back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pak dritë mbi figurën e Mehdi Frashërit

Gazeta

Mehdi Frashëri (1872-1963)
Mehdi Frashëri (1872-1963)

Pak dritë mbi figurën e Mehdi Frashërit

Mehdi Bej Frashëri (lindi më 1872, Frashër të Dangëllisë), politikan, novelist shqiptar. Firmëtar i deklaratës së pavarësisë . Shquhej për kulturën e tij politike, kryesisht në fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Në kohën që ndodhi internimi i familjes nga fshati Frashër për në Turqi, Mehdiu ishte nxënës në shkollën e mesme të qytetit të Manastirit, (Bitola) të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1894. Pas mbarimit të kësaj shkolle, Mehdiu fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur mësimet në Universitetin e Stambollit për Shkencat Politike dhe Ekonomike, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1898. Duke u nisur nga rezultatet e larta që ai arriti në atë degë të Universitetit, qeveria turke e ftoi të punonte në administratën e saj dhe ai u emërua si Nënprefekt i Thrakisë e më pas i Maqedonisë dhe Sanxhakut, të cilat asokohe ishin nën sundimin otoman. Në funksionin e Nënprefektit të këtyre krahinave Mehdi Frashëri qëndroi deri në vitin 1911, kur u emërua Guvernator i Jeruzalemit dhe i gjithë Palestinës. Pas një viti ai u transferua përsëri me detyrën e Nënkomisarit të Turqisë në Misir të Egjiptit. Në shtatorin e atij viti, ashtu si shumë patriotë shqiptarë që asokohe punonin në administratën e lartë osmane, edhe Mehdi Frashëri u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1912 ai u caktua Përfaqësues i Qeverisë shqiptare pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë. Disa vjet më vonë në 1919, ai u caktua në postin e Ministrit të Brendshëm dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Pas Kongresit të Lushnjës, në funksionin e Ministrit të Brendshëm, Mehdi Frashëri dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921, pas të cilave ai u zgjodh deputet, zgjedhje këto që nga qarqet e huaja diplomatike u konsideruan zgjedhje të lira e demokratike. Në atë kohë ai bashkëpunoi ngushtë me degët ekonomike të vendit dhe me iniciativën e tij personale bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”. Në atë periudhë, kur po hidheshin themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Mehdi Frashëri kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e reformës agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923, e deri në vitin 1939, me disa ndërprerje të shkurtëra, Mehdi Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve (sot OKB) në Gjenevë të Zvicrës.
Në vitin 1929, u zgjodh në postin e Kryetarit të Këshillit të Shtetit dhe disa vjet më vonë, në 1935, Mbreti Zog e thirri dhe e emëroi në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Caktimi i tij në atë detyrë nga ana e Mbretit Zog u bë me qëllim që të kalonte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi. Ardhja e Mehdi Frashërit në krye të qeverisë shqiptare, asokohe u përshëndet nëpërmjet shtypit nga shumë intelektualë të njohur, si Padër Gjergj Fishta, etj, të cilët e konsideruan atë si një qeveri me frymë thellësisht liberale dhe e kohës.
Më 6 prill të vitit 1939, kur Italia filloi agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Mehdi Bej Frashëri, i cili në atë kohë ishte deputet i Parlamentit Shqiptar, u takua me Mbretin Zog, që e kishte mikun më të ngushtë dhe i kërkoi atij që të fillonte rezistenca e armatosur ndaj italianëve duke i thënë që Shqipëria nuk duhej të ndiqte shembullin e Tunizisë, e cila nuk shtiu asnjë pushkë kur u pushtua nga Italia. Pas takimit me Mbretin Zog, Mehdi bej Frashëri shkoi dhe kreu një takim me Ministrin Fuqiplotë të Italisë në Tiranë, duke i kërkuar atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Musolini të tërhiqte ultimatumin që i kishte dhënë Qeverisë shqiptare. Mbasi nuk e bindi dot atë, Mehdi beu ndërmori dhe disa takime të tjera me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, duke u kërkuar atyre që të ndërhynin pranë qeverive përkatëse me qëllim që të dënohej agresioni fashist që Italia po ndërrmerrte ndaj një vendi të vogël e sovran siç ishte Shqipëria.

Mehdi Frashëri - Historia e Lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve
Mehdi Frashëri – Historia e Lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve

Në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Mehdi bej Frashëri shkoi në Radio-Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi, i cili u ndoq me interes të madh nëpërmjet radios nga mijëra qytetarë, Mehdi beu, duke folur në emër të popullit shqiptar, e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidental, modern dhe i motorizuar”.
Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës Mehdi Beu nuk u largua nga Shqipëria, ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi dhe u fut në Legatën turke në Tiranë, duke u kërkuar atyre strehim politik. Më pas autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi beun si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshmëri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali duke e mbyllur në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943. Në 1943, kur kapitulloi Italia dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa figura të politikës shqiptare të asaj kohe, si Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani, etj, gjatë bisedimeve që patën me përfaqësuesin fuqiplotë të Hitlerit në Ballkan (Nojbauer) i kërkuan atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Mehdi Frashëri, i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin në Tiranë dhe ai, së bashku me Lef Nosin, Padër Anton Harapin dhe Fuat Dibrën, të cilët konsideroheshin si persona politikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës, i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues, ku për herë të parë morën pjesë me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës.

