“Përqafimi i dy kundërshtarëve” poemë nga Hekuran Zhiti
me ilustrime nga piktori shkodran Guljelm Mosi
Shkruan për këtë poemë Studjuesi i letërsisë dhe poeti Agim Vinca:
Hekuran Zhiti poet, aq sa duket naimian dhe romantik, është dhe realist, me muzgjet dhe agimet e përgjakura të vendlindjes. Ndërkohë ai solli dhe një mesazh të ri.
Ja ç’zbulon studiuesi dhe poeti Dr. Agim Vinca në veprën: “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)” në kapitullin “Poezia si akt moral” Prishtinë 1997:
“Një krijim interesant i kohës së luftës, antipod i poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt, mund të konsiderohet poema “Përqafimi i dy kundërshtarve” e Hekuran Zhitit, (Hekuran Zhiti, “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, “Jehona” nr. 3, f. 53 Shkup, 1994), e cila, njësoj sikurse dhe autori i saj, njihen fare pak, për të mos thënë aspak. Kjo poemë(…) luftën dhe antagonizmat e saj në Shqipëri nuk i sheh në planin ideologjik dhe politik, por në atë kombëtar. Siç e thotë edhe vetë titulli i saj, ajo kërkon përqafimin e kundërshtarëve, pra pajtimin kombëtar midis palëve në konflikt: partizanëve dhe ballistëve…
Poema është konceptuar si dialog i individualizuar i dy kundërshtarëve politikë: partizanit dhe ballistit dhe është e ndarë në shtatë pjesë. Në këngën e parë jepet “Peizazhi i luftës”. Me pak vargje, pra në mënyrë sintetike, jepet atmosfera rrëqethëse e kohës së luftës në Shqipëri. Është tejet sugjestive figura e pemëve që “shkulin flokët”: “Pemët shkulin flokët, thërret kroji mjerë./ Vaji i Shqipërisë po hapet në erë.” Në dy këngët vijuese, të dytën dhe të tretën, hasim monologun e “djalit me yll në ballë” dhe atë të “birit tjetër të dheut”. Pas fjalëve shkëmbehen dhe plumbat: Lufta vazhdon. Në përpjekje e sipër të dy taborëve kundërshtarë vëllai vret vëllanë dhe kur merr vesh ç’ka bërë, ai nxjerr revolverin dhe vret veten. Pastaj shfaqet “Fantazma e Ajkunës” si personifikim i nënës shqiptare nëpër shekuj. Dramaciteti dhe tragjizmi i poemës rritet: përmbi trupat e bijve të vrarë bie edhe mëma e mjerë! Pason pjesa me titull: “Vajtimi i shqiponjës”, që shkoqitet me fjalët e vëna në parantezë (që do të vazhdojë edhe mbas luftës). Autori e parandjen se përçarjet dhe vëllavrasjet që filluan gjatë luftës do të vazhdojnë dhe pas saj. Shqiponja është simbol i flamurit dhe i atdheut. Ajo lë dhe dy porosi, me anë të të cilave kërkon bashkim e përparim për Shqipërinë dhe përmend Kosovën dhe Çamërinë e robëruar.
Peizazh lufte (autori)
Mbi shtëpitë që nxijnë është përhapur
Tmerri.
Ç’është kjo që ndjejmë? Po rënkon dhe
Dheri.
Parmenda u ndryshk…
Plumbat breshërima.
Mandata po shkon, filloi ulërima.
Pemët shkulin flokët, thërret kroi’i mjerë,
Vaj’i Shqipërisë po hapet në erë.
Djali me yll në ballë (monolog)
Zbathur edhe xhveshur
Në erë e në shi,
Me buzë duke qeshur
Thërret: “… ja liri!
S’më hyn në sy jeta,
jam një partizan,
Se botë e vrerosur
zgjedhën më s’e mban.
Yllin përmbi kokë
e kam
si një shpresë,
me këtë në ballë
çdo djalë
do të vdesë!
Kush po ma cënon,
dorë e tij iu thaftë!
Rëntë si kufomë,
Plumbi
im
e vraftë!”
Biri tjetër i dheut (monolog)
Që nga ana tjetër një çetë po qaset,
Me flamur’n e Gjyshit… mbi borë po përplaset,
Thotë:
“Dua Atdhenë e dua Flamurë,
Për lirinë e Kombit
Do ndehem mbi gurë.
Kush cënon këto
që m’i la Dëshmori,
Do shkojë nga unë
Si shkon tradhëtari.
