back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

A do (mundet) Shteti Shqiptar të heqë dorë nga Doktrina e Urrejtjes… esse nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2012
Jozef Radi 2012 

A do (mundet) Shteti Shqiptar

të heqë dorë nga Doktrina e Urrejtjes…

esse nga Jozef Radi

Nji nga betejat ma të mëdha, ma të vështira, ndoshta ma të pamundura që përball Shteti Shqiptar dhe krejt qytetarët që flasin gjuhë shqipe është Beteja me Urrejtjen… e thënë pak më ndryshe Beteja me Vetveten… Vetëm kur qytetarët dhe politika e përzgjedhun prej tyre, t’i ketë dalë në krye kësaj beteje, atherë mund të thuhet se është vendosur në piedestalin e të qenit Shtet, dhe shqiptarët shtetas të denjë të shtetit të tyre, përndryshe ajo urrejtja e mbjellë për nji gjysëm shekulli, dhe kjo urrejtje e kamufluar për nji çerek shekulli prej kohësh e kanë vendosur përballë dilemës hamletiane “To be, or not to be!!”

Që shteti shqiptar ka kultivuar në mënyrë sistematike urrejtjen ndaj nji pjese të konsiderueshme të shtetasve të vet, për nji periudhë të gjatë kohore, kjo s’është diçka as e re dhe as e paditur, dhe as jam unë i vetmi e as pjesë e ndonji pakice që e theksoj këtë gjë… Janë me mijra, pse jo me qindramijra ata që e kanë ndjerë dhe e ndjejnë; që e kanë parë dhe e shohin, dhe s’janë të paktë (edhe pse rrallohen përdita) ata që ende i kanë të shkruara në lëkurën dhe në shpirtrat e tyre të vërtetat tragjike të kësaj Urrejtje të dhimbshme, të kësaj urrejtje sistematike, të çmendur, poshtëruese, të pakufishme të shtetit ndaj qytetarëve të vet…
Kur akuzoj shtetin shqiptar, akuzoj në rradhë të parë politikën shqiptare, e cila prej vitit të largët 1944, e deri në ma të fundmet ditë të 2015-ës, janë diçka ma shumë se shtatëdhjetë vite urrejtje sistematike, e mjaftë për t’u quajtur nji doktrinë filozofike e pashpallur e çuar deri ne genocid, pra të lejon të besosh se është e studiuar, e organizuar, e strukturuar, e ushtruar, e përpunuar, e përshtatur, e ligjëruar (tashmë e përsosur mbi ligje e nënligje, nene e rregullore nga ma djallëzoret) dhe e zbatuar me nji përpikmëri kirurgjikale në krejt shoqërinë shqiptare….
Ideja e çlirimit nga pushtuesi, qe fasada mashtruese e kësaj urrejtje, e cila si fillim, vendosi tehun e shpatës mbi kryet e “armiqve dhe tradhëtarëve”, po që vazhdoi ethshëm me grabitjen e arit dhe të pronës së individit, që synoi përmes sekuestrimesh dhe taksash të pafundme të kolektivizonte gjithçka deri edhe idetë dhe mendjet; që këmbënguli përdhunshëm po edhe qetësisht zhdukjen e krejt frymës nacionaliste dhe çdo ideje ndryshe, bile edhe rrafshimin e krejt asaj aradhe të mrekullueshme korifejsh dhe intelektualësh që i kish dhënë frymë dhe formë atij shteti që ata e gjetën në këmbë, për t’u derdhë ma pas lukunishëm mbi klerin dhe fenë, (e në veçanti ndaj françeskanëve), që të mos mund t’u nëpërkëmbej kush Perëndisë së re që po lindte… Më pas genocidi vijoi ndaj familjes shqiptare, (në veçanti ndaj gruas shqiptare), ku përmes ndëshkimesh kolektive, gulagesh e kampesh të panumërt të ngritura në gjithë Shqipërinë u tkurr çdo frymë iniciative dhe lirie… Kështu, kjo “luftë e klasash”, kjo urrejtje patollogjike gjysëmshekullore, përditë e përdhunshëm u fut në qelizë të çdo individi dhe jetës së përditshme dhe e ktheu krejt nji popull në nji hapsanë pafund, me kontingjente gjithnji të freskëta armiqsh, që si me magji qenë shëndrruar në skllevër të nënshtruar pa asnji lloj të drejte…

