back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Lahutari Gjergj Pllumbi në penën e Koliqit…

Gazeta

Koliqi midis malsoreve te Veriut
Koliqi midis malsoreve te Bregut te Mates

Lahutari Gjergj Pllumbi

në penën e Ernest Koliqit…

…Në korrik 1937, vendosa me shkue në Theth edhe të takohem deomos me Gjergj Pëllumbin. Më nevojitej nji bisedim i gjatë me të, shkaku i nji punimi mbi poezinë popullore… Mora shtëpi për nji javë në Gjelaj të Thethit edhe çova  e thirra kangtarin…
-Tek e ke Gjergj Pëllumbin – më thanë…
Vinte kah na tue ecun në një mënyrë të veçantë, tue ba hapa të mëdhej me kambë të lakueme harkuer e tue hjedhë disi pa ritëm të njishëm krahët e gjatë, të cilët i arrijshin der te gjujt. Menjëherë vrejta se sytë i qitshin shkëndija mendshurie. Si qëndroi me mue e shokë, pyetjet dhe përgjigjet e zakonshme, nisi të flasë. Fliste me nji gojtari të meritshme, i përpikshëm në thanje, shumë i qartë në shqiptim. Qysh aty pashë përshtypjen se kisha gjetë njeriun tim… Dinte me tregue me mjeshtri të përsosun tue i rrjeshtue episodet në një rendim të natyrshëm, tue përseritë dialoget me dramacitet të gjallë, tue përshkrue me hollsina vetjet e ndryshme të kallzimit…

Gjergj Pllumbi (1901-1965) Rapsodi i maleve
Gjergj Pllumbi (1901-1965) Rapsodi i maleve

Gjergj Pëllumbi, burrë 36 vjeçar, babë dy fëmijësh, sot rrin t’u shpija dhe përpiqet të ndihmojë vëllaun në punët e zakonshme të bujqësisë dhe blegtorisë… Kur shkova unë në Breg të Bulzës, iu desht të çonte diku  ndër shokë me marrë nji lahutë. Si shifet, fatet në male nuk po u qeshin poezisë e poetve në këto kohë të vona. Mbas nji llogoritje qi bana unë tue bisedue me të dhe tue pyetë imtësisht, Gjergji mund të dijë pesdhjetë rapsodi të gjata… Kangë trimnie, të quajtura tërthorçe a majakrahut Gjergji di shumë fort. Këto janë thjeshtë shqiptare. Unë u interesova në mënyrë të veçantë për valle dashunije, për ato qi fillojnë: “Moj e mira…”. Plot shkrova mbas kallzimit të Gjergjit. Zani i Gjergjit në këndim asht i plotë pa qenë tepër i fortë. Nder male pleqnohet zani si pushka. Rizë Zymeri, kangtar prej Rugove, dinte ta dredhte at të vetin edhe ma me  amëlsi se Gjergji, por ky ia kalon të gjithve me qartësinë e shqiptimit…Gjergji e ka kët dhuratë natyrore. Edhe në ligjërimin ma të shpejtë, i merret vesh mirë gjithçka thotë. Rapsodi i Thethit nuk gjindet përhera në atë gjendje shpirtnore plot hir qi lypet për të qitun në shesh cilsitë e mëdhaja të tija si kangtar, si kuventar, si tregimtar përrallash e si vjershtar. Poetët luhasin në trillet e veta të mistershme. Shpesh edhe në sytë e Gjergjit bjen cipa e hollë e melankolisë. Atëherë bukuria e zanit së tij mshefet nën duvak, pa humbë shkëlqimin e vet. Por në mbramje në të cilat i ndezet dëshira me i argëtue miqtët dhe me u zbulua atyne visaret e zemrës së pasun e plot frymzim poetik, shoqnija e tij atëbotë nuk ka të paguem. Herë me lahutë, herë me çifteli të parashtron histori ma të çmueme trimnie, dashunie, udhtimesh fantastike, mrekullinash të çmeritshme, tash të përvajtushme, tash të tmerushme, mandej gaztore e qesharake e shpotare sa qi len këdo pa mënd. E të gjitha këto me gjuhën ma të gjallë e të pastër qi mund të derdhet nga  një buzë shqiptare. Nis nji rapsodi edhe këndon katër a pesë tubza me lahutë. Mandej, tue qenë se duhen disa orë me e krye tue këndue mbështetë lahutën në prehën dhe ban shkurtimin me fjalë, tue e pre tregimin ja me ndoj vërejtje plot thimsh drejtue njaj shoku ndejun në rresht ja me ndoj shpjegim të përshtatshëm që hapë vegime të papritura mbi psikologjinë e Maleve. Mbaron nji rapsodi, kapë çiftelinë e ia thotë valleve. Po u ndodh në një vend ku mund të këndohet lirisht, fillon me nji valle të lehtë e vjen tue marrë njanën mbas tjetrës për herë e ma të shtyme deri sa arrinë në maje të shprehjeve ma pikante. Përkundrazi ndër vende ku lypet masë e urti, vetëm mbasi shpijarët e shokët ta lusin fort, këndon nji varg vallesh të matuna e pa shprehje të çilta epshore. Sa len kangët, bisedon aty n’at bisedë qi lakohet në trajtat ma të përmëndshme, derdhën në vend plot kuptim anekdotat e pa fre që njeh. E po deshe prralla, qi t’i tregon ndodhinat e mrekujt qi u dukën në Shalë prej tre kandeve të Ballkanit e prej bregut të detit, – ndodhina e mrekuj qi kapërcyen shëndrrime të panjohura tue udhëtue komb në komb, mal në mal, gojë më gojë. Të lanë shtang prej çudije metamorforizmat qi pësuan përrallat ma të zakonshme kur mbrrijnë te Gjergj Pëllumbi. E ky poet, qi s’njeh alfabetin, të gjitha kangve qi muer prej të tjerve, prrallave ma ekzotike, historive të ardhuna nga vendet e largta të shtrime nën qejt ma të panjoftun, u shtjen frymën e maleve të veta, mendësinë e Shalës, ngjyrat e forta të shpateve të Dukagjinit. Shtypë mbi to vulën e gjenialitetit të vet. E ajo vulë asht thjeshtësisht  shqiptare1].

