A është e mundur të gjendet lumturia?
esse nga Ervina Toptani
A mund të jetojë njeriu gjithë jetën duke kërkuar sekretin e lumturisë? Po, mundet! Këtë e bëri Epikuri, lindur 341 vite para Krishtit, në ishullin Samo.
Ka mbetur fare pak në ditët tona prej veprave të tij, kanë humbur pothuajse të gjitha. Por fragmentet e nevojshme për të ndërtuar filozofinë e tij mbi lumturinë i kemi, fatmirësisht.
Epikuri thoshte se: “…të gjithë ne mund të jemi të lumtur. Problemi për shumë prej nesh është se e kërkojmë atë në drejtimin e gabuar…” Në ndryshim nga shumë filozofë të tjerë, ideja e lumturisë për Epikurin ishte e arritshme. Ai e adhuronte jetën e bukur, plot kënaqësi. Sigurisht, dikush mund të thotë: a na nevojitet vërtet një filozof për të na treguar si të jemi të lumtur? Ndoshta jo, por filozofia në vetvete e ofron këtë mundësi.
Ne mendojmë se çelësi i lumturisë është i thjeshtë për t’u gjetur e zakonisht përgjigjja është: të kesh shumë para! Të fusësh dorën në portofol e të blesh gjithçka dëshiron. Por, përpara se ta bëjmë këtë, të provojmë të ndjekim logjikën e Epikurit për një moment. A mundet paraja vërtet të zgjidhë gjithçka?
Epikuri ishte i dhënë pas jetës së kënaqësive. I pëlqenin femrat, shakatë, e qeshura, e sidomos bukuria, por e kaloi gjithë jetën duke treguar se lumturia është diçka komplekse. Fakti që Epikuri ishte i dhënë pas kënaqësive shihej jo mirë prej shumë bashkëkohësve të tij. Filozofia e tij u bë sinonim i një stili jetese të tretshëm do të thoja, pra, çfarë mendonte e vuri në praktikë në jetën e përditshme.
Epikuri thoshte se kënaqësia është gjeja më e rëndësishme në jetë, por nëse do të studionim mënyrën e tij të jetesës, ai pati një jetë larg të qenit luksoze. Shtëpia, veshjet e gjithçka e tij ishin shumë të thjeshta. Pinte ujë në vend të verës, peshku ishte i kushtueshëm për t’u blerë për të e më së shumti hante bukë, ullinj e perimet që mund të siguronte. Një herë i kërkoi një miku: “…Më dërgo një poçe me djathë, kështu do të mund të bëj festë kur të kem dëshirë!”. Këto ishin shijet e një burri që kënaqësinë e vuri si objektivin më të rëndësishëm të jetës.
Në qendër të filozofisë së Epikurit qëndronte: “…ne nuk jemi të aftë të kuptojmë çfarë na bën të lumtur, ose për më fatlumët, e kuptojnë këtë në ciklin e fundit të jetës…” Jemi të tërhequr nga gjërat materiale deri aty sa bindemi se janë ato për të cilat kemi më shumë nevojë. Ajo që ne dëshirojmë nuk është gjithnjë ajo për të cilën kemi nevojë, por dëshirën dhe nevojën e ngatërrojmë shpesh (sidomos kur dalim për të bërë shopping). Kam parë njerëz me lumturinë stampuar në fytyrë pse mbanin një orë Rolex, apo pse vishen me firmat më të shtrenjta të cilat i paraqesin shpesh si vlerë. Sa herë jam ndalur… e po aq herë kam kujtuar Epikurin. (Sikur ta dinte se ka ende njerëz që e mendojnë edhe kur dalin shëtitje!) Pak a shumë të gjithë ne ngjasojmë disi, blejmë shumë gjëra materiale, shpesh të panevojshme. Epikuri mendonte se e dinte arsyen. Ne nuk e dimë për çfarë kemi realisht nevojë e kjo na kthen në “viktima” të kënaqësive zëvendësuese që për disa njerëz me kohën shndërrohen edhe në mani, duke blerë më shumë se sa kemi nevojë.
Gjëja e parë e nevojshme dhe e domosdoshme janë miqtë. Miqtë janë burim kënaqësie, e ai mendonte se miqtë nuk duhen vetëm për të biseduar, për të pirë një gotë në bar, për të shkuar një mbrëmje në festë, etj. Miqtë duhet të jetohen gjithë kohën, të jenë pjesë e ditës tonë, e jetës tonë të pashkëputur. Nëse do të kishte jetuar sot, nuk do ta ishim gjetur kurrë Epikurin të ulur në një bar apo restorant krejt i vetëm. Rekomandonte se nuk duhej ngrënë kurrë vetëm. “Përpara se të hani apo të pini mendoni mirë për njerëzit me të cilët do të donit ta bënit se sa për ushqimin apo pijen që do të zgjidhnit…” Njeriu nuk është ujk a luan që të shijojë ushqimin e tij në vetmi.