Rruzullit s’i dua, ja, veç këtë pjesë
Që na fali fati…
Bota e pabesë!
Të vdesim të gjithë, ta mbrojm’ këtë vatër!”
Lufta vazhdon (dialog plumbash)
Bomba
dhe malheri,
sa herë shtie,
një copëz atdheu përpëlitet,
bie!
Të dy kundërshtarët
Janë të vendosur,
Prandaj po luftojnë
Me shpirt të handakosur.
Vështro n’atë majë!
Shih,
Dy kundërshtarë,
Dy petrita mali
Luftojnë
Si shqiptarë.
Që të dy të fortë
dhe nga zemra trima.
I shkëmbejnë plumbat
porsi vetëtima.
Çetat kundërshtare,
Forcat i largojnë.
Po të dy skifterët
Ende po sulmojnë.
Po derdhet ky luani
Luanin të mbulojë.
Jepet shenj’e heqjes. Bie
dhe boria.
Beteja e zezë…
me të bukurat shkëndia…
Në dushkun e dendur
Njëri shpejt afrohet.
Dhe nga plumb’i hidhur tjetri na rrëzohet…
Gjaku
i kullon
në faqe,
në gojë,
Kundërshtari… qaset…
do… që ta… bekojë…
Kufomën e ktheu, (kishte rënë përmbys),
Po ju sterrua jeta si fytyra që iu ngrys.
Iu drodhën duar e këmbë, i tëri u verdh,
Ra përmbi kufomë, me puthje iu derdh,
E puthi në ballë, e puthi në sy:
“Oh, vëllakua im, qysh më ngjau me ty!
Kjo përpjekje ashpër me ty më qëlloi;
Tani si një vrasës dot unë do të rroj!?
Vëlla,
ç’t’i them nënës,
që vetë unë të vrava,
Ah, vëlla i dashur, shpirtin tim e thava!
Loken fatëzezë dhe shtëpinë nxiroj,
Vëlla, e vendosa, kështu dot nuk rroj!”
Nxori revolverin.
Kafkën e shpërtheu…
Dhe me gjysmë shpirti,
Shpirtin-vëlla rrëmbeu.
Të dy të qafuar,
Djaj dhe engjëllorë,
Po flenë në Gjumë
Ende nën dëborë.
Fantazma e Ajkunës
Shfaqet mëm’e mjerë malit si një hije,
Si kufomë e gjallë pyllit po i bije.
Poshtë dhe përpjetë bijt’e saj kërkon,
Ah, të dridhet mishtë,
zëri kur gjëmon.
Vaji,
Drithërima
Dhe gurin lëndon,
Me mijëra grima zemrat i copton!
“Ah, moj Perëndi, ç’i kam bërë fatit,
Të mbetem si qyqe mu në mes të fshatit…
Oi, oi!
Burri im i mjerë ra për Mëdhenë,
Unë hëngra të ritë me dy djemtë që mbenë.
Ooiii, oooiiii!
Me mundim i rrita, të gjithë e dinë…
Po tani në mal
Njëri tjetrin shtrinë…
Ooooo, iiiiiii…”
* * *
(Si shkuan dy diej, sapo ishte gdhirë,
gjetën mbi kufomat dhe nënën e ngrirë.
Me krahët e hapur si një kryq i ftohtë.
Shkoi dhe mëm’e mjerë, kush e di në ç’botë!)
Vajtimi i Shqiponjës
(që do të vazhdojë dhe mbas luftës)
Një shqiponjë e murrme,
e shkëmbtë,
po qëndron,
me sy të përgjakur
malet i vajton.
U zbulon dëborën, meket duke qarë!
“Ah, o bijtë e jetës, pse kështu përçarë!
Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkojë!
Pse e bëtë zhgabën si ju të vajtojë,
Pse e bëtë Atdheun me vrer të rënkojë,
Pse e bëtë Kombin në greminë të shkojë?
Shqipëria juaj,
Fatzezë,
Kërcure!
Ah, ç’po heq mjerime, të zitë e ullirit,
Duke qenë nën zgjedhë, n’hallka të zinxhirit!
Lidhni, bijtë e mi, një besë, një fjalë,
Se bota po shkon me dallg’-ankth-e-valë!
Bota është çmendur në tym e në flakë,
Prandaj e qafoni Shqipërinë plakë.