Koliqi - Koder Sh'njergj 1938 (Shan Pici)
Koliqi – Koder Sh’njergj 1938 (Shan Pici)

Poeti modern i kalemit dhe poeti polemit të popullit, poet’t e Dukagjinit duke biseduar  me ditë të tana për këngën dhe rapsoditë e maleve, na kanë lënë pas një visar të mrekullueshëm artistik të nji bote të panjoftun nga poetët  e jetës mondane, nji panoramë virgjënore të nji moti të perënduem, me imazh të papërceptueshme drejt nga imagjinata e brezave të sotëm. Mjeshtrat të papërseritshëm në stilin e vet, gjetën te njeni-tjetri atë që i mungonte  sejcilit në vetvete. I pari takim me kangtarin e Thethit. “Si dalin kangët ndër male”, “Kangët e maleve”, “Poetët e kalemit dhe poetët e polemit”, “Bisedime me poetin e Thethit”: titullohen studimet e Koliqit mbi poezinë popullore të Dukagjinit, studime udobisht të lumnueshme  si vetë lahuta, zani i kështjellës së gjakut ilir. Duke biseduar me poetin e Thethit, Koliqi depërton deri në skutat më intime të  shpirtit të rapsodit, atje ku vetëm forca sugjestionuese e  një robi made in Koliqi mund të zhbirilonte diçka.
“E kapa nji ditë pranë kronit të Bregut të Bulzës, qi shushuriste sekrete të motshme e të reja, në vetminë e bjeshkëve dhe ia përserita pyetjen pa i lanun shteg kërrkund që të m’iki me fjalë. Aty Gjergji ma zbuloi deri diku shpirtin e vet, aty m’u hap nji dritare e vogël mbi botën e përmbrendshme të malsisë qi rrallëherë u shfaqet syve tanë, sepse banorët e maleve mbulojnë me zili të madhe çdo ndjesi intime2]”.
Nga kjo dritare e vogël dalloi në shpirtin e rapsodit një dashuri të ngathtë moshatare me rininë e tij, një mall të pashuar, një kujtim të pashlyer, që tingëllonte si za i hollë në përshkrimin gjithë frymëzim që i bënte çobaneshës së tij të dashur e cila kishte kohë që ishte martuar në një derë të një fisi të largët. Dashuria e tyre kishte qenë e sinqertë, e paster dhe pafat pasi në ato kohra ishin prindërit që me autoritarizmin absolut vendosnin në mënyrë arbitrare për martesat e të rinjve të cilat bëheshin me shkuesi.
“Shka më çuditi në këtë tregim, – thekson Koliqi – qe si nji farë pastërtie shprehjesh qi ai përdori tue folë për vazjën e dashunueme. E pyeta ma gjatë dhe mora vesh se ai  blegtoreshën e lume e dashuroi me gjithë shpirt, gja qi nuk m’u duk e jashtzakonshme për nji malsuer. Po të vrejmë vallet e tyne plot sensualitet, na nepet të mendojmë se dashtunija ndër male tona nuk naltohet përtej nji tërhekje së fortë qi ushtron bukuria landore e vashave. Përkundrazi Gjergji qitte në rend të parë cilsitë shpirtnore t’asaj relate me atë mikneshë lindë e rritë në mal. Shumë e përmallshme dita në të cilën ajo erdhi t’i thotë lamtumirën e fundit para se të shkonte nuse në nji vis të largët”3].
Baresha e gjinisë trëndafilore ishte dhe mbeti muza e rapsodit të shquar të maleve, krijuesit dhe interpretuesit të gjitha llojeve të këngëve folklorike, ku  padyshim siç do t’i deklaronte mikut të vet, Koliqi ma shumë pëlqente këngët e buta se të egra4]. Gjergj Pëllumbi me këngët e tij ka përjetësue shumë çaste të veçanta historike ka pasqyrue jetën e popullit të këtyre anëve, prej sharmit të cilit Koliqi nxorri nektarin e poezive të veta!”5]. Ky ishte poeti dhe rapsodi popullor Gjergj Pëllumbi, me gjithë karakterin, tipologjinë dhe botën e pasur shpirtërore, shëmbëlltyra më sinjiflikative e shqiptarit autentik të malit, vizatuar me mjeshtri të pashoqe  nga pena e Koliqit të madh.