Njerëz të Piketuar...
Njerëz të Piketuar…

Bashkë më Rënien e Murit të Berlinit, ra edhe Miti i Pathyeshmërisë së Komunizmit Shqiptar… Në entusiazmin e rrëzimit të shtatores së diktatorit, u besua dhe u shpresua se po rrëzohej edhe ajo urrejtje, tashmë e kultivuar si frymë për një gjysëm shekulli e shtetit shqiptar…
Të mos harrohet, se ishin mijra jetë njerzore të vendosura në themelet e këtij Besimi dhe kësaj Shprese, ishin qindramija njerëz Zotvrarë që iu përballën kësaj stuhie, ishte një Kohë e Humbur tejet e gjatë, ishte nji Mosbesim i ndrydhur se e Keqja s’do të mund të shkulesh aq lehtë…!! Dhe vërtet… mjaftoi veç pak për t’u ndjerë, për t’u parë dhe për t’u provuar se ajo çka po ndodhte s’ishte veçse nji truk, një pudrosje e fytyrës së përgjakur të Shtetit të Urrejtjes, kështu që edhe ai entuziazëm i fitores së trukuar si liri (pa asnji të drejtë – veç asaj për ta braktisur vendin), pak nga pak u bë pjesë e tragjedisë së 50 viteve të shkuara… E vërteta e asaj kohe që u quajt Liri, pa asnji rikthim të moralit në politikë, me rikthimet farsë të pronës te i zoti; me njeriun stoik përballë përbindshit të Diktaturës, që ledhatohej me thikë mbas shpine… e shëndrruan gjithçka në nji grotesk të squllët, të neveritshëm e skandaloz…
Kishte fituar sërish Doktrina e Urrejtjes së Shtetit… Ky Shtet kishte ndërruar veç dukjen, duke mbetur po aq kriminel sa ishte, por tashmë më hipokrit, më i paftyrë, më i neveritshëm, sepse në thelb të thelbit të tij vazhdonte të qëndronte pikërisht ajo: Urrejtja e Klasave… me Maskë Demokratike…
Urrejtja postkomuniste, u përpunua me kujdes përmes demagogësh të rinj, në kovaçhanat e vjetra. Thelbi i saj mbetesh ruajtja e stauquo-s, pra fasadës demokratike, me shpirt diktature… për të luajtur poker me Europën dhe Botën, me qëllimin e qartë e të vetëm: Kurrë të mos bëhej një e vërtetë lirie…
Prej parullës “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, deri te Revolucioni i Piramidave, (ku pihej gjaku i urrejtjes në dyer Universitesh); prej Rrëzimit të Mitit të Diktaturës, te Rishfaqja Zyrtare e Diktatorit; prej Byrosë Politike tek Bllokmenët e Rinj… është krejt itinerari dhe filozofia e kësaj urrejtjeje, tashmë të pasuruar e të rafinuar prej kasketave të dikurshme kineze, te kostumet Armanit; prej neokastës së Bllokut, te një ndarje e re klasore, ku si pa u ndjerë krejt nji popull po i “brohoret” fitores historike të Urrejtjes…!! Pra prej atij afrimi hipokrit ndaj asaj shtrese të shtypur e të shkelur padrejtësisht për nji gjysëmshekulli, te kjo braktisje e re dhe e rafinuar çerekshekullore e shumë shtresave që krijoi koncentrimi i krejt ekonomisë së dikurshme socialiste te nji grusht oligarkësh komunistë e neokomunistë të lidhur me Pushtetin; prej përzgjedhjeve dhe përkrahjeve selektive, deri tek mosbërja apo moszbatimi i asnji ligji dinjitoz që t’i kompensonte sadopak ato dëme të shkaktuara nga tjetërsimi i njeriut, i pronës dhe vlerave, tashmë po shfaqet drejt e në këmbë pa asnji maskë krejt Doktrina e Urrejtjes së Vjetër dhe të Re, e krejt një Shteti që zhytet në llum të vetvetes…