Dhe ta mbani mirë, me besë si trima,
Se ndryshe ju la në rrugë jetima,
Pa Atdhe e nder,
Pa tokë e pa pjesë,
Se botë e mallkuar
qenka e pabesë.
Sot të fut në radhë dhe si shok të fton,
Po kush e di nesër zemra si rënkon
Për ty e për mua,
Se s’jemi të lirë…
Dhe vajtimet tona bëhen hapësirë.
Si i ngjau Kosovës, Çamërisë së shkretë?
Ëndërruan lirinë,
u bënë ëndërr vetë.
Porosia e Parë:
Ndritni historinë
Me fletët e arta!
Shqipërinë e dashur mos e fshijnë nga karta.
Porosia e Dytë:
Mos mendoni shumë për Botën e Re,
Se barra e madhe është tjetër mbi ne.
Po botës së gjerë plot qytetërim,
Asaj i takon që të bëjë ndryshim,
Jo krahina jonë, një ditë me kuaj,
Një fushëz e vogël, q’e shkel çdo i huaj.
Po shkoi Bot’e Vjetër e tëra në greminë,
Do ta marrë me vete edhe këtë lëndinë…
Po të kuqet bota, rruzulli të ndrijë,
Shqipëria jonë
Vetëm nuk do nxijë.
Drapri dhe çekani, po u ngrit mbi dhe,
Çdo flamur prej kombi të hyjë në muze,
Atëherë unë, zhgaba, që banoj në flamur,
Po ju them me besë, do kem një kusur…
S’ka si të valojë, po s’valoi një tjetër,
Mbahi pakëz, djema, Bota është e Vjetër!
Amaneti
Për shpirt të dëshmorve, Zhgaba po ju thotë,
Të mos bëni nënat
të treten në lotë.
Qofshi tok, të lirë, si bijtë e një fisi,
Se përndryshe, dijeni,
Fati na gremisi.
Nën hije të Flamurit si në gji të babës,
Si bijtë e një mëme rreth e rrotull Zhgabës!
Piktori shkodran, profesor Guljelm Mosi me banin në Itali tani, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Hekuran Zhitit, i frymëzuar nga poema “Perqafimi i dy kundërshtarëve”, ka realizuar një triptik në vaj, në njërën është Nëna Shqipëri me dy djemtë e saj luftëtarë, partizani me ballistin krah për krah, ashtu siç duhet të ishin, me në sfond flamurin e kuq kombëtar, teksa jepet kushtrimi për liri, por dy vëllezërit i ndau historia a antihistroia.
Në tablonë e dytë Nëna Shqipëri është kryeulur, vajton mbi dy varret në borë të djemve të rënë në luftën vëllavrasëse, kurse shqiponja ka dalë nga flamuri dhe ka ngritur flatrat dëshpërueshëm, edhe qielli i duket i shkretë.
Në tablon e tretë janë Poeti kombëtar Gjergj Fishta me Hekuran Zhitin, ata vërtet janë takuar njëherë në Shkodër, Hekurani ishte student, por piktori i ka dhënë pamjen e tij të mëvonshme dhe duket sikur po i lexon Homerit shqiptar poemën e vëllavrasjes, gjithë pikëllim, në pritje të një mesazhi të ri. Në sfond është dhe busti i Skënderbeut dhe harta e Shqipërisé etnike. Në tryezë janë dy filxhanë të porsapirë. Dëshirojmë të mos ketë qenë kafe e përzishme. Tabloja na kujton dhe thënien e shkrimtarit Nonda Bulka që “Hekuran Zhiti është Fishta i Toskërisë”.
Piktorat e Guljelm Mosit janë plot me imagjinë dhe pathos patriotik, që përçojnë me forcë mesazhe paqeje.
E risjellim poemën të ilustruar me triptikun e ri.
Përgatiti Eda Agaj
Sa pak e njohim vendin tonë krijuesit e tij!!!
Atw qw mbreti spanjoll e zgjidhi më së miri: “…të dy palët e deshën Spanjën, secili në mënyrën e vet… Prandaj t’i nderojmë: si Republikanët edhe Fashistët…”
Si nuk u gjet një mendje e tillë ndër ne e nga ne: ku edhe kundërshtarët të përqafoheshin dhe të mos vijonim në mënxyrën që na pllakosi, dhe ne ende vijojmë me klishera si: “Kemi harmoni fetare unike në botë…”, por “opozitarë.. për vdekje me njeri-tjetrin””…
Kontradiksion, moskuptim apo rikthim pas?!