Gjeja e dytë për të cilën kemi nevojë për të qenë të lumtur, sipas Epikurit, është liria. Ai e dinte se liri pikësëpari do të thotë: pavarësi ekonomike (e kuptoj fare mirë edhe pas 2400 e ca vjetësh larg në kohë prej Epikurit, përse na mbajnë të lidhur nëpërmjet rrogës mujore e përse nuk na lejojnë të fitojmë pavarësinë e vërtetë, edhe për ata që janë mjaftueshëm të pasur nuk janë të pavarur sa kohë kontrollohen në gjithçka. Shteti i lejon të pasurohen në numra shumë të paktë për t’i shfrytëzuar pasuritë e tyre dhe ata vetë në momentin që politika ka nevojë. Pra, ne të gjithë, si të pasur, si të varfër e si të mesëm nuk na lejojnë të fitojmë pavarësinë prej atyre që i shohim si “rregullatorë” të jetës së përbashkët, politikës që e njejtësojmë me shtetin).
Pavarësia ekonomike është mbi të gjitha autosufiçensë, njeriu të mos jetë i detyruar t’i japë llogari një shefi, drejtori a eprori, por të jetë zot i vetes pa u urdhëruar.
Epikuri u largua nga Athina, sëbashku me miqtë e tij, për të jetuar në pavarësi të plotë, i lirë. “Ne duhet ta çlirojmë veten nga burgu i përditshëm politik…” – shkruante Epikuri 2400 vjet më parë. Atij nuk i interesonte që nuk ishte i pasur sa kohë ishte autosufiçient, që nuk do të blinte dot ato që në thelb nuk i nevojiteshin për të qenë i lumtur dhe në këtë mënyrë u çlirua përgjithmonë nga paragjykimet e të tjerëve duke shijuar lirinë e tij. Në thelb ai nuk kishte asgjë për t’u demostruar të tjerëve sa kohë kishte gjetur atë që i mbushte shpirtin. (ne shpenzojmë kohë pafund nga jeta për të qenë të admiruar në sytë e të tjerëve. Sa nevojë kemi ta dëgjojmë atë shprehjen standard që na bën krenar: Bravo, ia dole! E sa jetë na merr në fakt përpjekja për të shkuar tek dëgjimi i saj)
Përbërësi i tretë që Epikuri mendonte se ishte i domosdoshëm për të gjetur lumturinë është: të pasurit e një jete analitike. T’i kushtojmë kohë reflektimit mbi problemet, të analizojmë shqetësimet tona. Duket se të gjitha këto probleme e shqetësime zvogëlohen nëse analizohen siç duhet, nëse u kushtojmë kohën e duhur, ndoshta atë të cilën e shpenzojmë duke bërë shopping apo duke iu bindur urdhrave të disa njerëzve që të mbajnë lidhur me rrogën në fund të muajit! Për ta bërë këtë duhet të bëjmë një hap prapa nga jeta e botës me shkëlqim vezullues të rremë e të gjejmë kohë e hapësirë për të reflektuar mbi jetën tonë. Paraja në vetvete nuk ka bërë njeri të palumtur, por ideja qënësore e Epikurit ishte: nëse nuk je i pasur, por ke këto tre përbërës të lartshënuar (miqtë, autosufiçencën dhe jetën analitike) atëherë lumturia nuk do të të mohoet asnjëherë. Në të kundërt, nëse ke shumë para, por nuk ke miq, nuk ke lirinë e nuk ke një jetë analitike atëherë nuk do të jesh kurrë i lumtur realisht.
Nëse do ta ndërtonim raportin e lumturisë dhe parasë në një grafik do të shohim se pika e fillesës (kur fillon ta ndjesh veten të pasur) nis duke u ngitur lart, por së shpejti, sapo arrin pikën mesatare të hapësirës brenda grafikut, kurba fillon e bie. Ajo zbret akoma më ndjeshëm nëse njeriu ndalet një moment për të analizuar e sheh se përreth ka bërë më shumë miq të rremë apo armiq prej pasurisë, nuk ka mundur të jetojë dot pasurinë që ka sepse ka qenë i zënë për ta shtuar atë, është privuar nga liritë më të bukura që jeta jep pikërisht duke menduar se lumturinë e kërkuar mund ta gjejë tek pasuria.
Për të jetuar siç duhet nuk është e mjaftueshme të lexojmë një tekst filozofie apo disa mendime lidhur me të vetëm një herë. Kemi nevojë për përsëritje konstante të tyre, që të mos i harrojmë kur dëshirat sipërfaqësore shfaqen fuqishëm.
Mendimi i Epikurit është në fakt sot më i vlefshëm se sa në kohën kur ai e bashkëkohësit e tij jetuan. Lumturia s’është asnjëherë e përfshirë tek çmimi i gjërave që ne blejmë. Jemi konfuzë kur vjen puna të zgjedhim se çfarë na bën realisht të lumtur.
Nëse do të analizonim pak më shumë, do të ishim pak më të lirë e do të kishim më shumë miq për ta diskutuar këtë, jam e bindur se gjithkush do të kuptonte thelbin e lumturisë e kështu bota do të përbëhej nga njerëz më të lumtur që do të falnin e rrezatonin lumturi në person të parë.
24 mars 2022