back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ballada e Shemo Hajdutit… poezi nga Arshi Pipa

Gazeta

Çift shqiptarësh nga Jugu - P. Fritel, 1878
Çift shqiptarësh nga Jugu – P. Fritel, 1878

Ballada e Shemo Hajdutit…

 nga Këngët Popullore te Jugut

shkrue nga Arshi Pipa

Arshi Pipa rrëfen…
“Kur isha në burg kam pasur fatin e madh të jetoj me ca lebër,
të cilët ishin gjenialë sa i përket kujtesës
dhe i dinin këngët labe në një mënyrë të habitshme.
Ishte nji oficer, s’ia kujtoj emrin, ai ishte nji burim i pashterrun këngësh.
Kam mbledhur mjaft prej tyre, edhe prej folkorës kosovare dhe asaj arbëreshe.
(marrë nga Intervistë me Arshi Pipën 1992)

Portret i Arshi Pipës
Portret – Arshi Pipa
Ndër këngët popullore e përpunuara prej Arshi Pipa
është edhe kjo Shemo Hajdutit,
të cilën poeti dhe studiuesi e vlerëson me superlativa.
Edhe unë po i përcjell si të tilla, qoftë në mirnjohje të punës gjigande të Profesor Pipës,
po qoftë edhe të poezisë popullore të Jugut, që në aq pak vargje në toskërishte
koncentron dhe e jep të gjallë gjithë tabllonë e një jete,
përmes bukurisë së papërsëritshme të dialogimit dhe veprimit… j.r.

 

St. Sauver, Jacques - Burrë e grua (Jug)
St. Sauver, Jacques – Burrë e grua (Jug)

Ballada e Shemo Hajdutit

Gjirokastër, ishe zonjë,
Gjirokastër, mbetç belonjë
Kape, vrave një shqiponjë
le pa këngë nji milonjë!
 
Në Stamboll një lajm gëzimi
than’ u zu Shemo Brahimi!
Qysh u zu? Ku zihet trimi!?
Nëntë vjet’ në mal firar
se nuk desh të vej’ ushtarë…
-S’vete, – tha – nuk ia kam ngenë!
Nëntë vjetë e brodhi dhenë
Rumelinë edhe Morenë.
Qysh e futën pra në lak,
mos u lodh a mos u mplak?
U mërzit nga çeta vallë?
Mos ju shkrep i ra një mall
për një vatër, një kope,
për një stan në Valare,
për fëmijë, gruan e re
u kandis se do ta falin!
 
E ku lë kurrë ujku malin!!
Jo mor jo, s’u mplak hajduti,
as u lodh, as falje luti.
Po s’mendoi se do ta shesë
kushëriu me të pabesë.
Faqeziu i shtroi gosti
mish të pjekur dhe raki
e kallzoi në qeveri.
 
Me të dalë nga shtëpija
ra pisqolla te pusija
“Mos u vra, o Shemo kot!
Jemi shumë e s’ikën dot!”
Uturin përroj e zalli
S’dorëzohem për së gjalli
Mos gëzo këlysh dobiçi!
S’ta harron Shemo Ogiçi!”
Katër plagë trimi muar
dy në brinjë e një në duar,
tjetrën m’u në kraharuar.
 
Në Janinë gjallë e shpien,
në pazar vërdallë e bien
lidhur hypur mbi gomar
I nduk mjekrrën një xhnadar.
“Shemo ç’ke që s’kuvendon?”
“Jo për gjë s’e kam zakon!
Në ju shtënça dot ndër thonj
dhjam në hell do ju pikonjë!:
 
Në bodrumet e kalasë
vjen Hysni Pashai t’i flasë
“Ja lëroni ca litarët…!
Fol hajdut, trego të vrarët
se ke djegur ke plaçkitur
duke shkelur neveritur
ligjet, forcën e Sulltanit
kundër dinit dhe vatanit!
Vilajetit i kalle datën.
Të kam ndjekur: ditën natën
dimër verë që nga prapa,
Shemo, më në fund të kapa!”
Kaçak i Shqiperise se Jugut
Kaçak i Shqiperise se Jugut
O Pasha, që flet mbi fron
s’jam ashtu si më gjykon
me koshadhe me xhandarë
më ke ndjekur, të kam vrarë.
Për haraç të marrë armikut
për grabitjen e çiflikut
të një beu të një agaj
mirë pra se paskam faj!
Kam plaçkitur edhe stane
ku kish mjaft edhe karvane
Po të thotë një njeri
se rrëmbeva misër, dhi
nga një bujk nga një bari!
Unë i dhashë varfanjakut
(e di Zoti, m’ardhtë hakut!)
Edhe çupa kam martuar
pleq, bonjakë kam ndihmuar
Se nuk thashë peqe lepe
për nizam e për xhelepe
për një mbret në vend të tij
që s’më di dhe që s’e dij…
Jam hajdut, pëlqej më mirë
të rroj malesh ujk i lirë
se sa balo me zinxhirë!
 
“Shemo! Nesër që me natë
të këtillë ligjëratë
bëja lakut edhe rrapit!”
S’pres mëshirën e kasapit!
-Amanet Pasha një gjë
porosi Lules i lë
të martonet…! E grabita
kur ish foshnjë, vetë e rrita
ësht’e re njeri nuk ka,
djemt’ t’i jepen tim vëlla!”
 
Gjirokastra male e brigje
qan një grua qan me ligje:
“Pse të njoha korba, kurrë
Lulja jote s’merr më burrë!
Do rris djemtë t’u kall zjarrë
gjakun tënde ata ta marrë!
Pasuri oxhak nuk dua
do të bredh krua më krua
të dëgjoj këngët e tua.
Marrë nga “Libri i Burgut” – Eurorilindja; Tiranë fq. 120-123

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.