back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lotët e Babës… tregim nga Desantila Qerimaj

Gazeta

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

Kur ma së pari, shfaqesh bindshëm… Jozef Radi

Desantila Qerimaj, shfaqet për të parën herë seriozisht në botën e letrave përmes këtij shkrimi mjaft domethanës. Ajo na dëshmon qetsisht se asht nji pasionante e kahershme e artit dhe e letrave, se krahas muzikantëve të saj të zemrës, ka edhe poetët e saj të dashtun e të përzgjedhun si Quasimodo, Franco Loi, Ungaretti e të tjerë, po edhe prozatorë, të cilët i kanë dhanë shumë si: Hygo, Tolstoi e Gëte.
E lindun dhe e rritun në qytetin e Shkodrës, ajo fillimet e saj i ka të lidhuna me muzikën e në veçanti me violonçelin, në Liceun Artistik “Prenk Jakova” të qytetit të saj. Ma pas do ta gjejmë në Conservatorin “Cesare Pollini” të Padovës ku ajo thellon pasionin e saj për muzikën dhe violinçelin, pa lanë për asnji grimë mbas dore librat dhe leximin e “letërsisë së mirë”. Ndërkohë ban pjesë në orkestra të ndryshme filarmonike, po pa harrue asnjiherë qytetin e saj të zemrës, Shkodrën, ku prej 2007 deri në 2010, asht pjesë e orkestrës filarmonike të qytetit si violonçeliste, po edhe në formacionin e harqeve të “Classic Sounds” drejtue prej Anton Kaftallit. Për nji kohë të shkurtë asht edhe mësuese e violinçelit në Liceun e Shkodrës, ku dikur ishte nxanëse… Pasioni i muzikës si instrumentiste ka qenë i pandamë te kjo vajzë prej pasionit të kangës, pasionin e leximit po tek e vona edhe te pasioni i të shkruemit… edhe pse ajo asnjiherë s’e ka pa me guxim vedin në gjinitë e prozës a poezisë, edhe pse diku thellë n’adoleshencë sprovat e saj letrare ishin do lojna poetike që i jepnin mjaft kënaqsi, po deri njaty…
Sot në shpirtin e saj po gjen gjithnji e ma me forcë, gjithnji e ma besueshëm: të shkruemit!! E bindun, se të shkruemit bukur asht si virtuoziteti në muzikë,  ajo po gërmon mbrenda vedit dhe po gjen krejt arsyet pse ka mjaft  me dhanë në prozë po edhe në poezi…
“Lotët e Babës” asht nji prezantim i saj i parë serioz dhe dinjitoz. Sigurisht aty asht edhe eksperienca si muzikante, janë edhe leximet e shumta, që s’i lejojnë ma veç hovet e çastit, mbasi sot ajo e ka të qartë rrugën se kah duhet me ecë, e çka duhet me ba… Ne na mbetet veç me besue dhe me pritë, për çka ajo asht e bindun…
Si lexues unë mundem me thanë se tregimi “Lotët e Babës” ka shumçka nga krejt e përbashkëta e jonë e këtyne dy dekadave të fundit… ka nji dinamikë veprimi dhe gjuhe që të ban për vedi, sepse Desantila ka at guximin e domosdoshëm,  sinqeritetin e nevojshëm dhe at mprehtësinë e vëzhguese të jetës që i duhet letërsisë me mbetë e ngulun ndër shpirtra…
Unë e besoj atë, unë i uroj asaj…
8 gusht 2014

Dashni atnore...
Dashni atnore…

Lotët e Babës…

tregim nga Desantila Qerimaj

Baba jem e kishte gjithmonë qeshjen ndër buzë…
Unë e due babën tem, e due aq fort… sa e kam të qëndisun kujtimin për të në nji cohë të plotë e të rrjedhshme bojë tamël…
E vogël, ai më merrte në krahë dhe më hypte në timonin e makinës dhe qeshnim bashkë ndër rrugët pothuej të zbrazuna të Shkodrës me krejt pak makina…
Sytë e tij janë të butë e mikpritës, sy që dinë me pritë pa ba shum pyetje, sy që dinë me kuptue pa marrë shum përgjigje. Baba kur u kthente prej punet në vitet e mia të vegjëlisë, bante sikur po më kërkonte me dëshpërim të madh pse kinse nuk po më gjente, dhe unë u mshehsha nën shtrat, e baba prej maje rrugicës që binte afërsisht 15 metra larg dritores tonë në shpinë e vjetër, ishte me qeshjen ndër buzë…
E mbaj mend gjithnji me at shtatin e drejtë dhe të ecunën e thjeshtë dhe kjo s’asht e vshtirë për mue, sepse edhe sot ai ka po at pamjen prej djaloshi kur ecë, edhe pse vitet e kanë përplasë ndër taravaje nga ma të lodhshmet…
E kam të gjallë ndër sy fmininë teme të lidhun mbas tij, si në nji film me ngjyra të lehta, në udhtime të shpeshta e ndër ngjarje të palidhuna fort me njena-tjetrën, e sidomos gjatë verës… Kujtoj, kur ecshim përgjat fushash me lulediellë të çiluna fort për kah qielli, m’asht skalitë në zemër nji fshat… emnin e të cilit as sot se di, e ku njiherë u ndalme diku pranë nji kodre të mbushun luledelesh e unë bashkë me qingjat që ishin aty fillova tuj këndue: “Qingji i vogël, pse mendushëm…”, kangë e cila ka shoqnue çdo fmi të qytetit tem për shum kohë…
As tash s’e di pse ajo ditë asht krejt e veçantë për mue, me at ushqimin modest: bukë e djathë të bardhë të mbështjellun me gazetë që nana na kishte pregatitë nadje, e që ne e hangrëm të dy në makinë, ndërkohë që para nesh pamja ishte sa e virgjën aq edhe e ashpër. Ai çdo çast më jepte me kuptue se puna e tij nuk iu bante asnjiherë randë, se ishte i papritueshëm dhe mue më vinte çudi, tuj pasë parasysh njat makinë të vjetër që ai drejtonte në kushte aq qesharake, e që ndonjiherë përdorte lugë a pirunj o mjete tjera aspak të përshtatshme për me mbajtë veglat e fiksueme në motorrin që gulshonte si kulshedër.
Asokohe shum gjana mund të quheshin qesharake… shërbimet e makinave ishin të rralla, rrypa sigurimit s’kishte, nuk kishte siguresa dyersh dhe kutia e “ndihmës së shpejtë” ishte diçka prej plastike të prishun… Ah, kjo tash asht e tepërt, edhe unë çka flas: “Kuti e bukur e ndihmës së shpejtë!!!”
Baba jem e kishte ndërtue çdo lumtuni të tij mbi familjen dhe kjo i mjaftonte me krijue darkave kështjella plot me ngjyra me ne. I dërrmuem prej punës së lodhshme ai mbushej me energji në dashninë tonë…