1]-Sipas shkrimit  të E . Koliqit. “Në viset ku tingëllojnë lahutat” , shkruar me 1938. “Shejzat” nr 11-12; 1960 ; 1-2  1961 dhe 5-6 . 1961.
2]-E. Koliqi “Shejzat” po aty.
3]-“Shejzat” po aty.
4]-“Shejzat” po aty.
5]-Lec Shllaku, “Artist i Popullit”, Gazeta “Dukagjini” nr .40, mars 2007.

Lahutarët malsorë - në mes Gjergj Pllumbi
Lahutarët malsorë – në mes Gjergj Pllumbi

Gjergj Pllumbi  –

Mbreti i Lahutarëve të Dukagjinit

Në fund të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar aristokrati i prozës sonë moderne Ernest Koliqi  pas një shtegtimi dhe përqasje të gjatë mes korpusit të lahutarve të vjetër të Dukagjinit do të shprehej: “Shkova e i gjeta atje mbi shpatet e malit ku i fali Perëndija…, ndejta me ta e i pyeta ke ara qi mbillnin e korrnin me duart e veta… Vëlla i shkolluem i tyne, vjershtor tryeze, pashë se kurrgja nuk kishin nevojë të xanë prej meje”1]. Koliqi do ta quante vetën fatlum  që mundi të nihej me rapsod të tillë të mrekullueshëm si Prenush Gegën e Kabashit, Sokol Martinin e Brisë, Rizë Zymerin e Rugovës dhe Gjergj Pëllumbin e  Thethit, të cilin do ta quante si mbretin e  gjithë këtyre këngëtarve. “Po të rrijshim nji vjet me Gjergj Pëllumbin tue nxjerrë visaret e çmueshme folkloristike qi ai ruan në mbamendjen e fuqishme,  prap nuk do të mujshim të them se e boshatisa krejt; jam i sigurtë se shumë landë tjetër e interesueshme do t’i tepronte për nji kërkimtar të pasosun të shprehisë popullore2]”.
Gjergj Pëllumbi ka lindur vitin 1902, në lagjen Gjelaj të Thethit, ka qënë pasues i derës ma me za të shtëpisë së Nikë Shytanit, tashigimtar i ofiqit fisnor të Vojvodës për vllaznitë Gjelaj e Nikgjonaj. I mesëm nga trupi, fytyrën e lëmuet të tjerrun imët që rrezatonte freskinë e bjeshkës, buzagaz e hijelehtë; siç i thonë në Dukagjin. Dy sy të shëndritshëm që rrezatonin intuitë të mprehtë, gojën e vogël, musteqet përdredhur përpjetë, gjithmonë i veshur hijshëm si krushk me petkat më të kushtueshme të traditës. Këngëtar i lindur me zà, intuitë dhe talent të pagabueshëm në gjininë e rapsodisë, fukara me natyrë zengjini dhe shpirt  delikat prej artisti. Kurrë nuk u djersit në punë krahu, kurrë nuk u turr pas pleqnive e punëve gjithë telashe të kanusë. U shqua si frekuentues i panderprerë i dasmave, gostive e festive në të gjitha viset e Dukagjinit, Malsisë Madhe e të Gjakovë, shkëlqeu si lahutar dhe interpërtues virtuoz, si krijues i teksteve popullore, si mjeshtër ekspresiv i putirave gazmorë dhe si një gojtar i zhdërvjelltë, me një të folur të bukur plot figuracion, rrëfimtar inteligjent përrallash, legjendash dhe historish, të cilat i tregonte me një dramacitet sa vatrës pranë oxhakut, sa mrizit e livadhit apo në odën malsore që e shëndrronte në amfiteatër klasik për dëgjuesin apo pëvetsin me të cilin bisedonte. Gjergj Pëllumbi  mori pjesë në dy lëvizjet anti-zogiste të Dukagjinit me 1924 dhe 1926 dhe për këtë shkak dënohet me vdekje nga gjyqi politik Zogist i Shefik Shakos.

