Shejtnia e Tij, Papa Françesku vjen në Tiranë…
nga Fritz Radovani
Shtrohet një “sofër” pa sofrabez dhe mësalla shkodrane…
Qëllimi i vizitës së Shejtnisë së Tij Papa Françeskut në Shqipni…
Papa Françesku ka thanë se Shqipnia asht vendi i parë europian që ai ka në plan të vizitojë në shtator, me qëllim për me nderue të gjithë Ata që vuajtën nën komunizëm…
Programi i shpallun për vizitën… botue në gazetën “Dielli” me 31 Korrik 2014.
Është përmbyllë programi i plotë i vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator 2014, në të gjitha detajet e tij. Koordinatori i përgjithshëm i vizitës së Papës, Doktor Albert Nikolla, ka lexuar sot programin dhe logon e vizitës në një konferencë shtypi në katedralin e “Shën Palit” në Tiranë.
–Më 21 shtator 2014, ditë e dielë, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
-Në orën 9:30, Papa do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës.
-Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
-Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Shën Tereza”, shoqëruan nga fjala e Papa Françeskut në fund të saj.
-Në orën 13:30, Papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
-Në orën 16:00, Papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” e aty do të mbajë një fjalim.
-Në orën 17:00, do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
-Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
-Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
***
Çka pritet nga ky program?! Hartuesit e tij a i përgjigjen qëllimit të vizitës?!
E tham me bindje të plotë se jo!
Në program mungon “vizita e qendrës së Gjenocidit komunist në Europë” ku, u ushtrue në mënyren ma barbare, Gjenocidi komunist kundrejt Klerit Katolik Shqiptar, i mungon Shkodra Martire e masakrueme nga viti 1944-1991…
“Besa, Bujaria dhe Burrnia” janë të daltueme në Gurët e Kështjellës Rozafat!
Atje asht edhe “Burgu i Kishës së Fretenve”… Ma i tmershmi n’Europën komuniste, ku krimet dhe torturat ishin ma mizoret… Kleri i sotëm a e di këtë?!
Po lumi Kir e Drinaz ku, barbarët e shek. XX, tretën Trupat e Bekuem të Vorrezava të Kishës Katedrale, të Jezuitëve, Kishës së Zojës tek Kalaja, Kishës së Fretenve dhe disa mija kufoma të vramish e të dhunuemish ndër malet e burgjet e Shqipnisë komuniste… ku janë?!
Vizitës i mungon Bekimi i Vorrezave të Martirëve t’Atdheut dhe të Fesë… nder zallishta e prroje pa asnji Kryq tek koka… I mungon ndezja e nji qirit pranë Pendës së Kirit, dhe ajo e palejueshmja, i mungon Bekimi i nji “Monumenti” të dishruem tash sa kohë!
***
Në Tiranë, Papa Françesku, do të takojë disa nga persekutorët dhe shumë trashigimtarë e atyne që kanë krye Gjenocid kundra Popullsisë dhe Klerit Katolik Shqiptar, pikrisht, vrasësit ma barbarë t’Europës, dhe jo, të persekutuemit nga Gjenocidi.
Mbas 70 vjetësh masakra dhe shfarosje, Vorrezat e Martirëve të Atdheut dhe të Fesë Katolike presin Bekimin e Papës… Presin Shejtnimin e të gjithë të zhdukunve nga lufta e pamëshirshme antikatolike dhe antishqiptare… dhe jo, përjashtimin e Atyne që nuk kanë kursye as jetën, as veprën për “Fé e Atdhé”!
Presin Shejtnimin nga Papa, të gjithë ata Klerikë Katolikë Shqiptarë e Atdhetarë, që nuk u përkulën nga tortura dhe masakrat kur u asht kërkue “shkëputja nga Papa dhe Vatikani”, po dhanë jetën e Tyne tue thirrë: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnoftë Feja Katolike, Rrnoftë Shqipnia!”
Melbourne, Gusht 2014.