Vrasja e Gjeneral Enrico Tellinit
dhe Kriza e Korfuzit
Përgatiti Jozef Radi
Enrico Tellini ka lindur në Castelnuovo Garfagnana në vitin 1871, por kaloi vitet e para të jetës i kaloi në Pontremoli, ku babai i tij shërbente si gjykatës. Në vitin 1884, në moshën trembëdhjetëvjeçare, ai u regjistrua në Kolegjin Ushtarak të Firences, dhe më pas vazhdoi në Akademinë Ushtarake, ku edhe u titullua oficer. Nga viti 1901 deri në vitin 1911, ai shërbeu në Romë, në Forcat e Armatosura me gradën e kapitenit. Në luftën italo-turke ai shfaqet si Shef i Shtabit të divizionit ushtarak të stacionuar në Derna.
I graduar Major, ai u vazhdoi më pas karrierën si atashe ushtarak në ambasadën italiane në Vjenë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ka mbajtur poste të ndryshme derisa u kap dhe u burgos në vitin 1917, në të ashtuquajturat Ditët e Caporettos, gjatë të cilave qe plagosur në fytyrë, duke merituar edhe një medalje argjendi për vlera ushtarake. Me vendosjen e armëpushimit ai u dërgua së pari në Vlorë me gradën e gjeneralit, që të komandonte kontingjentin italian të vendosur në zonën e influencës italiane në Shqipëri, dhe më pas të përfaqësonte qeverinë italiane në komisionin e themeluar nga Konferenca e Ambasadorëve (organizëm i Këshillit Suprem të Forcave Aleate) si përgjegjës në përcaktimin e kufijve shqiptarë.
Më 27 gusht 1923, në ushtrimin e funksioneve të tij, Gjeneral Tellini, u gjend i vrarë së bashku me gjithë anëtarët e delegacionit italian që e shoqëronte atë, në një atentat me bomba në territorin grek, përgjatë rrugës që të çon nga Kakavija për në Janinë, diku në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Ngjarje kjo e njohur në histori si Masakra e Janinës.
Grekët dhe shqiptarët në atë kohë hodhën akuza të ndërsjellta, por autorët e masakrës nuk u identifikuan kurrë. Disa besojnë se sulmi mund të ketë qenë ndonjë incident banditesk i zonës, pa ndonjë motivim politik, por kjo hipotezë u hodh poshtë, mbasi nga kufomat dhe nga mjetet e transportit të këtij grupi nuk qe vjedhur asgjë.
***
Italia në vitin 1921 qe caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve (organizëm i Këshillit Suprem të Forcave Aleate) për të shërbyer në komisionin e demarkacionit të kufirit shqiptar, në atë kohë objekt i një procesi gjyqësor. Gjeneral Tellinit i qe besuar detyra delikate e përcaktimit të vijës kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë, dhe midis kësaj së fundit qe edhe Jugosllavia. Përveç Gjeneral Tellinit, anëtarë të tjerë të delegacionit italian që u vranë ishin: Majori mjek Luigi Corti, togeri Mario Bonacini si asistent i përgjithshëm, shoferi Remigio Farnetti dhe përkthyesi shqiptar Thanas Gëziri, një epirot nga Leskoviku. Fakti se asgjë s’qe vjedhur, të shtyn të mendosh se ky veprimi nuk qe kryer nga banditët e rëndomtë të rrugëve.
Kriza Italo-Greke e vitit 1923
Musolini, duke e dënuar kët masakër, i dërgoi menjëherë ultimatum qeverisë greke duke pretenduar përtej faljes formale: edhe ngritjen e një komisioni hetimor ku të përcaktoheshin fajtorët, dhe dënimin me vdekje për këtyre të fundit, një kompensim financiar prej 50 milion liretash, si dhe flota greke në një ceremoni të veçantë të nderonte flamurin italian.
Propozimi u pranua vetëm pjesërisht prej qeverisë greke dhe Musolini iu përgjigj me vendosjen e një flotilje në detin Jon të përbërë nga luftanijet Conte di Cavour, Giulio Cesare, Andrea Doria dhe Caio Duilio.
Italia pushton kështu ishullin e Korfuzit mbasi e kish bombarduar nga deti me 29 gusht kështjellën e lashtë të Ishullit, duke shkaktuar kështu krizën me të njëjtin emër. Athina kërkoi menjëherë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve duke gjetur mbështetje në Londër, ndërsa Parisi la në fuqi kundërshtimin italian për mosnjohjen e kompetencave që arbitrazhi ua kishte besuar Konferencës së Ambasadorëve.
Më 27 shtator të po atij viti, trupat italiane u evakuuan nga Korfuzi, mbasi Konferenca e Ambasadorëve i kishte njohur si legjitime kërkesat e Italisë ndaj Greqisë.
Qeveria greke qe detyruar të pranonte pagesën e 50 milion liretave të nevojshme si haraç dhe të nderonte flamurit italian që flotilja detare kishte marrë në Falero, një nga portet e Athinës, i cili më pas do të kthehej përfundimisht në Taranto me 30 shtator 1923…
(përzgjodhi dhe përshtati nga Wikipedia Jozef Radi)