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Barakat e Urrejtjes Klasore

Kjo Urrejtje sot, ka sigurinë, paturpësinë dhe kurajon t’u rikthehet figurave gjysëmshekullore të krimit, të cilat mbasi e shplanë për nji gjysëm shekull trurin e qytetarit të vet, sot po përpiqen me arrogancë dhe pakujdes t’i shpëlajnë edhe ato figura që mbeten bartëset e vërteta të Krimit dhe Doktrinës së Urrejtjes, duke na rikujtuar jo pa entusiazëm fabrikat dhe uzinat, rrugët dhe hekurudhat, hidrocentralet dhe shkollat, bukën edhe naftën, qetësinë edhe ushtrinë… e duke harruar si krejt pa rëndësi atë dhunimin e paprecedent të njeriut, historisë, kulturës, vlerave, rrënimet makabre të pronës dhe individit… të cilat e kapërcejnë mijra herë, çdo hekurudhë e hidrocentral, shkollë e dritë, kënetë të tharë apo minierë, të cilat s’do të qenë realizuar kurrë… pa mundin, djersën, gjakun dhe lirinë e vjedhur të atyre qindramijra njerëzve të dhunuar deri në qelizë…
Një shoqëri që jeton për nji kohë të gjatë nën Kultin e Urrejtjes, i injekton vetes pa e kuptuar mikrobin e vetshkatërrimit. Pyetja që shtrohet sot me të madhe është: A jemi ne shqiptarët nji shoqëri e kërcënuar prej filozofisë së Urrejtjes së Shtetit? E nëse mendojmë se po. Si mund të shpëtohet prej saj? A është e drejtë të theksohet se sa më vonë ta kuptojmë këtë gjë, aq më i vështirë do të bëhet raporti midis qytetarit dhe shtetit…
Mos e kultivo urrejtjen nëse dëshiron të mos dëmtohesh prej saj!!
Nëse nuk sakrifikohet në emër të nji ekuilibri të ri, nëse nuk nxitohet në kahun e së drejtës dhe moralit, nëse nuk e ndalohet filozofia e Urrejtjes së Shtetit ne rrezikojmë të zhytemi drejt nji degradimi pa kthim…
Shihet qartë se ne ende s’kemi nxjerrë asnji mësim nga Historia, dhe as pësimet s’na kanë bërë të vetëdijshëm e vëmendshëm ndaj së arthmes… Prandaj në horizont historia që kërcënon të përsëritet, pikërisht pse ne kurrë s’luftuam seriozisht që t’i krijojmë individëve imunitetin e domosdoshëm ndaj së keqes së këtij Shteti që mbijeton paqshëm mbi nji Doktrinë urrejtjeje…
mars 2014 – prill 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Vaso Papaj: Një analizë e arrirë Rezart. Dhe e guximshme, prej poeti, le te themi.
    Brezi im i ka kaluar të gjitha ato. Mendoj se hapi i duhur dhe prova e parë e vërtetë e demokratizimit të shoqërisë do të jetë kur shoqëria në shumicë të dënojë veprën makabre të diktatorit, siç dënoi populli gjerman Hitlerin. S’ka asnjë rrugë tjetër të duhur. Gjithçka tjetër është hipokrizi dhe gënjeshtra për t’i hedhur hi syve politikanëve europianë. Kjo tashmë nuk shkon. Jam shumë i lumtur që do t’i lë popullit tim dhe brezave një vandak me libra ku tepër i mërzitur, tepër i revoltuar shoh dhe shpreh se e vetmja rrugë shpëtimi për të është të përqafojë dashurinë, dashurinë me vetveten së pari.
    (Marrë nga muri i fb Rezart Palluqi 18 qershor 2015)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.