Xhubleta –
ndër veshjet ma antike – të mbrrituna deri sot…
Xhubleta është një tip i veçantë veshje për gra, e pa shoqe askund tek ndonjë veshje tjetër e kohës së re. Mosha e lashtë, premja dhe pamja e jashtëzakonshme, repertori i motiveve të përdorura, nga më interesantët në artin tonë popullor, me një autenticitet origjinal, me një sistem harmonik dekorativ në përshtatje të plotë me pjesët përbërse i japin xhubletës pasaportën kombëtare të kostomografisë sonë etnike.
Biografia dhe gjeografia e xhubletës shqiptare është fokusur nga një larmi e gjerë studimesh të karaktereve të ndryshëm duke filluar që në fillim të shekullit 18-të nga letrari hungarez Daniel Kordinez e K. Takolaç, pasuar prej baronit austriak F. Noça (shek. XIX), E. Durham (fillimi i shek. XX), për të vazhduar më tej me tej me autor të tjerë të kohrave të vona si Rrok Zojzi, B. Jubani, A. Gjergji, M. Fontanes, U. Xhemaj, Dr. Agim Bido, etj. Nopça xhubletën në pikpamjen kostumologjike e përkufizon si “…shumë interesante, për arsye se përkon kryekput me veshjet në formë fundi të njohura nga disa terrakota të zbuluara në Serbi dhe me gema të shumtë të Mikenës, pastaj me objekte të Kretës”. Rrok Zojzi në studimin e tij “Mbi veshjet tradicionale të popullit shqiptar”, mbështetë plosisht plosisht mendimin e Nopçës mbi prejardhjen e xhubletës nga qyterimi kreto-mikenas. Këtë mendim e kanë pranuar edhe disa autor të tjerë si Haerland, Garashanin, Kovaçeviç, etj.
Verdikti i pakontestushëm i studjusve dhe etnografëve se “…Xhubleta është si një veshje e tillë është përdorur vetëm nga shqiptarët në zonën e Alpeve shqiptare me dy e piqendra kryesore Malsinë e Madhe e Dukgjin me zgjatime deri në zonën midis Matit dhe Bunës (ku janë vendosur herë pas here malsorë të zbritur nga Malsia e Madhe) për vazhduar tek shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Rugovës në Kosovë.” Ky fokus nxjerrë natyrshëm në ballë të impresioneve gjurmlënse dhe hulumtimeve serioze për kulturën materiale alpine dhe kostumin me xhubletë të grave kelmendse e dukagjinase. Ky kostum është një ndër munomentet më përfaqësues e më të hershëm të kulturës etnike shqiptare me origjinë afër 4 mijë vjeçare…
Xhubleta edhe pse për shkak të analogjive që paraqet me disa tipare të qyterimit kreto-mikenas, nuk ka dyshim se ajo ka qenë një veshje që ka jetuar për shekuj në qytetërimin ilir është integruar në të dhe është përcjellë përmes shekujve deri në ditë tona. Xhubleta është një mozaik i universit alpin e thurur me një teknologji të posaçme brenda ekonomisë shtëpijake. “Ajo përfqëson një stil të veçantë veshje, që nuk ngjason me ndonjë model të veshjeve të kohrave të reja askund tjetër në Evropën Juglindore…” Xhubleta është fundi i shajaktë me ngjyrë të zezë në pala në formë kambane, është repertori i motiveve ineresante me fizonomi shumë origjinale. Ajo përfaqson një profil të ngrirë me pak përkulje, ujdisur e gjitha në një konfeksion të leshtë me një sistem dekorativ të dendur gajtanesh të aplikuara në dy tri shtresa, të cilat së ja shtojnë peshën dhe trashësinë duke e bërë të rrijë si e ngrirë.
Përdorimin e thekëve të gjata për zbukurim, qoftë tek supet e xhokës, qoftë tek anët e poshtme të përparsës formojnë një kompleks karakteristikash arkaike në ndërthurje harmonike së bashku me kërdhokult dhe brezin e gjerë që mbulon mesin e gruas malsore. Malsorja e veshur me xhubletë është shembëlltyrë e dekoracionit alpin që rrethon, është një simbolikë poetike, është një kategori estetike e stilit të eposit legjendar verior e krijuar enkas për dekorim madhështor alpin. Xhubleta malsore me formën e sajë që ulet e ngrihet valë-valë është një armë delikate bjeshke, është fisnikëria, është pastërtia shpirtërore, është hijeshia, është sensulitetit, është vallzimi solem, është vitaliteti, është talenti, është pasioni, është daltimi, është sekreti, është filli i jetës, është ninulla, është puthja, është brenga, është loti, është prehri, është ngohtësia, është vrazhdësia, është ftoftësia, është metafora, është drita e ndriçimit të kohrave, është velloja e amzonave luftarake shqiptare është historia, është pasqyra ku reflektohet fjoga e visareve më të vjetra e më të çmuera të kulturës sonë popullore me pigment “made in” ilir.