Koliqi - Ura e Gjeçajve Thesh 1937
Koliqi – Ura e Gjeçajve Theth 1937

Gjergj Pëllumbin e ka lindur Bjeshkë Gjokja motra Gjelosh Gjokës së Kastratit, i cili ka qënë kapiten rezervë i ushtrisë Zogiste, një nga eksponentët që nuk dëgjoi që t’i bashkangjitej lëvizjes së 1926 sipas marrveshjes Dukagjin-Malsi e Madhe. Gjergj Pëllumbi u dënua me vdekje, madje u kishte dhënë dorën shokëve për të fundit herë, mbasi të nesërmën pritej ekzekutimi, por qenja nipi i Gjelosh Gjokës ishte fat i bardhë që i prapsoi vdekjën. Gjelosh Gjoka shkoi turr pa frymë tek nëna e Zogut  dhe iu lut për shpëtimin e tij. Portreti kreshnik i kastratasit, burrnia e tij në të folur dhe besnikëria që kishte treguar ndaj Zogut në momentet më delikate të karrierës së tij e bindi nënën të ndërhynte tek  djali i saj i gjithpushtetshëm që t’i falej jeta nipit rrebel kryengritës. “Bir, pashë njat gji që të kam dhanë ma fal jetën e Gjergj Pëllumbit të Dukagjinit!” Zogu jo vetëm i fali jetën, por edhe e liroi shumë shpejt duke mos bërë më tepër se një vit e gjysëm burg3]. Nipi i Shkrelit u martua në Kastrat me vajzën e Tom Dedës (Mrikën) me të cilën sollën në jetë tre djem dhe dy vajza. Qenja mik i Koliqit do ta favorizonte në verën e vitit 1939 së bashku me Nikë Gjonin (Nicaj-Shosh), Prekë Sokolin (Pepsumaj-Shosh) dhe një përfaqësi nga malet shqiptare të shkonin për një vizitë në Romë ku do të priteshin nga vetë Papa Piu i XI4]. Vizita në Romë e malësorve shqiptarë të zgjedhur enkas  për hijeshinë fizike të veshur bukur me stolitë e tyre tipike kombëtare, ishte një sfilatë spektakolare me sfond të qartë politiko-ideologjik. Kampionët e racës së bukur  arbrore do të mrekulloheshin nga madhështia dhe shkëlqimi i jashtëm Perandorisë së Savojës, nga luksi i paimagjinueshëm për memorjen dhe shijet e tyre, nga interesi i lartë (demagogjik) i autoriteteve të Romës për ta, madje befasia më e madhe për ta ishte lakuriqësia e erosit publik  të cilin, jo nga dëshira por nga sedra krenare shqiptare do ta refuzonin. Fotoreporterë, analistë dhe studjues të çeshtjes shqiptare do t’i bombardonin këta ekzemplarë me shkrepje aparati, pyetje dhe biseda kureshtare për atë tepricë të panjohur të botës ilire. Inteligjenca, lakonizmi, rrëfimet interesante të Gjergj Pëllumbit e befasuan një studiues italian, i cili nuk iu shkoqit së pyeturi për jetën, zakonet dhe traditat shqiptare. “Të gjitha  rrëfimeve tuaja i besoj – i tha italiani – por nuk mund të besoj se në malet tuaja hahet bukë pa pare dhe se ecet zbathun për të kursyer këpucët me lëkurë lopet!” Gjergj Pëllumbi do t’i përgjigjej: “Këto janë dy të vërteta ma të mëdha që të tregova more lum zotnia!”5].
Gjergj Pëllumbi ka qënë rapsodi më i famshëm i kohës së vet i maleve të Dukagjinit, më i veçanti në Logun e bjeshkëve të Malsisë së Madhe, që ua ka çuar zemrat peshë rinisë, më sovrani me lahutën në çergat e odave të burrave hijerëndë të Malsisë së Gjakovës, më popullori nga i thonë malësi, deri në Mirditë e Breg të Matit. Gjergj Pëllumbi u ndodh në një dasëm në Zadrimë këndoi me lahutë e çifteli sa u dha krahë të gjithë dasmorve. Këndoi putira sa bëri gjithkënd të qeshë dhe të gjithë e respektuan duke e uruar: “Të këndoftë zemra o Gjergj Pëllumbi! Të lumtë goja Shalë, që gjithkun po ja len vedit!” etj etj. Për çudi në atë dasëm na paska qenë i ftuar edhe një shaljan egoist i paidentitet dhe torollak, i cili në vend që të gëzohej, iu kundërvu bashkrahinorit të tij duke e provokuar me putira fyese (putirat gazmor shpesh kanë shërbyer në të shkuarën si mollë sherri edhe për vrasje).

