Magjia e Karnavaleve të Shkodrës…
nga Lazër Radi
Pjesë nga Libri i Lazër Radit “Shqipnia e viteve ’30”
Nji gjallni të madhe fitonte qyteti i Shkodrës ditën e Karnavaleve, që bahej aty nga fillimi i shkurtit. Për kët ditë baheshin shpenzime të mëdha dhe përgatitjet nisnin shumë kohë para se të niste festa.
N’at kohë trafiku ndërurban në Shkodër bahej me karroca.
Edhe për ditën e Karnavaleve karrocat përdoreshin. Secili grup përpiqej me angazhue nji ose ma shumë karroca, aq sa i nevojiteshin grupit. Përgatiteshin kostume, zakonisht merreshin si modele ato të Karnavaleve të Venedikut, gja e cila zgjonte shumë kureshtje. Përgatiteshin orkestrinat që përpunonin kangë të vjetra të traditës dhe kangë të reja që lançoheshin me at rast. Nji makinë e madhe në krye të festës mbante karnavalin e madh, që sipas traditës, digjej në fund të ceremonisë. Pranë Karnavalit të madh, me maskë ndër sy, i veshun bukur me rroba e shumngjyrta, të qepuna enkas për at festë, qëndronte Kolë Shiroka. Në fakt, Kola ishte berber, po mbi të gjitha ishte nji artist i lindun dhe njeri shumë i talentuem. Kishte tipare të përsosuna si t’nji aktori të madh; ishte poet dhe humorist. Dinte si askush me i fshikullue veset e njerëzve dhe të metat e tyne. Kunjave të tij s’mund t’i shpëtonte askush, as qeveria dhe as institucionet ma të nalta të qytetit. Tashma, Shkodra ishte mësue me e pa Kolë Shirokën në krye të karnavalit. Të gjithë ishin të bindun se po të ishte Kola në krye, Karnavali e kishte suksesin e garantuem. Në çdo ndalesë të karavanit Kola fillonte dhe i lexonte bejtat e veta. Ne ishim të detyruem me e ndjekë karron e madhe dhe në çdo ndalesë me zanë nji vend sa ma afër për me e ndjekë sa ma mirë humorin e tij therës.
Talenti i Kolës qëndronte te aftësia e tij e hatashme improvizuese. Ai kapte gjana që s’i binin në sy askujt tjetër… Edhe gjatë lëvizjes së karnavalit, ai aty për aty sajonte diçka të re. Ishte njeri që i kishte lezet çdo gja: edhe kritika, edhe humori, edhe thumbimet therse – gjithçka e thoshte me nji elegancë dhe bukuri të pashoqe, e askujt s’i mbetej hatri, askush nuk ndjehej i fyem prej tij, bile s’ishin të pakët edhe ata që e kishin për nder me ja u përmendë emnin Kola, në at ceremoni ku qyteti “e gjente vedin” si askund tjetër. Sa herë ndalej karuzeli ai recitonte vargjet veta, hidhte në hava fletushka, ku ishin poezitë e tij të shtypuna në letra me ngjyra.
Nji tjetër grup i karavanit të karnavalit ishte edhe ai që kishte në krye nji tjetër poet e humorist të famshëm shkodran: të paharrueshmin Pjetër Gjini. Edhe ai, njashtu si Kola ishte improvizues i jashtzakonshëm. Përgjat gjithë asaj dite edhe ai improvizonte qindra vargje; të gjitha të ndryshme, në gjithfarë metrikash, njena ma e bukur se tjetra. Vargje që godisnin vese dhe të meta të randsishme që shiheshin me sy e prekeshin me dorë në qytetin e Shkodrës. Mirëpo shumë prej tyne shkonin kot, sepse ai i improvizonte aty për aty, dhe aty ato mbaronin, mbasi askush s’kujtohej as t’i shkruente e as t’i botonte… veç çka mbahesh mend dhe kallzoheshin ma vonë si barxaleta. Sikur të ishin incizue ato deklamime publike, sot do të ishin nji pasuni e madhe e humorit shqiptar dhe mund të përdoreshin me shumë sukses si modele në raste manifestimesh artistike.
Meqë ishte improvizues, Pjetër Gjini e kishte gojën pak ma të shlirtë e rrjedhimisht shumë therës në bejta ndaj pushtetit. Po autoritetet nuk mund ta kapnin, pse askund nuk i gjenin asnji dokument të shkruem.
Vargjet e Pjetër Gjinit kishin vlera shoqnore. Duke qeshë e duke ngjeshë ai i fshikullonte të gjithë. Pjetër Gjini ishte edhe autor i disa broshurave me poema humoristike, nji lloj satire ende e pa kultivueme në vendin tonë. Mendoj se në vitet ’30, edhe kontributi i Pjetër Gjinit duhet marrë parasysh, jo vetëm si vlerë e madhe humori, po edhe si frymë pakënaqsie ndaj autoritetit të shtetit.
Në Karnavalet e vitit 1935, nji grup mjaft simpatik qe edhe ai i nxansave të Gjimnazit të Shkodrës me Dario Arditin, Xhemal Brojën, Qemal Stafën, Nikolla Shurbanin e mjaft të tjerëve. Edhe ata të veshun bukur, si për festë, me nga nji gjysë maske ndër fytyrë, me veglat muzikore dhe duke këndue mbi dy karroca shkonin bashkë mbas karvanit të gjatë të festës. Ishin përgatitë seriozisht për festë dhe kisha shkue disa herë në shtëpinë e Xhemalit e të Darios për me i ndihmue në përgatitjet. Të gjitha shpenzimet i mbuluen vetë dhe nuk ishin të vogla për at kohë. Ditën e Karnavaleve, mbasdreke dolëm në Fushë Qelë dhe po shifnim me vëmendje parakalimin e karrocave. Nga larg i dalluem ku ishin tonët. Spiro Bellkovi, dy metra i gjatë, me nji za të fuqishëm prej tenori, këndonte në kor kangët gazmore e humoristike që sajonim në klasë para se me hy profesori.
Karnavalistat tonë, kujtonin se do të na kalonin pa u njoftë, por ku filluem të këndojmë “Danga-llangën” e famshme atëhere edhe ata u ngritën në kambë dhe duke ngritë veglat përpjetë na përshëndetën. Nuk mund të ndalohesh pse krejt karvani ishte në lëvizje dhe çdo ndalesë e prishte ritmin dhe rregullin, gja që s’duhej kurrsesi të ndodhte.
Mbasi u ba xhiroja e plotë rreth qytetit, krejt karvani u mblodh përsëri në Fushë-Qelë, prej nga ku edhe ishin nisë. Mbas ceremonisë së përgëzimeve dhe çmimeve, po me ceremoni digjej edhe Karnavali i Madh dhe kështu festa quhej e mbyllun…
Ky ritual i përvitshëm bahej me muzikë, me fishekzjarre dhe kangë… vërtet shumë kangë!
(Libri asht në fazën e ribotimit)