Xhubleta përbehet prej rripash dhe copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar dhe kërkon mjeshtri të madhe në të qepur. “Një xhubletë përmbante 13-17 rrgozina (rripa), 5 copa përparje nga 7 rrgozina dhe 6 copa të tjera, kraholi 30 copë dhe kërrdhokla nga 7 copë” . Të presësh dhe të qepësh një kostum, prej kaq shumë copash, nuk ishte lehtë, kompletimi i një xhublete donte disa muaj punë intensive. Edhe qëndisja dhe zbukurimi i xhubletës ishte një punë po aq e ndërlikuar sa edhe prerja. Përdorimi i një sasie të konsiderushme spiku të zi në 5-6 rreshta të ngjeshur, kërkonte shumë durim shkathtësi dhe intuitë të pagabushme. Xhubleta zakonisht për të qëndruar mirë në trup mbahej me dy rripa shajaku varur tek supet, por nuk përjashtohej lidhja për mesi me një rryp. Pjesën e gjoksit gruaja vishte “grykën” ose një këmishë të shkurtër si bluzë
Etnografët duke pasur parasyshë pjesët përbërse të këtij kostumi kanë bërë klasifikimin në dy tipa xhubletash.
Xhubleta e Malsisë së Madhe:
është shumë e valzuar e madhe në formë trapezi e zezë me një shirit të bardhë në fund (pshtjellaku), brezi i gjerë prej lëkure mbuluar me pulla sermi dhe kërrdhoklat prej shajaku e spiku si një brez rreth 20 cm i gjerë i mbërthyer prapa me një kapse teli dhe së fundi xhamadani me mangë të gjata…”, përgjithsisht i zi. Çorapet e shkruera prej leshi me ngjyrë vjollcë ose trandafili të qepura pas kallmave. Kallmat bëheshin në formën e kallçijeve (të kopsitura në njerën anë), me shajak të zi, me shumë zbukurime dhe qendistari sipër. Kallmat kombinoheshin me shputa me ngjyra. Në kokë mbahej shamija (ruba që lëshohej lirshëm mbi supe. Nuset e reja i mbanin me ngjyra inkandeshente me lule. Ndërsa gratë që ishin në zi dhe përgjithsisht plakat në ballë mbani poshe, pakosur si një rrip 4-5 cm të gjerë
Xhubleta e Dukagjinit-Pultit:
Është simoter e sajë, por më e ngushtë, më pak e valzuar dhe pa rrgozinë (shiritin e bardhë) në fund si ajo e Malsisë së Madhe. At Benardin Palaj shkruante: “Në Malsi të Madhe bjen në sy xhubleta në trajtë kumbone, ndera në Dukagjin trajta e saj është më e përmbledhtë…”. Pjesa e sipërme e trupit gjoksi mbulohej nga “grykza” kraholli një xhoke e shkurtë shajaku pa pala, por me thekë të gjata leshi te supet. Brezi i mesit prej lëkure i zbukuruar me pafta dhe unaza treshe prej bronxi, ku vareshin stolitë e brezit. Brezi ishte rreth 8 cm i gjerë por më i ngushtw se brezi i malsorës. Karakteristike janë dy futa në formë trapezi, njera më e madhe, prapaniku, rreth 60 cm i gjatë me thekë leshi ngjyrë vjollcë si ato që kishte kraholi tek supet e tjera, prapaniku rreth (30 cm i gjatë) që vihej prapa. Në këmbë gruaja mbathte çorape leshi të zeza dhe nuk përdorte kallçe si në Malsinë e Madhe në kokë mbante shaminë të lidhur ngusht, “Ky varjant kostumi quhej “veshje pultake”(Pultit) ka ruajtur disa tipare arkaike, si në pjesët që e përbëjnë, ashtu edhe në dekorimin e tyre. Ai mbahej kryesisht në zonën e Shllakut e të Temalit në një pjesë të rrethit të Pukës deri në Nikaj-Mërtur”. Në Shalë e në Shosh sidomos gjatë shekullit XX, xhubleta nuk është shoqëruar me prapanik, ka pothuaj po atë gjerwsi si ajo e Malsisë. Pjesa e prapme e xhubletës bëhej me iva (pala) të ngushta të qepura njera pas tjetrës, prej belit konik deri tek pjesa fundore e valzuar, ndërsa përpara ishte më e varfër në dekoracion pasi mbulohej nga përpara. Forma e sajë ngrihet valë valë me lugje (variacione) herë delikate e herë të theksuara, përdoren kallmet në formën e kalçijeve, pa ndonje ndryshim nga ato të Malsisë dhe kjo ka ndodhë për shkak të mardhënjeve ekonomike e shoqërore të ndërsjellta që kishin Shala e Shoshi si me Malsinë e Madhe ashtu edhe me Nikaj-Mërturin. Në Shalë e në Shosh xhubleta është një kostum miks mes dy varianteve të zonave të lartpërmendura.
