmjet kundërtisë dalin në pah shumë dukuri, hijeshia kundër shëmtirës, del në pah mirësia kundra se keqes, del në pah dashamirësia kundrejt urrejtjes.
Arritëm në përfundim.
Për një shtjellim organik e shterrues të këtyre këngëve e poezive mbeten shumë kufizime, mbeten ende shumë zgavrra. Nevojiten akoma gjurmime e perimtime nëpër të gjitha krahinat e atdheut. Ende kanë mbetur të panjohura e kushedi se ku struken në ndonjë skutë. Ky botim në gjuhën shqipe rreth kësaj tradite etnokulturore kaq të gjerë fillimisht është i kufizuar. E kanë për detyrë Studiuesit e Etikës si Instituti i Kulturës Popullore, me Akademinë e Shkencave t’i përvishen kësaj pune pavarësisht bindjeve politike socialiste dhe komuniste. Përgëzoj muzikografin Pëllumb Katroshi për nismën e tij. Padyshim ai është përballur me shumë vështirësi duke çelur shtigje të pashkelura gjatë qëmtimeve e tejshkrimeve muzikore. Uroj me përzëmersi që autorit të këtij botimi t’i prijë e mbara me prurje të mëtejshme.
Prof. Ramadan Isuf Sokoli
Tiranë, 29. 03. 2005