Babë e bijë...
Babë e bijë…

Dita ma e vështirë e jetës së tij ishte ajo kur eme motër u nis me jetue në Perendim, dhe mue m’asht dukë sikur s’kishim me u pa kurrë ma…
At natë, mbasi u kthyem prej aeroportit e bame nji rrugë që ishte veç dy orë, po që na u duk se zgjati dyqind vjet…! Nuk dihej se kur kishte me mbarue ai pështjellim vetmiet. Nuk shifej ma asnji përfundim. Ne ishim ngri gjakut diku mes rrugës ku jetohet dhe ishim zhytë në at mungesë, e cila rrinte varun mbi gozhdë si nji rrobë e vjetrueme prej pluhnit gri, në nji shtëpi ku jetojnë shum njerëz. Hapsina ishte e mbushun me nji grahmë frymëmarrëse… Kishim mbetë tre e na u dukte se ishim zhdukë të tre! Vetëm eme motër ishte aty, në çdo send, gjithkund… ne nuk u prekshim, ishim të huej, veç dallojshim hapat e njeni tjetrit si n’agoni, sikur nji hapsinë e pakjartë po jetohej e humbun mbrenda asaj bote…
Isha vetëm 12 vjeçe dhe e vetmja gja që më shkuli prej vetmisë qe violonçeli jem, i cili ma shumë m’u afrue ai se sa ju dhashë unë. Nuk m’u dukte fort i randsishëm ato ditë, bile thosha se do të vueja kaq fort prej ikjes të saj, sa as violonceli s’m’u donte ma! Po ai rrinte njaty: i bukur e i heshtun si i xanun në faj!
Mbas do ditësh m’u shfaq ndryshe: shum i bukur, si kaproll dhe tingujt e tij u banë e vetmja harresë e dashtun e botës… Afrohesha me droje në ngrohtësitë e tij të reja si të kisha dëshirë me u hjedhë në nji detë që s’e kisha pà kurrë!
Nana kishte në ftyrë nji dhimbje që dukej si e krijueme prej mija vjetesh, dhimbje fosile… E pjekun mirë, e padepërtueshme. Ndërsa ftyra e babës ishte e pashpjegueshme. Në sy i dallohej nji pyll përplot degë të gjata e të thata lidhuna nyje me njena-tjetrën prej toke e deri në qiell. Ai kishte ngecë mes tyne dhe nuk mund t’u shkulte. Në ftyrë i dallohej nji pus ku jetë nuk kishte ma, e nuk kuptojsha a mund të xjerrsha ma ujë prej tij a jo?! A mund t’i shembsha nji nga nji ata gur me forcën teme të dashnisë, për me mbërritë te ai shikimi krejt dritë që më nepte vazhdimisht…
E shifsha se si prej çdo lëvizjeje nervoze donte me mbërritë diku… diku përtej, ndoshta n’at salonin tonë të vogël, ku kishte vend veç për nji komplet divanash, nji televizor e nji shporet drushë. Ai donte me u zhdukë larg syve të vet për mos me pa në to ikjen e saj… Duert i lëviznin pa pushue. Gërmonin mallin, gotën e ujit, fërkonte gjunjtë, a çado që mund të ishte, çado që mund të gjindej e sillte ndër gishta ethshëm: qe boshllëku tash që përcaktonte çdo gjest të e tij…
Në divan, trup i tij i dorzuem, u dukte i pamatë. Fjalët e tij i ngjanin do shpive shum të bardha po pa dyer, pa dritore, si të ishin forma masash të ngurta të mbetuna pezull e të shkapërdame në ajër… kërkund tokë!
Po m’u merrte fryma tuj e pa. U dukte si nji foshnje që përmbytet kur e hjedhin për të parën herë në ujë. Lufta që u zhvillonte në ballin e tij ishte nji dridhje e trembun deri në sfilitje, nji luftë e gjanë, torturuese e përhumbun thellë. Në të po shifja nji ftyrë botnash të përmbysuna!!!
Baba e përjetoi randë mungesën e vajzës së ikun, dhe jo veç at natë por edhe në tanë vitet që vazhduen… Edhe sot e ksaj dite, sa herë që përmendet emni i saj, prej syve të tij shkëlqen nji dritë e lagësht… e tinëza rrëshqasin do pika të reja lot…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.