“Për mjeshtret malsore ‘goditja’ e vëllimit karaktersitik të kambanës ishte një proces i vështirë plot sekrete e që realizohej përmes bashkimit të 25-30 copave shajaku të prera në forma të ndryshme”. Lënda e parë është pëlhura e leshtë e shkelur në vegjë, duhej edhe një sasi e konsideruar spiku përthurjen e së cilës ishte përpunuar një teknologji e posaçme. Sasia e spikut ishe e konsiderushme disa dhjetra metra linarë dhe vendosej kudo që kishte një të qepur. Motivet zbukuruese vendoseshin horizaontalisht në hapsira të ngushta. E vetmja copë tekstili me dekoracion që përdorej në këtë kostum vendosej në pjesën qëndrore të përparjes, që përfaqsonte një fushë të zezë ose ngjyrë tulle me disa ornamente të thjeshta vibruar me fije të arta, argjendi ose manushaqe. Përparjes mund t’i dekoroheshin edhe rripa të ngushtë cohe të kuqe o vishnje. Kjo tip xhublete me të tilla zbukurime quhej e kuqe dhe mbahej vetëm nga gratë e reja sinonim i potencës së tyre ekzotike (si dielli në zenit), që i dallonte ato nga xhubleta e bardhë me sherita e sensualitetit vajzëror (joshse si rrezet e para të diellit pranveror) dhe xhubletës së zezë që mbanin gratë e moshura si prag i muzgut të ashpër e të ftoftë të pleqërisë dimrore. Sot për sot nuk njihen paraqitje figurative të xhubletës përpara shek. XIX, kemi vetëm një përshkrim të Kordinezit të shek. XVIII. Etnografët duke bërë krahasime e një varg xhubletash të fiksuar në celuloid nga mjeshtri Marubi në çerekun e fundit të shek. XIX dhe xhubletës së çerek shekullit dytë të shek. XX e në vazhdim, kanë arritur në konkluzionin se kjo veshje ka ardhur duke u thjeshtësuar shumë qoftë nga ngjyrat qoftë nga zbukurimet, aq sa nga kujtimi i largët ka mbetur vetëm emri “xhubletës së kuqe” Kështu që xhubletat mbas Luftës së Parë Botrore, kanë qenë pothuaj krejt të zeza, me një dhe me zbukurime me rruaza të errta, çfarë tregon se pushteti dhe rëndsia e saj erdhi duke rënë aq sa pas Luftës Së Dytë Botrore, doli krejtësisht jashtë qarkullimit me përjashtim të rasteve ceremoniale dasma e vdekje ku përdoret si objekt honorik. Xhubleta jonë mijavjeçare është krenaria e kulturës sonë të lashtë, ndoshta nga të vetmet veshje pa asnjë ndikim orjental, as sllav dhe është dy variantshe (M. Madhe – Dukagjin), shëmbëlltyre e Alpeve tona madhështore simbolikë i kulteve të vjetra pagane të stiluera me zgjuersi e delikatesë nga dora e amzonave malsore kelmendse e dukagjinse.
http://prelemilani.com/xhubleta
Xhubleta simbas Wikipedias
E merr këtë emër nga një lloj fundi në formë kambane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtana të hollë prej leshi. Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës, të cilat quhen grykes, mangë dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana, i cili në të folmen vendore quhet kërrdhokëll. Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me kellei shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure. Veshja me xhubletë në gjysmën e poshtëme ka formën e kambanës dhe në gjysmën e sipërme ngjan me veshjen e kryqtarëve, sikundër dhe mjaft simbole të gdhendura mbi këtë kostum, si koka e demit kretan, forma kryqi, svastike, etj., janë të njohura si të templarëve. Koleksionistja Dano pohon se misteri i veshjes së zezë, shkëlqen nga të gjitha pikëpamjet, si nga ndërtimi, teknika e endjes, ornamentikës së qëndisjeve, derdhjes së stolive, etj. Misteri i veshjes së zezë është më i madh se dija mbi përmbajtjen e saj.
Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saja me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura; si ngjyra e zezë, çiklamin, vjollcë ose blu. Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë perfshire edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi.
Xhubleta përfaqeson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qyteterimit ilir në kulturën popullore shqiptare.
Wikipedia