Thethi sot (foto Ilir Seci)
Thethi sot (foto Ilir Seci)

“Putiro si del në vij
Mos mbettë Shala n’burra t’kqi!”6].

Sarkazma e Gjergjit ishte një thumb kovaçi mbi patkoin e atij njëthundraku kokëshkretë, një aforizëm filozofik që e mira dhe bukura nuk ekzistojnë dhe nuk kanë vlerë pa të kundërtat e tyre të keqën dhe të shëmtuarën. Në vitin 1948, është arratisur së bashku me të vëllanë Curin në Jugusllavi, pak vite më vonë qe arratisur edhe djali i dytë Nika. Në Jugosllavi ka jetuar 17 vjet dhe atje në mes shqiptarve vazhdimisht ka kënduar me lahutë e çifteli këngët të cilit janë trasmetuar edhe nga Radio Titogradi. Në vitin 1965, ka vdekur nga një atak kardiak dhe është varrosur në varrezat e Gucisë pranë Kishës së Dolit7]. Koliqi portretin e lahutarit Gjergj Pëllumbi e ka vizatur në sfondin e gjallë të jetës malsore, mes kreshtave të thepisura e luginave depresive në luftë për ekzistencë me natyrën e bjeshkëve hijerënda, atje ku me krenari e moskokçarje ruajtën identitetin e vet nga murtaja e tmerrshme shumëshekullore otomane. “Këta zhelana fisnikë veç nji të mirë lakmojnë në jetë. Me qenë i nderuem prej shokve dhe fisit, me qenë i kënduem në  kangë lahute për ndonji trimni të rrallë, ky  qe ideali i malsorit!”8]. Koliqi do të befasohej nga rapsoditë, poetët dhe kënga e maleve që gufonte si burimet e kristalta nga zemra e një populli  shumë të vobektë ekonomikisht, por shumë i pasur e artist në ndjenat e tij  shpirtërore. Koliqi duke lënë mënjanë inteligjencën, pa shumë takt e pati pyetur një shaljan të vobektë me fytyrë të hajme nga skamja, i veshur me një këmishë e pantallona zhguni  gjithë arrna: “Çka të shtynë të këndosh?” “E pse të mos knoj lum zotnia. Jam rahat boll: Unë i herë erzmarrun nuk jam, as mikprem nuk jam, gruen kush s’ma ka grabitë, mashkujt kush s’m’i ka vra, kush për seri nuk më kqyr, kur më merr uja ha bukë, kur lodhem bje me fjetë e më merr gjumi…!” A nuk ashtë një poemë kjo përgjigje? Kishte nder dhe shëndet, dy pasunitë e vërteta të jetës, e nuk dëshironte gja tjetër!9]. Tek ky tip i zakonshëm malsori të vobekët princi i prozës sonë bashkkohore, dallon lehtësisht inteligjencën e lartë natyrore, sythet e pasura të leksikut burimor shqiptar, simbolikën e qartë  metaforike, vlerat më të kulluara të idelalizmit njerzor. Në antitezë të plotë me interpretimet  statike akademike, Koliqi ngre zërin dhe thërret nga bunet e verimit në Breg të Bunës: “Le të vine këtu ata që pohojnë se poezia është një send luksi që nuk gjen të shkuem ndër të vobektë. Këta njerz të vobektë që ecin dy ditë rresht për të kërkue dy babune kollomoq me mbajtë shpinë, fillohen për rrugë të largta edhe me të vetmen arsye të shkojnë e të zanë nji kangë të re atje ku këndohet së pari!”10]. Nga  ky truall lindi, u ushqye dhe formoi profilin e vet rapsodi Gjergj Pëllumbi, specia ma intiligjente në llojin e rapsodve të botës primitive të maleve tona, kangëtar me zë të ëmbël e melodioz, yndyrë e  kulluar e ndjesive njerzore, aty ku burrnia dhe njerzia spikatën në mënyrë më të qartë se kudo tjetër. Aty ku siç nënvizon Koliqi ynë: “…njerzit ishin në gjendje të pashkollueme por jo të paqytetnueme!”11].

