back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Martirët e revolucionit kulturor që drejtoi Ramiz Alia
 nga Pjetër Pepa

Gazeta

Papa Gjon Pali i II dhe Pjeter Pepa
Papa Gjon Pali i II dhe Pjeter Pepa

Martirët e revolucionit kulturor që drejtoi Ramiz Alia


nga Pjetër Pepa

Në mesnatën e 2 majit 1968, (disa thonë me datën 10 maj 1968), në një fushë të shkretë të fshatit Dobraç, në rrethinat e Shkodrës, shkreheshin batare mitralozi. Rrëzoheshin prej plumbave të tyre, në gropën që ishin detyruar ta hapnin vetë, dy barinj të Kishës katolike të Shqipërisë, dy priftërinj të njohur nga e gjithë bashkësia për zellin e tyre meshtarak e ungjillor dhe atë patriotik. Këta dy prifta pushkatoheshin pas një gjyqi farsë, me akuzën: “armiq të popullit”; “spiunë të Vatikanit”.
Kishte kaluar vetëm një vit nga 1967-ta famëkeqe, kur diktatura komuniste mbylli dyert e institucioneve e të tempujve fetarë, e bindur se ia kishte dalë mbanësh ta mundte e ta zhdukte Zotin nga trojet shqiptare e besimin nga besimtarët shqiptarë. Koha e tregoi të vërtetën. Filloi kështu vala e re e pushkatimeve të klerikëve të fundit që kishin shpëtuar nga valët e mëparshme. Të dy meshtarët e përmendur, së bashku me disa rregulltarë, qenë arrestuar pak pas mbylljes së Kishave e qenë nxjerrë para gjyqit të vetëquajtur “i popullit”, që u zhvillua në Kishën e murgeshave stigmatine në Shkodër, kthyer në klub rinie. Gjyqi përfundoi më 25 prill, me disa dënime me vdekje e burgime të rënda. Pak rëndësi kishte nëse meshtarët vërtetuan pafajësinë e tyre para gjykatës, se nuk kishte asnjë provë të vërtetë kundër tyre, se veprimtaria e fetare e atdhetare që kishin kryer, meritonte shpërblim, jo pushkatim. Vendimi për jetën e vdekjen e tyre ishte marrë që para se të fillonte gjyqi me gjykatës kukulla, me të dënuar që përfaqësonin ç’i kishte mbetur e mirë dhe e madhe popullit të masakruar shqiptar.



Pushkatimi i dom Zef Bicit e dom Mark Dushit – 

Me 10 Maj 1968
Pushkatohen Dom Zef Bici – Dom Mark Dushi;
Me burgim të rëndë Dom Frano Illia – Dom Mark Hasi – Padre Gegë Luma, etj. 


Dom Zef Bici (1919-1968)
Dom Zef Bici (1919-1968)

