Tre shënime mbi të vërtetën:
Goethe – Fuga – Stralla…
Para disa ditësh nënvizova nji Aforizëm të Goethe-s mbi të vërtetën, duke theksuar nga ana ime sa të tilla aforizma, duhet të na dalin ngado që kthejmë sytë… se duhet të na e tërheqin vëmendjen dhe veshin, po nëse duhet le t’na e kërcasin edhe me shpullë po të jetë nevoja…!!
Gjithnji e më shpesh po flitet për nji popull të mashtruar, për nji popull të varfëruar, për nji popull të vjedhur, për nji popull që duket sikur sot e tall edhe qyrrashi i dikurshëm i lagjes…
Dhe mbas këtij solidariteti me Goethe, u bëra solidar edhe me mikun tim të vjetër, profesor Klodi Strallën, po u ndjeva mjaft dakord edhe me Profesor Artan Fugën… Kështu që i bëra bashkë të tre bashkë me shpresë se duhet të jenë më shumë se tre të të njëjtit mendim në lidhje me të vërtetën… Lexim të këndshëm!
j. radi
Johann Wolfgang von Goethe:
“E vërteta duhet përsëritë parreshtun,
sepse edhe gënjeshtra parreshtun përsëritet…”
Vetëm e vërteta vlen… nga Artan Fuga
Unë di ta mikloj, përkëdhel, t’i fërkoj opinionin publik dhe audiencat e mia.
Unë besoj njoh fort mirë gjithë autorët më të mëdhenj për sjelljen e turmave, audiencave, grupeve shoqërore.
Por shpesh të përkëedhelësh opinionin dhe të thuash të vërtetën janë dy gjëra të ndryshme, madje të kundërta.
Prandaj politikanët gënjejnë.
Njeriu më shumë do të hajë sheqer që e sëmur sesa të pije një ilaç që e shëron.
E çfarë të bësh kështu jemi ne njerëzit.
Por, nëse vendosem midis dëshirës për të pasur admirimin e opinionit apo të them të vërtetën tronditëse, unë zgjedh pa hezitim të them të vërtetën.
Në dreq të venë çuni i hallës së tezes, motra e gruas të çunit të tezes së hallës, nusja e parë e çunit të komshiut të katit të parë, kunata e gruas të shitësit të djathit të dyqani në hyrje të autostradës, në dreq dreqi me të gjithë të birin…
Vetëm e vërteta vlen, të tjerat bëhen pluhur e hi!!
“E Vërteta” dhe “Të Vërtetat” – Klodi Stralla
Refleksione mbi të “Vërtetën”, në një ditë pushimi
Edhe unë, si shumë miq të mij në FB, jo vetëm shkruaj diçka për të tjerët, por edhe lexoj shumë prej shkrimeve apo komenteve të tyre. Kjo më jep mundësi të njoh se çfarë mendojnë, si mendojnë dhe pse mendojnë të tjerët ndryshe prej meje. Ndonse shpesh nuk kam të njëjtin mendim dhe vlerësim me ta, tregohem i përmbajtur për të shprehur kundërshtinë, sepse e kuptoj se gjithkush ka të drejtë të ketë mendimet e tij. Shpesh shoh që debatet degjenerojnë në fyerje personale apo bashkëbiseduesit dalin hapur jashtë temës që debatohet. Mendoj, se të gjitha këto vinë nga që ne nuk e kemi të qartë dallimin midis “Të vërtetës” në njëjës dhe “Të vërtetave” në shumës, në mënyrë që ta mbrojmë me këmbëngulje të parën dhe ta pranojmë me zemërgjerësi të dytën.
Nëse ka një “Fe” së cilës njeriu duhet t’i besojë kjo është e “Vërteta”. Bile, edhe dogma kristiane, në një thënie të Jezusit shprehet “E vërteta do të të bëjë të lirë!”. Por zbulimi i së vërtetës nuk ështe një punë e lehtë. Është dashur kombinimi i intuitës, punës, dyshimit dhe kurajos njerëzore të disa brezave, për të mbritur në nivelin e njohurive të sotme.
Unë i përkas asaj kulture që mendon se në botë ekziston e Vërteta; pra që ka të vërteta, që janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit dhe në të gjitha kohët. Kjo është e vërteta në njëjës, apo si e quajnë ndryshe, e vërteta objektive.
