back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Mësuesi që la gjurmë n’shkollën shqipe te Kosovës – nga Dr. Lazër Radi

Gazeta

Lazer Radi 1995
Lazer Radi 1995

Mësuesi që la gjurmë në shkollën shqipe të Kosovës

nga Dr. Lazër Radi

Fragmente nga biografia e mësuesit dhe atdhetarit Ndue Kolë Vorfi

Në historinë pedagogjike kombtare shqiptare nji vend të randsishëm zen edhe mësuesi Ndue Kolë Vorfi, i cili që nga viti 1916 e deri në vdekje zhvilloi nji luftë të pakompromis për përhapjen e arsimit shqip dhe të ndjenjës atdhetare kudo ku flitej shqip, ndër ato treva të shkeluna nga i huaji. Motoja e veprimtarisë së tij arsimore ishte: “Të hapen sa ma shumë shkolla shqipe në të gjitha foletë e shqipeve”.
Ndue Kolë Vorfi rrjedh nga nji familje e mesme qytetare. Ishte i biri i Kolës dhe i Dinorës. Nduja u lind në Prizren me 2 Mars 1898. Në kushte tepër të vështira mundi me krye shkollën fillore dhe të mesmen tregëtare në qytetin e tij të lindjes. Nën ndikimin e mësuesit veteran Mati Logoreci dhe të mësuesit Pal Lumezi, u edukue me frymën e rilindasve. Fati e desh me u rritë dhe me u zhvillue intelektualisht pikërisht n’at kohë kur vala atdhetare e lëshueme nga mbledhja e Lidhjes shqiptare të Prizrenit kishte pushtue shpirtnat e krejt atyne që flisnin gjuhën e bukur shqipe. Pikërisht në at kohë kur shpirti i tij po vlonte në vrellën e këtyre ndjenjave të nalta patriotike, në moshën 18 vjeçare emnohet, mësues dhe Drejtor shkolle në Zllakuqan të Pejës. Këtu Nduja hapi shkollën e parë shqipe, të cilën e drejtoi për tri vjet rresht (16 gusht 1916 e deri 18 tetor 1919). Sipas librit botue në frengjisht: “Gjendja e minoritetit shqiptar në Jugosllavi”, promemorie e paraqitun Shoqnisë së Kombeve në Gjenevë, në vitin 1930, në faqen 37 tregon se n’at kohë kur ishte mësues Ndue Vorfi ajo shkollë kishte 186 nxanës.
Kërcënimet, ndjekjet dhe dënimet e sllavit për likuidimin e tij fizik, asnjiherë s’arritën me e ligshtue dhe ta bajnë me heqë dorë nga misioni i shenjtë që i kishte caktue vedit si arsimtar dhei përhapës i dritës n’ato treva.
Ndërsa pushtuesi barbar ndiqte dhe persekutonte popullsinë shqiptare të atyne viseve atdhetare dhe arsimdashëse, ai ndihmonte me gjithë shpirt me punën e tij fisnike në shkollimin e nxanësve shqiptarë.
Krahas kësaj pune edukuese ai arriti me krye edhe kursin pedagogjik. Kjo mund të konsiderohet edhe periudha ma e randsishme e jetës së tij. Edhe pse në moshë të re, Ndue Vorfi, tregoi nji pregatitje të naltë profesionale dhe dashni të madhe për at popull të masakruem prej nji të huej pushtues.
Ndue Vorfi asnjëherë s’u përqëndrua vetëm në nji mjedis: ai bani ç’asht e mundun për me hapë shkolla shqipe jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni edhe në Shqipni. Qarqet shoviniste serbe jo vetëm që e mbyllën shkollën shqipe të Zllakuqanit por edhe e dogjën Lugun e Drinit dhe vet Zllakuqanin. Mësuesi Ndue Vorfi u detyrue me u largue për në Gjakovë, ku vazhdoi punën si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Aty punoi deri në vitin 1924.
Mbasi krijoi nji bazë të shëndoshë në Gjakovë, ai kalon në Shkup (Maqedoni) deri në vitin 1932. Këtu ai punoi së bashku me mësuesin Engjëll Ndocaj. Në shkollën e këtij qyteti pati rastin të ishte mësues i Gonxhe Bojaxhiut (Nanë Terezës) nobelistes shqiptare.