Dom Zef Bici – Ka lindur në katundin e Bregut të Matës me 19 maj 1919, prej prindërve Dedë Ujk Bici dhe Dile Preçja. U pagëzua në katundin Gurëz, në Kishën e Shën Mëhillit prej D. Ndue Lleshit me 22 qershor 1919. Shkollën fillore e kryen në katundin Gurëz në vitet 1927-1932. Në vitin 1934, hyn ne Seminarin Papnor ku vazhdon për katër vite edhe teologji.
Me 1939, me vdekjen e Imz. Pjetër Gjurës – Arqipeshkëv i Durrësit dhe administrimin e Arkidioqezit e muer Imz. Gaspër Thaçi, për arësye shëndetsore, largohet përkohësisht prej seminarit dhe rrin pranë Imzot Thaçit. Në Arqipeshkvinë e Shkodrës rrin edhe mbasi u zgjodh Imz. Vinçenc Prennushi Arqipeshkëv i Durrësit. Pra qëndronte pranë Imzot Thaçit duke qenë gjithnjë seminarist i Arkidioqezit të Durrësit, i cili mbante një seminarist të Shkodrës në vend të tij. Në vitin 1944, merr pjesë në dramën “Kështjella e Alkazarit”, pjesë që demaskonte krimet komuniste në Spanjë, vënë në skenë nga Dom Pjetër Gruda, asokohe ende pa u bërë meshtar edhe ai. Me 2 shkurt 1946, shugurohet meshtar në Katedralen e Shkodrës, prej Imz. Gaspër Thaçit dhe të nesërmen thotë Meshën e tij të parë po aty, tue pasë gjithnji kumbarë Imzot Thaçin. Me 21 prill 1946, thotë Meshën e tij të parë në Tiranë dhe të nesërmen në Durrës. Me 26 prill 1946, thotë Meshën e parë në Gurëz dhe mbas dy ditësh, me 28 prill edhe në vendlindjen tij, në Bregun e Matës.
Me 10 maj 1946, është në Durrës, pranë Dom Anton Zogajt si ndihmës famullitar ndonse ende pa dekret emërimi, vetëm i dërguar verbalisht nga Imzot Prennushi. Me 6 nëntor 1946, është në Tiranë edhe këtu pa dekret emërimi, vetëm me transferim verbal nga Imz. Prennushi ku shërben si nd. famullitar deri në vitin 1952, së bashku me Dom Mark Dushin. Në marsin e vitit 1952, shkon në Shkodër, pranë Kryesisë së Kishës Katolike, duke u emëruar si shef administrate, shef personeli e shef kulture. Gjatë kësaj periudhe është edhe Rektor i Kishës së Rusit, Rektor i Kishës së Zojës, Rektor i Kishës së Shën Jozefit e zv. famullitar i Shirokës. Ndërkohë thuajse drejton mbledhjet e përpjekjet për pranimin e Statutit. Në vitin 1955 shkarkohet nga detyrat pranë Kryesisë së Kishës dhe që nga 1 janari 1956, është në dispozicion duke shërbyer për pak kohë si nd. famullitar në Shirokë. I propozohet të qëndrojë në Arkidioqezën e Shkodrës, por nuk pranon dhe vihet në dispozicion të Ordinarit të Arkidioqezit Dom Luigj Gashit – Vikar Kap. i Arkidioqezit që i propozon të shkojë në Durrës apo Zhejë. Pranon të shkojë në Zhejë, në vitin 1956, duke thënë meshën e parë atje me 25 marsin e vitit 1956, duke e paraqitur para popullit Dom Frano Illia, Sekretar i Kuries. Me propozimin e Ordinarit Dom Luigj Gashi kthehet sërish në Tiranë, duke zëvendsuar Dom Mark
Dushin që kishte kërkuar të largohej prej Tirane. Me 28 prill 1957, është famullitar i Tiranës duke e marrë në dorëzim atë nga Dom Mark Dushi që shkonte famullitar në Zhejë-Mamurras. Eshtë njëkohësisht edhe administrator për famullitë e Vlorës dhe Elbasanit. Me 12.9.1957 zgjidhet Vikar Kapitullar i Arkidoqezit të Durrësit, nga këshilltarët Dioqezianë, me
vdekjen e Dom Luigj Gashit. Me shkresën Nr. 1/12 dt. 18.11.1957, njoftohet i aprovuar nga Kryesia e Kishës e nga Këshilli i Ministrave simbas Dekret-Ligjit mbi Komunitet fetare Neni 13, që me emrimin e tij si Vikar, administrimin e famullisë së Vlorës ja lëshon Dom Mark Dushit. Qëndron në famullinë e Tiranës deri në nëntorin e vitit 1964, kohë kur arrestohet e dënohet për
moskallzim krimi, duke u zëvendësuar nga Dom Ndoc Sahatçija. Lirohet pas një viti, por pa të drejtën e qëndrimit në Tiranë, dhe emrohet në Dioqezën e Lezhës si famullitar i Mërqijes dhe Rraboshtës ku qëndron deri në mars të vitit 1967. Mbas kësaj date kalon pranë familjes së tij për të rënë viktimë e Revolucionit kulturor, kur arrestohet me 4 korrik 1967.
Gjykohet në Kishën e Motrave Stigmatine – Shkodër, kthyer në Klub Rinie dhe dënohet me vdekje-pushkatim me 25 prill 1968, për tradhti të lartë ndaj atdheut; dhe agjent i Vatikanit. Pushkatohet në 10 (2?)maj 1968. Eshtrat e tij , si edhe të Dom Mark Dushit, do të gjenden 25 vjet më vonë, në një fushë të Dobraçit me 12.9.1993, dhe kthehen në një pllakë përkujtimore pranë Kishës së Zemrës Krishtit në Tiranë. Dekorohet si Martirë i Demokracisë, së bashku me Dom Mark Dushin dhe Dom  Shtjefën Kurtin, me eshtra ende të pagjetura…

Dom Mark Dushi (1920-1968)
Dom Mark Dushi (1920-1968)