Të tilla janë në përgjithësi të gjitha faktet empirike, natyrore apo shoqërore, ngjarjet, datat, por edhe disa parime morale dhe regulla sjellje që gjatë mijvjeçarëve janë verifikuar si të dobishme për kohezionin social të njerëzve. Psh. Pavarësia e Shqipërisë u shpall në 28 nëntor 1912 në Vlorë, Betoveni është autori i Simfonisë të 9-të, Toka rrotullohet rreth boshtit të saj në 24 orë dhe rreth Diellit në 365 ditë, temperatura normale e trupit të njeriut është 37 gradë celcius, apo parime sjellje si: mos vrit, mos vidh, mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron që të tjerët të ta bëjnë ty… etj, etj. Unë këto i konsideroj të vërteta objektive, duke nënkuptuar me këtë që ato duhet të jenë të njëjta për të gjithë njerëzit dhe në të gjitha kohët (nuk e kam fjalën pas miliona vjet). Vetëm duke pasur “sisteme referimi” të tilla kemi mundësi të zhvillojmë me të tjerët një komunikim të arsyshëm, përndryshe në një botë ku secili ka vetëm të vërtetat e tija, për çdo gjë dhe për çdo kohë, është e pamundur të ketë mirkuptim dhe bashkëpunim njerëzor. Por, po aq e vërtetë është edhe e kundërta, sikur njerëzit të kenë të njëjtat mendime, opinione apo vlerësime për çdo fakt, ngjarje apo mënyrë sjellje; kjo do të jetë një botë monotone, ku do të mungojë debati, sepse dijet e kësaj natyre shndrohen në dogma. Këtu hynë ato që une dua t’i quaj “Të vërtetat” në shumës apo të vërtetat subjektive.
Faktet mund të jenë një, por interpretimi dhe shpiegimi i tyre mund të jetë i ndryshëm nga njerëz të ndryshëm; këtu ndikon aspekti subjektiv i të parit të gjërave, përfshirë këtu interesi vetiak, natyra emocionale e personit, kultura familjare apo kombëtare. Shijet, preferencat apo pëlqimet janë individuale dhe këto duhet t’i pranojmë të gjithë. Një pjesë muzikore dikujt i pëlqen, dikujt tjetër jo; po ashtu një tablo pikture apo sklupture, një libër letërsie, një zakon social si mënyra e organizimit të dasmave, mënyra si e kalon kohën e lirë apo si i organizon pushimet, janë në preference të gjithsecilit dhe askush nuk mund të thotë që kjo e imja është me e mirë se ajo e tjetrit.
Por edhe interpretimet apo vlerësimet nuk janë aq subjektive sa duken: këtu hynë ato që quhen argumenta, që janë mjete që na mundësojnë të mbështetim apo bazojmë mendimet dhe opinionet tona. Fuqia e argumentave nuk varet nga numuri i tyre, sa më shumë argumenta ke, aq më të drejtë ke; nuk varet as nga mosha, shkollimi apo pozita shoqërore e atij që i sjell. Ka pasur shumë teori shpieguse (paradigma) që në pamje të parë duken shumë logjike dhe të arësyshme, që ta mbushin mendjen, por që koha i verifikoj si jo të sakta sepse kriteri i vetëm mbetet verifikimi në praktikë i parashikimeve të tyre.
Nuk ka gjë me të dëmshme se kur të Vërtetën në njëjës duam ta shohim si të Vërteta në shumës dhe anasjelltas. Në rastin e parë relativizojmë çdo gjë, duke pranuar se sikush ka të vërtetat e tij, për çdo gjë dhe për çdo kohë, ndërsa në të dytën bëhemi dogmatikë dhe të vërtetën tonë e shpallim si të vetmen të vërtetë, duke i cilësuar të tjerët si gabim apo aq më keq kur mendimin e tyre e quajmë në mënyrë pezhorative: “Ky ja fut p… kot!”. Në rastin e parë kemi ngritur një pallat pa skeletin prej hekuri dhe betoni, vetëm me tulla, dhe meret me mend se sa kollaj mund të shkërmoqet një ndërtesë e tillë me tronditjen më të parë; në rastin e dytë kemi ngritur një bunker vetëm prej betoni që nuk lejon mundësi përshtatje me kohën që vazhdimisht imponon ndryshimin.
Ja pse shkrimet apo komentet e mija dikujt mund t’i duken si oportuniste (që nuk dua t’i prish qejfin askujt), dikujt tjetër si përtej modestisë (kompromis me të vërtetën) apo dikujt tjetër si edukatë e shtirë (hipokrizi). Ju siguroj se nuk është asnjëra prej tyre, por ajo që unë besoj, se ka “Të vërtetë” dhe “Të vërteta”. Të parat duhet t’i mbrojmë me argumenta dhe këmbëngulje, ndërsa të dytat duhet t’i pranojmë si të drejta të tjetrit, ndonse nuk është FB mjeti apo instrumenti më i mirë për ta bërë këtë.
E djelë, 3 gusht 2014
Shumë interesant ka qenë dhe një shkrim i Artan Fuges në lidhje me teorinë e Ricos.
vetes në raport me veten e tij… Dhe përfundimisht citonte se secili në vetvete është tre vetë, pra kur dy vetë bëjnë gjashtë vetë, më vone citonte Goffmanin i cili shpjegon Teorinë e maskës së komunikimit dhe vetja komunikuese… Dhe dalin tre vetë komunikues për secilën nga gjashtë vetet… dhe 6 herë 3 bëjnë 18 vete dhe 6 vete më vete bëjnë 24 vete.
Pra kur janë dy vete bashkë në komunikimi në fakt janë 24 identitete personale që shfaqen dhe bashkëveprojnë. Mendo çfarë ndodh në Parlament… apo në Bankën me para… dhe me flori?!?
Secili prej nesh ka të vërtetat e veta për gjithçka…
E rëndësishme është që kur të dalim në rrugë përballë të vërtetave të të tjerëve… të vërtetat tona të mos turpërohen prej tyre…! j.r.