Shejzat e Koliqit - 1971
Shejzat e Koliqit – 1971 (Piktura Ibrahim Kodra)

1]-Shkruar me 1938 botue te “Shejzat”, nr 11-12; 1960; 1-2 1961 dhe 5-6 1961.
2]-“Shejzat (po ashty ).
3]-Treguar nga Nikollë Zeneli, kushëri i parë dhe bashkkohës i Gjergj Pëllumbit. Fran Shullani, Lotaj dhe Pal Tula  Theth, (të gjithë mbi 80 vjeç)
4]-Treguar nga Nikollë Zeneli – Theth,  dhe Gjon Nika – Shosh.
5]-Treguar nga Nikollë Zeneli – Theth, sipas rrëfimeve të Gjergj Pëllumbit.
6]-Treguar nga Zef Brari sipas trashigimisë gojore në Theth.
7]-Treguar nga Nikollë Zeneli, kushëri i brezit të lartë me Gj. Pëllumbin (Gj. Pëllumbi është i zjarrit të Shytan Prekës kurse N. Zeneli i zjarrit të Gjon Prekës.)
8]-“Shejzat” 11-12. 1960 , fq  451.
9]-“Shejzat” po aty , fq 452
10]-“Shejzat” po aty.
11]-E. Koliqi “Vepra”5, fq 92-93.
http://prelemilani.com

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. I want to thank the publisher for posting this great article written by Ernest Koliqi.
    Gjergj Pellumbi is my Grandfather. A person who I wish I could have known. I was told by many people who new him well, including my Mother Male Preka Gjelaj and my Father Nik Gjergji Gjelaj that he had a great rhythm, powerful voice and a unique personality.
    I have great hope that one day a recorded tape would turn up and we would be able to listen to his voice!
    ***
    Dëshiroj të falënderoj botuesin për postimin e këtij artikull të madh shkrue prej Ernest Koliqit.
    Gjergj Pëllumbi asht gjyshi im. Nji person, të cilin unë dëshiroj me u ba i njoftun. M’asht thanë prej shumë njerzve, përfshi këtu edhe Nanën time Preka Gjelaj edhe tim atë Nik Gjergji Gjelaj se ai (Gjergj Pëllumbi) kishte nji ritëm heroik, nji za të fuqishëm dhe nji personalitet unik.
    Kam shumë shpresë se nji ditë, ka me dalë në dritë nji kasetë e regjistrueme dhe ne do të kemi mundësinë me e ndigjue zanin e tij!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.