Dom Mark Dushi – Ka lindur në Gjakovë të Rrafshit të Dukagjinit me 19 nëntor 1920, nga prinderit Pjetër e Tereze Balto Geci prej Shkupit. Pagëzohet në Gjakovë, ne Kishën e Apostujve Pjetër e Pal nga Padre Marjan Glasinoviç dhe ne moshën gjashtë muajsh largohet me familje dhe vjen në Shkodër. Kryen klasën e parë në shkollën françeskane Shkodër dhe pas një viti e vazhdon në Tiranë në konviktin Naim Frashëri -1929. Në vitin 1934, i dërguar nga Imzot Pjetër Gjura, është konviktor në jetimorën e Zemrës së Krishtit duke mos pasë vend në Seminar. Kryen vitin e parë së bashku me studentët e Seminarit
Papnor dhe të Kolegjës Saveriane. Në vitin 1935 është student në Seminarin Papnor Shqiptar me Arkidoqezë të Durrësit. Në periudhën 1935-1942, kryen edhe tri vjet Filozofi po ne Shkoder dhe kater vjet Teologji. Merr pjesë në dramën e shfaqur në vitin 1944, “Kështjella e Alkaxarit” kundër luftës komuniste spanjole. Shugurohet meshtar nga Imzot Vinçenc Prennushi, Arqipeshkev i Durrësit, në Kishën famullitare të Tiranës me 2 shkurt 1946, dhe po aty thotë të parën Meshë tue pase si kumbarë, në mungesë të Padre Pjetër Palladinit, i cili në ato ditë u riatdhësua, Padre Pjetër Meshkallën, Rektor i Kishës së Zemrës së Krishtit dhe Drejtor i Veprimit Katolik në Tiranë. Që në vitin 1945, eshte mësues Besimi në 16 shkolla fillore të Tiranës deri në gjysmën e vitit 1946. Emrohet kooperator në famullinë e Tiranës me famullitar D. Shtjefën
Kurtin. Me 30 tetor 1946, mbas arrestimit të Dom Shtjefën Kurtit, është Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës së Durrësit dhe famullitar i Tiranës, i emruar verbalisht prej Imzot Prennushit. Qëndron në këtë detyre deri në vitin 1950, kur emrohet Dom Pjetër Dema, atëhere famullitar i Milotit, Vikar e Kapitullar i Arkidioqezit të Durrësit. Gjatë viteve 1946-1954, shërben në kishën famullitare, por edhe në atë të Zemrës së Krishtit, si Rektor i saj. Është Kapelan i dy spitaleve shtetërore, atij Civil dhe Ushtarak, të Tiranës në vitet 1946-1947, si dhe rrëfyes i motrave Ancelle të këtyre spitaleve. Në vitin 1950, merr pjesë në një Konferencë Paqe të mbajtur në Tiranë me përfaqësues të tjerë të besimeve fetare, shkrimtarë, artistë, etj. kundra armëve atomike e në favor të Paqes dhe për fjalimin e mbajtur falenderohet e përgezohet nga Frederic – Joliot Curi, President i Komitetit të Kongresit të Partizanëve të Paqes, me 13 tetor 1950. Është pjestar i Komisionit për përpilimin e Statutit e të Rregullores së Kishës Katolike të Shqipërisë dhe ndërmjetës i Kryesisë së Kishës në lidhjet me Shtetin. Ka grumbulluar të dhëna historike për famullinë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Prevezës, Janinës, Zhejës, Bushneshit, Deblenishtit, etj, si dhe një Status animarum; të famullisë së Tiranës. Gjatë viteve 1946-1954, është Administrator i Kishës Katolike Unite në Elbasan si edhe Administrator i Kishës Famullitare Vlorë për periudhën 1946-1966. Me 13 dhjetor 1952, është Këshilltar Dioqezjan që e kryen deri në 12 shkurt 1967. Më 14 nëntor 1961 emrohet Zv. Famullitar i Deblenishtit, ndërsa me 12 tetor 1966, kalon në famullinë e re të Gurëzit. Me mbylljen e institucioneve fetare kthen pranë familjes së tij. Arrestohet me 23 shtator 1967, mbas atij Fjalimi Programatik të diktatorit me të cilin fillon fushata e mbylljes së Kishave dhe dhunimit të kulteve fetare. Akuzohet se “kur ka shkue në Vlonë me thanë meshën, ka mbledhë informata ushtarake për Pashalimanin, Grykën e Koçiut, Sazanin, etj.” Është në grupin e tij me Dom Zef Bicin, Dom Mark Hasin, Dom Frano Illinë dhe të tjerë, në gjyqin publik që i bëhet në kishën e Motrave Stigmatine Shkodër, kthyer në Klub të Rinisë. Me 25 prill 1968 dënohet me vdekje – pushkatim për: “tradhti të lartë ndaj atdheut, dhe agjent i Vatikanit..” 
Pushkatohet në 10 (2?) maj 1968.
Teksti i marrë nga faqja e internetit Radio Vatikani http://sq.radiovaticana.va 2013-05-02

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Egërsia komuniste në Shqipëri është e pakonceptushme… Pse duheshin vrarë edhe njerëzit e fesë: Pse ata përhapnin fenë… dhe se ajo ishte: “Opium për popullin…” Apo pse zot s’duhej të kishte se Zot ishte Enver Hoxha..?!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.