Keshilli i Regjences (1943)
Keshilli i Regjences (1943) – Dibra, Zallari, M.Frasheri, Harapi, Mitrovica, V.Frasheri

Në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Mehdi Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944. Gjatë asaj periudhe, si dhe më përpara, në viteve e Monarkisë, Mehdi Frashëri ka banuar në Tiranë në një shtëpi tek Rruga e Dibrës të cilën ua kishte marrë me qera familjes Petrela, pasi shtëpinë e tij (vila ku sot ndodhet rezidenca e Ambasadës Ruse) ai e kishte lëshuar me qira për të përballuar jetesën e familjes.
Në fillimin e Nëntorit 1944, kur forcat partizane të Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, Mehdi Frashëri, së bashku me gruan e tij Nejre (Biçaku) dhe tre fëmijët Vehbiun, Medihan dhe Ragipin u largua nga Shqipëria dhe nëpërmjet Shkodrës kaluan dhe u vendosën në Itali, e cila në atë kohë kontrollohej nga Forcat Aleate.
Në Itali, Mehdi Frashëri me familjen e tij përfituan statusin e azilantit politik dhe kur mbërritën në Romë u vendosën në një apartament (afër stacionit të trenit) në Piazza “Regina Margherita”. Në atë periudhë Mehdi Bej Frashëri ishte në moshë të thyer (75 vjeç) dhe nuk preferoi të vazhdonte më politikën, por iu përkushtua vetëm veprimtarisë studimore, duke hartuar një Histori të Shqipërisë, e cila i mbeti në dorëshkrim, pasi nuk arriti që ta botonte dot. Gjatë gjithë karrierës së tij politike Mehdi Frashëri arriti të botonte rreth 600 artikuj publicistikë e studimorë në gazeta e revista të ndryshme, si dhe disa libra si “Koka e Prerë e Ali Pashë Tepelenës”, “Tirana Kryeqytet i Shqipërisë”, etj.
Mehdi Bej Frashëri vdiq në shtëpinë e tij në Romë në 25 maj të vitit 1963, kur ishte 91 vjeç dhe në varrimin e tij, ku fjalën e rastit e mbajti Dhimitër Berati, morën pjesë shumë personalitete politike të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali.

Varri i Familjes Fraashëri në Romë
Varri i Familjes Fraashëri në Romë

Ai vetë, ka shkruar në kujtimet e tij se është nismëtari i Protokollit të Korfuzit, me të cilin qeveria shqiptare e Durrësit pranonte autonominë e Vorio-Epirit, Korçë-Gjirokastër, si krahinë greke dhe me një protokoll tjetër autonominë e Himarës. Dihet se këtë akt qeveria shqiptare e Durrësit e konsideroi kapitullim. Ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ai mbrojti me dinjitet të drejtat e minoritetit shqiptar në Çamëri që shkeleshin nga qeveria greke. Më 1925, ai pranoi të bashkëpunonte me Ahmet Zogun. Nga 12 tetori 1935 deri në 7 nëntor 1936, ishte kryetar i Këshillit të Shtetit dhe kryeministër i Shqipërisë. Është autor romanesh, dramash, tragjedish, u shqua si publicist dhe si përkthyes në shqip, turqisht, frëngjisht.

Mehdi Frashëri - Kujtime (1913-1933)
Mehdi Frashëri – Kujtime (1913-1933)

Me 1935-1936, Mehdi Frashëri u bë, për një periudhe gati njëvjeçare, kryeministër i Shqipërisë. Si kryeministër ai ndoqi një politikë deri diku “liberale”. Akti më pozitiv i jetës politike të Mehdi Frashërit ishte thirrja që ai i drejtoi opinionit shqiptar dhe botëror më 7 prill 1939, me të cilën denonconte haptas pushtimin ushtarak fashist italian të Shqipërisë dhe paralajmëronte Europën për pasojat negative që do të kishte ky pushtim në arenën ballkanike. Roma nuk e burgosi, por e largoi Mehdi Frashërin nga Shqipëria me një qëndrim të detyrueshëm në Romë. Me qëndrimin e tij të hapur kundër okupacionit, Mehdi Frashëri fitoi një simpati të madhe në opinionin publik shqiptar. Në periudhën e pranisë së trupava naziste, pas kapitullimit të ushtrive italiane në shtator 1943, më 16 shtator u bë e mundur të kuvendonte me të plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore, Hermann Neubacher me Majorin Franz von Scheiger dhe Herr Schliep. U vendos që shteti shqiptar me pasë një pavarësi nën syzeneritetin nazist, si Shteti i Pavarun Kroat. I parashtruan qeverisë shqiptare tri kërkesa:

Mehdi Frashëri - Nevruzi roman
Mehdi Frashëri – Nevruzi roman

1.Dorëzimin e arit numizmatik të Bankës Kombëtare “për arsye sigurie”.
2.Dorëzimin e arkivit të dorëshkrimeve kishtare të mitropolisë së Beratit, gjithashtu “për arsye sigurie”.
3.Dorëzimin e listave të hebrenjve rezidentë dhe të ardhur në Shqipëri. Floriri i Bankës Kombëtare përfundoi shumë shpejt në duart e ushtrisë naziste.
Dy dorëshkrimet më të vjetra të mitropolisë së Beratit (Beratinus-1 dhe Beratinus-2) u fshehën nga këshilli kishtar dhe mbetën të fshehur e të zhdukur edhe për tri dekada pas çlirimit. Kurse listat e hebrenjve nuk u dorëzuan asnjëherë.
(Marrë nga Wikipedia)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.