Ndër ato vite, ai pati mundësinë me vazhdue studimet e nalta në degën e Filozofisë. I përndjekur hap mbas hapi, për veprimtarinë e tij arsimore e të rrezikshme, qarqet shoviniste serbe e kërcënuen se do ta zhduknin. Ata i luejtën krejt gurët me ia ndëpre veprimtarinë e tij në fushën e arsimit e të kulturës. Vetëm fati e ndihmoi me iu shmangë dy pritave për zhdukjen e tij fizike. Tentativa e parë ndodhi në qytetin e Gjakovës. Mirëpo atdhetarët gjakovarë në mënyrë të fshehtë e mbrojtën dhe e nisën për në Shkup, ndonëse ishte detyrue të kalonte nëpër plumbat e armiqve sllavë. Nduja asnjiherë s’hoqi dorë nga misioni i tij i shenjtë në përhapjen e arsimit shqip në ato vende. I këshilluem prej Dom Shtjefën Kurtit, Dom Gjon Bizakut e Dom Luigj Gashit, mbas vrasjes së Patër Shtjefën Gjeçovit – nji ditë prej ditësh – së bashku me gjithë familjen e vet, Ndue Vorfi u detyrue me e braktisë vendlindjen dhe me nisë rrugën e muhaxhirit. Ai hyn në Shqipni. Edhe në kët udhëtim urrejtja sllave e ndjek nga pas ku i përgatitet edhe nji atentat tjetër politik. Edhe kësaj here vetëm ndihma e shokve e shpëtoi nga ky rrezik.
Ndue Vorfi ka qenë mik i ngushtë i Mati Logorecit dhe i Pal Lumezit. Në të gjitha kuvendet që organizonte Bajram Curri, Isa Boletini apo Luigj Gurakuqi, në qytet apo nëpër shpellat e maleve, Nduja ishte i ftuem të ishte pjesëtari i tyne ma aktiv. Me shpirtin e tij liberal dhe demokrat ai ishte anmik i vendosun kundër çdo padrejtësie dhe ishte përkrahës i atyne që luftonin për të drejtat njerzore.
Për 16 vjet e dy muaj, Ndue Vorfi punoi pa u lodhë duke krye detyrat e veta arsimore në vise të Kosovës si në Pejë, në Zllakuqan, Gjakovë dhe Shkup. Në gjithë kët punë spikat shpirti i tij atdhetar. Kjo periudhë ka qenë ajo ma e vështira e jetës së tij, po edhe më e bukura, më romantikja sepse ishte me të vërtetë diçka heroike të përhapje gjuhën, shkrimin dhe fjalën shqipe ndër ato vende ku plumbat derdheshin si shiu në vjeshtë!!
Edhe në Shqipni, mbas nji sistemi “shkel e shko”, ai vazhdoi rrugën e misionit të tij të përhapjes së dritës së arsimit. Edhe këtu u emnue mësues në Gurëz, të rrethit Krujës, e, ma vonë edhe në lokalitetin e Vorës e në fshatin Picar.
Me fitoren e PKSH në Shqipni, ndonëse në kushtet e nji dhune të theksueme si emigrant e antiserb, ai u dërgue si mësues në Sharrë e në Vaqarr; prej andej në katundin Gjokaj, dhe ma vonë në shkollën e natës në Kamëz, në shkollën 7-vjeçare të Kombinatit, dhe përsëri në shkollën e natës “Naim Frashëri” Tiranë, ku mbas do kohe edhe vdiq.
Pra Ndue Kolë Vorfi për 43 vjet rresht i shërbeu arsimit kombëtar në Kosovë, Maqedoni e Shqipni. Me gjithë këtë punë aq të madhe e aq fisnike, regjimi i dhunës asnjiherë s’e vlerësoi si duhet. Përkundrazi gjithë kontibitin e tij 16 vjeçar, që zhvilloi në trojet shqiptare të pushtueme prej serbëve nuk ia njofti asnjiherë, qoftë edhe për efekt pensioni!!!
Arsimtari atdhetar, Ndue Vorfi vdiq me ndërgjegje të pastër e të qetë se përgjatë krejt jetës së vet ka edukue breza të rinjsh me ndjenja të pastra e me dashni për Atdhe!

.
(Rilindja, e premte, 5 nëntor 1993)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.